Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullia e përvitshme e Namakualandit

Mrekullia e përvitshme e Namakualandit

Mrekullia e përvitshme e Namakualandit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

Lule të të gjitha ngjyrave mbulojnë fushën e gjerë deri tutje në horizont. Shpesh vizitorët nuk përmbahen dot nga entuziazmi kur para syve u shpaloset mrekullia e përvitshme e Namakualandit. «Kur e sheh për herë të parë,​—thotë e mahnitur një vizitore,​—lulet duken si lavë e shkrirë që del ngadalë nga plasat e tokës dhe e mbush vendin cep më cep me një ngjyrë portokalli të ndritshme.»

Por, ç’gjë e bën kaq të mrekullueshëm këtë petk me lule që ia ndryshon fytyrën vendit në pranverë? Namakualandi është një rajon i madh i thatë në cepin veriperëndimor të Afrikës së Jugut. Përtej maleve në veri, lumi Oranxh është kufiri verior i këtij rajoni. Namakualandi, një zonë me sipërfaqe më të madhe se Zvicra (rreth 50.000 kilometra katrorë), shtrihet drejt jugut për gati 200 kilometra, duke arritur pak më tutje se gjysma e rrugës për në Kejptaun. Pjesën më të madhe të vitit, temperatura në terrenin e shkretë arrin në 40 gradë celsius gjatë ditës, kurse gjatë natës ulet deri në minus 8 gradë celsius. Meqë në Namakualand pothuajse nuk ka fare liqene ose lumenj dhe ka vetëm disa burime nëntokësore me ujë paksa të kripur, ky vend mund të duket jomikpritës, derisa ndodh mrekullia e përvitshme.

Çdo vit, pak pas periudhës së shirave, nga fillimi i gushtit e deri në mes të shtatorit, fushat e Namakualandit, që zakonisht janë pa bimësi, kthehen në një spektakël plot lule. Lule të verdha, portokalli, rozë, të bardha, të kuqe flakë, blu e vjollcë shpërthejnë dhe mbushin fusha të tëra. Meqë kjo pamje zgjat vetëm pak javë çdo vit, padurimi rritet ndërkohë që vizitorë nga e gjithë bota bëhen gati të kundrojnë me admirim këtë buqetë plot lule.

Sekreti i kësaj pamjeje spektakolare është sasia e duhur e shiut që pasohet nga ngrohtësia e mjaftueshme e rrezeve të diellit. Në këtë çast çdokush uron që të mos fryjnë erërat e nxehta nga lindja, sepse ato do ta përvëlonin shpejt bimësinë e do t’i çngjyrosnin petalet e brishta.

Bukuria përrallore e Namakualandit vjen edhe ngaqë lulet prodhojnë farë me shumicë. Megjithatë, shumë lule nuk rriten çdo vit, por e zbulojnë bukurinë e tyre vetëm në kushte të caktuara klimatike. Disa fara mbijnë pas një viti, kurse fara të tjera flenë për disa stinë me radhë, duke pritur kushtet e përshtatshme. «Disa fara,​—shpjegon një vizitore,​—mbrohen nga një mekanizëm i brendshëm që pengon mbirjen e parakohshme. Në vend që të mbijnë pas një shiu në kohë të nxehtë, ato mbijnë vetëm kur moti është edhe i freskët, edhe i lagësht, pikërisht kushtet e duhura për t’u rritur e për të mbijetuar në këtë mjedis të ashpër.»

Në varësi të ekuilibrit të brishtë mes shirave dhe mungesës së erërave përvëluese, peizazhi i luleve ndryshon nga viti në vit. Kështu, ka vite që dhurojnë një peizazh më mahnitës se të tjerët. «Meqë çdo lloj luleje ka temperaturën e vet të mbirjes,​—thuhet në librin Namaqualand​—South African Wild Flower Guide,​—dhe shirat e para mund të bien nga prilli deri në korrik (muaj me temperatura të ndryshme), çdo vit mbijnë lloje të ndryshme lulesh, në varësi të kohës kur bien këto shira.»

Ç’llojshmëri lulesh të sheh syri! Ka më shumë se 4.000 lloje, secili i veçantë për nga forma, ngjyra dhe mënyra e mbirjes. Në disa zona mund të shohësh nga 10 deri në 20 lloje të ndryshme lulesh në një sipërfaqe vetëm 1 metër katror. Madhështia e kësaj pamjeje e bën paletën e bojërave të piktorit të duket njëngjyrëshe dhe e zymtë. Edhe fjalët më poetike janë të thata për të përshkruar hijeshinë magjepsëse të Namakualandit.

Megjithatë, ky lulëzim madhështor ka frymëzuar artistë, poetë dhe shkrimtarë. «Ishte dita e madhe e mbjelljeve në tokë,​—thoshte i menduar poeti D. J. Operman nga Afrika e Jugut ,​—kur befas . . . nga një vrimë në çantën ku Zoti kishte futur farat më të zgjedhura u derdh ç’kishte brenda.» Një admirues i apasionuar shkroi: «Dukej sikur ylberi kishte kaluar përmes shkretëtirës së pabanuar dhe kishte lëshuar ngado ngjyra të ndryshme.» Një vizitore tha: «Kjo bukuri e pafund e bën njeriun të ndihet mirënjohës për bujarinë dhe mençurinë e pamasë të Krijuesit tonë, Jehovait.»

Për më tepër, vezullimi i mrekullisë së përvitshme të Namakualandit na siguron se Krijuesi mund të përdorë procese të tilla biologjike për të rivendosur në mbarë botën kushte parajsore, për kënaqësinë e përhershme të shërbëtorëve të tij besnikë e mirënjohës. (Psalmi 37:10, 11, 29) Atëherë, në një shkallë më të gjerë, «shkretëtira do të gëzojë dhe lulet do të çelin në tokën djerre».​—Isaia 35:1, Today’s English Version.

[Figura në faqet 24, 25]

Fusha të tëra, me sipërfaqe rreth 50.000 kilometra katrorë, mbushen plot me lule