Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ylli vezullues i spektaklit të zogjve

Ylli vezullues i spektaklit të zogjve

Ylli vezullues i spektaklit të zogjve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

PALLOI shfaqet përpara një perdeje mahnitëse tërë ngjyra, si të ishte ylli i ndonjë shfaqjeje teatrale. Pendët e shndritshme që i dalin nga shpina, të gjata pesë herë sa trupi i tij, shkëlqejnë në dritën e diellit.

Kjo pamje madhështore është pjesë e ritit që bën palloi për të tërhequr femrën. Në pikën kulmore të spektaklit, pendët e bishtit fillojnë t’i dridhen, duke krijuar një zhurmë të lehtë që ngjan si fëshfërimë, e cila me sa duket ndihmon në suksesin e shfaqjes. E si mund t’i rezistojë partnerja e tij e ardhshme asaj që është përshkruar si ‘reklama më madhështore në botë’?

Gjithsesi, palloi e bën këtë spektakël edhe për shikuesit që nuk janë partnerë të mundshëm. «Natyralistët kanë pohuar se pallonjtë bëjnë shfaqje më shpesh e për një kohë më të gjatë para një grupi njerëzish, sesa në prani të femrës së palloit»,—komenton vepra Wonders of Peacocks. Ndoshta fama e palloit për t’u krekosur, e kthyer në proverb, vjen nga gatishmëria e tij për të bërë shfaqje me pendët e bukura që ka.

Po fundja pse të mos e bëjë? Spektaklin e tij pa dyshim që ia vlen ta shohësh. Pendët e gjata të zbukuruara me njolla tërheqëse që ngjajnë si sy, kanë gjatësi të ndryshme dhe kjo u jep mundësi të formojnë një erashkë me formë të përkryer. Në varësi të këndit të rrezeve të diellit, këto pendë marrin ngjyrë bakri, bronzi dhe ari e deri blu të thellë në të gjelbër dhe vjollcë.

Në vendet perëndimore, njerëzit mund të mendojnë se palloi nuk ka shumë veçori të dobishme, sepse duket sikur qëllimi kryesor në jetën e tij është të ecë vërdallë duke reklamuar pendët. Mirëpo në vendlindjen e tij, në Indi, fshatarët e vlerësojnë edhe si një gjuajtës të efektshëm të kobrave të vogla dhe të gjarpërinjve të tjerë helmues. Pandjeshmëria ndaj helmit të kobrës e ka bërë palloin simbol të hyjnisë e të pavdekësisë në Lindje.

Rreth 3.000 vjet më parë palloi vlerësohej shumë në Lindjen e Mesme. Mbreti Solomon importonte pallonj, së bashku me mallra të tjera të vlefshme, si ‘ar, argjend dhe fildish’. (1 Mbretërve 10:22) «Pallonjtë u shfaqën për herë të parë në vendet e Mesdheut ndoshta ngaqë i importoi Solomoni»,—komenton libri The Natural History of the Bible. Disa shekuj më vonë, Aleksandrit të Madh i bënë kaq shumë përshtypje pallonjtë, saqë i ndaloi ushtarët e tij t’i vritnin.

Edhe sot janë shumë të paktë njerëzit të cilëve nuk u bën përshtypje spektakli unik i palloit. Por s’duhet të harrojmë edhe Regjisorin e këtij spektakli. Ashtu si mjeshtëria e një artisti pasqyrohet në veprat e tij, po kështu origjinaliteti artistik i Krijuesit tonë shfaqet qartë në këtë xhevahir midis krijesave të tij.

[Figura që zë gjithë faqen 17]

[Burimi i figurës në faqen 16]

Cortesía del Zoo de la Casa de Campo, Madrid