Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Punë majmunësh

Disa kanë nxjerrë teorinë se një numër i papërcaktuar majmunësh që u bien tasteve në shumë makina shkrimi, me kalimin e kohës do të shkruanin të tëra veprat e Shekspirit. Prandaj disa kërkues në Universitetin e Plimuthit në Angli u dhanë gjashtë majmunëve një kompjuter për një muaj. Siç raporton gazeta The New York Times, majmunët «nuk arritën të shkruanin as edhe një fjalë të vetme». Gjashtë majmunët në Kopshtin Zoologjik të Pejntonit, në jugperëndim të Anglisë, «shkruan vetëm pesë faqe», kryesisht të mbushura me shkronjën s. Në fund të dokumentit, majmunët shkruan disa j, a, l dhe m. Gjithashtu e përdorën tastierën si banjë të përbashkët.

Fluturat monarke në rrezik

Më 13 janar 2002 një stuhi përfshiu malet e Meksikës, ku fluturat monarke dimërojnë nëpër pisha e bredha. Temperaturat ranë ndjeshëm dhe ndërthurja e lagështirës me të ftohtët bëri që të ngordhnin afro 500 milionë flutura, të cilat formonin pirgje deri në 1 metra të larta poshtë pemëve. «Në një ditë të vetme të tmerrshme ngordhën 70 deri në 80 për qind e të gjitha fluturave monarke që duhej të ktheheshin në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara në pranverë»,​—thotë botimi ndërkombëtar i The Miami Herald. Por tani atyre po u kanoset një rrezik tjetër. Megjithëse qeveria meksikane ka krijuar Rezervatin e Biosferës për Fluturat Monarke, habitati i fluturave po shkatërrohet nga prerja e paligjshme e drurëve. Gati 44 për qind e rezervatit tashmë është prekur. Ndonëse këto krijesa të forta mbijetojnë gjatë një shtegtimi 4.000 kilometra të gjatë, vetëm koha do ta tregojë nëse do të jenë në gjendje të mbijetojnë nga humbja e ngadalshme e vendit ku dimërojnë.

Bujq të stresuar

Revista New Scientist thotë se sipas një raporti, «revolucioni i gjelbër, që i dha shtysë prodhimit bujqësor në pjesën më të madhe të botës, pati edhe një çmim. Miliona bujqit më të varfër të botës, bujqit afrikanë, u bënë edhe më të varfër». Si ndodhi kjo? Që nga fundi i viteve 50 të shekullit të 20-të e më tej, u nxorën disa varietete të grurit e të orizit që jepnin rendimente të larta, për të parandaluar zinë e bukës që u përshpejtua nga rritja e shpejtë e popullsisë së botës. Megjithatë, këto varietete me rendiment të lartë prodhuan një tepricë gruri që shkaktoi rënien e çmimeve. «Bujqit që mund ta përballonin mbjelljen e këtyre varieteteve të reja e kompensuan çmimin më të ulët me të korra më të mëdha, kurse ata që nuk mund ta përballonin dolën me humbje»,​—thotë New Scientist. Përveç kësaj, varietetet e reja të grurit nuk u përshtateshin mirë kushteve të Afrikës, sepse gruri ishte bërë për t’u rritur në Azi dhe në Amerikën Latine.

Kujdes nga shoferët e përgjumur!

«Këputja ose përgjumja e shoferëve është një problem i rëndë dhe shumë i përhapur në shoqërinë tonë»,​—pohon një studim që raportohet në Medical Journal of Australia (MJA). Sipas kërkuesve, «studimet i kanë lidhur me përgjumjen e shoferëve më se 20 për qind të aksidenteve rrugore». Artikulli i botuar në MJA për këtë studim thotë: «Aksidenti tipik kur shoferin e zë gjumi, ndodh me një shofer që udhëton i vetëm gjatë natës ose në orët e para të pasdites, ‘në kohën e dremitjes’, me shpejtësi pak a shumë të lartë. Ashtu siç ndodh në rastet e tjera të aksidenteve me automjete, aksidentet nga përgjumja janë më të zakonshme te burrat nën të 30-at.» Në rrezik që t’i zërë gjumi kur i japin makinës, janë njerëzit që vuajnë nga një çrregullim i zakonshëm i gjumit, i njohur si bllokimi i frymëmarrjes në gjumë (OSA). Gazeta pohon se ky çrregullim prek «rreth 25 për qind të burrave në moshë të mesme». Njerëzit me këtë çrregullim ndoshta nuk e kuptojnë sa e lehtë është t’i zërë gjumi ndërsa ngasin makinën.

Akullnajat po shkrijnë

Ndërkohë që diku në Punjab të Indisë niveli i ujit në rezervuare ishte i ulët, sepse shirat e musoneve po vononin, në digën Bakra mbi lumin Sutlej uji kishte arritur gati dyfishin e nivelit të një viti më parë. Pse? Sepse dega kryesore ushqyese e Sutlejit kalon përmes një zone që ka 89 akullnaja, siç pohon revista Down to Earth. «Ngaqë nuk ka pasur musone, akullnajat janë zvogëluar edhe më shumë për shkak të shkrirjes. Drita e diellit që mbërrin në akullnaja është më e fortë, meqë nuk ka re. Kjo gjë, së bashku me temperaturat shumë të larta, po çon drejt shkrirjes së shpejtë»,​—shpjegon specialisti për akullnajat, Sajed-Ikbal Hasnejni, që punon në universitetin «Javaharlal Nehru». Specialistët mendojnë se shkrirja mund të bëjë që të vërshojnë liqenet akullnajore. Për më tepër, po të zvogëlohen akullnajat, rezervat e ujit do të pakësohen në të ardhmen, e kjo do të ndikojë për keq te prodhimi i energjisë elektrike dhe te bujqësia.

Ngaqë duan të duken të bukur

Në shtetin australian të Nju-Sauth-Uellsit «çdo vit diagnostikohen 2.850 raste të reja me kancer të lëkurës dhe 340 njerëz vdesin nga kanceri i lëkurës»,​—siç njofton The Sydney Morning Herald. Një studim i bërë nga Këshilli Viktorian për Kancerin zbuloi se për t’u dukur të bukur, çereku i popullsisë së Australisë bëjnë banja dielli, dhe kjo shifër është 10 për qind më e lartë në tre vjet. Gazeta vazhdon: «Është për t’u alarmuar, pasi kërkuesit kanë zbuluar që më shumë se 60 për qind e adoleshentëve bënin çmos të nxiheshin dhe një e treta e njerëzve thoshin se nxirja i bën të ndihen më të shëndetshëm.» Vitin e kaluar shitja e produkteve për nxirje në supermarkete u rrit 18 për qind, kurse shitja e produkteve që mbrojnë nga dielli nuk u rrit. Dr. Robin Marks i Kolegjit të Dermatologjisë për Australazinë vëren se disa njerëz besojnë që nuk është e rrezikshme të marrësh ngjyrë dalëngadalë. Megjithatë gazeta pohon se «specialistët për kancerin e lëkurës thonë që është një koncept tepër i gabuar të mendosh se është e sigurt çdo lloj banje dielli, përfshirë edhe ato me rreze që të nxijnë pa shkaktuar djegie». Dr. Marksi paralajmëron: «Nxirja është si një kallo: tregon se ka diçka që nuk shkon.»

Gjuha japoneze në krizë

Një valë fjalësh të huaja po mbyt gjuhën japoneze, duke bërë që në veçanti japonezët e moshuar të ndihen të pështjelluar në lidhje me gjuhën e tyre amtare, siç njofton The Japan Times. Terma të huaj, shumica anglisht, tani përbëjnë 10 për qind të fjalëve nëpër disa fjalorë. «[Japonishtja] po bëhet e pakuptueshme,​—u ankua një grua 60-vjeçare.​—Nganjëherë më duket sikur kam nevojë për një përkthyes që të kuptoj gjuhën time.» Të rinjtë, politikanët, media dhe njerëzit e sportit, të modës dhe të industrive të teknologjisë së lartë i përvetësojnë me zell fjalët e huaja, të cilat «zakonisht bëjnë që njerëzit të duken të modës e të kulturuar». Gjithsesi, këto fjalë paraqiten të shkruara në katakana, një shkrim i caktuar kryesisht për transliterimin e fjalëve të huaja. Prandaj gazeta thotë se këta terma «mbeten ‘të huaj’, me sa duket për një kohë të gjatë». Sipas gazetës The New York Times, disa japonezë po «i zemëron mendimi që fjali të tëra mund të lidhen me njëra-tjetrën në një japonishte bashkëkohore, e cila përdor vetëm fjalë që vijnë nga Perëndimi, me përjashtim të ndonjë foljeje ose të ndonjë pjesëze në japonisht që del aty-këtu». Kjo mund të sjellë pasoja sociale, siç është për shembull thellimi i hendekut të komunikimit në disa familje.