Si do të shpëtohet toka?
Si do të shpëtohet toka?
PAVARËSISHT nga gjendja e mjerueshme që kërcënon mjedisin, me siguri do të donim që toka të mbijetonte. Në fund të fundit, ajo është shtëpia jonë dhe shpresojmë të jetë edhe shtëpia e fëmijëve dhe e fëmijëve të fëmijëve tanë. A mund të bëjmë diçka për ta bërë më të sigurt këtë perspektivë?
E vërteta është se ndonëse shumica e njerëzve shqetësohen për mjedisin, shumë veta nuk e vrasin mendjen kur i hedhin plehrat andej-këtej, kur i derdhin mbeturinat në lumë ose i lënë dritat ndezur edhe kur s’ka nevojë. Veprime të tilla mund të duken pa rëndësi, por nëse secili nga miliarda njerëzit në tokë do të tregonte kujdes për mënyrën se si e trajton tokën, gjendja do të ishte ndryshe. Gjëra të tilla, si për shembull, të jemi të kujdesshëm në përdorimin e energjisë, të bashkëpunojmë për riciklimin e mbeturinave, t’i derdhim plehrat në vendin e duhur ose t’i eliminojmë siç duhet, ndihmojnë për mbrojtjen e mjedisit. Me zakonet tona mund të tregojmë se sa kujdesemi për tokën sot.
Sidoqoftë ne nuk mund të kontrollojmë veprimet e shumicës së njerëzve që na rrethojnë. A do të thotë kjo se përfundimisht gjendja është e pashpresë?
Së shpejti një zgjidhje më e mirë
Një koment i Tilo Bodësë, përfaqësues i organizatës Greenpeace, siç citohet në revistën Time, prek thelbin e problemit të mjedisit: «Synimi ynë kryesor ka qenë që shoqëritë prodhuese të mendojnë edhe se si do të eliminohen prodhimet e tyre pas përdorimit. Ato duhet të mendojnë për tri gjëra: prodhimin, përdorimin dhe eliminimin.» Mjerisht, ne jemi të aftë të prodhojmë gjëra, dimë si t’i përdorim, por nuk i eliminojmë siç duhet pas përdorimit. Në disa raste njerëzit thjesht nuk dinë si ta bëjnë këtë gjë në një mënyrë që nuk dëmton mjedisin.
Njerëzit janë të kufizuar në aftësitë e tyre, por Krijuesi i tokës jo. Ai tashmë e ka treguar mençurinë e tij të shkëlqyer në gjërat e krijuara që shohim në tokë. Ai di si t’i krijojë gjërat, si t’i përdorë dhe si t’i eliminojë ato siç duhet. Shumë nga sistemet që ka bërë ai ndodhin në mënyrë të vetvetishme. Një farë mbin dhe kështu rritet një bimë që prodhon fryte. Më pas ajo thahet
dhe të gjithë përbërësit e saj dekompozohen pa shkaktuar ndotje, gati për t’u përdorur përsëri. Kjo është metoda më e mirë e riciklimit. Nuk sjell asnjë ndotje me lëndë helmuese.Krijuesi nuk ka ndër mend të lejojë që toka të përfundojë në një plehërishtë të pabanueshme. Në Bibël, tek Isaia 45:18, lexojmë: «Kështu thotë Zoti, . . . Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej.»
Nëse Perëndia e ka formuar tokën që të banohet, përse ka lejuar që ajo të arrijë në këtë gjendje të mjerueshme? Bibla tregon se në fillim Perëndia e vuri njeriun në një parajsë. Në fakt, qëllimi i Perëndisë ishte që kjo parajsë të arrinte në çdo skaj të tokës e të mbushej me njerëz. (Zanafilla 1:28)Por, aty shpërtheu rebelimi. Burri dhe gruaja e parë nuk donin t’i nënshtroheshin më sundimit të Perëndisë.
Perëndia i lejoi njerëzit të provonin mënyrën e tyre të sundimit. Pasojat janë ato që shohim sot, një dështim tragjik. Njerëzit e kanë treguar qartë me vepra se nuk mund t’i zgjidhin problemet e tyre. Nuk mund t’ia vëmë fajin Perëndisë për atë që ka ndodhur. Ajo që thotë Bibla është e vërtetë për mbarë shoqërinë njerëzore: «Ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrembër dhe i degjeneruar.»—Ligji i përtërirë 32:5.
Megjithatë, ndonëse toka po rrënohet, Perëndia nuk i ka mbyllur sytë para kësaj gjendjeje. Ai do të marrë masa para se të jetë tepër vonë, para se toka të kthehet në një plehërishtë të pabanueshme. Si e dimë këtë? Zbulesa 11:18 thotë: «Kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt dhe koha e caktuar . . . që të shkatërrosh ata që shkatërrojnë tokën.» Shkatërrimi i tokës do të ndalet.
Qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën, pra që ajo të ishte parajsë, do të përmbushet gjithsesi. Këtë e tregojnë vetë fjalët e Perëndisë. Për shembull, ai tha: «Fjala ime e dalë nga goja ime . . . nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Do t’ju pëlqejë po të lexoni kapitullin 35 të Isaisë, sepse aty Perëndia përshkruan kthimin e tokave të rrënuara në parqe të lulëzuara dhe në fusha pjellore.
Por edhe tani, në ato vende ku është ndalur ndotja, toka ka treguar një aftësi mahnitëse për t’u ripërtërirë. Perëndia e krijoi me këtë aftësi. Në qoftë se toka nuk do të mbingarkohej më me ndotës, një shumëllojshmëri mikroorganizmash në ujë e në dhe mund të ndreqin një pjesë të mirë të dëmit. Gjithashtu, kemi arsye për të besuar se kur Perëndia të ndërhyjë dhe t’i drejtojë gjërat, ky proces ripërtëritjeje do të jetë edhe më i efektshëm. Ai mund t’u japë njerëzve stërvitjen dhe drejtimin e përsosur që u mungon.
Prandaj e ardhmja e tokës nuk është e pashpresë. Bimët dhe kafshët do të shpëtojnë. Nuk do të ketë më lista me lloje që rrezikojnë të zhduken. Ajri dhe uji do të jenë përsëri të pastër. Njerëzit e bindur do të jetojnë e do t’i shijojnë këto gjëra. A do t’ju pëlqente t’i shihnit vetë këto gjëra? Po, është e mundur. Si? Bibla tregon me hollësi se çfarë duhet bërë. Pse të mos bëni një shqyrtim të rregullt të Biblës për ta zbuluar vetë? Kërkojuni botuesve të kësaj reviste që t’ju lidhin me dikë, i cili mund t’ju ndihmojë për ta filluar këtë shqyrtim. Pse të lini t’ju ikë rasti për të mësuar se në ç’mënyrë ju dhe familja juaj mund të gëzoni një mjedis të pastër përgjithmonë?