Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Emri i Perëndisë në ndërtesat e lashta

Emri i Perëndisë në ndërtesat e lashta

Emri i Perëndisë në ndërtesat e lashta

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SLLOVENI

Gjatë shekujve, anembanë Evropës janë ndërtuar kisha e manastire në majë të kodrave. Arkitektura e këtyre ndërtesave të lashta është e larmishme. Në to mund të gjesh qoftë stilin romanik të Mesjetës, me muret e tij të trasha karakteristike dhe harqet e gjera, qoftë stilin mbresëlënës barok të shekujve të mëvonshëm me zbukurimet e tij. Është interesante që në shumë nga këto ndërtesa gjendet Tetragrami, pra katër shkronjat hebraike të emrit të Perëndisë.

Për shembull, le të marrim abacinë e Stiçnës, një nga manastiret më të vjetra cisterciane, i cili ndodhet në Slloveni. U ndërtua në 1135-ën, gati 40 vjet pas themelimit të urdhrit të murgjve cistercianë në Francë. Ndonëse abacia është restauruar disa herë, ajo ruan stilin origjinal romanik, por sot ka edhe zbukurime të stilit barok. Nga brenda është zbukuruar me piktura dhe statuja të ndryshme. Një altar anësor zbukurohet nga katër shkronjat e Tetragramit. Ato janë prej ari, kanë përmasa të mëdha dhe rrethohen nga një unazë argjendi.

Qyteti i Slovenj-Gradecit përmendet për herë të parë në dokumente që datojnë nga shekulli i dhjetë. Më 1419, atje u ngrit një kishë me spital, e cila u ndërtua në stilin gotik. Një afresk i shekullit të 15-të, ku tregohen 27 skena biblike, zë një faqe të tërë muri në pjesën e brendshme. Ai fillon me ringjalljen e Lazarit dhe përfundon me Festën e Ditës së Pesëdhjetë. Diku tjetër, po në atë ndërtesë, në një sfond ari është shkruar me shkronja të zeza në hebraisht emri i Perëndisë.

Në rajonin veriperëndimor të vendit ndodhet qyteti i vogël i Radolicës. Në shekullin e 15-të, ky vendbanim i vogël rrethohej me mure dhe me një hendek. Ai përfshinte një kështjellë, një kishë dhe disa ndërtesa të tjera. Në një pllakë ari që ndodhet në njërin nga altarët e kishës gjendet Tetragrami.

Afër fshatit të vogël të Poçetertkës ndodhet një manastir i lashtë që i përket shekullit të 17-të. Brenda, një vëzhgues i kujdesshëm do të shohë një afresk të zbukuruar me emrin hyjnor.

Tetragrami gjendet edhe në shumë ndërtesa të tjera të lashta në Slloveni. Prandaj, ndërsa admirojnë mjeshtërinë dhe artin e së kaluarës, turistët mund të mësojnë se në të kaluarën, njerëzit e njihnin emrin e Perëndisë.

[Figura në faqen 31]

Altar anësor në manastirin e Stiçnës

[Figura në faqen 31]

Kisha Sveti Duh në Slovenj-Gradec

[Burimi]

Slovenj Gradec-Cerkev Sv. Duha, Slovenija