Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rezervati Kombëtar i Parakasit, një udhëtim zbulimi

Rezervati Kombëtar i Parakasit, një udhëtim zbulimi

Rezervati Kombëtar i Parakasit, një udhëtim zbulimi

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Peru

PERUJA ka tërhequr për shumë vjet turistë nga gjithë bota. Udhëtimi zakonisht përfshin Limën; Kuskon, kryeqytetin e inkasve; rrënojat magjepsëse të Maçu-Piçut; Andet madhështore; e ndoshta edhe një lundrim nëpër Amazonë. Kohët e fundit listës i është shtuar një vend tjetër interesant: Rezervati Kombëtar i Parakasit. Është rreth 250 kilometra në jug të Limës dhe mund të shkosh me anë të Autostradës Pan-American.

Rezervati Kombëtar i Parakasit zë gati 335.000 hektarë në zonën bregdetare dhe në gadishullin e Parakasit. U krijua në vitin 1975 nga qeveria e Perusë për ruajtjen e faunës së bollshme që jeton gjithmonë në këtë zonë ose që çdo vit shtegton për aty. Rezervati shërben për të nxitur respektin për mjedisin, ndërkohë që përkrah edhe turizmin. Deri tani janë zbuluar më se 100 vende arkeologjike, të cilat dëshmojnë për kulturën shumëshekullore të Parakasit. Zonat detare janë shtëpia e luanëve të detit, lundrave të detit, delfinëve, si dhe e më se dyqind llojeve zogjsh dhe e katër llojeve breshkash deti.

Në hartë pjesa kontinentale është e stërmadhe, kurse Gadishulli Parakas thjesht si një kopsë. Falë kësaj pozite gjeografike, zonën e rrahin erërat e fuqishme alize, që vendësit i quajnë parakas. Këto erëra fryjnë drejt veriut, duke shtyrë përpara rrymën e ftohtë të Perusë ose rrymën e Humboltit. Ndërthurja e ujërave të ftohta, ujërave të cekëta dhe e ujërave që dalin nga thellësia në sipërfaqe të oqeanit e kanë bërë gadishullin një ndër zonat detare me faunën më të pasur në botë. Këtu Oqeani Paqësor është i gjelbër, sepse ka me bollëk mikroorganizma, si bimore, si shtazore. Dhe këto shërbejnë si ushqim për miliona açuge e për peshq të tjerë të vegjël, që gëlojnë në këto ujëra të pasura. Në këtë gosti detare, sidomos me açuge, ushqehen shumë zogj deti, pinguinë dhe gjitarë deti që mbrohen në rezervat.

Vizitojmë Ishujt Bajestas

Udhëtimi ynë fillon nga doket në gjirin e Parakasit. Në pikat e ankorimit një mori varkash peshkimi të vogla lëkunden mbi ujë. Pelikanët vendës janë pasagjerët e vetëm që kanë. Ata rrinë ulur e pastrojnë pendët me sqep dhe vëzhgojnë se ç’bëjnë njerëzit përreth tyre. Ja, mbërrin motobarka jonë, dhe hipim gjithë padurim në të e veshim jelekët e shpëtimit. Sapo lëmë pas rrëmujën e trafikut në port, varka e shton shpejtësinë dhe na dhuron një udhëtim të hareshëm teksa çajmë përpara përmes dallgëve të vogla të gjirit.

Ndalesa e parë është pranë skajit të gadishullit. Aty udhërrëfyesja jonë na flet për një vizatim gjigant në shpatin e kodrës. Quhet Shandani, ndonëse mund t’ju duket si një kaktus me tri degë. Disa kanë hedhur mendimin se ky vizatim është pjesë e të famshmeve Vizatime të Naskës. * Të tjerë kanë hedhur idenë se u vizatua nga piratët ose se është një simbol masonik që e kanë bërë ushtarët e udhëheqësit revolucionar Hose de San-Martin në vitin 1820. Pavarësisht se kush e ka bërë, kjo vepër artistike në një vend të shkretë është mbresëlënëse.

Pasi kemi lënë pas gadishullin, udhëtimi ynë bëhet më i vështirë. Shohim ishujt që rrezatojnë bardhësi nën diellin e mëngjesit. Megjithatë, kjo bardhësi nuk është ngjyra e shkëmbinjve ose e rërës, por është guano, pra glasa zogjsh që mbulojnë ishujt.

Mbërrijmë në Ishujt Bajestas ose Ishujt e Harkut. Këtë emër ua vunë spanjollët ngaqë ishujt kanë shkëmbinj në formën e harqeve natyrore. Drejtuesi i motobarkës e ul shpejtësinë. Gjëja e parë që na kalon ndër mend është: ‘Kush po vëzhgon dhe kë po vëzhgon?’ Kjo sepse nëpër shkëmbinj të thepisur dhe në pikat më të larta të ishujve kanë zënë vend zogj deti të panumërt: pelikanë, dallëndyshe deti, pulëbardha, sula, një shumëllojshmëri karabullakësh, dhe madje pinguinë të Humboltit. Ndonëse mund të duket e çuditshme që të shohësh pinguinë në një zonë tropikale, ujërat jashtëzakonisht të ftohta dhe bollëku i peshqve bëjnë që ata të ndihen fare mirë këtu. Pas kësaj, përgjojmë luanët e detit që marrin diell kudo që ka pak vend të sheshtë mbi shkëmbinj. Ishujt në pjesën më të madhe janë formacione shkëmbore që bien thikë në det, ndaj i admirojmë pinguinët dhe luanët e detit që, ndonëse janë kaq të ngathët në tokë, ia dalin të shkojnë në vendet ku prehen.

Udhërrëfyesja na zbavit me hollësi interesante. «Një luan deti mashkull mund të peshojë më shumë se 300 kilogramë dhe ka një harem me 20 femra»,—shpjegon ajo. Femrat e luanëve të detit kanë linja të bukura, kurse meshkujt viganë ngjajnë si thasë dhjami të fryrë. Mësojmë se këta meshkuj janë gjitarë të fuqishëm e të frikshëm, që ndeshen me njëri-tjetrin për të pasur pushtetin mbi haremin dhe territorin. Shpesh ai që humbet plagoset për vdekje, e kështu bëhet ushqim për hutat dhe kondorët. Edhe këta janë pjesë e zinxhirit ushqimor në këto ujëra bregdetare. Një luan deti ka shumë oreks, shpesh ai përlan 10 kilogramë peshk brenda një nate të vetme. Por këto krijesa nuk janë agresive me ne, vetëm se janë shumë kureshtare.

Teksa drejtuesi i varkës na shëtit rreth secilit prej tre ishujve dhe harqeve të gurta, ndiejmë që ajri është mbushur me erën e fortë të guanos. «Në harqe,—shpjegon udhërrëfyesja,—jetojnë lakuriq nate gjakpirës që ushqehen me luanë deti kur këta flenë.» Nga larg, shohim diçka që duket si njollë e madhe e errët në ishullin më të madh. Është një tufë me guanaje ose karabullakë, zogj uji që u pëlqen të rrinë bashkë. Janë mbledhur tufë, të rrasur njëri me tjetrin, pushojnë dhe e mbushin vendin me guano. Sulat bëjnë zhytje vertikale në det, kurse zogj të tjerë na kalojnë afër.

Më në fund mbërrijmë në ‘pavionin e maternitetit’, zona më e madhe e plazhit në këta ishuj. Emocionohemi kur shohim shumë luanë deti me grupe këlyshësh në ngjyrë të errët, që përdridhen e rrinë rreth e rrotull femrave. Plazhi është i zhurmshëm, me ulërima, me tinguj grykorë të çjerrë e me klithma të mprehta. Na thonë se këlyshët mund të pinë gji deri në gjashtë muaj dhe e mësojnë notin në shpinën e nënës.

Kur po kthehemi për te doket, udhërrëfyesja na thotë: «Gjashtëdhjetë për qind e të vegjëlve të luanëve të detit ngordhin para se të mbushin vitin. Disa shtypen nga të tjerët ose vriten qëllimisht nga meshkujt. Të tjerë mbyten. Edhe dukuria natyrore El Ninjo mund të bëjë kërdinë, pasi i shtyn açuget drejt jugut në ujëra më të ftohta. Të vegjlit e luanëve të detit nuk kanë fuqi të ndjekin të rriturit për në zonat e reja ku ushqehen.»

Si për ironi, kërcënimi më i madh për mbijetesën e faunës së këtushme është njeriu. Shumë luanë deti janë vrarë nga gjuetarët për gëzofin e tyre dhe nga peshkatarë që i shohin ata si një bezdi. Breshkat e detit mblidhen për mishin e tyre, që mbahet si shumë i shijshëm, dhe për zhguallin, të cilin disa e koleksionojnë. Popullatat e zogjve janë shqetësuar nga ata që mbledhin guano. Rezervat ushqimore janë pakësuar tepër nga peshkimi tej mase. Na thuhet se tani fauna ruhet me ligj. Ndoshta ligje të tilla do të ndikojnë që njerëzit të ndërgjegjësohen për ta ruajtur atë.

Udhëtim në të kaluarën e Parakasit

Vëmë këmbë në tokë të thatë dhe jemi gati për pjesën e fundit të udhëtimit tonë. Shkojmë në muzeun e gadishullit, «Hulio S. Tejo».

Në vitin 1925, arkeologu peruvian Hulio S. Tejo dhe një koleg i tij bënë zbulimin e tyre të parë në gadishull. E quajtën zonën Koka e Gjatë, nga disa kafka njerëzish të zgjatura, të cilat gjenden gjysmë të varrosura në sipërfaqen e tokës së shkretuar. Këto ishin mbetje të kulturës së popullit parakas, për të cilën dijetarët llogaritin se ka ekzistuar rreth vitit 1000 p.e.s. deri në vitin 200 p.e.s. Populli parakas nuk kishte gjuhë të shkruar. Prandaj, ndërsa dihet si i zgjatnin kafkat këta njerëz, duke përdorur jastëkë, shkopinj druri dhe spango—askush nuk e di përse e bënin këtë. Po në këtë zonë Tejoja bëri zbulimin tjetër: shpella varrimi nëntokësore në trajtën e kupave të përmbysura. Trupat e mbështjellë me rroba, që dergjen kruspull në pozicionin e embrionit, ishin vendosur përkrah njëri-tjetrit, gati të «lindnin prapë» në jetën tjetër. Në shpella gjendeshin edhe misra, kikirikë e patate të ëmbla, si edhe instrumente ceremoniale dhe muzikore.

Pas dy vjetësh Tejoja dhe një kolege tjetër zbuluan një varrezë të stërmadhe, të cilën e quajtën Nekropoli i Parakasit. Përmbante 429 grumbuj me të varrosur, disa mbi 1,6 metra të lartë. Këto mumje të kruspullosura ishin vendosur secila brenda një shporte. Ishin mbështjellë me petka luksoze e me ngjyra të ndezura që të mahnitnin, të qëndisura me figura shumëngjyrëshe, shpesh me motive magjiko-fetare.

Në Muzeun «Hulio S. Tejo» mund të shihen disa nga këto petka të varrimit, së bashku me qindra punime artistike të kulturës parakase, të bëra me dorë.

Shpresojmë që udhëtimi ynë përmes Rezervatit Kombëtar të Parakasit t’ju ketë ngjallur dëshirën për të eksploruar më shumë nga thesaret e Perusë.

[Shënimi]

^ par. 8 Këto janë vizatime kafshësh dhe figura gjeometrike në rrafshnaltat e Naskës, në Peru, që janë kaq të mëdha, saqë mund të shihen vetëm nga lart. Shih artikullin «Vizatimet e Naskës—Një pistë për uljen e UFO-ve?» në numrin e Zgjohuni!, 8 janar 1982, anglisht.

[Figura në faqen 17]

Pinguini i Humboltit

[Figura në faqen 18]

Dallëndyshe deti inkase

[Figura në faqen 18]

Shandani

[Figurat në faqen 18]

Punime artistike të kulturës parakase, të bëra me dorë: një petk varrimi, një mumje dhe një nga kokat e gjata

[Burimet e figurave në faqen 16]

Pelikani: © Archivo de PromPerú; luanë deti: © Michael Tweddle/PromPerú

[Burimet e figurave në faqen 17]

Bregdeti: © Carlos Sala/PromPerú; flamingot: © Heinz Plenge/PromPerú; pinguin: © Arturo Bullard/PromPerú

[Burimet e figurave në faqen 18]

Në krye, majtas, deti dhe dallëndyshe deti: © Archivo de PromPerú; punimet artistike: Museo Nacional de Arqueología, Antropología e Historia del Perú