Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur t’i bëj detyrat e shtëpisë?

Kur t’i bëj detyrat e shtëpisë?

Të rinjtë pyesin . . .

Kur t’i bëj detyrat e shtëpisë?

‘Vazhdoj vitin e fundit të shkollës së mesme dhe jam kaq e stresuar sa s’ka ku të shkojë më. . . . Më kanë dhënë një mal me detyra e referate dhe e kam shumë problem. S’kam kur t’i bëj.’​—Një vajzë 18-vjeçare.

A TË duket sikur po të zihet fryma nga pirgu i detyrave të shtëpisë që të japin çdo ditë në shkollë? Nëse po, nuk je i vetmi. «Meqë shkollat në mbarë vendin synojnë të ngrenë nivelin mësimor dhe që nxënësit e tyre të arrijnë rezultate më të larta në provime, japin më shumë detyra shtëpie,​—thuhet në një njoftim për shtyp në Shtetet e Bashkuara.​—Në disa zona të vendit, nxënësit e shkollës së mesme thonë se iu duhen më shumë se tri orë çdo ditë për të bërë detyrat e shtëpisë. Sipas një studimi të bërë nga Universiteti i Miçiganit, fëmijët e sotëm kanë gati tri herë më shumë detyra shtëpie se ç‘kishin fëmijët 20 vjet më parë.»

Megjithatë, nuk janë vetëm nxënësit në Shtetet e Bashkuara që kanë shumë detyra shtëpie. Për shembull, atje rreth 30 për qind e 13-vjeçarëve thonë se kalojnë më shumë se dy orë çdo ditë me detyrat e shtëpisë. Ndërkohë, në Tajvan dhe në Kore kjo shifër arrin 40 për qind, kurse në Francë mbi 50 për qind. «Ndonjëherë vërtet më ikën truri kur më grumbullohet një mal me detyra»,​—ankohet Keti, studente në SHBA. Të njëjtën gjë thonë edhe Merilini e Belinda, që vazhdojnë shkollën në Marsejë, Francë. «Shpesh na duhen dy ose më shumë orë çdo mbrëmje për detyrat e shtëpisë,​—thotë Merilini.​—Kur ke për të bërë edhe gjëra të tjera mund të jetë e vështirë ta gjesh kohën për të gjitha.»

Ku ta gjej kohën?

A nuk do të ishte fantastike sikur të mundeshe t’i shtoje ditës disa orë kur ke nevojë, që t’i mbaroje detyrat e shtëpisë dhe të të dilte koha edhe për gjërat e tjera? Ç’është e vërteta mund të bësh diçka të ngjashme po të nxjerrësh mësim nga parimi i Biblës që gjendet tek Efesianëve 5:15, 16: «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.» Ndonëse shkrimtari i Biblës nuk kishte parasysh detyrat e shtëpisë kur shkroi këto fjalë, parimi mund të zbatohet edhe për jetën e përditshme. Kur blen diçka, në shkëmbim të saj duhet të heqësh dorë nga diçka tjetër. Pra, ideja është se për të gjetur kohën për mësimet duhet të heqësh dorë nga diçka tjetër. Por, nga çfarë?

«Bëj një listë të gjërave që duhet t’i bësh të parat»,​—këshillon një e re që quhet Xhiljan. Me fjalë të tjera, përcakto se cilat janë gjërat më të rëndësishme. Mbledhjet e krishtere dhe gjërat frymore duhet të jenë në krye të listës. Gjithashtu mos harro përgjegjësitë në familje, punët e shtëpisë dhe sigurisht, detyrat e shtëpisë.

Hapi tjetër është që për gati një javë të mbash një ditar ku të shënosh se si e harxhon në të vërtetë kohën. Mund të habitesh nga ajo që do të zbulosh. Sa kohë kalon para televizorit? Po në Internet? Ç’mund të themi për filmat në kinema? Sa kohë kalon në telefon? Po në shtëpitë e shokëve? Atëherë, si të duket, a ndryshon ajo që ke shkruar në ditar me listën e gjërave më të rëndësishme? Ndoshta mjafton të shohësh kohën që harxhon para televizorit, në telefon ose në Internet dhe do të gjesh se ku mund të blesh shumë më tepër kohë.

Në fillim gjërat më të rëndësishme

Kjo nuk do të thotë se tani s’duhet të shohësh fare televizor ose të mbyllesh mbi libra e të veçohesh nga njerëzit. Ndoshta ke nevojë të vësh një rregull: «Në fillim gjërat më të rëndësishme.» Një shkrim nga Bibla që mund të zbatohet në këtë rast thotë: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Për shembull, meqë arsimimi është i rëndësishëm, mund t’i vësh vetes si rregull që nuk do ta hapësh televizorin derisa të kesh mbaruar punët e shtëpisë, të kesh studiuar për mbledhjet e krishtere dhe të kesh mbaruar mësimet. Është e vërtetë që mund të mërzitesh po të mos i shohësh programet e tua të preferuara. Por të jemi të sinqertë, sa herë je ulur para televizorit vetëm sa për të parë emisionin tënd të preferuar, por pastaj nuk je shkulur që andej gjithë mbrëmjen dhe s’ke bërë asgjë tjetër?

Nga ana tjetër, duhet t’i japësh rëndësinë e duhur ndjekjes së mbledhjeve të krishtere. Për shembull, nëse ke një provim të rëndësishëm ose duhet të bësh një detyrë, mund të përgatitesh shumë më përpara që të mos të pengojnë për mbledhjet. Mbase mund të bisedosh për këtë edhe me mësuesit dhe t’ua bësh të ditur se sa mirënjohës do t’u ishe po të të lajmëronin që më parë për ndonjë detyrë shtëpie që duhet përgatitur ditën e mbledhjes. Disa mësues mund të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar.

Nga tregimi biblik që flet për Martën, një nga miqtë e Jezuit, nxjerrim një parim tjetër të dobishëm. Ajo ishte shumë e zënë dhe punonte pa u lodhur, por nuk i kishte radhitur siç duhet gjërat më të rëndësishme. Një herë, ndërsa ajo po lodhej duke përgatitur për Jezuin një vakt që mbase kishte shumë gjëra, motra e saj, Maria, në vend që ta ndihmonte, po dëgjonte Jezuin. Kur Marta iu ankua Jezuit për këtë, ai i tha: «Marta, Marta, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme, ose vetëm një. Për sa i përket Marisë, ajo zgjodhi pjesën e mirë dhe asaj nuk do t’i hiqet.»​—Luka 10:41, 42.

Ç’mësojmë nga kjo? Mos e ngarko shumë veten. Si mund ta zbatosh këtë parim për veten tënde? Po ja, a «je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra», ndoshta duke u përpjekur që edhe të shkosh në shkollë, edhe të punosh me orar të reduktuar? Nëse ke një punë, a ka vërtet nevojë familja për ato para? Apo e bën vetëm se do të kesh ca lekë për të blerë gjërat që të pëlqejnë, por për të cilat nuk ke nevojë?

Për shembull, në disa vende, të rinjtë mezi presin të blejnë një makinë të vetën. Karen Tërner, këshilltare në një shkollë të mesme, thotë se «sot të rinjtë kanë një presion të jashtëzakonshëm për të pasur ose për të fituar para, sepse të kesh një makinë kushton». Megjithatë, Tërner nxjerr si përfundim: «Kur përpiqesh të bësh tepër gjëra, siç janë veprimtaritë jashtëshkollore, plus punën dhe ngarkesën e madhe në shkollë, bllokohesh. Pastaj nxënësi ndihet i mbingarkuar.» Pse ta mbingarkosh veten kur nuk është e nevojshme? Në qoftë se po çalon në mësime, mund të punosh më pak orë ose ta lësh fare punën.

‘Blije’ kohën në shkollë

Përveçse të kërkosh të gjesh më shumë kohë duke rregulluar programin pas shkollës, mendo se si ta shfrytëzosh më mirë kohën kur je në shkollë. «Gjatë kohës së studimit në shkollë, përpiqem të bëj sa më shumë detyra shtëpie që të mundem,​—thotë Hosueja.​—Në këtë mënyrë kam mundësi të pyes mësuesin për ndonjë gjë që s’e kam kuptuar në klasë atë ditë.»

Mund të shqyrtosh edhe diçka tjetër: ndoshta të ndjekësh më pak lëndë me zgjedhje. Gjithashtu, mbase mund të mos shkosh më në disa aktivitete jashtëshkollore ku merr pjesë. Duke bërë ca ndryshime në këto gjëra mund të fitosh më shumë kohë për të mësuar.

Shfrytëzoje më mirë kohën

Po mirë, ta zëmë se tani ke hequr dorë nga disa gjëra, ke bërë ca ndryshime në programin tënd dhe kështu ke arritur të gjesh pak më shumë kohë për detyrat e shtëpisë. Sa me efektshmëri do ta shfrytëzosh këtë kohë? Nëse arrin që për të njëjtën sasi kohe të bësh 50 për qind më shumë të detyrave, a nuk është sikur ke fituar 50 për qind kohë më shumë? Ja disa sugjerime për ta shfrytëzuar kohën më mirë.

Bëj një program. Para se të fillosh detyrat, mendo një herë për gjëra të tilla, si: cilën lëndë duhet të mësoj në fillim? Sa kohë duhet të harxhoj për të? Cilat mjete më duhen, si për shembull libra, fletë, stilolapsa, makinë llogaritëse?

Gjej një vend për të studiuar. E mira do të ishte të gjeje një vend ku nuk ka gjëra që të shpërqendrojnë. ‘Po të kesh një tavolinë, përdore,​—thotë një e re që quhet Elisa.​—Kur je i ulur në karrige, përqendrohesh më mirë, sesa kur je shtrirë në krevat.’ Në rast se nuk ke dhomën tënde, mbase vëllezërit dhe motrat do të ishin të gatshëm të të linin të qetë e të mos bënin zhurmë kur ti mëson. Ose mund të shkosh edhe në park ose në bibliotekë. Në qoftë se ke dhomën tënde, mos ia vështirëso punën vetes duke ndezur televizorin ose duke dëgjuar muzikë ndërsa përpiqesh të mësosh.

Herë pas here, pusho nga pak. Kur e sheh se pas njëfarë kohe nuk arrin të përqendrohesh më, bëj një pushim të shkurtër. Kjo gjë mund të të ndihmojë të vazhdosh të jesh i përqendruar.

Mos i zvarrit gjërat! «E kam zakon që t’i zvarrit gjërat»,​—thotë Keti të cilën e përmendëm më lart.​—Nuk e detyroj dot veten të ulem, por i lë detyrat për minutën e fundit.» Shmange zvarritjen e detyrave, duke bërë një program të përcaktuar qartë për detyrat e shtëpisë dhe duke e respektuar atë.

Detyrat e shkollës janë të rëndësishme, por siç ia bëri të qartë Jezui Martës, gjërat më të rëndësishme, pra ‘pjesa e mirë’, janë gjërat frymore. Sigurohu që detyrat e shtëpisë të mos të pengojnë për të bërë gjëra kaq të rëndësishme, siç janë leximi i Biblës, pjesëmarrja në shërbim dhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere. Këto do të ta pasurojnë jetën përjetësisht.​—Psalmi 1:1, 2; Hebrenjve 10:24, 25.

[Figurat në faqen 15]

Po ta ngarkosh veten me shumë aktivitete, mund ta kesh të vështirë të gjesh kohën për detyrat

[Figura në faqen 15]

Kur organizohesh mirë, e ke më të lehtë të gjesh më shumë kohë për detyrat