Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Interneti bën të dështojë një grabitje
Një burrë në Uruguai, i cili quhej Maurisio, po fliste nëpërmjet Internetit me një shoqe në Brazil. Teksa fliste mund ta shihte shoqen me anë të një kamere kompjuterike (webcam). Shoqja e tij e ndërpreu bisedën për një çast pasi dikush trokiti në derë. Shumë shpejt në ekranin e Maurisios u shfaqën dy të panjohur, njëri prej të cilëve mbante një armë. Maurisio shihte i tmerruar vjedhësit të cilët duke mos e ditur që po i vëzhgonin nga larg filluan t’i merrnin shoqes së tij sendet me vlerë. Kur e kuptoi se ç’po ndodhte, Maurisio telefonoi një të afërm në San-Paulo. Ai lajmëroi policinë dhe shtëpinë e rrethuan. Pasi i mbajtën peng të zotët e shtëpisë për tri orë, vjedhësit u dorëzuan pa dëmtuar askënd.
Hendeku midis njeriut dhe majmunit
Nga një analizë që i bënë kohët e fundit ADN-së së shimpanzeve, orangutangëve, si edhe të majmunëve rezus e të disa majmunëve të tjerë, u zbulua se përbërja e tyre gjenetike nuk ngjason kaq shumë me përbërjen gjenetike të njeriut, siç mendonin dikur shkencëtarët. «Ndryshimet e ADN-së që i dallojnë majmunët antropoidë nga majmunët e tjerë dhe nga njerëzit janë ndryshime të mëdha e jo të vogla»,—thuhet në revistën britanike New Scientist. «Në tërë kromozonin, vërehen mungesa dhe shtesa të mëdha të materialit gjenetik»,—shpjegon Keli Frejzër që punon për Perlegen Sciences, një shoqëri në Kaliforni, e cila bëri analizën. Revista New Scientist i krahasoi këto ndryshime me «një hendek gjigant [që] i ndan majmunët nga ne».
Të afërm të zhdukur
Anembanë botës, mijëra familje nuk dinë asgjë për të afërmit që janë zhdukur gjatë luftërave ose gjatë trazirave civile. Kohët e fundit në Gjenevë të Zvicrës u mbajt një konferencë me temë «Të zhdukurit». Siç thuhej në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, vëmendja u përqendrua në plagën e familjarëve të personave të zhdukur. Sipas Sofi Martinit, drejtoreshë e Projektit për Personat e Zhdukur i organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, «për vite të tëra pas pushimit të luftës [familjarët] mund të kenë ende ankth». Në shumë raste, familjarët e viktimave ndihen «të paaftë për të vazhduar normalisht jetën e tyre ose për të marrë veten emocionalisht». Shpesh, ish-palët ndërluftuese nuk tregohen të gatshme që të bashkëpunojnë për të gjetur personat e zhdukur. Ka më shumë të ngjarë që shkaku të jetë mungesa e gatishmërisë, dhe jo pamundësia për t’i gjetur. Siç theksoi një specialist, zbulimi i së vërtetës për rrethanat e vdekjes së personave të zhdukur mund të nxjerrë në dritë mizoritë e luftës.
Fëmijët e ushqyer me gji—Më të zgjuar, më të shëndetshëm
«Studiuesit në Kuinsland, të cilët vëzhguan gati 4.000 fëmijë nga Brisbeini, zbuluan se në përgjithësi, ata që ishin ushqyer me gji e kishin më të lartë koeficientin e inteligjencës»,—thuhet në gazetën The Daily Telegraph të Sidneit, Australi. Profesori Xhejk Najman, që punon në Universitetin e Kuinslandit, tha: «Sa më gjatë ta ushqejë me gji nëna fëmijën, aq më inteligjent do të jetë fëmija. Epërsia e inteligjencës së fëmijëve të ushqyer me gji nuk ishte e parëndësishme, pasi koeficienti i inteligjencës ishte tetë pikë më i lartë, pra një epërsi mjaft e konsiderueshme. Ky ndryshim në koeficientët e inteligjencës e dallon një fëmijë të zakonshëm nga një fëmijë inteligjent.» Sipas një artikulli në Sunday Telegraph të Sidneit, një avantazh tjetër i mundshëm i të ushqyerit me gji është se ai mund të jetë një faktor për ta ulur deri në 30 për qind rrezikun e dhjamosjes së fëmijës. Sipas Xhoi Hedsit, mjeke specialiste për ushqimin me gji, «qumështi i gjirit ka shumë pak lëndë të panevojshme dhe është pothuajse i tëri i dobishëm. Edhe nëse foshnja juaj e ushqyer me gji, është mjaft e shëndoshë, s’ka asnjë problem. Por një foshnjë e shëndoshë e ushqyer me biberon rrezikon më shumë që të dhjamoset më vonë».
Shërbime telefonike shumë të largëta
Një telefonuese nga Filadelfia në Shtetet e Bashkuara, i bie numrit të telefonit të një shërbimi vendas për klientët. Ndonëse e reja që i përgjigjet prezantohet si Mishel, emri i saj i vërtetë është Megna dhe ajo flet nga India, ku është mesi i natës. Në qendrat telefonike indiane punojnë më shumë se 100.000 veta. Këto qendra kryejnë shumë veprime «zyrtare në distancë» për llogari të shoqërive përtej detit, siç janë American Express, AT&T, British Airways, Citibank, dhe General Electric. Sipas revistës India Today, këto veprime u kanë kaluar qendrave indiane, pasi tarifat telefonike ndërkombëtare në Indi janë të përballueshme. Përveç kësaj, aty ka mjaft punonjës të arsimuar që flasin anglisht, «rrogat e të cilëve janë 80 për qind më të ulëta sesa rrogat e kolegëve të tyre në perëndim». Që të duken sa më shumë nga e folura si amerikanë, punonjës si Megna stërviten me muaj të tërë. Pjesë e stërvitjes është edhe «shikimi i filmave të bujshëm të Hollivudit për të mësuar një shumëllojshmëri theksesh të zonave të ndryshme të Amerikës». Kompjuteri i tregon Megnës edhe si është koha në Filadelfia, kështu që ajo mund të thotë diçka. Gjithashtu ajo e mbyll bisedën duke thënë: «Ditën e mirë.»
Impiant hidraulik në ujë
Sipas revistës Canadian Geographic, është zbuluar se dy vullkane nën ujë, të gjetura afër bregut të ishullit të Vankuverit në Kanada, luajnë rolin e një impianti hidraulik të stërmadh që shtrihet nën fundin e detit. Shkencëtarët e dinë prej shumë kohësh se poshtë fundit të deteve qarkullon ujë deti. «Problemi është se pjesa më e madhe e fundit të deteve nuk kanë shumë shkëmbinj të depërtueshëm nga uji»,—shpjegon Endrju Fisheri, hidrogjeolog në Universitetin e Kalifornisë në Santa-Kruz. Fisheri dhe kolegët e tij zbuluan se uji futet brenda një mali vullkanik në fundin e detit, i cili depërton në argjilën e papërshkueshme nga uji që mbulon fundin e detit. Pastaj uji del nëpërmjet një mali tjetër që ndodhet më shumë se 50 kilometra larg. Fisheri shpreson se ky zbulim do të ndihmojë që të kuptohet më mirë përbërja kimike e ujit të detit, si edhe e mikrobeve që jetojnë në koren e oqeaneve.
Kurrë nuk është vonë për të mësuar
Në Nepal, ku analfabetizmi është shumë i përhapur, një burrë i moshuar, që ka më shumë se 12 nipër e mbesa, është bërë i famshëm për përpjekjet e tij për t’u arsimuar. Bal-Bahadur Karki, i njohur si Shkruesi Bazhe, lindi më 1917 dhe mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Në moshën 84-vjeçare, pasi ishte përpjekur katër herë, ai mori Dëftesën e Lirimit. Sot që është 86 vjeç vazhdon një kurs në kolegj. Ai po përqendrohet në mësimin e anglishtes, e madje ua mëson edhe të tjerëve. Ai thotë se kur e sheh veten të ulur në bankë dhe të rrethuar nga të rinj e harron moshën dhe ndihet sërish i ri. Në udhëtimin e fundit për në kryeqytetin Katmandu, arritjet e tij u shpërblyen me çmime dhe me duartrokitje të fuqishme. Ai i nxiti të tjerët që të mos heqin dorë vetëm për shkak të moshës së shkuar. Por Shkruesi Bazhe shprehu një ankim. Ishte detyruar të ecte për tri ditë që të kapte autobusin, sepse nuk i bënë zbritje në çmimin e biletës dhe ai nuk i kishte mundësitë të blinte një biletë avioni të zakonshme. Ai thoshte në gazetën The Kathmandu Post: «Shoqëritë ajrore duhet të më bëjnë zbritje në çmimin e biletës, siç u bëjnë studentëve, meqë edhe unë jam student.»
Çrregullimet mendore te fëmijët
«Njëzet e dy për qind e fëmijëve dhe e adoleshentëve në Spanjë vuajnë nga çrregullime mendore»,—raporton gazeta spanjolle ABC. «Më të përhapurat janë çrregullimet e sjelljes, ankthi, depresioni dhe çrregullimet në të ngrënë»,—thotë psikiatrja e fëmijëve Maria-Jesus Mardomingo. Gjatë 30 vjetëve të fundit, specialistët kanë vënë re që numri i këtyre rasteve është rritur ndjeshëm. Kjo i ka çuar në përfundimin se shpesh zhvillimin ekonomik e shoqërojnë problemet emocionale. Për shembull, ato vënë re ndryshime rrënjësore të vlerave kulturore dhe shoqërore, ku përfshihet edhe rënia e ndjeshme e autoritetit të prindit. «Megjithëse e pranojmë se rregullat e rrepta dhe qëndrimi tepër autoritar janë shkatërrimtare,—thotë Mardomingo,—është e nevojshme që të ndërthuret dashuria me autoritetin.»