Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Tani kuptojnë gjuhën e qenve?
Një firmë lodrash në Japoni ka shpikur një pajisje që ka si qëllim të përkthejë lehjet e qenve në fjalë, siç raporton Rrjeti Informativ Japonez. Pajisja përbëhet nga një mikrofon pa tela që vihet në qaforen e një qeni dhe ia transmeton tingujt një radiomarrësi të vogël. Mendohet se radiomarrësi i analizon tingujt e qenit dhe i klasifikon në gjashtë gjendje emocionale: zhgënjim, inat, lumturi, trishtim, dëshirë dhe agresivitet. Rezultatet tregohen në ekranin prej kristali të lëngshëm të radiomarrësit dhe përfshijnë shprehje si: «Jam top fare!» «Uh, sa e mërzitshme!» dhe «Eja, luaj me mua!» Prodhuesi tha se në Japoni ka shitur 300.000 pajisje të tilla 100 dollarëshe dhe shpreson të kapë shifrën një milion copë kur ta nxjerrë në treg në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara.
S’kanë fare besim te kishat
«Gjermanët kanë shumë besim te policia dhe te ushtria, por jo te kishat»,—raporton gazeta Leipziger Volkszeitung. Në «anketën e tij për besimin» Forumi Botëror i Ekonomisë zbuloi se nga 17 institucionet kryesore publike kishat renditeshin të fundit. Sociologu Armin Nasehi tha se në këto kohë kur ndjenja e pasigurisë po rritet, gjermanët kanë më shumë besim te organizatat që «arrijnë të dallojnë të mirën nga e keqja», të tilla si policia dhe ushtria. Pse ky mosbesim ndaj kishave? Nasehi thotë: «Ndonëse ka një rigjallërim të ndjenjës fetare, njerëzit nuk besojnë se kishat mund të zgjidhin problemet e tyre themelore.» Kishat në Gjermani «përveç ritualeve, s’kanë ç’të të japin tjetër»,—thekson ai.
Divorci në moshën e mesme
Në Gjermani «çiftet që kanë qenë të martuar për një kohë të gjatë, sot më shumë se kurrë më parë po ndahen»,—raporton Berliner Morgenpost. Xhina Kestele, një psikanaliste nga Mynihu, Gjermani, e specializuar për martesat thotë se një faktor kryesor është pavarësia gjithnjë e më e madhe e grave, veçanërisht në fushën financiare. «Burri e ka humbur rëndësinë e tij të dikurshme si ai që nxjerr bukën e gojës»,—thotë Kestelja. Një mendim i zakonshëm pse divorcet ndodhin në moshën e mesme është që çiftet e shtyjnë divorcin derisa të rriten fëmijët e të largohen nga shtëpia. Megjithatë, më shpesh divorcet në moshën e mesme ndodhin sepse burri ka një lidhje jashtë martese, siç thotë Kestelja.
Fuqia e një buzëqeshjeje
«Ishin afro 74 për qind e të anketuarve që nuk do të donin të punonin me njerëz të zymtë dhe 69 për qind nuk mund të zinin miqësi me ta.» Kështu raporton revista Wprost në lidhje me një studim të bërë nga Insituti i Sociologjisë në Universitetin «Jagillonian» në Krakov të Polonisë. Një arsye që përmendet është se shpesh duket sikur njerëzit e mërzitur fshehin diçka. Njerëzit që punojnë në publik e kanë ditur prej kohësh këtë, e kjo shpjegon pse «politikanët, biznesmenët, yjet e muzikës pop, ata që japin lajmet në TV dhe njerëzit që kanë lidhje me publikun, që merren me marketing e me shitje buzëqeshin» kaq shpesh, siç thotë Wprost. Gjithashtu kërkuesit kanë zbuluar që kur buzëqeshim, arrin më shumë gjak në tru, dhe kjo na përmirëson gjendjen shpirtërore. Një biznesmene tha: «Përpiqem të buzëqesh madje edhe kur nuk jam në humor për të buzëqeshur. Kur buzëqesh, ndiej një ndryshim përbrenda, dhe me të vërtetë kjo më bën të ndihem më mirë.»
Kujdes nga zjarri në kampe
Në Australi më shumë se 70 për qind e djegieve të fëmijëve nga zjarret nëpër kampe «shkaktohen më shumë nga prushi i nxehtë sesa nga flakët»,—raporton Medical Journal of Australia (MJA). Për më tepër, në Australi shumë djegie nga zjarret në kampe ndodhin «mëngjesin tjetër pasi mendohej se zjarri në kamp ishte shuar». Pse kështu? Kërkuesit zbuluan se kur zjarret në kamp ishin shuar me ujë, mbetjet e zjarrit zbritnin në temperaturën 16 gradë celsius pas tetë orësh. Në ndryshim me këtë, zjarret që shuheshin me rërë ruanin temperaturën 91 gradë celsius deri pas tetë orësh. Kjo temperaturë shkakton një djegie të shkallës së tretë pas një sekonde kontakti me lëkurën. «Meqë fikja e zjarrit me rërë e maskon rrezikun, e vetmja mënyrë e sigurt për të fikur një zjarr në kamp është ta fikësh atë me ujë»,—thotë botimi MJA.
Nishane kanceroze
Shumica e nishaneve të lëkurës nuk janë të rrezikshme. Megjithatë, është mirë të jemi vigjilentë ndaj nishaneve kanceroze. Sipas gazetës Milenio të qytetit të Meksikos, shenjat e mëposhtme tregojnë se duhet t’i kërkoni një mjeku ta shqyrtojë nishanin: njëra gjysmë e nishanit nuk ka të njëjtën madhësi me gjysmën tjetër, nishani ka formë të çrregullt, ndryshon ngjyrën dhe madhësinë, e ka diametrin më të madh se 0,6 centimetra [sa madhësia e një gome lapsi] ose nishani gjakoset a të kruhet. Dr. Nensi Pulido-Diazi nga Qendra Mjekësore Kombëtare «La Rasa» thotë: «U duhet kushtuar më shumë vëmendje atyre nishaneve që njerëzit i kanë që kur kanë lindur dhe atyre që dalin në pëllëmbët e duarve dhe në shputën e këmbëve.»
Të mësosh një gjuhë të huaj
A do t’ju pëlqente të mësonit një gjuhë të huaj? Revista polake Poradnik Domowy jep këshillat e mëposhtme. «Një veçori e pandarë e mësimit të një gjuhe të huaj është të bësh gabime. Pranimi i këtij fakti është hapi i parë për t’ia dalë mbanë.» Përveç kësaj është edhe «gatishmëria për të rrezikuar». Në qoftë se nuk dimë si ta themi diçka, «disa herë duhet të mbështetemi te intuita jonë ose thjesht duhet ta marrim me mend», çka është më mirë se të rrimë pa folur. «Rrallëherë e kuptojmë që burimi i problemeve tona mund të jetë frika ose turpi,—thotë revista.—Në rast se ia dalim t’i mposhtim këto dobësi, pa dyshim që do të përparojmë më shpejt.» Gjithashtu një mësues i mirë mund ta ndihmojë dikë që të kapërcejë frikën dhe të përparojë më shpejt.
«Nga dhuna vdiqën 1,6 milionë njerëz»
«Në vitin 2000 nga dhuna vdiqën 1,6 milionë njerëz, njëlloj sa turbekulozi, dhe kjo shifër ia ka kaluar numrit të vdekjeve nga malaria, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili për herë të parë orvatet të përcaktojë shkallën e gjerë të mizorisë»,—thotë The Wall Street Journal. Llogaritja bazohet në të dhëna të mbledhura nga 70 vende dhe përfshin luftërat, sulmet fizike, vetëvrasjet dhe goditjet me armë zjarri. «Kërkuesit zbuluan se vdekjet nga dhuna përbëjnë afro 3 për qind të të gjitha vdekjeve në botë,—shton artikulli.—Shtrirja e dhunës, kundër grave, fëmijëve, pleqve, djemve të rinj dhe bashkësive në përgjithësi, doli shumë më e madhe se ç’e prisnin. Kërkuesit mendojnë se një nga shkaqet e kësaj është që dhuna shpesh nuk raportohet.» Klasifikimi i vdekjeve nga dhuna ishte: 50 për qind nga vetëvrasjet, 30 për qind nga vrasjet dhe 20 për qind nga luftërat. Evropa Lindore kishte përqindjen më të lartë të vetëvrasjeve, me në krye Federatën Ruse dhe Lituaninë. Përqindja e vdekjeve nga armët e zjarrit ishte më e lartë në Shqipëri—22 vdekje në 100.000 njerëz. Shtetet e Bashkuara kishin 11,3 vdekje në 100.000 njerëz, kurse Mbretëria e Bashkuar Britanike dhe Japonia kishin përkatësisht 0,3 dhe 0,1 vdekje në 100.000 njerëz.
«Gara makinash» me zërat e kasetofonëve
Kush arrin ta ketë më të lartë zërin e kasetofonit të makinës? Kjo pyetje ka bërë të lindë një garë e re ndërkombëtare, e njohur si gara e makinave dB (decibel), siç raporton National Public Radio në Shtetet e Bashkuara. Në takime të organizuara, lartësia e tingujve të kasetofonëve të makinave—që matet me decibel ose dB—llogaritet me mjete të vëna brenda automjetit. Tingujt që mund të dëgjohen jashtë makinës nuk llogariten nga aparati, prandaj konkurrentët përmirësojnë strukturën e makinës së tyre për të parandaluar daljen e tingujve. «Në makinat më të sofistikuara, . . . xhamat janë shtatë [ose] dhjetë centimetra të trasha,—thotë konkurrenti Uein Harris,—dhe dyert janë përforcuar me mentesha prej çeliku e betoni.» Konkurrentët nuk ulen brenda makinave të tyre kur kasetofoni është i ndezur, dhe bëjnë mirë.