Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të bëhem një orator i zoti?

Si të bëhem një orator i zoti?

Të rinjtë pyesin . . .

Si të bëhem një orator i zoti?

«Përfytyroja sikur të tjerët kapnin çdo gabim që bëja dhe vërenin çdo pasiguri. Nuk arrija të përqendrohesha në fjalimin tim. Më dukej sikur të tjerët po qeshnin me vete.»​—Sandi. *

SALLA e shkollës është mbushur plot e përplot. Në mikrofon njoftohet emri yt dhe papritur sytë e të gjithëve drejtohen nga ty. Ata pak hapa që duhet të bësh deri te podiumi të duken si kilometra. Duart fillojnë të të djersiten, gjunjët të këputen dhe as vetë nuk e kupton pse të thahet goja. Pastaj, një bulë e madhe djerse të pikon nëpër faqe para se të arrish ta fshish. Sa zor të vjen! E di që nuk po shkon të të pushkatojnë, por ndihesh tamam ashtu.

Le ta pranojmë se shumicën prej nesh i tmerron mendimi që të flasin para të tjerëve. (Jeremia 1:5, 6) Madje disa kanë thënë se kanë më shumë frikë të flasin para të tjerëve, sesa nga vdekja. Por pavarësisht se si ndihesh, ka arsye të vlefshme se përse duhet të të interesojë të dish të flasësh para të tjerëve. Le të shqyrtojmë disa nga arsyet dhe të shohim se si mund të bëhesh një orator i zoti.

Të kërkohet të flasësh

«Oratoria është një aftësi që i duhet kujtdo.» Kështu thotë reklama e një kursi për t’u bërë orator. Po, herët a vonë, mund të të kërkohet të flasësh para një auditori. Pikësëpari në shumë shkolla nxënësit nxiten të flasin para auditorit. Një e re me emrin Tatjana kujton: «Shumë herë duhej të flitja para shokëve të klasës.» Duke filluar që nga raportet dhe referatet e deri te prezantimet dhe debatet e regjistruara, shpesh nxënësve u duhet të flasin para një grupi dëgjuesish.

Kur futesh në punë mund të të kërkojnë të mësosh një grup punonjësish, t’u bësh oferta klientëve ose të paraqesësh një raport financiar para një këshilli ekzekutiv. Ç’është e vërteta, oratoria është e dobishme në një larmi punësh, duke përfshirë gazetarinë, administrimin, marrëdhëniet me publikun dhe shitjet.

Po nëse vendos të punosh si punëtor i thjeshtë ose si nëpunës zyre? E pra, nëse do të të marrin në punë ose jo, kjo mund të varet edhe nga zotësia që ke për të folur kur bën intervistën për punë. Por edhe gjatë punës, aftësia për t’u shprehur mund të të japë shumë dorë. Kur mbaroi shkollën, Korina punoi tre vjet si kameriere. Ajo thotë: «Po të dish të flasësh, të shohin si një njeri më të pjekur dhe që është i zoti të mbajë më shumë përgjegjësi. Madje nga kjo gjë mund të fitosh një punë më të mirë, një pagë më të lartë ose të paktën të respektojnë më shumë.»

Së fundi, gjatë adhurimit që i bëjnë Perëndisë, të rinjtë e krishterë flasin shpesh para të tjerëve. (Hebrenjve 10:23) «Është e rëndësishme të jesh i aftë të shprehesh qartë,—thotë Tanisha.—Ne kemi privilegjin të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.» (Mateu 24:14; 28:19, 20) Në kongregacion dhe gjatë shërbimit publik, të rinjtë e krishterë nuk mund ‘të pushojnë dot së foluri për gjërat që kanë parë e dëgjuar’.—Veprat 4:20; Hebrenjve 13:15.

Prandaj, po të mësosh të flasësh bukur, mund të përfitosh shumë. Gjithsesi ende mund të ndihesh në ankth kur mendon se do të dalësh para një auditori. A ka ndonjë mënyrë për të mposhtur emocionet? Po, ka.

Mposhte frikën

«Nuk ka nevojë të jesh i shkëlqyer ose i përsosur për t’ia dalë mbanë»,—thotë dr. Morton C. Ormani, specialist për stresin dhe orator profesionist. «Kur flet para të tjerëve, synimi është ky: t’i japësh auditorit diçka me vlerë.» Me fjalë të tjera, përqendrohu tek ajo që do të thuash, jo te vetja ose tek ankthi. Disa njerëz në shekullin e parë mendonin se apostulli Pavël nuk ishte ndonjë njeri i gojës. Pavarësisht nga kjo, meqë gjithmonë ai kishte për të thënë diçka me vlerë, fjalët e tij kishin peshë. (2 Korintasve 11:6) Po kështu edhe ti, nëse po thua diçka të rëndësishme, diçka që me të vërtetë e beson, ka të ngjarë që nervozizmi të të fashitet më lehtë.

Ran Sathof, orator dhe instruktor për oratorinë jep këtë sugjerim: «Mos e mendo fjalimin si një shfaqje. Merre si një bisedë.» Po, përpiqu të flasësh me auditorin, jo me të gjithë grupin njëherësh, por me individët që bëjnë pjesë në auditor, siç do të bëje në një bisedë të zakonshme. Trego «interes personal» të vërtetë për auditorin dhe fol me të siç flet normalisht. (Filipianëve 2:3, 4) Sa më bisedor të jetë i foluri, aq më i qetë do të jesh.

Një arsye tjetër e zakonshme që të shkakton ankth është frika se mos bën figurë të keqe ose frika se mos auditori do të të shohë me sy kritik. Leni Laskovski, orator profesionist dhe instruktor për oratorinë na kujton se auditori ka prirjen ta ndjekë çdo prezantim me një sy pozitiv. «Ata duan që ti t’ia dalësh me sukses, jo të dështosh»,—thotë Laskovski. Pra mbaj një qëndrim pozitiv. Nëse është e mundur, përpiqu të përshëndesësh disa nga auditori kur hyjnë në sallë. Përpiqu t’i shohësh si miq, jo si armiq.

Gjithashtu, mos harro se edhe emocionet kanë të mirën e tyre. «Ndryshe nga ajo që mendohet në përgjithësi,—thotë një specialist,—emocionet janë të mira për ty dhe për prezantimin tënd.» Si është e mundur? Sepse kur ke emocione, kjo është shenjë modestie dhe të ndihmon të mos kesh besim të tepruar te vetja. (Fjalët e urta 11:2) Shumë sportistë, muzikantë dhe aktorë mendojnë se pak emocione i bëjnë të dalin më mirë dhe e njëjta gjë mund t’u ndodhë edhe oratorëve.

Disa këshilla për të pasur sukses

Duke zbatuar këto këshilla dhe sugjerime të tjera, disa të rinj të krishterë tashmë kanë fituar njëfarë përvoje dhe zotësie si oratorë në shkollë, në punë dhe në kongregacione. Shiko nëse mund të të ndihmojnë disa prej këtyre sugjerimeve.

Xhejdi: «Thuaje materialin me fjalët e tua. Binde veten se ajo që do të thuash është e dobishme. Nëse ti mendon se ajo që do të thuash është e rëndësishme, edhe auditori do të mendojë kështu.»

Roshela: «M’u duk e dobishme ta filmoja veten. Kur vëren gabimet e tua s’të vjen mirë, por përfiton shumë. Gjithashtu, përpiqu të zgjedhësh një temë që të pëlqen. Kjo do të ndihet gjatë pjesës që do të mbash.»

Margareta: «Kam kuptuar se flas më natyrshëm dhe dukem më shumë sikur bisedoj kur përdor një skemë në vend që ta shkruaj tekstin fjalë për fjalë. Përveç kësaj, para se të flas marr frymë thellë, dhe kjo më ndihmon të qetësohem.»

Korina: «Mos ki frikë të qeshësh me veten. Çdo njeri bën gabime. Ti vetëm përpiqu me të gjitha forcat .»

Sigurisht, si në çdo përpjekje, si për shembull në sport, art ose muzikë, edhe në artin e oratorisë asgjë nuk e zëvendëson përvojën dhe provat e shumta. Tatjana këshillon që ta përgatitësh pjesën shumë më përpara dhe kështu ke kohë për ta provuar. Përveç kësaj, mos u dorëzo. «Sa më shpesh që flas para të tjerëve,—thotë ajo,—aq më rehat ndihem.» Por ka edhe një burim tjetër ndihme, të cilin nuk duhet ta harrosh, sidomos kur duhet të flasësh për të përkrahur adhurimin e vërtetë.

Ndihmë nga Komunikuesi i Madh

Që kur ishte i ri, Davidi, mbreti i ardhshëm i Izraelit, njihej si një njeri që ‘fliste me zgjuarsi’. (1 Samuelit 16:18, BR) Pse ishte krijuar ky mendim? Me sa duket, kur ishte i ri dhe kalonte orë të tëra nën qiell të hapur duke kullotur delet, Davidi krijoi me anë të lutjes një marrëdhënie të ngushtë me Komunikuesin e Madh, Perëndinë Jehova. (Psalmi 65:2) Kjo marrëdhënie e përgatiti atë të fliste qartë, t’i kishte peshë fjala e të fliste në mënyrë bindëse, madje edhe në rrethana të vështira.—1 Samuelit 17:34-37, 45-47.

Mund të jesh i sigurt se ashtu siç ndihmoi Davidin, Perëndia do të të ndihmojë edhe ty që të flasësh në mënyrë bindëse tek adhuron atë, duke të dhënë «gjuhën e të mësuarve». (Isaia 50:4, BR; Mateu 10:18-20) Po, nëse përfiton nga mundësitë që ke tani për të përmirësuar aftësitë për të folur, mund të bëhesh një orator i zoti.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

[Kutia në faqen 18]

Stërviten për t’u bërë oratorë

Në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës zhvillohet çdo javë një program arsimimi i bazuar në Bibël, që quhet Shkolla e Shërbimit Teokratik. Studentët marrin pjesë në diskutimet në klasë, prezantojnë pjesë para kongregacionit dhe ndihmohen individualisht që të përparojnë. A ka dhënë rezultate ky program? Ja se ç’thotë nga përvoja e tij Krisi, një i ri 19-vjeçar.

«Para se të regjistrohesha në shkollë, ndihesha shumë në siklet kur isha mes një grupi njerëzish,—thotë ai.—S’më shkonte kurrë në mend se mund të hipja në podium e të flitja para auditorit. Por u inkurajova kur disa në kongregacion më thanë se edhe sikur vetëm të belbëzoja gjithë kohën, atyre do t’u pëlqente, duke e ditur se sa të vështirë e kisha të flitja nga podiumi. Pastaj, pas çdo fjalimi që bëja, ata më lavdëronin. Kjo më ndihmoi shumë.»

Sot, pasi ka kaluar pesë vjet në këtë shkollë, Krisi po përgatitet që të mbajë për herë të parë një fjalim 45-minutësh. A po nxjerr edhe ti dobi nga kjo shkollë?

[Figurat në faqet 16, 17]

Zotësia në të folur mund të të ndihmojë në të gjitha fushat e jetës