Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja pse besoj në Bibël: Një shkencëtar i fizikës bërthamore tregon përvojën e tij

Ja pse besoj në Bibël: Një shkencëtar i fizikës bërthamore tregon përvojën e tij

Ja pse besoj në Bibël: Një shkencëtar i fizikës bërthamore tregon përvojën e tij

TREGUAR NGA ALTON UILLIAMS

NË VITIN 1978 në jetën time ndodhën dy ngjarje të rëndësishme. Në shtator mora doktoratën në fizikë bërthamore dhe në dhjetor u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

Kur njerëzit marrin vesh se jam edhe shkencëtar, edhe Dëshmitar, shpesh më pyesin të habitur se si arrij të besoj edhe në shkencë, edhe në Bibël. Ç’është e vërteta, për vite të tëra edhe unë e pyetja veten nëse njohuritë shkencore dhe besimi te Bibla mund të përputheshin. Megjithatë, më në fund u binda plotësisht se Bibla përputhet me faktet shkencore. Si arrita në këtë përfundim? Ju lutem, më lejoni që fillimisht t’ju tregoj se si u bëra shkencëtar.

Një projekt që zgjati 19 vjet

Linda më 1953 në Xhekson, Misisipi, SHBA. Isha i treti nga 11 fëmijët dhe ishim një familje e varfër. Shpesh detyroheshim të transferoheshim nga njëra shtëpi në tjetrën, sepse prindërit nuk paguanin dot qiranë. Kryesisht ushqimet i merrnim nëpërmjet një programi qeveritar për ndihmat ushqimore, kurse rrobat e përdorura që vishnim na i jepnin ata njerëz, të cilëve nëna u pastronte shtëpinë dhe zyrat.

Shpesh prindërit na thoshin ne fëmijëve se e vetmja rrugë për t’i shpëtuar varfërisë ishte të bëheshim njerëz me shkollë. Prandaj, në një moshë të vogël, i vura vetes si detyrë që të shkoja në universitet. Hyra në shkollë kur isha gjashtë vjeç dhe i vazhdova pa ndërprerje studimet për 19 vjet. Më pëlqente shkenca dhe matematika, prandaj kur hyra në universitet iu futa karrierës si shkencëtar.

Kur isha në universitet, takova një vajzë të re që quhej Deli. Një profesor, i cili jepte lëndë shkencore, e kishte drejtuar tek unë që ta ndihmoja për një kurs që po vazhdonte për shkencat. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe nuk bisedonim më vetëm për shkencën; ramë në dashuri. U martuam më 10 janar 1974, gjatë një pushimi dyorësh midis lëndëve. Katër vjet më vonë, në 1978-ën, më në fund mora doktoratën.

Kisha arritur atë që sipas meje ishte çelësi i suksesit. Isha bërë shkencëtar, e madje shkencëtar i fizikës bërthamore! Tani që e kisha në dorë diplomën për fizikë bërthamore teorike, mund të vilja frytet e studimeve të gjata që kisha bërë. Mezi pritja të bëja emër në shkencë. Përveç kësaj, tani mund të zgjidhja një punë nga gjithë ato oferta joshëse që më bënin shoqëritë private dhe institucionet shtetërore.

Megjithatë pak muaj më vonë, më 30 dhjetor 1978, hodha një hap tjetër. Shpejt ky hap do të ndikonte në jetën dhe në të ardhmen time, edhe më shumë sesa diploma që sapo kisha marrë. Atë ditë, e simbolizova kushtimin tim ndaj Perëndisë Jehova, duke u pagëzuar në ujë dhe u bëra Dëshmitar i Jehovait. Por, si arrita deri te ky hap?

Një libër më zgjoi interesin

Nga fundi i vitit 1977, kur studioja në Universitetin e Masaçusetsit në Amërst, dy Dëshmitare trokitën në derën e apartamentit tim. Unë kisha dalë, por gruaja ime ishte në shtëpi me fëmijët, një djalë trevjeçar dhe një vajzë të sapolindur. Deli i ftoi brenda. Pas një bisede të këndshme, ajo pranoi që Dëshmitaret të vinin një herë në javë në shtëpi dhe të bënin me të një studim biblik.

Kur gruaja më tregoi për këtë, menjëherë e kundërshtova. Për mua s’kishte problem se donte të shkonte në ndonjë fe, vetëm jo te Dëshmitarët e Jehovait. Në të vërtetë, nuk i njihja mirë Dëshmitarët, por më ishte krijuar paragjykimi se ishin një grup i çuditshëm që e përdornin Biblën për të mashtruar njerëzit. Prandaj, duke u përpjekur ta shpëtoja gruan nga ajo që unë e quaja «dara» e Dëshmitarëve, mendova të shfrytëzoja njohuritë e mia shkencore për të diskredituar mësimet e tyre.

Një ditë u shkëputa nga puna kërkimore në universitet dhe shkova në shtëpi që të isha aty kur gruaja të bënte studimin biblik. Megjithatë në shtëpi arrita më vonë nga ç’kisha menduar dhe gruaja që drejtonte studimin po bëhej gati të largohej. Ajo më dha librin Njeriu erdhi me evolucion apo me krijim? * Gjithashtu i tha sime shoqeje se javën vijuese do të shqyrtonin një profeci biblike që tregonte se 1914-a ishte një vit me rëndësi të veçantë. Ky ishte tamam rasti që pritja. I thashë Dëshmitares se do të isha në shtëpi gjatë diskutimit tjetër të Biblës. Doja të kontrolloja saktësinë matematike të asaj që do të thoshte ajo për vitin 1914.

Po atë natë nisa të lexoja librin që më kishte dhënë Dëshmitarja. Të jem i sinqertë, ai libër më bëri shumë përshtypje. Ishte shkruar në mënyrë logjike dhe kishte shumë referime shkencore rreth temës së evolucionit. Mbeta i habitur kur mësova se Bibla përmbante rreth krijimit informacione shumë më të sakta nga ç’kisha menduar. E shqyrtova me kujdes librin edhe e mbarova brenda pak ditësh. Më duhej të pranoja se shpjegimet e Biblës për krijimin nuk bien në kundërshtim me faktet e njohura shkencore për jetën në tokë.

I vendosur të gjeja pasaktësi

Megjithatë, ende kisha dyshime për mësimet e Dëshmitarëve dhe mezi pritja të kontrolloja saktësinë matematike të profecisë biblike për vitin 1914. Mendoja se kjo metodë pa dyshim që do ta trembte Dëshmitaren dhe shpresoja ta ndihmoja gruan që të kuptonte se bindjet që Dëshmitarët u mësonin njerëzve ishin të gabuara.

Javën vijuese Dëshmitaren e shoqëronte një burrë që ishte plak në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë. Studimin e drejtoi ai. Mori në shqyrtim profecitë në Dan kapitujt 4 dhe 9 të librit biblik të Danielit, të cilat flasin për shfaqjen e Jezuit si Mesi dhe Mbret. Mendja më punonte si e si të gjeja pasaktësi matematike, por nuk gjeta asnjë. Përkundrazi, edhe një herë më bëri përshtypje se sa të logjikshme ishin informacionet e Biblës.

Deri atë ditë kisha menduar se besimi te Perëndia bazohej më shumë tek emocionet, sesa tek arsyeja. Sa gabim e kisha pasur! I falënderova Dëshmitarët për atë bisedë plot me informacione dhe u thashë se do të doja të merrja pjesë çdo javë në studim. Që prej asaj dite, vazhdova studimet shkencore në universitet dhe bashkë me gruan vazhduam studimin biblik me Dëshmitarët. Gjithashtu, unë dhe gruaja filluam të ndiqnim mbledhjet që Dëshmitarët mbanin në Sallën e Mbretërisë.

Brenda pak muajve mësova shumë të vërteta biblike dhe shpejt u kualifikova që të shkoja bashkë me Dëshmitarët në predikimin nga shtëpia në shtëpi. Merrja pjesë në predikim ndonëse isha në fazën përfundimtare të studimeve për të marrë doktoratën në universitet, gjë që më harxhonte shumë kohë. Në verën e vitit 1978 mora doktoratën dhe u transferova në shtetin e Alabamës ku fillova të jepja fizikë në Universitetin «Alabama A. & M.» në Hantsvil. Pas pak kohe u lidhëm me Dëshmitarët e asaj zone dhe një plak së bashku me gruan e tij vazhduan studimin biblik me ne. Pak muaj më vonë, ime shoqe dhe unë u pagëzuam të dy në të njëjtën ditë.

Edhe shkencëtar, edhe predikues

Në rastin tim, të jem njëkohësisht shkencëtar dhe Dëshmitar i Jehovait janë dy gjëra që nuk kanë rënë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Më 1983, fillova punë si astrofizikan në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore «Xhorxh C. Marshall» të NASA-s (Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor) që ishte po në Hantsvil. * Punoja në fushën eksperimentale dhe teorike që kishin të bënin me teleskopin për mbledhjen e rrezeve X. (Më 1999 ai teleskop​—Observatori me rreze X Chandra​—u lëshua me sukses në orbitë nga anija kozmike Columbia.) Më pëlqente të punoja për atë projekt. Gjatë punës, duke pasur si synim që të kuptonim më mirë universin, bënim edhe analizimin e rrezeve X që lëshojnë yjet e galaktikat e ndryshme.

Puna më jepte kënaqësi të dyfishtë, jo vetëm se merresha me një problem shkencor interesant, por gjithashtu më shtohej njohuria për fuqinë dhe mençurinë e Krijuesit. Fjalët e Jehovait të thëna nga profeti i lashtë Isaia morën një domethënie të veçantë për mua. Krijuesi thotë: «Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.» (Isaia 40:26) Sa më shumë ‘i ngrija sytë përpjetë’ për të zhbiruar pafundësinë, ndërlikimin dhe bukurinë e universit, aq më shumë e vlerësoja punën e Projektuesit inteligjent, i cili e krijoi atë dhe vuri ligje që universi të vazhdojë të funksionojë mirë.

Gjatë kësaj kohe, në revistat shkencore botoja informacione të reja të cilat bazoheshin në kërkimet e mia në fushën e astrofizikës që merrej me analizën e rrezeve X. Gjithsesi merrja pjesë aktivisht edhe në kongregacionin e krishterë. Shërbeja si plak dhe kaloja gati 20 orë çdo muaj në veprën e predikimit. Ndërkohë, gruaja ime merrte pjesë në kohë të plotë në veprën e arsimimit biblik.

Pasi kisha punuar rreth katër vjet në NASA, ndieja që brenda meje po rritej dëshira për të dhënë më shumë nga koha ime duke ndihmuar të tjerët që të mësonin të vërtetat e mrekullueshme që gjenden në Bibël. Por, si ta realizoja këtë dëshirë? Pasi fola me gruan dhe iu luta Jehovait e kuptova se duhej të merrja disa vendime të rëndësishme.

Vendime të rëndësishme

Takova përgjegjësin tim në NASA dhe i thashë se dëshiroja që të mos punoja më pesë ditë në javë, por katër. Sigurisht që do të pranoja uljen e rrogës. I shpjegova përgjegjësit se doja t’i shfrytëzoja tri ditët e tjera të javës për shërbimin e krishterë. Përgjegjësi pranoi, ndonëse në NASA s’ishte dëgjuar ndonjëherë që një shkencëtari t’i ishte bërë një lëshim i tillë. Sidoqoftë, ai më tha se duhej të flisja me shefin e tij. Kështu bëra. Sa u gëzova, por edhe u habita, kur edhe ky shef që kishte shumë autoritet e pranoi kërkesën time! Kështu në shtator të vitit 1987 nisa karrierën si shërbëtor në kohë të plotë dhe kaloja 90 orë çdo muaj duke predikuar shtëpi më shtëpi dhe në forma të tjera të shërbimit të krishterë.

Më vonë më telefonoi një përgjegjës në Universitetin «Alabama A. & M.» të Hantsvilit. Ai më ofroi një vend pune si mësues në departamentin e fizikës. I thashë se do ta pranoja ofertën vetëm nëse kjo punë e re do të më krijonte mundësi që shumicën e kohës ta kaloja në shërbimin e krishterë. Megjithatë e sigurova se aktiviteti im i në shërbim nuk do të ishte në kurriz të cilësisë së punës sime si mësues. Përgjegjësi pranoi. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të jap mësim në universitet dhe gjithashtu të shërbej në kohë të plotë. Madje më doli koha edhe për të mësuar spanjishten. Sot, unë dhe gruaja shërbejmë në një kongregacion të gjuhës spanjolle të Dëshmitarëve të Jehovait në Hantsvil.

Shkenca dhe besimi

Gjatë viteve që jam marrë me kërkime shkencore, nuk kam hasur kurrë ndonjë mospërputhje mes fakteve shkencore të vërtetuara dhe mësimeve të Biblës. Shpesh, ato që mund të duken si mospërputhje vijnë nga mungesa e njohurisë, qoftë për mësimet e shkencës, qoftë për atë që thotë në të vërtetë Bibla. Për shembull, disa shkencëtarë dhe njerëz të tjerë mendojnë gabimisht se sipas Biblës, që të gjitha bimët, kafshët dhe njerëzit u bënë për gjashtë ditë 24- orëshe. Kjo do të binte në kundërshtim me faktet e njohura shkencore. Por Bibla nuk mëson këtë. Përkundrazi, ajo tregon se «ditët» e krijimit përfshijnë mijëra vite. *

Pështjellim shkakton edhe mendimi i gabuar se besimi te Perëndia është thjesht diçka emocionale. Por e vërteta është krejt ndryshe, pasi besimi te Perëndia dhe te Bibla bazohet në fakte që mund të vërtetohen. Siç përkufizohet në Bibël, «besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme [‘dëshmia bindëse’, shënimi] e realiteteve, edhe pse nuk shihen». (Hebrenjve 11:1, BR, botimi me shënime, anglisht) Po, besimi mbështetet në dëshmi. Qindra profeci janë përmbushur në të kaluarën dhe në ditët tona. Prandaj, edhe po të zbatojmë metodën shkencore të përdorur nga të gjithë shkencëtarët kur themelojnë një teori shkencore, mund të kemi besim të plotë në plotësimin e profecive të Biblës që flasin për të ardhmen.

Një nga këto profeci përmban premtimin se në të ardhmen e afërt ne do të gëzojmë kushte parajsore në tokë. Nuk do të vuajmë më pasojat dërrmuese të plakjes, të sëmundjeve, të vdekjes, të luftërave dhe të padrejtësive. (Zbulesa 21:3, 4) Atëherë do të kemi kohë të eksplorojmë dhe të studiojmë deri në hollësi krijesat e mrekullueshme të Perëndisë Jehova dhe ligjet e shumta që vendosi ai për të qeverisur këtë univers madhështor.

I jam mirënjohës Perëndisë Jehova që më ka ndihmuar të gjej çelësin e lumturisë së vërtetë​—të vërtetat e mrekullueshme që gjenden në Fjalën e tij, Biblën. Lutem që edhe shumë të tjerë, duke përfshirë edhe shkencëtarë, ta gjejnë këtë çelës të çmuar.

[Shënimet]

^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 22 NASA është një ent qeveritar i SHBA-së që funksionon i pavarur nga agjencitë e tjera qeveritare.

^ par. 30 Shih kapitullin 6, «Një dokumentacion i lashtë krijimi: A mund t’i besoni?», në librin A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 20]

Mendoja se besimi te Perëndia bazohej më shumë tek emocionet, sesa tek arsyeja

[Diçitura në faqen 22]

Nuk kam hasur kurrë ndonjë mospërputhje mes fakteve shkencore të vërtetuara dhe mësimeve të Biblës

[Figura në faqen 21]

Mbështes ekonomikisht familjen duke punuar me orar të kufizuar si mësues

[Figurat në faqen 23]

Observatori me rreze X «Chandra» i NASA-s në orbitë dhe pamja e një vrime të zezë në një sistem yjesh të dyfishtë, e përftuar me anë të rrezeve X

[Burimet]

Fotografi e NASA-s

NASA/CfA/J. McClintock et al.

[Figura në faqen 23]

Ime shoqe dhe unë gjejmë gëzim në shërbimin e plotkohor