Ejani në tregun më të madh të peshkut në botë!
Ejani në tregun më të madh të peshkut në botë!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI
A JU pëlqen gjallëria e tregut? Një treg që mund t’ju zgjonte kureshtjen, dhe që sigurisht ka bërë për vete turistë nga e gjithë bota, është Tsukiji, një treg peshku, i cili ndodhet vetëm pak minuta në këmbë nga qendra e Tokios. Me krenari, atë e mbajnë si tregun më të madh të peshkut në botë.
Koha më e mirë për të shkuar në këtë treg është herët në mëngjes. Ndërkohë që qyteti i Tokios fle, tregu merr jetë. Kamionët shpërndajnë ngarkesën që arrin deri në dy mijë tonë peshk në ditë. E gjithë kjo sasi duhet shkarkuar shpejt, pasi aty nga ora 3 e mëngjesit fillojnë të vijnë blerësit. Shitësit nxitojnë të bëjnë gati për shitje arkat me peshk. Ata i vënë çdo arke një etiketë që tregon numrin e ngarkesës, peshën dhe vendin ku është zënë peshku. Blerësit dallohen fare lehtë. Ata mbajnë çizme llastiku dhe kapele ku tregohet numri i licensës. Ndryshe nga turistët që e marrin me nge, blerësit nxitojnë lart e poshtë për të parë me kujdes cilësinë e peshkut
dhe për të vendosur ofertën në para që do të bëjnë në ankand. Ata që kanë me vete grremç, elektrik dore dhe peshqir janë blerësit e peshkut ton. Këto mjete janë të domosdoshme për të kontrolluar cilësinë e peshkut të madh ton, kurse peshqiri u duhet për të fshirë duart pasi të kenë prekur peshkun.Rrëmuja fillon në orën 5.30 të mëngjesit. Nga të gjitha anët dëgjohet tringëllima e zileve ndërkohë që drejtuesit e ankandit i lajmërojnë blerësit që të bëjnë ofertat. Të duket sikur drejtuesit e ankandit janë kudo. Ç’është e vërteta, janë shtatë shoqëri të shitjes me shumicë që bëjnë ankande njëkohësisht, por disa prej tyre kanë dy ose më shumë drejtues ankandesh që shesin në të njëjtën kohë prodhime të ndryshme. Të gjithë këta drejtues çirren duke thënë me një zë monoton numrat e ngarkesave. Në këtë kohë, blerësit e autorizuar fillojnë garën e ofertave duke bërë shenja të veçanta me gishta. Kjo garë zhvillohet kaq shpejt, saqë çmimi i çdo ngarkese vendoset brenda disa sekondash. Disa blerës japin e marrin me dy drejtues ankandi njëkohësisht. Çdo dyqan lejohet të ketë vetëm një blerës si përfaqësues, prandaj blerësit duhet të vrapojnë nga njëri sektor i tregut në tjetrin për të gjetur peshkun që duan. Ndoshta më të vrullshmit nga të gjithë janë ata që blejnë sasira të mëdha dhe shumë lloje peshku që t’ua shesin përsëri dyqaneve të tjera.
Sapo vendoset çmimi, blerësit janë të paduruar që ta çojnë peshkun sa më shpejt të jetë e mundur në destinacion. Hamejtë me karroca dore dhe kamionët e vegjël lëvizin me shpejtësi nëpër rrugët e ngushta për të transportuar peshkun. Kudo ka zhurmë, lëvizje dhe gjallëri. Atij që sheh si spektator e gjithë kjo i duket një rrëmujë e vërtetë. Por në fakt, çdo gjë mbikëqyret dhe është e organizuar deri në imtësi. Brenda pak orësh shiten dhe transportohen më shumë se një mijë tonë peshk. Një pjesë e sasisë dërgohet në dyqanet e vogla që ndodhen në një zonë tjetër të tregut. Gjatë mëngjesit, ky peshk do t’u shitet mijëra blerësve që mezi e presin.
Siç mund ta përfytyroni, tregu i Tsukijit është i stërmadh. Këtu janë regjistruar për të bërë tregti shtatë shoqëritë gjigante të shitjes me shumicë, që drejtojnë ankandet, si dhe më shumë se një mijë tregtarë. Gjatë gjithë vitit, ata janë shumë të zënë, pasi u shërbejnë të paktën 40.000 blerësve që e vizitojnë tregun çdo ditë.
Kush janë blerësit? Ndër ta janë ata që blejnë sasi goxha të mëdha për hotelet e mëdha, restorantet dhe supermarketet. Këtu përfshihen edhe pronarët e dyqaneve të vogla ushqimore,
tregtarët e tregjeve të peshkut aty afër dhe, sigurisht, pronarët e dyqaneve të vogla karakteristike, por edhe shumë të frekuentuara, ku serviret sushi, një gatim tipik japonez. Të gjithë këta blerës bëjnë garë që të marrin prodhimet më të mira. Sipas llogaritjeve, gjithsej ata blejnë rreth 600.000 tonë prodhime deti çdo vit dhe harxhojnë më shumë se 5 miliardë dollarë.Në të vërtetë, Tsukiji nuk është vetëm një treg peshku, por edhe një treg shumice për fruta-perime. Është njëri nga 11 tregjet kryesore të shumicës në Tokio, i cili funksionon nën mbikëqyrjen e autoriteteve të Tokios. Historia e tregjeve ku shiten ushqime të freskëta zë fill që nga viti 1603. Për të siguruar kushte higjienike më të mira dhe cilësi më të lartë, më 1877 këto tregje u vunë nën mbikëqyrjen e qeverisë. Tërmeti i vitit 1923 i shkatërroi tregjet e Tokios, dhe kjo çoi në formimin e tregut të sotëm të Tsukijit, i cili e filloi aktivitetin në 1935-ën.
Që prej asaj kohe, tregu është zgjeruar jashtë mase. Në ç’vend tjetër të botës shitet çdo ditë një sasi dhe shumëllojshmëri kaq e madhe peshku? Në këtë treg shiten rreth 450 lloje peshku nga e gjithë bota. Këtu përfshihen salmoni, merluci, sargu, skumbri, shojzat, harengat, si dhe iriqi i detit, kastraveci i detit dhe butakët. Disa dyqane më të vogla në treg shesin vetëm një lloj prodhimi deti, si për shembull, oktapod ose karkalec deti.
Sidoqoftë, në këtë treg, vetëm njëri nga peshqit është mbret. Është peshku i madh ton, të cilin e sjellin me aeroplan nga vende të largëta, siç janë deti Mesdhe dhe Amerika e Veriut. Asnjë peshk nuk krahasohet me të për nga madhësia ose çmimi. Një peshk i madh ton mund të kushtojë mijëra dollarë. Këtu shiten çdo ditë me qindra peshq ton të freskët ose frigoriferi. Blerësit e presin tonin në copa, pasi kështu tregtohen më lehtë nga tregtarët vendës. Pjesët më të mira të dhjamosura, që quhen toro, të cilat merren nga zona e gjoksit, ka shumë të ngjarë të përdoren si garniturë e shijshme për sushin.
Nuk është çudi që tregu më i madh i peshkut në botë gjendet në Japoni. Vendin e rrethojnë një oqean dhe tri dete, prandaj japonezët kanë mësuar prej kohësh t’i çmojnë prodhimet e detit. Shpesh peshku është përbërësi kryesor në një gjellë të shijshme japoneze. Çdo vit, një japonez konsumon gati 70 kilogramë peshk e prodhime deti, dhe një pjesë e mirë e kësaj sasie vjen nga tregu i Tsukijit. Pra, nëse e vizitoni ndonjëherë Tokion, pse të mos jeni edhe ju ndër turistët që sa vijnë dhe shtohen, të cilët vizitojnë tregun më të madh të peshkut në botë?
[Burimi i figurës në faqen 16]
Peshku i vizatuar: Nga libri L’Art Pour Tous, Encyclopedie de l’Art Industriel et Decoratif, Vol. 31, 1861-1906
[Burimi i figurës në faqen 17]
James L. Stanfield/NGS Image Collection
[Burimi i figurës në faqen 17]
© Jeff Rotman/www.JeffRotman.com
[Burimi i figurës në faqen 18]
Me mirësjelljen e Tregut Qendror Metropolitan të Shumicës në Tokio