Si mund të ndihmojnë të tjerët?
Si mund të ndihmojnë të tjerët?
NDOSHTA njihni dikë që vuan nga depresioni ose çrregullimi bipolar. Atëherë, si mund ta ndihmoni? D. J. Xhafi që punon në Shoqatën Kombëtare për të Sëmurët Mendorë jep këtë këshillë me vend: «Mos e ngatërroni sëmundjen me individin; përkundrazi, urrejeni sëmundjen, por duajeni njeriun.»
Një grua me emrin Suzana veproi pikërisht kështu, duke treguar dashuri dhe durim. Ajo kishte një shoqe që vuante nga çrregullimi bipolar. «Kishte raste kur ajo nuk duronte dot të më rrinte afër»,—thotë Suzana. Në vend që t’i kthente krahët shoqes, Suzana bëri ca kërkime për të ditur rreth çrregullimit bipolar. «Tani,—thotë ajo,—e kuptoj se sa shumë ndikonte sëmundja në sjelljen e shoqes sime.» Suzana mendon se përpjekjet për ta kuptuar atë që vuan mund të sjellin një shpërblim të mrekullueshëm. «Kjo mund të të ndihmojë të kesh më shumë dashuri dhe të çmosh njeriun e bukur që qëndron pas velit të sëmundjes»,—thotë ajo.
Kur i sëmuri është një pjesëtar i familjes, ndihma me gjithë shpirt është vendimtare. Mario, që u përmend më parë në këta artikuj, e mësoi këtë që në fillim nga përvoja. Gruaja e tij, Luçia, e cila gjithashtu u përmend më parë, vuan nga çrregullimi bipolar. Mario thotë: «Në fillim më ndihmoi fakti që shkoja te mjeku bashkë me gruan, si edhe materialet që lexova rreth kësaj sëmundjeje të çuditshme. Kjo bëri që ta dija mirë se çfarë na priste. Gjithashtu, Luçia dhe unë flitnim shumë me njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të përballonim çdo rrethanë që krijohej me kalimin e kohës.»
Mbështetje nga kongregacioni i krishterë
Bibla i këshillon të gjithë të krishterët që ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’ dhe ‘të jenë shpirtgjerë me të gjithë’. (1 Selanikasve 5:14) Si mund ta bëni këtë? Së pari është e rëndësishme të kuptoni ndryshimin midis sëmundjes mendore dhe asaj frymore. Për shembull, Jakovi, një shkrimtar i Biblës, tha se lutja mund t’i bëjë mirë atij që është i sëmurë frymësisht. (Jakovit 5:14, 15) Megjithatë, Jezui e pranoi se ata që janë të sëmurë fizikisht kanë nevojë për mjek. (Mateu 9:12) Sigurisht, gjithnjë është e drejtë dhe e dobishme t’i lutemi Jehovait për çdo shqetësim, edhe për shëndetin. (Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7) Por Bibla nuk thotë se po të marrësh pjesë më shumë në veprimtaritë frymore, kjo në vetvete do të t’i zgjidhë problemet shëndetësore.
Prandaj, të krishterët me aftësi dalluese nuk lejojnë që me fjalët e tyre të nënkuptohet se njerëzit me depresion e kanë vetë fajin. Vërejtje të tilla do ta ndihmonin personin aq sa e ndihmuan Jobin fjalët e ngushëlluesve të rremë. (Jobi 8:1-6) Fakti është që në shumë raste, depresioni nuk do të kalojë po të mos kurohet me mjekime. Kjo është e nevojshme sidomos kur personi ka rënë thellë në depresion e ndoshta mendon të vrasë veten. Në këto raste është e domosdoshme ndihma e specialistit.
Gjithsesi, edhe të bashkëkrishterët mund të bëjnë shumë për ta mbështetur të sëmurin. Patjetër duhet durim. Për shembull, atyre që vuajnë nga çrregullimet e humorit mund t’u duken tepër të vështira disa veprimtari të krishtere. Diana, një paciente me çrregullim bipolar thotë: «Për mua është një luftë e vërtetë të dal në shërbim. Është e vështirë t’u jap të tjerëve lajmin e mirë e të gëzuar nga Bibla, kur përbrenda as nuk ndihem mirë dhe as nuk ndihem e gëzuar.»
Për t’i ndihmuar këta njerëz që vuajnë, përpiquni të kuptoni se si ndihen. (1 Korintasve 10:24; Filipianëve 2:4) Përpiquni t’i shihni gjërat me syrin e atij që vuan e jo siç do t’i shihnit ju vetë. Mos e rëndoni personin duke pritur prej tij gjëra të paarsyeshme. «Kur më pranojnë kështu siç jam tani,—thotë Karli që lufton me depresionin—ndiej se dalëngadalë më rikthehet ndjenja e afërsisë me të tjerët. Falë durimit të disa miqve të vjetër kam arritur të ndërtoj një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndinë dhe kam gjetur më shumë gëzim ndërsa i ndihmoj të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.»
Me ndihmën e të tjerëve, atyre që janë të sëmurë mund t’u lehtësohen shumë vuajtjet emocionale. Vini re se ç’thotë një e krishterë me emrin Brenda e cila vuan nga çrregullimi bipolar. «Miqtë e mi në kongregacion më kanë mbështetur dhe më kanë kuptuar jashtë mase gjatë periudhave kur ndihesha përtokë. Ata nuk më kanë gjykuar kurrë si një njeri të dobët frymësisht,—thotë ajo.—Ka pasur raste kur më kanë marrë me vete në shërbim dhe më kanë lënë që vetëm të dëgjoj ose më kanë ruajtur një vend pranë tyre në Sallën e Mbretërisë dhe kështu mund të shkoja pasi ishin ulur të gjithë.»
Ndihma e pleqve të dashur dhe që të kuptojnë e ka ndihmuar shumë Sherin, që përmendëm në artikullin e mëparshëm, e cila vuan nga depresioni. Ajo thotë: «Kur pleqtë më sigurojnë për dashurinë e Jehovait, më lexojnë pjesë nga Fjala e Perëndisë, Bibla, kur më flasin për qëllimin e Jehovait për një parajsë ku do të ketë paqe dhe shëndet të mirë dhe kur luten me mua, madje edhe në telefon, ndiej sikur më hiqet një barrë nga supet. E di që Jehovai dhe vëllezërit nuk më kanë braktisur dhe kjo më jep forcë.»
Padyshim, duke dhënë mbështetje praktike, familjarët dhe miqtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mirëqenien e atij që vuan. «Mendoj se tani jam më e aftë ta kontrolloj jetën time,—thotë Luçia.—Bashkë me burrin jemi përpjekur shumë që t’ia dalim mbanë dhe tani gjërat mes nesh shkojnë më mirë se kurrë.»
Shumë veta që sot vuajnë nga sëmundje të ndryshme mendore e kuptojnë se beteja kundër këtyre sëmundjeve të tmerrshme është e gjatë. Megjithatë, Bibla premton se në botën e re të Perëndisë, «asnjë banor . . . nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Sëmundjet dhe çrregullimet e dhimbshme që torturojnë kaq shumë njerëz sot do të jenë zhdukur. Vërtet që të ngrohet zemra kur mediton për premtimin e Perëndisë për një botë të re ku të gjitha sëmundjet, përfshirë edhe çrregullimet e humorit, do të zhduken një herë e mirë. Bibla thotë se në atë kohë nuk do të ketë më vajtim, as klithmë, as dhembje.—Zbulesa 21:4.
[Diçitura në faqen 12]
Jezui e pranoi se ata që janë të sëmurë kanë nevojë për mjek.—MATEU 9:12
[Diçitura në faqen 13]
Bibla premton se në botën e re të Perëndisë, «asnjë banor . . . nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»—ISAIA 33:24