Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpresë për ata që vuajnë

Shpresë për ata që vuajnë

Shpresë për ata që vuajnë

NË TË kaluarën, njerëzit në përgjithësi i shmangnin ata që vuanin nga çrregullimet e humorit. Si pasojë, shumë prej tyre dëboheshin nga shoqëria. Disa hasnin diskriminim në punë. Disa të tjerëve u rrinin larg edhe vetë familjarët. Shpesh kjo gjë vetëm sa e keqësonte më shumë problemin dhe i pengonte të sëmurët që të merrnin ndihmë.

Megjithatë, dhjetëvjeçarët e fundit, janë bërë hapa të mëdhenj për të kuptuar depresionin dhe çrregullimin bipolar. Tashmë dihet mirë se këto çrregullime mund të kurohen. Por nuk është gjithnjë e lehtë të marrësh ndihmë. Pse?

Të dallojmë shenjat

Çrregullimet e humorit nuk diagnostikohen me një analizë gjaku ose me një radiografi. Duhet vëzhguar sjellja, të menduarit dhe gjykimi i personit gjatë një periudhe. Janë disa simptoma që duhet të shfaqen për të arritur në një diagnozë. Problemi është se ndonjëherë familjarët dhe miqtë nuk e kuptojnë se ajo që shohin flet qartë për një çrregullim të humorit. «Edhe kur njerëzit janë në një mendje që sjellja e dikujt nuk është normale,​—shkruan dr. Dejvid Xh. Milkovitzi,​—mund të kenë mendime nga më të ndryshmet për arsyet që e shtyjnë këtë njeri të sillet kështu.»

Për më tepër, edhe kur familjarët mendojnë se gjendja është serioze, mund të jetë e vështirë ta bindësh personin që vuan se ka nevojë të vizitohet. Ose po të kesh ti vetë ndonjë çrregullim, mund ta kesh të zorshme të kërkosh ndihmë. Dr. Mark S. Goldi shkruan: «Kur ndihesh i dëshpëruar ndoshta ti beson se ajo që mendon është e vërtetë; pra beson se je njeri i kotë dhe prandaj nuk ia vlen të kërkosh ndihmë, se gjithsesi nuk ka shpresë për dikë si puna jote. Mbase do të doje të këshilloheshe me ndonjë për gjendjen tënde, por mendon se është turp të jesh i dëshpëruar dhe se gjithë fajin e ke vetë. . . . Ndoshta nuk e di se ajo që po kalon është depresion.» Megjithatë, për ata që vuajnë nga depresioni i rëndë, ndihma mjekësore është vendimtare.

Sigurisht, çdokush ndihet i trishtuar herë pas here dhe kjo nuk tregon medoemos se ka një çrregullim të humorit. Por, po sikur këto ndjenja të jenë më të forta sesa thjesht mërzitja që të zë ndonjëherë? Dhe po sikur ato të vazhdojnë për një kohë më të gjatë se zakonisht, ndoshta për dy javë ose më shumë? Ose më keq, le ta zëmë se ky trishtim nuk të lë të kryesh veprimtaritë e zakonshme, qoftë në shkollë, në punë ose në ambientet shoqërore. Në këtë rast, mund të jetë e mençur të vizitohesh te një specialist i kualifikuar për diagnostikimin dhe kurimin e depresionit.

Kur ka prishje të ekuilibrit biokimik, mjeku mund të japë ilaçe. Në raste të tjera, mund të këshillohet një terapi për ta ndihmuar personin të mësojë se si ta përballojë gjendjen. Ka raste kur janë arritur rezultate të mira duke i kombinuar të dyja metodat. * E rëndësishmja është të marrësh iniciativën dhe të kërkosh ndihmë. «Shpesh, ata që vuajnë kanë frikë dhe turp për gjendjen e tyre,​—thotë Lenora, një paciente me çrregullim bipolar e cila u përmend në artikullin e kaluar.​—Megjithatë, arsyeja e vërtetë për të pasur turp është kur dyshon se ke një problem dhe nuk kërkon ndihmën për të cilën ke tmerrësisht nevojë.»

Atë që thotë, Lenora e ka nga përvoja e vet. «Për një vit të tërë, kisha kaluar pothuajse gjithë kohën në shtrat,​—thotë ajo.​—Pastaj, një ditë, kur ndihesha pak më e fortë, vendosa të telefonoja dhe të lija një takim me mjekun.» Gjendja e Lenorës u diagnostikua si çrregullim bipolar dhe i dhanë ilaçe. Kjo shënoi një pikë kthese në jetën e saj. «Kur i pi ilaçet ndihem në rregull,​—thotë Lenora,​—ndonëse duhet t’ia kujtoj gjithnjë vetes se po t’i ndërpres, të gjitha shenjat që kisha do më të kthehen prapë.»

Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me Brandonin i cili vuan nga depresioni. Ai thotë: «Kur isha adoleshent, shpesh bluaja në kokë mendimin që të vritja veten, sepse po më zinte frymën ndjenja e pavlefshmërisë. Megjithatë, vetëm pas të 30-ave shkova te mjeku.» Ashtu si Lenora, edhe Brandoni merr ilaçe për sëmundjen që ka, por ka edhe gjëra të tjera që e ndihmojnë. Ai thotë: «Që të kem një gjendje të mirë të përgjithshme, kujdesem për mendjen dhe për trupin. Pushoj dhe kam kujdes për gjërat që ha. Gjithashtu, e mbush mendjen dhe zemrën me mendime pozitive nga Bibla.»

Megjithatë, Brandoni thekson se depresioni është një problem shëndetësor, jo një problem frymor. Të kuptosh këtë fakt është diçka jetësore që të shërohesh. Brandoni thotë: «Një ditë, i nisur nga motive të mira një bashkëbesimtar i krishterë më tha se, meqë Galatasve 5:22, 23 thotë se gëzimi është një fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë, kishte të ngjarë që të isha i trishtuar ngaqë po bëja diçka që po e pengonte frymën e shenjtë. Kjo më bëri të ndihesha edhe më fajtor e më i trishtuar. Por pasi fillova të merrja ndihmë, retë e zeza që më mbulonin nisën të shpërndaheshin. Ndihesha shumë më mirë. Ah sikur të kisha kërkuar ndihmë më parë!»

Të fitosh betejën

Edhe pasi është përcaktuar diagnoza dhe ka filluar mjekimi, ka të ngjarë që çrregullimi i humorit të paraqesë sfida të vazhdueshme për atë që vuan. Keli, e cila lufton me depresionin e rëndë, është mirënjohëse për ndihmën e specialistit që ka trajtuar aspektet mjekësore të gjendjes së saj. Megjithatë, ajo shton se mbështetja e të tjerëve është shumë e rëndësishme. Në fillim Keli ngurronte t’u kërkonte ndihmë të tjerëve, sepse i dukej sikur do t’u bëhej barrë. «M’u desh të mësoja që jo vetëm të kërkoja ndihmë, por edhe ta pranoja atë,​—thotë ajo.​—Vetëm kur fola hapur se si ndihesha, munda të ndalesha e të mos rrokullisesha më tej në të tatëpjetën që kisha marrë.»

Si Dëshmitare e Jehovait, Keli ndjek mbledhjet me bashkëbesimtarët e saj në Sallën e Mbretërisë. Megjithatë, ndonjëherë edhe këto raste të gëzueshme paraqesin vështirësi për të. «Shpesh dritat, lëvizjet e njerëzve dhe zhurma mund të duken të padurueshme. Pastaj më pushton ndjenja e fajit dhe trishtimi më shtohet, pasi mendoj se çrregullimi im duhet të vijë ngaqë nuk jam mirë frymësisht.» Si ia bën Keli në këto situata? Ajo thotë: «Kam mësuar se depresioni është një sëmundje që më duhet ta përballoj. Ai nuk tregon se sa e dua Perëndinë ose të bashkëkrishterët. Nuk pasqyron gjendjen time frymore.»

Luçia, e përmendur më parë në këtë seri artikujsh, është mirënjohëse për kujdesin e shkëlqyer shëndetësor që i është dhënë. «Vizitat te një specialist i shëndetit mendor kanë qenë absolutisht jetësore që të mësoja t’i kapërceja me sukses luhatjet e humorit që shoqërojnë këtë sëmundje»,​—thotë ajo. Gjithashtu Luçia thekson edhe vlerën e pushimit. «Gjumi është një çelës i rëndësishëm për të përballuar maninë,​—thotë ajo.​—Sa më pak fle, aq më euforike bëhem. Edhe kur s’më flihet, në vend se të ngrihem, e detyroj veten të rri shtrirë e të pushoj.»

Shila, që po ashtu është përmendur më parë, ka parë që e ndihmon mbajtja e një ditari ku zbraz të gjitha ndjenjat e saj. Ajo vë re një përmirësim të ndjeshëm në pikëpamjen e saj. Megjithatë, ende has vështirësi. «Për ndonjë arsye, rraskapitja bën që të më vijnë mendime shkurajuese,​—thotë Shila.​—Por kam mësuar t’i mposht ose të paktën të mos i lë të më zotërojnë.»

Ngushëllim nga Fjala e Perëndisë

Bibla është një ndihmë forcuese për shumë veta që vuajnë nga ‘mendimet turbulluese’. (Psalmi 94:17-19, 22, BR) Për shembull, Sherin e inkurajonte shumë Psalmi 72:12, 13. Atje, psalmisti thotë për Mbretin që ka caktuar Perëndia, Jezu Krishtin: «Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.» Sherin e inkurajuan edhe fjalët e apostullit Pavël që i gjejmë te Romakëve 8:38, 39: «Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë.»

Ilejna, një paciente me çrregullim bipolar, thotë se për të marrëdhënia me Perëndinë është si një spirancë. Atë e ngushëllojnë shumë fjalët e psalmistit: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» (Psalmi 51:17, BR) «Ka qenë vërtet ngushëlluese të di se Ati ynë i dashur qiellor, Jehovai, na kupton,​—thotë ajo.​—Ka qenë forcuese për mua t’i afrohem atij në lutje, sidomos kur kam një ankth të madh dhe trishtim.»

Siç mund të kuptohet, kur jeton me një çrregullim të humorit përballesh me vështirësi të pashoqe. Megjithatë, Sheri dhe Ilejna kuptuan se mbështetja me lutje te Perëndia, bashkë me kurën e përshtatshme, u dhanë mundësi të përmirësonin jetën e tyre. Por, si mund t’i ndihmojnë familjarët dhe miqtë ata që vuajnë nga çrregullimi bipolar ose nga depresioni?

[Shënimi]

^ par. 8 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë. Të krishterët duhet të sigurohen se çfarëdo kure që të bëjnë nuk bie ndesh me parimet e Biblës.

[Diçitura në faqen 10]

«Kur fillova të merrja ndihmë, retë e zeza që më mbulonin nisën të shpërndaheshin. Ndihesha shumë më mirë.»​—BRANDONI

[Kutia në faqen 9]

Komentet e një bashkëshorti

«Para se t’i shfaqeshin shenjat e sëmundjes, Luçia ndihmonte shumë njerëz në jetën e tyre me anë të gjykimit të saj të thellë. Edhe tani, kur njerëzit e vizitojnë gruan time kur është e qetë, duket se i tërheq ngrohtësia e saj. Ajo që nuk arrijnë të kuptojnë shumica e njerëzve është se Luçia kalon nga gjendja e depresionit në mani. Kjo vjen si pasojë e çrregullimit bipolar, sëmundje me të cilën lufton që prej katër vjetësh.

Gjatë fazës së manisë, nuk është e rrallë që Luçia të rrijë zgjuar deri në orën një, dy ose tre të natës, ndërkohë që në mendje i vërshojnë ide krijuese. Duket sikur nga ajo buron energji. Reagon në mënyrë të tepruar edhe ndaj gjërave më të vogla dhe harxhon para pa menduar. E fut veten në situatat më të rrezikshme, duke menduar se është e pamposhtshme, se nuk ka asnjë rrezik​—nga ana morale ose fizike a ndonjë rrezik tjetër. Këto veprime të pakontrolluara mbartin edhe rrezikun e vetëvrasjes. Gjithmonë manisë i vjen pas depresioni. Shkalla e depresionit zakonisht varet nga shkalla e manisë që i paraprin.

Jeta për mua ka ndryshuar rrënjësisht. Edhe pse Luçia kurohet, gjërat që kemi mundësi të bëjmë sot mund të jenë të ndryshme nga ato që mund të bënim dje ose që do të bëjmë nesër. Kjo ndryshon në varësi të rrethanave. Jam detyruar të bëhem më elastik nga ç’kisha menduar se mundesha.»​—Mario.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Kur mjeku të jep ilaçe

Disa mendojnë se të marrësh ilaçe është shenjë dobësie. Por arsyetoni në këtë mënyrë: një diabetik duhet t’i nënshtrohet një kure që mund të përfshijë edhe bërjen e injeksioneve të insulinës. A është kjo shenjë dobësie? Absolutisht që jo! Kjo është thjesht një mënyrë për të vendosur ekuilibrin e lëndëve ushqyese të trupit që personi të jetë i shëndetshëm.

Është pothuajse e njëjta gjë edhe kur merr ilaçe për depresionin ose për çrregullimin bipolar. Ndonëse shumë veta i ka ndihmuar një program psikoterapie, me anë të të cilit kanë kuptuar sëmundjen, duhet pasur kujdes. Kur kemi të bëjmë me një prishje të ekuilibrit kimik, sëmundja nuk mund të shërohet vetëm me forcën e arsyes. Stiveni, një pacient me çrregullim bipolar thotë: «Specialistja që më kuroi më bëri këtë ilustrim: Një njeriu mund t’i japësh sa të duash mësime se si ta ngasë makinën, por nëse atij i jep një makinë pa timon ose pa frena, atëherë këto mësime s’do të vlenin shumë. Po kështu, në qoftë se një njeriu me depresion do t’i japin vetëm këshilla, ai mund të mos arrijë rezultatet e dëshiruara. Rivendosja e ekuilibrit kimik të trurit është një nga hapat e parë të rëndësishëm.»

[Figura në faqen 10]

Bibla është një ndihmë forcuese për shumë veta që vuajnë nga mendimet shkurajuese