Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i paguani taksat?

A duhet t’i paguani taksat?

A duhet t’i paguani taksat?

«Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën, haraçin atij që kërkon haraçin; frikë atij që e kërkon këtë frikë; nderim atij që e kërkon këtë nderim.»—Romakëve 13:7.

KUR mendojmë për numrin gjithnjë në rritje të taksave e tatimeve, këshilla e mësipërme mund të duket e vështirë për t’u pranuar. Megjithatë, ato janë fjalët e apostullit Pavël dhe janë dokumentuar në Bibël. Pa dyshim, ju e respektoni Biblën. Por, ndoshta pyetni veten: ‘A duhet që të krishterët t’i paguajnë të gjitha taksat e tatimet, edhe ato që disave mund t’u duken të paarsyeshme ose të padrejta?’

Mendoni për këshillën që u dha Jezui dishepujve të tij. Ai e dinte se judenjtë ishin shumë të pakënaqur me taksat që u kishte vënë Roma. Gjithsesi, i nxiti: «Paguajini Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:17) Është interesante të vërejmë se Jezui i nxiti njerëzit t’i paguanin taksat po atij regjimi që pas pak do ta ekzekutonte.

Disa vjet më vonë, Pavli dha këshillën e cituar në hyrje të artikullit. I nxiti njerëzit të paguanin taksat, pavarësisht se shuma të mëdha nga këto taksa po përdoreshin për ushtrinë romake dhe për të mbështetur jetesën imorale e me teprime të panevojshme të perandorëve romakë. Pse Pavli mori një qëndrim që s’do t’u pëlqente të tjerëve?

Autoritetet më të larta

Shqyrtoni kontekstin e fjalëve të Pavlit. Te Romakëve 13:1 ai shkroi: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia; autoritetet ekzistuese janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia.» Kur kombi i Izraelit kishte sundimtarë me frikë Perëndie, për ta ishte e lehtë ta shihnin mbështetjen financiare të kombit si një detyrë qytetare dhe fetare. Por, a kishin të krishterët një përgjegjësi të ngjashme kur sundimtarët ishin jobesimtarë, adhurues idhujsh? Po, kishin. Fjalët e Pavlit u treguan atyre se Perëndia u kishte dhënë këtyre sundimtarëve ‘autoritetin’ për të sunduar.

Qeveritë bëjnë shumë për të mbajtur rendin dhe qetësinë. Kjo u jep mundësi të krishterëve të vazhdojnë veprimtaritë e ndryshme frymore. (Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25) Prandaj, Pavli tha për autoritetet qeveritare: «Për ty ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën tënde.» (Romakëve 13:4) Vetë Pavli përfitoi nga mbrojtja që i jepte qeveria romake. Për shembull, kur ra në duart e një turme të dhunshme, atë e shpëtuan ushtarët romakë. Më vonë, iu apelua sistemit gjyqësor romak, që të vazhdonte të shërbente si misionar.—Veprat 2:22-29; 25:11, 12.

Kështu, Pavli dha tri arsye përse duhet t’i paguajmë taksat e tatimet. Së pari foli për ‘zemërimin’ e qeverive, të cilat i ndëshkojnë ata që shkelin ligjet. Së dyti, shpjegoi se ndërgjegjja e një njeriu të perëndishëm do të ndikohej për keq nëse ai do t’u bënte bisht taksave. Së fundi, tregoi se taksat dhe tatimet janë thjesht pagesa për shërbimet që kryejnë qeveritë si «shërbëtorë publikë».—Romakëve 13:1-6.

A ua vunë veshin të bashkëkrishterët fjalëve të Pavlit? Duket se po, pasi Justin Martiri, një shkrimtar i quajtur i krishterë i shekullit të dytë (rreth 110-165 të e.s.), tha se të krishterët i paguanin taksat «më me gatishmëri se gjithë të tjerët». Edhe sot, kur qeveritë kërkojnë pagesa, qoftë kjo në kohë ose në para, të krishterët vazhdojnë të binden me gatishmëri.—Mateu 5:41. *

Sigurisht, të krishterët janë të lirë të nxjerrin dobi nga lehtësimet e ndryshme tatimore. Në disa raste, mund të jenë në gjendje të përfitojnë nga lehtësimet dhe përjashtimet tatimore që u bëhen atyre që japin kontributin e tyre në organizatat fetare. Gjithsesi, duke iu bindur Fjalës së Perëndisë, të krishterët e vërtetë nuk u dredhojnë tatimeve, por i paguajnë ato, duke u lënë autoriteteve përgjegjësinë e plotë se si t’i përdorin paratë.

Taksat dhe tatimet e shumta janë vetëm një mënyrë në të cilën «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Predikuesi 8:9) Dëshmitarët e Jehovait i ngushëllon premtimi i Biblës se së shpejti do të ketë drejtësi për të gjithë, nën qeverinë e Perëndisë, një qeveri që nuk do t’i ngarkojë kurrë njerëzit me taksa e tatime të padrejta.—Psalmi 72:12, 13; Isaia 9:7.

[Shënimi]

^ par. 10 S’është e thënë që këshilla e Jezuit për t’i paguar «Cezarit, gjërat e Cezarit», të kufizohet vetëm në pagimin e taksave dhe tatimeve. (Mateu 22:21) Libri Critical and Exegetical Hand-Book to the Gospel of Matthew, shkruar nga Hajnrih Mejeri, shpjegon: «Me [gjërat e Cezarit] . . . nuk kuptojmë vetëm taksën publike, por çdo gjë e cila i takonte Cezarit, duke qenë se ai kishte sundimin e ligjshëm.»

[Diçitura në faqen 11]

Të krishterët e hershëm i paguanin taksat «më me gatishmëri se gjithë të tjerët».​—JUSTIN MARTIRI

[Figura në faqen 10]

Të krishterët e vërtetë u binden ligjeve për taksat e tatimet

[Figura në faqen 11]

Jezui tha: ‘Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit’

[Burimi i figurës në faqen 10]

© European Monetary Institute