Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Fëmijët: A po rriten para kohe? Seria e artikujve «Fëmijët: A po rriten para kohe?» (22 prill 2003) ishte përgatitur shumë mirë. Ajo më ndihmoi të kuptoja se përse kam kaluar disa probleme. Pata një fëmijëri të zymtë dhe jam plotësisht dakord me mendimin se rruga më e mençur është t’i lëmë fëmijët që të rriten natyrshëm.

S. M., Japoni

Këta artikuj vërtet më prekën në zemër. U rrita në një familje me një prind. Shpesh nuk më zinte gjumi natën, duke dëgjuar nënën time që qante për gjërat që e mundonin. Nëse nuk do të kishte qenë kongregacioni i krishterë, nuk e di si do të më vente halli. Faleminderit për përpjekjet e dashura që bëni për të na ushqyer frymësisht.

D. B., Shtetet e Bashkuara

Jam 11 vjeçe dhe gjithnjë kam dashur të rritesha shpejt. Nga këta artikuj mësova se sa e rëndësishme është ta gëzoj fëmijërinë tani që e kam.

Xh. M., Shtetet e Bashkuara

Kam kaluar diçka të ngjashme me historinë që fliste për Karmenin dhe motrën e saj. Ndonëse nuk ika nga shtëpia siç bënë ato, edhe unë pata njerkë që më keqtrajtonin dhe një nënë që më linte pas dore. Meqë prindërit kishin probleme me abuzimin e drogës, u detyrova t’i rrit vetë vëllezërit e mi më të vegjël, që kur isha vetëm dhjetë vjeç. Sigurisht, kjo gjë më solli edhe mua probleme. Do t’i jem gjithnjë mirënjohës Jehovait për ndihmën që më ka dhënë gjatë viteve.

D. S., Shtetet e Bashkuara

Iriqi Jam drejtoreshë e përgjithshme e Shoqatës Britanike për Ruajtjen e Iriqëve dhe e lexova me shumë kënaqësi artikullin e mrekullueshëm «Iriqi gjembaç i fushave». (22 prill 2003) Ishte shkruar bukur dhe kishte të dhëna të sakta, ndryshe nga shumë artikuj që dalin në botime të tjera.

F. V., Britani

Faleminderit shumë për revistën Zgjohuni! Mami gjithnjë më thotë t’i lexoj revistat. Kur filloj të lexoj, ndonjëherë vazhdoj gati një orë. Ato kanë shumë artikuj që më pëlqejnë, siç ishte «Iriqi gjembaç i fushave». Jam 15 vjeçe. Vazhdojeni këtë punë të shkëlqyer!

K. G., Shtetet e Bashkuara

Adoptimi Faleminderit për artikullin në kohën e duhur: «Të rinjtë pyesin . . . Pse duhet të jem fëmijë i adoptuar?» (22 prill 2003) Vajza ime u detyrua ta jepte foshnjën e saj për adoptim për shkak të rrethanave, dhe kjo ma trazoi shumë ndërgjegjen. Ky informacion erdhi tamam në kohën e duhur. Ia dërgova edhe vajzës artikullin.

E. D., Guajanë

Po ju shkruaj, sepse dua t’ju falënderoj shumë për artikujt e adoptimit në revistat e 22 prillit dhe 22 majit. Erdhën në kohën e duhur. Kohët e fundit, unë dhe burri im kemi adoptuar një foshnjë djalë. Me kalimin e kohës do t’i përdorim këta dy artikuj për ta ndihmuar djalin tonë që të dijë dhe të kuptojë se sa shumë e do Perëndia Jehova, babi i vet dhe unë.

S. R., Shtetet e Bashkuara

Faleminderit shumë për artikullin e adoptimit. Jam 47 vjeçe dhe ende kjo gjë më shkakton një luftë të brendshme. Prindërit e mi adoptues, të cilët i respektoj dhe i dua shumë, nuk ma dhanë dot dashurinë dhe ngrohtësinë që më duhej. Nuk më përqafuan dhe nuk më puthën kurrë me ngrohtësi, madje as kur u thosha se kisha nevojë për dashuri. Një refuzim i tillë ishte i rëndë për mua. Gjithsesi, artikulli ishte shumë ngushëllues dhe të ngrohte zemrën.

D. H., Shtetet e Bashkuara