Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Abuzimi me drogën Kapaku i revistës Zgjohuni!, 8 prill 2003 («Abuzimi me drogën në familje: Çfarë mund të bëni?») më tërhoqi vëmendjen. Kam kohë që studioj Biblën me një grua që quhet Linda. Dy nga djemtë e saj janë të droguar. Mëngjesin pasues e studiova këtë numër të revistës me të, paragraf për paragraf. I dha shumë zemër dhe forcë. Materiali erdhi tamam në kohën e duhur.

K. M., Shtetet e Bashkuara

Drejtoj një qendër këshillimi që ndihmon familjet për të përballuar varësinë ndaj drogës dhe alkoolizmin. Ndonëse jam katolik, jam një lexues i pasionuar i revistës Zgjohuni! Dua t’ju shpreh falënderimet e mia për serinë e artikujve në lidhje me abuzimin me drogën në familje. E lexova me shumë interes, meqë do të më ndihmojë në punën time me të rinjtë.

H. K., Ekuador

Kur ha me duar Lexova artikullin «Kur ha me duar» në numrin e 8 prillit 2003. Jam dhjetë vjeçe dhe provova të haja me duar një gjellë të ngrohtë me mish dhe patate. Ishte shumë e vështirë. Por ishte qejf dhe gjella ishte e shijshme. Faleminderit për këtë artikull. Kohët e fundit e kam marrë revistën Zgjohuni! me vete në shkollë dhe e lexoj gjatë pushimit.

M. T., Japoni

Pyetësorët biblikë Dua t’ju them se i pëlqej shumë fjalëkryqet që botoni. Kam mësuar shumë gjëra prej tyre.

R. N., Shtetet e Bashkuara

U kam folur për Biblën fëmijëve të mi që kur ishin shumë të vegjël. Por tani që janë më të rritur është më e vështirë të nxitësh interesin e tyre për gjërat frymore. Prandaj kam kërkuar mënyra si t’i ndihmoj. Kur mora numrin e Zgjohuni! të 8 prillit dhe shqyrtova pjesën «A e dini?», më erdhi një ide. Menjëherë i përshtata pyetjet për fëmijët e mi, duke u dhënë shumë alternativa, dhe i vendosa letrat me pyetje në mur. Në fillim nuk u bëri ndonjë përshtypje, por pas njëfarë kohe filluan t’u përgjigjeshin pyetjeve. Tani pyetjet i përdorim si argument për bisedat familjare.

R. M., Japoni

«Zgjohuni» sqaron: Pjesa me pyetje nga Bibla «A e dini?» botohet në disa gjuhë në ata numra të «Zgjohuni!» ku nuk del fjalëkryqi.

Arra e kokosit Më pëlqeu shumë artikulli «Një nga arrat më të dobishme në botë» në numrin e 22 marsit 2003. Mua dhe shoqes sime na pëlqen që në kohën e lirë të bëjmë sapun. Përdorim vaj arre kokosi për sapunët, se i bën mirë lëkurës dhe bën shumë shkumë. Pasi kam lexuar këtë artikull, e çmoj edhe më shumë arrën e kokosit.

K. B., Kanada

Liria e shprehjes Sapo mbarova së lexuari serinë «Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dhe liria e shprehjes». (8 janar 2003) Brenda meje vërshoi një valë e vërtetë ndjenjash: habi që debati për këtë çështje vazhdon ende në Shtetet e Bashkuara, admirim për mënyrën se si vëllezërit tanë të krishterë e paraqitën me mjeshtëri pikëpamjen tonë, dhe mirënjohje të thellë që edhe në këtë botë të padrejtë mund të jepen vendime të drejta. Më ngazëllon zemra kur kryej veprën e predikimit të lajmit të mirë. Artikuj të tillë na zgjerojnë horizontin.

O. S., Bjellorusi

Jeta private Seria «A është në rrezik jeta juaj private?» (22 janar 2003) më ndihmoi të kuptoja më mirë se çfarë do të thotë të respektosh të drejtat e të tjerëve. Të futësh hundët në jetën private të të tjerëve faktikisht është një vjedhje dhe pasojat e saj janë të pakëndshme. Është e natyrshme që si të krishterë jemi të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Por mund ta harrojmë fare lehtë se ka kufij që nuk duhen kaluar.

T. M., Republika Çeke