Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Veshja dhe paraqitja u bënë pengesë për mua

Veshja dhe paraqitja u bënë pengesë për mua

Veshja dhe paraqitja u bënë pengesë për mua

TREGUAR NGA AJLINA BRËMBOU

U RRITA si besimtare e fesë së Urdhrit të Vjetër të Vëllezërve Baptistë Gjermanë. Kjo fe ngjason me fenë amishe dhe fenë menonite. Lëvizja e Vëllezërve nisi në Gjermani më 1708 si pjesë e zgjimit shpirtëror që u quajt pietizëm. Sipas The Encyclopedia of Religion, pietizmi dallohej nga «bindja se njerëzimi kishte nevojë për ungjillin e Krishtit». Kjo pikëpamje bëri që lëvizja të zhvillonte fushata misionare të suksesshme në vende të ndryshme.

Më 1719 një grup i vogël që drejtohej nga Aleksandër Maku erdhi në vendin që sot quhet Pensilvani, në Shtetet e Bashkuara. Që prej asaj kohe, grupe të tjera janë formuar dhe janë shkëputur nga njëri-tjetri. Çdo grup ndiqte interpretimin që i bënte vetë mësimeve të Aleksandër Makut. Kisha jonë e vogël kishte rreth 50 anëtarë. I vihej theksi leximit të Biblës dhe ndjekjes me besnikëri të vendimeve zyrtare të anëtarëve të kishës.

Për të paktën tre breza, familja ime kishte ndjekur këtë besim e këtë mënyrë jetese. U bëra anëtare e kishës dhe u pagëzova kur isha 13 vjeçe. Që në vogëli më mësuan se ishte e gabuar të kishe ose të përdorje një automobil, traktor, telefon e madje edhe radion ose çdo shpikje tjetër që punonte me energji elektrike. Gratë në kishën tonë visheshin thjesht dhe nuk i pritnin flokët ose nuk e mbanin kokën të zbuluar. Burrat mbanin mjekër. Ne mendonim se të mos ishe pjesë e botës përfshinte edhe të mos vishje rroba moderne, të mos bëje tualet, të mos vije bizhuteri, gjëra që sipas nesh ishin shfaqje të krenarisë mëkatare.

Na mësuan të kishim respekt të thellë për Biblën, të cilën e konsideronim ushqimin tonë frymor. Çdo ditë, para se të hanim mëngjes, mblidheshim në dhomën e ndenjes dhe dëgjonim babanë teksa lexonte një kapitull nga Bibla dhe pastaj e komentonte. Pas kësaj të gjithë uleshim në gjunjë ndërkohë që babai lutej. Kur mbaronte ai, mamaja përsëriste Lutjen e Zotërisë. Gjithmonë e prisja me padurim adhurimin e mëngjesit, pasi e gjithë familja mblidhej bashkë dhe përqendrohej në gjërat frymore.

Jetonim në një fermë afër Delfit, në Indiana, dhe kultivonim prodhime të ndryshme bujqësore. Prodhimet i çonim në qytet me një karrocë me kuaj dhe i shitnim në rrugë ose shtëpi më shtëpi. Mendonim se puna e lodhshme ishte pjesë e shërbimit që i bënim Perëndisë. Prandaj çdo ditë ajo zinte vendin kryesor, përveç të dielave kur nuk duhej të bënim asnjë «punë të rëndë». Megjithatë, nganjëherë familja jonë jepej kaq shumë pas punës në fermë, saqë ishte e vështirë t’i mbanim në vend të parë gjërat frymore.

Martesa dhe familja

Më 1963, kur isha 17 vjeçe, u martova me Xhejmsin, një anëtar të Vëllezërve të Vjetër. Familja e tij ishte e rrënjosur në këtë fe që nga koha e stërgjyshërve. Që të dy kishim shumë dëshirë t’i shërbenim Perëndisë dhe besonim se vetëm kisha jonë ishte kisha e vërtetë.

Në vitin 1975 tashmë kishim gjashtë fëmijë dhe më 1983 na lindi fëmija i shtatë dhe i fundit. Kishim vetëm një vajzë, Rebekën, që ishte fëmija i dytë. Punonim shumë, shpenzonim pak dhe jetonim thjesht. Përpiqeshim të rrënjosnim te fëmijët tanë po ato parime biblike që na kishin mësuar prindërit dhe anëtarët e tjerë në kishën e Vëllezërve të Vjetër.

Paraqitja e jashtme kishte shumë rëndësi në fenë e Vëllezërve të Vjetër. Mendonim se meqë askush nuk e lexon dot zemrën, mënyra si vishej dikush zbulonte se si ishte përbrenda. Pra, nëse një anëtare e kishës i frynte shumë flokët, kjo merrej si shenjë krenarie. Po kështu, në qoftë se disenjoja e copës së fustaneve tona të thjeshta binte shumë në sy, kjo tregonte se ishe krenare. Ndonjëherë, këto çështje kishin më shumë rëndësi sesa vetë Shkrimet.

Kohë në burg

Nga fundi i viteve 60, vëllanë e burrit tim, Xhesin, që ashtu si ne ishte rritur në fenë e Vëllezërve të Vjetër, e burgosën se nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak. Kur ishte në burg, ai takoi Dëshmitarët e Jehovait, të cilët gjithashtu mendonin se pjesëmarrja në luftë nuk përputhet me parimet e Biblës. (Isaia 2:4; Mateu 26:52) Xhesi bëri shumë biseda me Dëshmitarët dhe e pa vetë me sytë e tij se çfarë njerëzish ishin. Pasi e studioi mirë Biblën, ai u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Neve nuk na erdhi fare mirë.

Xhesi i tregoi burrit tim gjërat që kishte mësuar. Ai gjithashtu e rregulloi që im shoq të merrte rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ato ia rritën Xhejmsit interesin për Biblën. Meqë gjithmonë kishte dashur t’i shërbente Perëndisë, por shpesh ishte ndier larg Tij, Xhejmsit i interesonte shumë gjithçka që mund ta ndihmonte t’i afrohej Perëndisë.

Pleqtë e kishës sonë na nxitnin të lexonim revista të fesë amishe, menonite dhe të feve të tjera të Vëllezërve të Vjetër, ndonëse sipas fesë sonë këto fe ishin pjesë e botës. Por nga ana tjetër, babai im kishte paragjykime të forta kundër Dëshmitarëve. Ai mendonte se nuk duhej të lexonim kurrë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Prandaj u trondita kur e pashë Xhejmsin duke i lexuar ato revista. Kisha frikë se mos besonte mësime të rreme.

Por prej shumë kohësh Xhejmsi kishte pasur pyetje rreth disa bindjeve të Vëllezërve të Vjetër, për të cilat mendonte se ishin në kundërshtim me Biblën. Sidomos kishte pyetje për mësimin që thoshte se është mëkat të bësh çfarëdo ‘pune të rëndë’ të dielën. Për shembull, Vëllezërit e Vjetër thoshin se është e lejueshme t’u japësh ujë kafshëve të dielën, por jo të shkulësh një bar të keq. Pleqtë nuk mund t’i jepnin atij një arsye nga Shkrimet për të mbështetur këtë rregull. Dalëngadalë edhe unë fillova të kisha dyshime për këto mësime.

Meqë nga shumë kohë kishim besuar se kisha jonë ishte kisha e Perëndisë dhe e dinim ç’na priste po ta linim, për ne ishte e vështirë të largoheshim nga Vëllezërit e Vjetër. Megjithatë, ndërgjegjja nuk na lejonte të qëndronim ende në një fe që mendonim se nuk i qëndronte plotësisht besnike Biblës. Prandaj më 1983 shkruam një letër ku shpjegonim arsyet e largimit tonë dhe kërkuam që kjo letër të lexohej para kongregacionit. Si pasojë, na përjashtuan nga kisha.

Në kërkim të fesë së vërtetë

Pas kësaj filluam të kërkonim fenë e vërtetë. Kërkonim përputhje në fjalë dhe në vepra. Kërkonim një fe, anëtarët e së cilës shfaqnin po ato fryte që u mësonin të tjerëve. Para së gjithash, i kishim hequr vizë çdo feje që merrte pjesë në luftë. Ende na tërhiqnin fetë «e thjeshta», pasi mendonim se një mënyrë e thjeshtë jetese dhe rrobat e thjeshta tregonin se një fe nuk ishte pjesë e botës. Nga viti 1983 deri në vitin 1985, rezervuam kohë për të udhëtuar nëpër Shtetet e Bashkuara, duke shqyrtuar fe të ndryshme njëra pas tjetrës: menonitët, kuakerët dhe grupe të tjera «të thjeshta».

Gjatë kësaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait na vizitonin në fermën tonë pranë Kamdenit, në Indiana. Ne i dëgjonim, duke u kërkuar të përdornin vetëm përkthimin King James të Biblës. Kisha respekt për qëndrimin që mbanin Dëshmitarët ndaj luftës. Por nuk isha shumë e gatshme t’i dëgjoja, sepse mendoja që nëse ata nuk arrinin të kuptonin nevojën për të qenë të ndarë nga bota duke u veshur thjesht, atëherë s’mund të ishin feja e vërtetë. Mendoja se ishte krenaria ajo që i shtynte njerëzit të visheshin ndryshe nga ne. Besoja se gjërat ose pasuritë e bënin njeriun krenar.

Xhejmsi filloi të shkonte në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Me vete merrte disa nga djemtë tanë. Isha shumë e mërzitur. Im shoq më thoshte të shkoja me të, por unë ngurroja. Një ditë më tha: «Edhe pse nuk je dakord me gjithçka që thonë, eja sa për të parë se si sillen me njëri-tjetrin.» Atij i kishte bërë përshtypje kjo gjë.

Më në fund vendosa të shkoja me të, por do të bëja shumë kujdes. Kur u futa në Sallën e Mbretërisë kisha veshur një fustan të thjeshtë dhe në kokë mbaja një kësulë. Disa nga djemtë tanë ishin zbathur dhe ashtu si unë kishin rroba të thjeshta. Megjithatë Dëshmitarët erdhën dhe u sollën me përzemërsi me ne. Thashë me vete: ‘Jemi të ndryshëm, por megjithatë ata na pranojnë.’

Më bëri përshtypje sjellja e tyre e dashur, por ende isha e vendosur që të rrija vetëm si vëzhguese. Kur këndonin nuk ngrihesha në këmbë dhe nuk këndoja. Pas mbledhjes i mbytja me pyetje. Pyesja për gjëra që sipas meje nuk po i bënin mirë ose pyesja për kuptimin e ndonjë shkrimi. Edhe pse nuk tregoja shumë takt, çdo njeri që pyesja interesohej vërtet për mua. Gjithashtu më bënte përshtypje që ndonëse i bëja të njëjtën pyetje njerëzve të ndryshëm, përgjigjet që merrja përputheshin me njëra-tjetrën. Ndonjëherë ata ma shkruanin përgjigjen në një fletë. Kjo më ndihmonte shumë, sepse më pas mund ta studioja vetë atë që kishin shkruar.

Në verën e vitit 1985, bashkë me familjen shkuam në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Memfis, Tenesi—vetëm sa për të parë. Xhejmsi ende mbante mjekër dhe ende vishnim rroba të thjeshta. Midis sesioneve rrallë qëllonte që të kalonte një minutë pa na takuar dikush. Na bënë për vete dashuria, interesi dhe fakti që na pranonin ashtu siç ishim. Gjithashtu na bëri përshtypje uniteti, sepse pavarësisht se në ç’vend e ndiqnim mbledhjen, mësimet ishin po ato.

I prekur nga interesimi i Dëshmitarëve, Xhejmsi pranoi një studim biblik. Ai shqyrtonte me imtësi çdo gjë për të qenë i sigurt për atë që po mësonte. (Veprat 17:11; 1 Selanikasve 5:21) Me kalimin e kohës, Xhejmsi e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën, kurse unë isha ende e pavendosur. Doja të bëja atë që ishte e drejtë, por nuk doja të «bëhesha moderne» dhe të quhesha «e botës». Kur pranova për herë të parë të merrja pjesë në studimin e Biblës, mbi njërin gju kisha përkthimin King James, kurse mbi tjetrin përkthimin Bota e Re, një përkthim më i kohës. Që të isha e sigurt se nuk po më mashtronin, çdo varg e kontrolloja në të dyja përkthimet.

Arrita të bindem

Ndërkohë që studionim me Dëshmitarët, mësuam se Ati ynë qiellor është një Perëndi, jo tre persona në një, dhe se ne vetë jemi shpirtra e nuk kemi një shpirt të pavdekshëm. (Zanafilla 2:7; Ligji i përtërirë 6:4; Ezekieli 18:4; 1 Korintasve 8:5, 6) Gjithashtu mësuam se ferri është varri i përbashkët i njerëzimit, dhe jo një vend i zjarrtë torturash. (Jobi 14:13; Psalmi 16:10; Predikuesi 9:5, 10; Veprat 2:31) Mësimi i së vërtetës për ferrin ishte një pikë kthese, pasi Vëllezërit e Vjetër nuk ishin në një mendje për domethënien e tij.

Megjithatë, ende pyesja veten si ishte e mundur që Dëshmitarët të ishin feja e vërtetë kur, sipas mendjes sime, ata ishin ende pjesë e botës. Ata nuk bënin atë jetë «të thjeshtë» që mendoja se ishte shumë e rëndësishme. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, e kuptoja se zbatonin urdhrin e Jezuit për t’u predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë të gjithë njerëzve. Ndihesha kaq e pështjelluar!—Mateu 24:14; 28:19, 20.

Gjatë kësaj kohe kritike, dashuria e Dëshmitarëve më ndihmoi të vazhdoja të kërkoja. I gjithë kongregacioni interesohej për familjen tonë. Kur pjesëtarë të ndryshëm të kongregacionit vinin të na vizitonin—ndonjëherë me pretekstin për të blerë te ne qumësht dhe vezë—filluam të shihnim se ishin njerëz vërtet të mirë. Edhe pse një Dëshmitar tashmë po studionte me ne, të tjerët nuk e shihnin këtë si një justifikim për të mos na vizituar. Përkundrazi, sa herë që pjesëtarët e kongregacionit kalonin pranë shtëpisë sonë, vinin e na takonin. Kishim jashtë mase nevojë për këtë gjë në mënyrë që t’i njihnim Dëshmitarët. Filluam të vlerësonim interesimin dhe dashurinë e tyre të sinqertë.

Ky interesim nuk vinte vetëm nga Dëshmitarët e kongregacionit që kishim afër. Ndërkohë që luftoja me problemin e veshjes e të paraqitjes, më bëri një vizitë Kej Brigsi, një Dëshmitare nga një kongregacion i afërt, së cilës i pëlqente të vishej thjesht dhe të mos bënte tualet. Me të u ndjeva rehat dhe fola më lirshëm. Një ditë tjetër, më bëri vizitë Luis Flora, që ishte rritur vetë në një fe «të thjeshtë». Ai ma lexoi që në fytyrë pështjellimin që kisha dhe më pas më dërgoi një letër me dhjetë faqe, ku përpiqej ta qetësonte mendjen time të trazuar. Mirësia e tij më bëri të përlotesha. E lexova dhe e rilexova shumë herë atë letër.

I kërkova një mbikëqyrësi udhëtues, vëlla O’Delit, të më shpjegonte Isainë 3:18-23 dhe 1 Pjetrit 3:3, 4. «A nuk tregojnë këto vargje se për t’i pëlqyer Perëndisë duhet të vishemi thjesht?»,—e pyeta. Ai arsyetoi: «A ka ndonjë gjë të keqe të mbash kësulë? A është gabim t’i bësh flokët gërshet?» Në fenë e Vëllezërve të Vjetër, ne ua thurnim gërshet flokët vajzave të vogla dhe gratë mbanin kësula. Arrita të kuptoja se gjërat që mësonin ata nuk përputheshin me ato që bënin. Gjithashtu më bëri përshtypje durimi dhe sjellja e mirë e mbikëqyrësit udhëtues.

Dalëngadalë u binda gjithnjë e më shumë, por diçka më mundonte ende—gratë që mund t’i prisnin flokët. Pleqtë e krishterë arsyetuan me mua duke më thënë se flokët e disa grave rriten deri në njëfarë gjatësie, kurse flokët e grave të tjera mund të rriten shumë. A do të thoshte kjo se flokët e njërës ishin më të pranueshme se flokët e tjetrës? Gjithashtu ata më ndihmuan të kuptoja rolin e ndërgjegjes për sa i përket veshjes e paraqitjes dhe më dhanë materiale për t’i lexuar në shtëpi.

Zbatojmë atë që mësuam

Po kërkonim fryte të mira dhe i gjetëm. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Ishim të bindur se Dëshmitarët e Jehovait janë një popull që tregojnë dashuri të vërtetë. Gjithsesi kjo ishte një kohë pështjellimi për dy fëmijët tanë më të mëdhenj, Natanin dhe Rebekën, pasi ata e kishin pranuar fenë e Vëllezërve të Vjetër dhe ishin pagëzuar. Më në fund, ata u prekën nga të vërtetat e Biblës që u mësuam, si dhe nga dashuria që tregonin Dëshmitarët.

Rebeka gjithmonë kishte dëshiruar me zjarr një marrëdhënie të përzemërt me Perëndinë. Asaj iu duk më e lehtë t’i lutej atij kur mësoi se Perëndia nuk e kishte paracaktuar se si do të vepronte dikush ose si do të ishte e ardhmja e tij apo e saj. Gjithashtu iu afrua më shumë Perëndisë kur arriti të kuptonte se ai është një person i vërtetë, të cilin ajo mund ta imitonte, dhe jo pjesë e një Triniteti misterioz. (Efesianëve 5:1) Dhe ishte e lumtur që nuk kishte nevojë t’i drejtohej atij, duke përdorur gjuhën e vjetër të përkthimit King James. Kur mësoi kërkesat e Perëndisë për lutjen, si dhe qëllimin e tij madhështor që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në një parajsë tokësore, ajo e ndjeu shumë më afër Krijuesin.—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

Privilegjet që gëzojmë si familje

Xhejmsi, unë dhe pesë fëmijët tanë më të mëdhenj, Natani, Rebeka, Xhorxhi, Danieli dhe Xhoni, u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait në verën e vitit 1987. Harli u pagëzua më 1989, kurse Sajmoni më 1994. E gjithë familja i është përkushtuar veprës që Jezu Krishti u ngarkoi dishepujve të tij, pra, shpalljes së lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Pesë djemtë e mëdhenj, Natani, Xhorxhi, Danieli, Xhoni dhe Harli, si edhe vajza jonë Rebeka, kanë shërbyer në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në SHBA. Xhorxhi ka 14 vjet që shërben aty, kurse Sajmoni, që mbaroi shkollën më 2001, është bërë pjesëtar i personelit të degës kohët e fundit. Të gjithë djemtë tanë janë pleq ose shërbëtorë ndihmës nëpër kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Burri im shërben si plak në kongregacionin e Thejërit në Misuri, kurse unë kaloj shumë kohë në shërbim.

Tani kemi dy mbesa, Xhesikën e Latishën, si edhe një nip, Kalebin. Jemi të lumtur kur shohim se prindërit e tyre po u rrënjosin në zemrat e njoma dashurinë për Jehovain. Si familje jemi të gëzuar që Jehovai na tërhoqi drejt vetes dhe na ndihmoi të dallonim njerëzit që mbajnë emrin e tij, duke parë dashurinë hyjnore që shfaqin ata.

Zemra jonë i kupton ndjenjat e atyre njerëzve që dëshirojnë me zjarr t’i pëlqejnë Perëndisë, por ndërgjegjja e të cilëve është brumosur sipas mjedisit ku janë rritur dhe jo sipas Biblës. Shpresojmë që ata të gjejnë gëzimin që provojmë ne sot kur shkojmë nga dera në derë, jo më me prodhime bujqësore, por me një mesazh për Mbretërinë e Perëndisë dhe për gjërat e mrekullueshme që do të bëjë ajo. Më mbushen sytë me lot nga mirënjohja kur kujtoj gjithë atë durim dhe dashuri që tregoi për ne populli që mban emrin e Jehovait!

[Figurat në faqen 19]

Kur isha rreth shtatë vjeçe dhe më vonë kur u rrita

[Figura në faqen 20]

Xhejmsi, Xhorxhi, Harli dhe Sajmoni të veshur me rroba të thjeshta

[Figura në faqen 21]

Kjo fotografi, ku kam dalë duke çuar prodhime në treg, doli në gazetën lokale

[Burimi]

Journal and Courier, Lafayette, Indiana

[Figura në faqen 23]

Familja jonë sot