Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Taksat: Çmimi për një «shoqëri të qytetëruar»?

Taksat: Çmimi për një «shoqëri të qytetëruar»?

Taksat: Çmimi për një «shoqëri të qytetëruar»?

«Taksat janë çmimi që duhet të paguajmë për të pasur një shoqëri të qytetëruar.»​—Mbishkrim që gjendet në ndërtesën e Drejtorisë së Brendshme Tatimore në Uashington D.C.

QEVERITË pohojnë se taksat e tatimet janë një e keqe e domosdoshme, janë çmimi për një «shoqëri të qytetëruar». Sido që t’ju duket ky opinion, nuk mund të mohohet se normalisht ky çmim që duhet paguar është i lartë.

Tatimet mund të ndahen në dy kategori: të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi pronën hyjnë te tatimet e drejtpërdrejta. Nga këto, duket se ajo që shkakton më shumë pakënaqësi është tatimi mbi të ardhurat. Një gjë e tillë ndodh sidomos në vendet ku ky tatim është progresiv, domethënë sa më shumë para të fitosh, aq më shumë tatim do të paguash. Ata që kritikojnë këtë sistem thonë se tatimet progresive në të vërtetë dënojnë punën dhe suksesin.

OECD Observer, një botim i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, na kujton se përveç tatimeve që u paguhen qeverive qendrore, «ata që kanë të ardhura mund t’u duhet të paguajnë edhe tatime mbi të ardhurat për buxhetin lokal, rajonal, provincial ose federativ. Kjo ndodh në Belgjikë, Islandë, Japoni, Kanada, Kore, Spanjë, Shtetet e Bashkuara, Vendet Skandinave dhe në Zvicër».

Te tatimet e tërthorta hyjnë tatimi mbi shitjet, tatimi mbi pijet alkoolike e cigaret, si edhe taksat doganore. Këto bien më pak në sy se tatimet e drejtpërdrejta, por gjithsesi mund të jenë një goditje e rëndë ekonomike, sidomos për të varfërit. Në revistën indiane Frontline, shkrimtarja Jajali Gosh thotë se ideja që në Indi pjesën më të madhe të taksave e tatimeve e paguajnë të pasurit është thjesht imagjinare. Kjo shkrimtare thotë: «Për qeveritë e shteteve që përbëjnë Indinë, tatimet e tërthorta përbëjnë më shumë se 95 për qind të të gjithë të ardhurave tatimore. . . . Ka të ngjarë që në të vërtetë të varfërit të paguajnë më shumë nga të ardhurat e tyre në formë tatimesh, sesa të pasurit.» Me sa duket, këtë pabarazi e shkaktojnë tatimet e larta që vihen mbi mallrat e konsumit të gjerë, si sapuni dhe ushqimet.

Mirëpo, çfarë bëjnë qeveritë me gjithë ato para që mbledhin?

Ku shkojnë paratë?

Duhet pranuar se qeverive u duhen shuma të mëdha parash për të përmbushur funksionet e tyre dhe për të siguruar shërbimet e nevojshme publike. Për shembull, në Francë 1 në 4 veta punon në sektorin publik. Këtu përfshihen mësuesit, punonjësit e postës, personeli i muzeve dhe i spitaleve, policia dhe punëtorë të tjerë shtetërorë. Tatimet nevojiten për t’u dhënë rrogën atyre. Gjithashtu, me paratë e marra nga tatimet dhe taksat ndërtohen rrugë, shkolla dhe spitale, si edhe paguhen shërbime të tilla si mbledhja e plehrave dhe shpërndarja e postës.

Një sektor tjetër që konsumon të ardhurat e marra nga tatimet është ushtria me shpenzimet e saj. Fillimisht tatimi mbi të ardhurat iu vu britanikëve të pasur për të financuar luftën kundër Francës në vitin 1799. Gjithsesi, gjatë Luftës II Botërore, qeveria britanike filloi t’i kërkonte edhe klasës punëtore tatimin mbi të ardhurat. Edhe sot në çdo komb financimi i forcave të armatosura vazhdon të jetë mjaft i kushtueshëm, edhe në kohë paqeje. Instituti Kërkimor për Paqen Ndërkombëtare në Stokholm përllogariti se në vitin 2000 shpenzimet botërore ushtarake ishin afërsisht 798 miliardë dollarë.

Mjet për të ndryshuar prirjet e njerëzve

Tatimet shërbejnë edhe si mjet «për të ndryshuar prirjet e njerëzve», pra për të inkurajuar ose për të frenuar disa mënyra sjelljeje. Për shembull, mendohet se duke vënë tatim mbi pijet alkoolike, kjo do të frenojë pirjen e tepërt. Kështu, në shumë vende tatimet përbëjnë rreth 35 për qind të çmimit të shitjes së birrës me pakicë.

Po ashtu, edhe mbi duhanin janë vënë tatime të forta. Në Afrikën e Jugut tatimet përbëjnë nga 45 deri në 50 për qind të çmimit për një paketë cigaresh. Gjithsesi, jo gjithnjë qeveritë kur nxitin këto tatime kanë si motiv të vetëm të ndihmojnë shtetasit e tyre. Siç komenton shkrimtari Kenet Uornër në revistën Foreign Policy, duhani është «një burim shumë i madh ekonomik që çdo vit sjell qindra milionë dollarë nga shitjet dhe miliona të tjerë nga të ardhurat në formë tatimesh».

Një rast i famshëm i përdorimit të tatimeve si mjet për të ndryshuar prirjet e njerëzve ndodhi në fillim të shekullit të 20-të. Ligjvënësit amerikanë u përpoqën të frenonin formimin e dinastive të pasura familjare. Si e bënë këtë? Krijuan një tatim mbi pronën. Kur një i pasur vdes, tatimet përlajnë një copë të majme nga pasuria që ka grumbulluar ai. Përkrahësit e këtij tatimi pohojnë se «në vend që t’i lërë pasuritë t’u kalojnë vetëm familjeve aristokratike, [ky tatim] lejon që ato të përdoren për qëllime shoqërore, demokratike». Ndoshta është kështu, por gjithsesi tatimpaguesit e pasur kanë zhvilluar strategji të shumta për t’iu shmangur sa më shumë pagimit të këtij tatimi.

Tatimet vazhdojnë të përdoren për të përkrahur çështje të ndryshme shoqërore, si për shembull mbrotjen e mjedisit. The Environmental Magazine thotë: «Nëntë vende të Evropës Perëndimore kohët e fundit kanë vënë taksa për mjedisin, kryesisht si mënyrë për të zvogëluar sasinë e ndotjes së ajrit.» Tatimet progresive mbi të ardhurat, të cilat u përmendën më parë, janë një përpjekje tjetër për të ndryshuar prirjet e njerëzve. Ideja këtu është të zvogëlohet hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Gjithashtu, disa qeveri u lejojnë lehtësime tatimore atyre që bëjnë dhurata bamirësie ose çifteve që kanë fëmijë.

Pse janë kaq të ndërlikuara?

Sa herë që propozohet një tatim i ri, ligjvënësit përpiqen të mos lënë asnjë shteg të mundshëm për përjashtime a lehtësime prej këtij tatimi. Mos harroni që rrezikojnë të humbasin sasi të mëdha parash. Cili është rezultati i këtyre përpjekjeve? Ligjet për tatimet normalisht janë të ndërlikuara dhe shumë teknike. Një artikull në revistën Time shpjegon se shumë ndërlikime në ligjin amerikan të tatimeve «ndodhin kur bëhet përkufizimi i të ardhurave», domethënë kur përcaktohet se cilave gjëra mund t’u vihet tatim. Ndërlikime të tjera vijnë nga rregullat e panumërta «që lejojnë lehtësime dhe përjashtime të ndryshme nga tatimet». Por nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që kanë ligje të ndërlikuara tatimore. Një botim i kohëve të fundit i legjislacionit tatimor të Mbretërisë së Bashkuar përbëhej nga 9.521 faqe dhe ishte ndarë në dhjetë vëllime.

Zyra Kërkimore për Politikën Tatimore në Universitetin e Miçiganit thotë: «Çdo vit, tatimpaguesit amerikanë harxhojnë më shumë se tre miliardë orë duke plotësuar formularët për tatimet. . . . Gjithsej, koha dhe paratë që harxhojnë tatimpaguesit amerikanë [për të plotësuar këta formularë] arrin deri në 100 miliardë dollarë në vit ose rreth 10% e tatimeve që mblidhen. Një pjesë e mirë e kësaj kostoje që vjen nga zbatimi i ligjeve për taksat vjen si pasojë e faktit që këto ligje janë shumë të ndërlikuara e të ngatërruara.» Rubeni, i përmendur në fillim të artikullit të parë, thotë: «Më përpara i plotësoja vetë formularët për tatimet, por kjo më hante shumë kohë dhe shpesh më dukej sikur paguaja më tepër sesa më takonte. Prandaj, tani paguaj një llogaritar që të më përgatitë këta formularë.»—Shih kutinë «Zbatimi i ligjeve për tatimet», në faqen 8.

Disa paguajnë, të tjerë dredhojnë, të tjerë akoma shmangen drejtpërdrejt

Shumica e njerëzve e pranon, qoftë edhe pa shumë dëshirë, se taksat i sjellin dobi shoqërisë. Drejtori i Drejtorisë së Brendshme Tatimore në Britani shpjegoi një herë: «Askujt nuk i pëlqen të paguajë tatimin mbi të ardhurat, por ama janë të paktë njerëzit që thonë se do të ishim më mirë pa këtë tatim.» Disa llogaritin përafërsisht se në Shtetet e Bashkuara rreth 90 për qind e njerëzve u binden ligjeve për taksat. Një autoritet në fushën e taksave pranon: «Nëse ka moszbatim të ligjit, kjo vjen kryesisht sepse njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë ligjin dhe procedurat, jo sepse i shmangen me dashje.»

Gjithsesi, ka shumë veta që gjejnë ndonjë mënyrë për t’i dredhuar pagimit të ndonjë takse. Për shembull, shqyrtoni çfarë tha një artikull në U.S.News & World Report lidhur me tatimet mbi korporatat. «Shumë ndërmarrje arrijnë t’u dredhojnë në mënyrë të ligjshme një pjese të mirë të tatimeve që duhet të paguajnë (e nganjëherë të gjitha tatimeve), nëpërmjet lehtësimeve tatimore dhe manovrave financiare.» Duke dhënë një shembull të një plani dinak, artikulli vazhdon: «Një korporatë amerikane hap një firmë në një vend të huaj ku s’paguhen shumë tatime. Pastaj, e kthen vetë korporatën amerikane në një degë të firmës së huaj.» Në këtë mënyrë korporatës nuk i duhet të paguajë tatimet amerikane, që mund të jenë deri në 35 për qind, edhe pse «selia e firmës së tyre në vendin e huaj s’është gjë tjetër veçse një arkiv për dosjet dhe një kuti postare».

Pastaj është edhe shmangia e drejtpërdrejtë e taksave. Thuhet se ka një komb në Evropë ku shmangia e tatimeve shihet si «sport kombëtar». Sipas një ankete të bërë në Shtetet e Bashkuara, vetëm 58 për qind e burrave në moshën nga 25 deri 29 vjeç besonin se ishte e gabuar të mos i deklaroje të gjitha të ardhurat. Ata që drejtuan anketën pranojnë: «Ky raport nuk tregon një nivel të lartë etike dhe morali në shoqërinë tonë.» Në Meksikë, llogaritet me përafërsi se rreth 35 për qind e tatimpaguesve u shmangen drejtpërdrejt tatimeve.

Megjithatë, në përgjithësi njerëzit e kuptojnë se është e nevojshme të ketë tatime, prandaj s’e kanë problem të paguajnë pjesën që u takon. Po gjithsesi, duket se janë të vërteta fjalët e famshme që mendohet se i ka thënë Tiberi Cezar: «Një bari i mirë duhet t’i qethë delet e tij, jo t’u rrjepë lëkurën.» Në qoftë se ndiheni viktima të një sistemi që duket shumë i rëndë, i padrejtë dhe tepër i ndërlikuar, si duhet ta konsideroni pagimin e tatimeve?

[Kutia në faqen 7]

Mendohuni mirë para se të transferoheni

Sistemet tatimore ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Madje tatimet lokale mbi të ardhurat mund të ndryshojnë jashtë mase edhe brenda një vendi. A ia vlen të mendojmë për t’u transferuar në një zonë ku tatimet janë më të ulëta? Mbase po, por duhet të mendoheni mirë para se të transferoheni.

Për shembull, një artikull në OECD Observer u kujton lexuesve se vetëm shifra bazë e tatimit mbi të ardhurat nuk tregon gjithçka. Aty thuhet: «Shifra aktuale e tatimeve për tatimpaguesit individualë pasqyron edhe lehtësimet e ndryshme tatimore që u janë bërë.» Për shembull, disa vende kanë tatime të ulëta. Por, nga ana tjetër të ofrojnë «pak mundësi për sa u përket lehtësimeve, lëshimeve dhe përjashtimeve nga tatimet». Për pasojë, ndoshta mund të përfundoni duke paguar më shumë tatime atje, sesa në vende ku tatimet janë më të larta, por të ofrojnë më shumë lehtësime dhe përjashtime tatimore.

Në Shtetet e Bashkuara, që është vend i përbërë nga shumë shtete, disa mendojnë të transferohen në ato shtete ku nuk ka tatime lokale mbi të ardhurat. Po a u kursen kjo medoemos para? Jo sipas botimit Kiplinger’s Personal Finance, ku thuhet: «Në disa raste, kërkimet tona kanë treguar se shtetet pa tatime mbi të ardhurat e kompensojnë këtë duke vënë tatime më të larta për pronat, për shitjet dhe për kategoritë e tjera të taksave e tatimeve.»

[Kutia në faqen 8]

Zbatimi i ligjeve për tatimet

Për shumë prej nesh pagimi i taksave është një punë stresuese e madje një barrë. Kështu, revista Zgjohuni! pyeti një specialist tatimesh, i cili dha disa sugjerime praktike.

«Kërkoni këshilla të mira. Kjo është e domosdoshme, sepse ligjet për tatimet mund të jenë të ndërlikuara dhe në përgjithësi të qenët në padijeni të ligjit nuk pranohet si justifikim për mospagimin. Ndonëse tatimpaguesit mund t’i shohin si armiq nëpunësit e tatimeve, shpesh këta të fundit mund të japin udhëzime të sakta e të thjeshta se si duhet vepruar në çështjet që kanë të bëjnë me tatimet. Këta nëpunës tatimorë do të parapëlqenin që ju të arrini t’i paguani siç kërkohet tatimet që herën e parë. Nuk kanë si qëllim t’ju paditin për moszbatim të ligjit.

Në qoftë se gjendja juaj financiare është e ndërlikuar, kërkoni këshillën e një personi që ka si profesion plotësimin e formularëve të tatimeve. Por, kini kujdes! Ndonëse ka shumë të tillë që e bëjnë këtë punë me mirëbesim, ka edhe shumë nga ata që duan t’ju mashtrojnë. Kërkoni rekomandimin e një miku të besuar ose e një të njohuri që merret me tregti, si edhe sigurohuni për kualifikimet e këtyre personave.»

«Merruni menjëherë me pagimin e tatimeve. Dënimet për ata që vonojnë të japin informacionet e duhura lidhur me të ardhurat e tatueshme mund të jenë të rënda.»

«Mbajini në rregull faturat. Cilindo sistem të përdorni për të ruajtur faturat, mbajeni të përditësuar. Në këtë mënyrë do t’ju duhet më pak punë kur të keni të bëni me tatimet. Gjithashtu, do të jetë edhe në të mirën tuaj, nëse ju bëjnë kontroll të regjistrimeve që keni mbajtur.»

«Jini të ndershëm. Ndoshta do të tundoheni të mashtroni ose mbase t’i manipuloni paksa rregullat. Por ata që merren me tatimet kanë mënyra mjeshtërore për të dalluar të dhënat e rreme. Është gjithnjë më mirë të jeni të ndershëm.»

«Interesohuni. Nëse keni paguar dikë që t’ju plotësojë formularët e tatimeve dhe ky jep të dhëna të pasakta, përgjegjësia ju mbetet prapëseprapë juve. Prandaj, bëni kujdes që ai person të veprojë në përputhje me dëshirat tuaja.»

[Figura në faqen 7]

Në shumë vende, vihen tatime të larta mbi duhanin dhe pijet alkoolike

[Figurat në faqet 8, 9]

Tatimet shërbejnë për të financuar shumë shërbime që ne mund t’i shohim si gjë të zakonshme