Nevojat dhe dëshirat e foshnjave
Nevojat dhe dëshirat e foshnjave
QË KUR vjen në jetë, i sapolinduri ka nevojë për kujdes të dashur, për përkëdhelje të buta dhe për të ndier pranë trupin e nënës. Disa mjekë mendojnë se 12 orët e para pas lindjes janë kritike. Sipas tyre, ajo që kërkojnë e që dëshirojnë më shumë nëna dhe fëmija menjëherë pas lindjes nuk është «gjumi dhe as ushqimi, por ta përkëdhelin e ta shtrëngojnë në gji njëri-tjetrin, ta shohin e ta dëgjojnë njëri-tjetrin». *
Instinktivisht, prindërit e marrin në krahë, e përqafojnë, e përkëdhelin dhe e shtrëngojnë në kraharor foshnjën e tyre. Nga ana e vet, foshnja lidhet me prindërit, ndihet e sigurt dhe reagon ndaj kujdesit të tyre. Kaq e fortë është kjo lidhje, saqë prindërit pa u kursyer do të bëjnë sakrifica për t’u kujdesur për foshnjën.
Nga ana tjetër, pa këtë lidhje të dashur me prindërit, një foshnjë mund të ligështohet e të vdesë vërtet. Prandaj disa mjekë mendojnë se është e rëndësishme që menjëherë pas lindjes foshnjën t’ia japin nënës. Ata sugjerojnë se menjëherë pas lindjes duhet krijuar mundësia që nëna dhe foshnja të kalojnë të paktën 30 deri në 60 minuta së bashku.
Pavarësisht nga theksi që disa i vënë kësaj lidhjeje, në disa spitale mund të jetë e vështirë, madje e pamundur, që nëna dhe
foshnja të rrinë së bashku pas lindjes. Shpesh të sapolindurit i ndajnë nga nënat për të parandaluar transmetimin e ndonjë infeksioni te fëmija. Megjithatë, përvoja tregon se numri i infeksioneve vdekjeprurëse mund të ulet kur të sapolindurit i lënë me nënat. Prandaj gjithnjë e më shumë spitale bëjnë të mundur që menjëherë pas lindjes nëna dhe i sapolinduri të qëndrojnë më gjatë së bashku.Shqetësohen për lidhjen
Disa nëna nuk lidhen emocionalisht me fëmijën sapo e shohin. Prandaj ato pyesin veten: ‘A do ta kem të vështirë të lidhem me foshnjën?’ Vlen të thuhet se jo të gjitha nënat dashurohen pas foshnjës që me shikimin e parë. Megjithatë nuk ka arsye për të qenë në ankth.
Edhe kur dashuria e nënës për foshnjën nuk lind menjëherë, me kalimin e kohës ajo mund të zhvillohet plotësisht. «Nuk ka asnjë rrethanë të lindjes që vendos përfundimisht nëse do të kesh një lidhje të fortë me fëmijën tënd apo do të dështosh në këtë lidhje»,—thotë një nënë me përvojë. Megjithatë, nëse pret një fëmijë dhe ka gjëra që të shqetësojnë, mund të jetë e mençur të flasësh që më përpara me mjekun obstetër. Thuaja qartë se kur dhe sa kohë dëshiron të rrish me të sapolindurin.
«Më flitni pak!»
Me sa duket, ka disa periudha kur foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ngacmimeve të veçanta. Por këto periudha janë si porta që rrinë hapur vetëm për njëfarë kohe e pastaj mbyllen. Për shembull, truri i të vegjëlve mund të mësojë me lehtësi një gjuhë, madje më shumë se një. Megjithatë, me sa duket, koha më e favorshme për të mësuar një gjuhë, fillon të përfundojë aty nga mosha pesëvjeçare.
Pasi fëmija ka mbushur 12 vjeç ose diku aty nga mosha 14-vjeçare, mësimi i një gjuhe mund të jetë shumë i vështirë. Sipas një mjeku neurolog për fëmijë, Piter Hutenloher, kjo është periudha kur «zvogëlohet dendësia dhe numri i sinapseve në ato zona të trurit që janë përgjegjëse për gjuhën». Është e qartë se vitet e para të jetës janë vendimtare për të zhvilluar aftësinë e të folurit.
Si mësojnë të flasin foshnjat? Kjo është një punë shumë e vështirë, por edhe mjaft e rëndësishme për gjithë zhvillimin e aftësisë së të mësuarit. Ky proces realizohet kryesisht nëpërmjet komunikimit gojor me prindërit. Foshnjat reagojnë sidomos ndaj nxitjeve që vijnë nga njerëzit. «Një foshnjë . . . imiton zërin e nënës»,—thotë Barri Arons në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Megjithatë është interesante që foshnjat nuk i imitojnë të gjithë tingujt. Siç thotë Aronsi, foshnja «nuk imiton edhe gërvimat e djepit që i dëgjon njëkohësisht me zërin e nënës».
Prindër nga kultura të ndryshme u flasin foshnjave duke përdorur të njëjtin stil të foluri—një gjuhë përkëdhelëse fëminore. Ndërkohë që prindi i flet me ngrohtësi, zemra e foshnjës rreh më shpejt. Mendohet se kjo ndihmon që ai të bëjë më shpejt lidhjen midis fjalëve dhe objekteve që tregojnë ato. Pa thënë asnjë fjalë, foshnja po u lutet prindërve: «Më flitni pak!»
«Më shikoni pak!»
Është zbuluar se pak a shumë gjatë vitit të parë, foshnja lidhet emocionalisht me të rriturin që kujdeset për të, zakonisht me nënën. Foshnjat që ndihen të sigurta në këtë lidhje
emocionale bëhen më të shoqërueshme me të tjerët, sesa ato foshnja, të cilave u mungon siguria që krijon lidhja me prindërit. Mendohet se kjo lidhje me nënën duhet krijuar para se fëmija të mbushë tre vjeç.Ç’mund të ndodhë nëse një foshnjë lihet pas dore gjatë kësaj periudhe kritike, kur mendja e saj është tepër e ndjeshme ndaj ndikimit të jashtëm? Marta-Farel Eriksoni, e cila për më shumë se 20 vjet pati nën vëzhgim 267 nëna dhe fëmijët e tyre, u shpreh kështu: «Lënia pas dore e fik si pa u ndier dhe vazhdimisht entuziazmin dhe gjallërinë e fëmijës, derisa [fëmijës] i ikën dëshira për t’u lidhur me të tjerët ose për të njohur botën që e rrethon.»
Dr. Brus Peri, i cili punon në Spitalin e Fëmijëve në Teksas, përpiqet ta ilustrojë pikëpamjen e tij për pasojat e rënda që ka lënia pas dore nga ana emocionale. Ai thotë: «Nëse do të më kërkonit të zgjidhja që një foshnje 6-muajshe t’i thyenin çdo kockë apo ta shpërfillnin emocionalisht për dy muaj, do të thosha që për foshnjën do të ishte më mirë po t’i thyenin çdo kockë të trupit.» Pse? Sipas Perit, «kockat shërohen, por nëse trurit të një foshnje do t’i mungojë për dy muaj nxitjet e jashtme, të cilat janë vendimtare për zhvillimin e saj, si pasojë, truri do të mbetet përgjithmonë i çorganizuar». Por jo të gjithë janë të mendimit se ky dëm është i pariparueshëm. Sidoqoftë, studimet shkencore tregojnë se një ambient i ngrohtë nga ana emocionale është jetësor për mendjen e të voglit.
«E thënë shkurt,—shkruhet në librin Infants,—[foshnjat] janë të përgatitura të duan dhe t’i duan.» Shpesh, kur foshnja qan, është sikur po u lutet prindërve: «Më shikoni pak!» Është e rëndësishme që prindërit t’i përgjigjen me përzemërsi. Nëpërmjet këtij komunikimi, foshnja bëhet e vetëdijshme se është në gjendje t’u tregojë të tjerëve se për çfarë ka nevojë. Ajo po mëson të krijojë marrëdhënie shoqërore me të tjerët.
‘A nuk llastohet kështu?’
Ju mund të pyesni: ‘A nuk llastohet fëmija po t’i përgjigjem sa herë që qan?’ Ndoshta. Ka mendime nga më të ndryshmet. Meqë fëmijët s’janë njësoj, zakonisht prindërit duhet të shohin se cila mënyrë funksionon më mirë. Megjithatë, disa studime të kohëve të fundit tregojnë se kur i sapolinduri ka uri, ka ndonjë siklet ose është i shqetësuar, sistemet që reagojnë ndaj stresit çlirojnë hormonet e stresit. Ai e shpreh me të qara shqetësimin që ka. Thuhet se kur prindi i përgjigjet dhe i plotëson nevojat e foshnjës, në trurin e saj krijohen rrjeta qelizash, që e ndihmojnë të mësojë të qetësohet. Gjithashtu, sipas dr. Megan Gunar, ajo foshnjë, së cilës i kanë kushtuar vëmendje, prodhon më pak kortizol, një hormon i stresit. Madje edhe kur shqetësohet, tek ajo stresi ikën më shpejt.
«Në fakt,—thotë Eriksoni,—ato foshnja të cilave u janë përgjigjur shpejt dhe vazhdimisht, sidomos gjatë 6-8 muajve të parë të jetës, qajnë më pak sesa foshnjat që i kanë lënë të qajnë.»
Gjithashtu është e rëndësishme që t’i përgjigjeni në mënyra të ndryshme. Nëse reagoni njësoj çdo herë, si për shembull duke e ushqyer ose duke e marrë në krahë, ajo vërtet mund të llastohet. Ndonjëherë, kur foshnja qan, mjafton që vetëm të dëgjojë zërin tuaj. Ose mund ta qetësoni duke iu afruar dhe duke i pëshpëritur te veshi. Ka edhe raste kur gjithë marifeti është t’i përkëdhelni kurrizin ose barkun.«Puna e foshnjës është të qajë»,—thotë një shprehje në Lindje. Për foshnjën e qara është mënyra kryesore për të treguar se çfarë do. Si do të ndiheshit ju po t’ju shpërfillnin sa herë që kërkoni diçka? Si do të ndihej, pra, foshnja juaj, që s’bën dot asgjë po të mos kujdeset dikush, nëse e shpërfillin sa herë që kërkon vëmendje? Mirëpo, kush do t’i përgjigjet kur të qajë?
Kush kujdeset për foshnjën?
Nga një regjistrim i popullsisë, bërë kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara, u zbulua se 54 për qind e fëmijëve, duke filluar që nga lindja e deri në klasën e tretë lihen rregullisht nën kujdesin e dikujt që nuk është prindi. Në shumë familje mund të jetë e nevojshme që të punojnë të dy prindërit. Prandaj, kur është e mundur, shumë nëna marrin lejen e lindjes që të kujdesen për disa javë ose muaj për të sapolindurin. Por kush do të kujdeset pastaj për foshnjën?
Sigurisht nuk ka rregulla të prera kur merren vendime të tilla. Megjithatë është mirë të mbahet parasysh që fëmija është ende i brishtë gjatë kësaj periudhe kritike të jetës. Që të dy prindërit duhet të mendojnë seriozisht për këtë çështje. Kur vendosin, duhet t’i shqyrtojnë me kujdes të gjitha mundësitë.
«Po bëhet gjithnjë e më e qartë se edhe sikur t’ia besoni fëmijën programit më të mirë për rritjen e tyre, përsëri kjo gjë nuk do ta zëvendësojë kohën që ata kanë nevojë të kalojnë me nënat dhe baballarët e tyre»,—thotë dr. Jozef Zanga që punon në Akademinë Amerikane të Pediatrisë. Disa specialistë kanë shprehur shqetësimin se foshnjat që i çojnë në çerdhe ose kopshte nuk komunikojnë aq sa kanë nevojë me personin që kujdeset për ta.
Disa nëna që punojnë, duke qenë të vetëdijshme për nevojat jetësore të fëmijës, kanë vendosur që më mirë të rrinë në shtëpi, sesa të lënë të tjerët që të kujdesen për anën emocionale të fëmijëve të tyre. Një grua tha: «Jam bekuar me një kënaqësi që sinqerisht mendoj se nuk do të ma jepte asnjë punë tjetër.» Sigurisht, vështirësitë ekonomike nuk i lejojnë të gjitha nënat që të bëjnë po kështu. Shumë prindër nuk kanë mundësi tjetër përveçse t’i çojnë fëmijët në çerdhe ose në kopsht, prandaj atyre u duhet të përpiqen edhe më shumë që t’u japin fëmijëve vëmendje dhe ngrohtësi kur janë së bashku. Po kështu, edhe shumë prindër të vetëm që punojnë kanë pak mundësi zgjedhjeje e bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të rritur fëmijë të mbarë. Megjithatë ia dalin mbanë.
Të jesh prind mund të jetë një punë e gëzueshme, plot emocione. Sidoqoftë është një punë e vështirë, që kërkon përkushtim. Si mund ta kryeni më së miri?
[Shënimi]
^ par. 2 Në këtë seri artikujsh, Zgjohuni! tregon pikëpamjet e disa autoriteteve të respektuara në fushën e kujdesit për fëmijët, pasi zbulimet në këtë fushë mund të jenë të dobishme e informative për prindërit. Megjithatë duhet pranuar se pikëpamje të tilla shpesh ndryshojnë e përmirësohen me kalimin e kohës, ndryshe nga normat biblike që Zgjohuni! i mbështet pa asnjë rezervë.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Foshnja të heshtura
Disa mjekë në Japoni thonë se po shtohen foshnjat që as nuk qajnë e as nuk qeshin. Pediatri Satoshi Janagisaua i quan ato foshnja të heshtura. Përse foshnjat nuk i shprehin më emocionet e tyre? Disa mjekë mendojnë se kjo gjendje krijohet kur foshnjave u mungon komunikimi me prindërit. Kjo gjendje është quajtur paaftësi e detyruar. Sipas një teorie, kur nevojat për komunikim shpërfillen ose keqinterpretohen vazhdimisht, si përfundim foshnjat dorëzohen e nuk përpiqen më të komunikojnë.
Shefi i psikiatrisë në Spitalin e Fëmijëve në Teksas, dr. Brus Peri, thotë se në qoftë se foshnjës nuk i jepen ngacmimet e duhura në periudhën e duhur, ajo pjesë e trurit që e bën të aftë të kuptojë ndjenjat e të tjerëve mund të mos zhvillohet. Në rastet e një shpërfilljeje emocionale ekstreme, kjo aftësi mund të humbasë një herë e mirë. Dr. Peri mendon se në disa raste arsyeja që dikush abuzon me substanca si droga e alkooli ose që bëhet adoleshent i dhunshëm mund të ketë lidhje me këto përvoja të fëmijërisë së hershme.
[Figura në faqen 7]
Lidhja midis prindit dhe foshnjës forcohet kur ata komunikojnë