Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia ka një emër!

Perëndia ka një emër!

Perëndia ka një emër!

Cili është emri i Perëndisë? Të gjithë njerëzit e kanë nga një emër. Madje, shumë veta u vënë emra edhe kafshëve që mbajnë në shtëpi! Atëherë, a nuk do të ishte e arsyeshme që edhe Perëndia të ketë një emër? Sigurisht, në marrëdhëniet dhe në komunikimin mes njerëzve është e domosdoshme që secili të ketë një emër dhe ky emër të përdoret. A duhet të ndodhë ndryshe kur bëhet fjalë për marrëdhënien tonë me Perëndinë? Si për ironi, miliona prej atyre që pohojnë se besojnë në Perëndinë e Biblës nuk e përdorin emrin e tij. Megjithatë, emri i Perëndisë njihet prej shekujsh. Ndërsa lexoni këtë seri artikujsh, do të njiheni me kohën kur emri i Perëndisë përdorej shumë. Për më tepër, do të mësoni se sa e rëndësishme është sipas Biblës ta njohim emrin e Perëndisë.

ATY nga shekulli i 17-të, disa vende evropiane pritnin monedha ku ishte shkruar emri i Perëndisë. Në një monedhë gjermane të vitit 1634, të binte në sy emri Jehova. Këto monedha u bënë mjaft të njohura si talerët e Jehovait ose monedhat e Jehovait dhe ishin në qarkullim për disa dhjetëvjeçarë.

Jehova * është një përkthim i njohur prej shekujsh i emrit të Perëndisë. Në hebraisht, një gjuhë që lexohet nga e djathta në të majtë, emri është shkruar me katër bashkëtingëllore, יהוה. Këto katër shkronja në hebraisht, të cilat transkriptohen JHVH, njihen si Tetragrami. Emri i Perëndisë, i shkruar në këtë formë, gjendej i gdhendur për dhjetëvjeçarë të tërë edhe nëpër monedhat evropiane.

Emri i Perëndisë gjendet edhe në ndërtesa, monumente e vepra arti dhe përmendet në shumë himne që këndohen në kishë. Sipas enciklopedisë gjermane Brockhaus, dikur ishte zakon që princat protestantë të mbanin një emblemë me diellin dhe Tetragramin. Simboli, i cili përdorej edhe në flamuj e monedha, njihej si emblema Jehova-Diell. Është e qartë se evropianët e shekullit të 17-të dhe të 18-të që ishin shumë fetarë e dinin se Perëndia i Plotfuqishëm e kishte një emër. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ata nuk kishin frikë ta përdornin këtë emër.

Emri i Perëndisë nuk ishte mister as për Amerikën e kohës së kolonive. Për shembull, shqyrtoni rastin e një ushtari të Revolucionit Amerikan, Etan Alenit. Sipas autobiografisë së tij, më 1775 ai u kërkoi armiqve të dorëzoheshin «në emër të Jehovait të Madh». Më vonë, në kohën kur Abraham Linkolni ishte president, disa këshilltarë e përmendnin shpesh emrin Jehova në letrat që i dërgonin Linkolnit. Në shumë biblioteka publiku mund të shohë dokumente të tjera historike amerikane që përmbajnë emrin e Perëndisë. Këta janë vetëm pak shembuj që tregojnë se për shekuj të tërë, emrit të Perëndisë i kanë dhënë rëndësi.

Po sot? A është harruar emri i Perëndisë? Sigurisht që jo. Përkthime të ndryshme të Biblës e kanë emrin e Perëndisë në shumë vargje. Po të bëni një vizitë të shkurtër në bibliotekë ose po të kërkoni pak minuta në fjalorët tuaj, ka mundësi të zbuloni se emri Jehova është pranuar gjerësisht si ekuivalenti i Tetragramit në gjuhën e folur. Për shembull, Encyclopedia International e përkufizon qartë emrin Jehova si «forma e sotme e emrit të shenjtë të Perëndisë në hebraisht». Një botim i kohëve të fundit i The New Encyclopædia Britannica shpjegon se Jehova është «emri judaiko-i krishterë për Perëndinë».

‘Por,​—mund të pyesni ju,​—a duhet t’u interesojë emri i Perëndisë njerëzve sot?’ Emri i Perëndisë, në një formë ose në një tjetër, ende gjendet në shumë vende publike. Për shembull, emri Jehova është gdhendur në gurin e themelit të një ndërtese në Nju-Jork. Po në këtë qytet, emri gjendet i shkruar në hebraisht në një mozaik shumëngjyrësh që zbukuron një nga stacionet e zhurmshme të metrosë. Megjithatë, ka shumë mundësi që vetëm pak njerëz, prej atyre mijërave që kanë kaluar në këto vende, t’u kenë dhënë rëndësi këtyre mbishkrimeve.

A është i rëndësishëm emri i Perëndisë për njerëzit në vendin tuaj? Apo shumica i drejtohen Krijuesit me fjalën «Perëndi», sikur ky titull të ishte emri i tij i vërtetë? Nga ajo që keni parë mund të keni vënë re se shumë njerëz as nuk e mendojnë në ka apo jo emër Perëndia. Po ju? A keni të vështirë t’i drejtoheni Perëndisë me emrin e tij, Jehova?

[Shënimi]

^ par. 4 Kjo seri artikujsh paraqet 39 forma të emrit Jehova, të cilat përdoren në më shumë se 95 gjuhë.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Një mbret që e bëri të njohur emrin e Jehovait

Më 1852, një grup misionarësh u nisën nga Havai për në ishujt e Mikronezisë. Ata kishin me vete një letër rekomandimi që mbante vulën zyrtare të mbretit Kamihamiha III, monarku i atëhershëm i ishujve Havai. Kjo letër, origjinali i së cilës ishte shkruar në gjuhën havajane, u drejtohej sundimtarëve të ndryshëm të ishujve të Paqësorit. Pjesërisht, aty thuhej: «Janë gati të nisen drejt ishujve tuaj disa mësues të Më të Lartit Perëndi, Jehovait, që t’ju bëjnë të njohur Fjalën e Tij për shpëtimin tuaj të përhershëm. . . . I konsideroj këta mësues të mirë të denjë për nderimin dhe miqësinë tuaj dhe ju bëj thirrje t’i dëgjoni mësimet e tyre. . . . Ju këshilloj të flakni idhujt, të pranoni Zotërinë Jehova si Perëndinë tuaj, ta adhuroni dhe ta doni Atë, kështu që Ai t’ju bekojë e t’ju shpëtojë.»

[Figura]

Mbreti Kamihamiha III

[Burimi]

Arkivat shtetërore të Havait

[Figura në faqen 3]

Tetragrami, fjalë që do të thotë «katër shkronja», paraqet të shkruar në hebraisht emrin e Perëndisë