Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mirë se të vini në burimet termale të Japonisë!

Mirë se të vini në burimet termale të Japonisë!

Mirë se të vini në burimet termale të Japonisë!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

ÇFARË ju vjen ndër mend kur mendoni për Japoninë? Mali madhështor Fuxhi? Trenat me shpejtësi të lartë për udhëtarë? Qyteti gjigant i Tokios? Por përveç këtyre gjërave të famshme që i bëjnë për vete turistët, Japonia ka edhe shumë vende interesante. Për qëllime kurimi ose çlodhjeje, miliona njerëz vizitojnë çdo vit onsenët​—burimet termale të Japonisë. Në një nga vitet e kaluara, afro 140 milionë veta qëndruan në një hotel pranë burimeve termale japoneze. Por, pse frekuentohen kaq shumë këto burime termale?

Historia e onsenëve

Japonezëve u ka pëlqyer prej shumë shekujsh të bëjnë banjë në ujërat gjeotermale. Banjat në ujërat termale përmenden në shkrime që datojnë që nga shekulli i tetë i e.s. Me sa duket, lordi feudal i shekullit të 16-të, Shingen Takeda, i përkrahu vlerat mjekësore të burimeve me ujëra minerale. Pas betejave, ai dhe luftëtarët e tij samurajë bënin banjë në ujërat termale që t’u shëroheshin më lehtë plagët e shpatave, kockat e thyera, të prerat dhe vendet e mavijosura. Këto ujëra bënin mirë edhe për të lehtësuar stresin, edhe për t’i përgatitur burrat për betejën tjetër.

Sigurisht, kur bënin banjë, samurajët ishin në rrezik, pasi do të gjendeshin të paarmatosur po t’i sulmonin në befasi. Për të zgjidhur këtë problem, Shingen Takeda shfrytëzoi një grup burimesh të largëta e të veçuara, të cilat më vonë u bënë të njohura si banjat e fshehta të Shingenit. Është interesante që po këto burime sot shfrytëzohen nga sportistë profesionistë, ku përfshihen mundësit e sumos dhe lojtarët e bejzbollit, duke besuar se ujërat mund t’u ripërtërijnë forcat për garat sportive që i presin në të ardhmen.

Veçoritë e pashoqe gjeografike

Veçoritë gjeografike të Japonisë janë veçanërisht të përshtatshme për krijimin e burimeve termale. Në sipërfaqen e arkipelagut gjenden të shpërndara rreth 245 vullkane, 86 prej të cilave janë aktive. Këto vullkane na nxitin të mendojmë për dukuritë që ndodhin thellë nën sipërfaqen e tokës. Çfarë ka atje?

Ishujt e Japonisë gjenden mbi pllaka të kores së tokës që takohen me njëra-tjetrën, të quajtura edhe pllaka tektonike. Mendohet se magma, që është lëndë minerale e shkrirë, del aty ku takohen këto pllaka gjigante. Menjëherë mbi vendin e takimit janë vullkanet, që shërbejnë si grykëderdhje të dukshme. Kjo zonë gjeotermale shërben edhe si vatër nxehtësie për burimet e nëndheshme. Në bashkëveprim me magmën ose me shkëmbinjtë e nxehtë, uji i nëntokës ngrohet dhe thith minerale, duke krijuar kështu kushte të shkëlqyera për formimin e onsenëve. Prandaj, libri The Hot Springs of Japan ka të drejtë kur thotë: «Asnjë vend i botës nuk është kaq i bekuar me burime termale natyrore sa Japonia.» Dhe vërtet, nga një studim i vitit 1998, doli se në këtë vend ka 2.839 burime termale.

Burimet termale të Japonisë janë të tipave, përmasave, formave dhe ngjyrave të ndryshme. Në përpjekje për t’i kategorizuar burimet sipas vlerave kuruese, Agjencia Japoneze e Mjedisit i ka ndarë ato në nëntë kategori kimike. Emrat që u janë vënë burimeve shpesh tregojnë veçoritë e tyre. Për shembull, burimet termale të pasura në hekur bëjnë që peshqiri me të cilin fshiheni të marrë ngjyrë portokalli në të kuqe. Prandaj, fjala «e kuqe» i bashkëngjitet emrit të tyre. Burimet termale me përmbajtje të lartë kripërash quhen banja kripe. Po sikur të kridheshit në një banjë me ngjala? Kuptohet, kjo nuk duket aspak tërheqëse. Por mos u shqetësoni. Në të vërtetë në këto burime termale nuk ka ngjala. Ky emër u është vënë, pasi njerëzit kur dalin nga uji e ndiejnë lëkurën po aq të rrëshqitshme sa edhe lëkura e ngjalave. Kjo vjen nga natyra bazike e këtyre ujërave.

Mes peizazheve të mrekullueshme

Të bësh banjë në burimet termale, i rrethuar nga peizazhe të bukura me male, lëndina, lumenj, fusha dhe me bregdet, është një përvojë e këndshme, unike, e cila të lë mbresa që nuk shlyhen lehtë nga kujtesa. Meqë shumë burime termale të Japonisë janë në mjedise të hapura, ata që bëjnë banjë mund të shijojnë një pamje të qartë të bukurisë madhështore të natyrës. Si tavan ata kanë qiellin në ngjyrë të kaltër të thellë, kurse malet përreth janë në vend të mureve. Tingujt që dëgjohen në këtë «dhomë në natyrë» mund të jenë zërat e një kori zogjsh që këndojnë në mëngjes ose melodia e një përroi që rrjedh ëmbël. Po, duket sikur veçoritë tërheqëse të burimeve termale s’kanë të sosur.

A do t’ju pëlqente të laheshit poshtë një ujëvare? Kjo dëshirë mund të bëhet realitet. Ujërat që bien nga lart janë si një masazh për ju dhe i shtojnë diçka të re banjës sipas stilit japonez. Gjithashtu mund të laheni në një shpellë ku ujërat e nxehta minerale gurgullojnë nga thellësia e formacioneve shkëmbore. Disa burime janë afër plazhit, ku mund të kundroni një pamje të shkëlqyer të perëndimit të diellit, kurse të tjera ndodhen në vende të mbrojtura përgjatë lumenjve.

Pavarësisht nga vendndodhja ose lloji i burimit që mund të zgjidhni, një gjë është e sigurt: nëse bëni banjë në ujërat e nxehura nga vullkanet, do të provoni, sikur edhe për një çast, lehtësim nga stresi i jetës së përditshme. Kur të dilni nga uji do të ndiheni vërtet të ripërtërirë e ndoshta do ta ndieni veten më afër mënyrës japoneze të jetesës. Pra, në qoftë se ju bie rasti të vizitoni këtë pjesë të botës, bëni çmos të shijoni onsenët, burimet termale të Japonisë.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

BURIMET TERMALE DHE SHOGUNËT

Gjatë periudhës së Edos (1603-1867) ujërat minerale janë vlerësuar shumë. Diktatorëve ushtarakë, të quajtur shogunë, ua çonin ujërat minerale me fuçi druri që mbaheshin me shkopinj. Hamejtë i ngarkonin mbi supe këto fuçi dhe i transportonin nga Atami deri në Edo (Tokio), një largësi 110 kilometra. Në disa pika gjatë rrugës, ujërat e çmuara i dorëzoheshin një grupi tjetër transportuesish që e mbanin ngarkesën për atë pjesë të rrugës që u ishte caktuar. Në këtë mënyrë, ujërat minerale transportoheshin me shpejtësi. Kur merreshin nga burimi, ujërat termale ishin gati në vlim. Gjatë këtij udhëtimi rraskapitës për gati 15 orë, uji i burimit ftohej aq sa duhej që shoguni të shijonte një banjë përtëritëse në kështjellën e tij në Edo.

[Burimi]

Tabelë kronologjike e historisë së Atamit

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Etiketa e Onsenit

Sipas zakonit, para se të bëni banjë në ujërat termale, duhet që trupin ta lani me sapun dhe ta shpëlani mirë. Tani është koha për t’u zhytur në ujërat e pastra minerale. * E mira është të futeni pak nga pak, sepse uji në disa burime mund të jetë i nxehtë. Pasi të mbaroni banjën mos e shpëlani ujin e pasur në kripëra minerale. Vetëm fshihuni me peshqir. Mendohet se mineralet që i thith lëkura mund ta zbutin atë.

[Shënimi]

^ par. 22 Një veçori tjetër e onsenit është se burrat dhe gratë i bëjnë banjat në vende të ndara.

[Figurat në faqen 17]

Në ujërat termale bëhet banjë në çdo stinë

[Burimet]

Vjeshtë: Yubara, Okayama Prefecture; dimër: The Mainichi Newspapers

[Burimi i figurës në faqen 15]

Hakkoda Onsen Yusen