Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta njihni emrin e Perëndisë?

Si mund ta njihni emrin e Perëndisë?

Si mund ta njihni emrin e Perëndisë?

NJË gazetare mori nga një lexues letrën e mëposhtme: «Gjithë jetën time jam përpjekur të gjej përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe shpresoj se ju mund të më jepni një përgjigje. Cili është emri i Perëndisë? Judenjtë thonë se emri i vërtetë ka humbur me kalimin e kohës. Të krishterët e quajnë Jezu. Myslimanët i thërrasin Allah. . . . Pra, si quhet?» Gazeta e botoi pyetjen bashkë me këtë përgjigje: «Sipas mësimeve të lashta hebraike, Perëndia është i plotfuqishëm, prandaj Atë nuk mund ta përfaqësojë një emër i vetëm. Megjithatë, ju siguroj se Ai (ose Ajo) do t’ju përgjigjet me çfarëdo emri që t’i drejtoheni me respekt.»

Një qëndrim i tillë sipërfaqësor lidhur me emrin e Perëndisë nuk ndeshet rrallë sot. Ndonëse janë fetarë, shumë njerëz që besojnë te Bibla nuk mendojnë shumë për emrin e Perëndisë. Por, çfarë mendon Perëndia për emrin e tij? A është diçka krejt pa rëndësi për të?

Nuk është i parëndësishëm

Shqyrtoni faktin se Bibla e përmend me mijëra herë emrin e Perëndisë, Jehova. Në Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta, emri hyjnor shfaqet 7.210 herë. * Ishte vetë Perëndia ai që i frymëzoi shkrimtarët e Biblës që ta përmendnin kaq dendur emrin e tij. Një nga këta shkrimtarë, psalmisti Asaf, shkroi: «Ti që e ke emrin Jehova, vetëm ti je Më i Larti në tërë dheun.» (Psalmi 83:18, BR) Edhe Davidi shkroi në një psalm: «Ne do të kujtojmë [përmendim, BR] emrin e Zotit, Perëndisë tonë.»​—Psalmi 20:7.

Bibla thotë se Perëndia Jehova i shqyrton zemrat tona për të parë se çfarë ndiejmë ne për emrin e tij. Psalmisti tha: «Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë, . . . a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.» (Psalmi 44:20, 21) Profeti Isaia shkroi: «Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.»​—Isaia 12:4.

Vetë Perëndia tha: «Ata do të mësojnë që emri im është Zoti [Jehova, BR].» (Jeremia 16:21) Në një rast tjetër ai deklaroi: «Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve . . . Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti [Jehovai, BR].» (Ezekieli 36:23) Disa nga këto deklarata flasin për kohën kur Jehovai do të veprojë me zemërim kundër atyre që tregojnë mungesë respekti për emrin e tij. Për Perëndinë nuk është i parëndësishëm emri i vet.

Perëndia Jehova nuk është larg jush

Si mund ta njihni emrin e Perëndisë? Çfarë do të thotë ta njohësh emrin e Perëndisë? Bibla përgjigjet: «Ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.» (Psalmi 9:10) Duket qartë se të njohësh emrin e Perëndisë nuk do të thotë që vetëm të dish se cili është emri i tij. Duhet të kesh besim tek Ai. Kjo do të thotë të arrish të kuptosh çfarë Perëndie është dhe të njohësh cilësitë e mendimet e tij. Kjo do t’ju nxitë të keni besim tek ai.

Vetëm me anë të leximit e të studimit të kujdesshëm të Biblës mund të fitoni një gjykim të thellë për të kuptuar se çfarë Perëndie është Jehovai. Ai premton se do t’i mbrojë ata që tregojnë dashuri për të dhe për emrin e tij. Për atë që vepron kështu, Perëndia thotë: «Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim. Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.»​—Psalmi 91:14-16.

Ç’marrëdhënie të mrekullueshme ka Perëndia Jehova me ata që e njohin emrin e tij! Edhe ju mund të keni një marrëdhënie të tillë. Kur i drejtoheni atij me lutje që ju burojnë nga zemra kurrë mos ngurroni ta thërrisni me emër. Ai do t’ju përgjigjet, sepse siç thuhet në Bibël, «ai nuk është larg nga secili prej nesh».​—Veprat 17:27.

[Shënimi]

^ par. 5 Përkthimi Bota e re i Shkrimeve të Shenjta, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, është një përkthim i Biblës ku gjuha e vjetër e përkthimeve të hershme është zëvendësuar me gjuhën e ditëve tona. Veçoria kryesore e këtij përkthimi është se emri hyjnor është vënë sërish në tekstin e Biblës, pikërisht në ato vende ku ka qenë. Deri më sot janë shtypur më shumë se 122 milionë kopje, të plota ose të pjesshme, në 45 gjuhë.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Perëndia e njeh emrin tënd

Perëndia i tha Moisiut: «Unë të njoh me emër.» (Dalja [Eksodi] 33:12, BR) Këtë e vërteton tregimi i mirënjohur i ferrishtës që digjej. Bibla thotë se Perëndia «e thirri nga mesi i ferrishtës dhe i tha: ‘Moisi, Moisi!’» (Eksodi 3:4) Ky është vetëm njëri nga rastet e shumta ku Perëndia iu drejtua njerëzve me emrin e tyre. Duket qartë se Krijuesi i universit interesohet për ne si individë.

Bibla thotë se Perëndia ua di emrat miliarda e miliarda yjeve. (Isaia 40:26) Mendoni se sa më tepër kujdeset ai për njerëzit që e adhurojnë! Apostulli Pavël shkroi se «Jehovai i njeh ata që i përkasin atij». (2 Timoteut 2:19) Kjo nuk do të thotë që ai vetëm sa u mban mend emrat. Perëndia i njeh mirë adhuruesit e tij. Edhe ne nga ana jonë duhet ta njohim emrin e Perëndisë dhe të marrim njohuri të thellë për cilësitë e tij.

Në librin e fundit të Biblës flitet për një libër simbolik ku Perëndia shkruan emrat e atyre që e kanë adhuruar gjatë gjithë historisë. Ky libër quhet ‘rrotulla e jetës’, sepse Perëndia Jehova do t’u japë jetë të përhershme atyre që i kanë emrat të shkruar në të. (Zbulesa 17:8) Kjo është një shpresë e mrekullueshme për ata që e njohin emrin e Perëndisë.

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Ata e shpallën emrin e Perëndisë

● Kënga e Moisiut pak para se Izraeli të hynte në Tokën e Premtuar: «Emrin e Jehovait do të shpall.»​Ligji i përtërirë 32:3, BR.

● Fjalët e Davidit drejtuar gjigantit Goliad: «Unë po të vij në emër të Jehovait të ushtrive.»​1 Samuelit 17:45, BR.

● Fjalët e Jobit pasi kishte humbur të gjithë pasurinë dhe pasi i kishin vdekur papritur të gjithë fëmijët: «Qoftë i bekuar emri i Jehovait.»​Jobi 1:21, BR.

● Apostulli Pjetër citon Shkrimet Hebraike gjatë një fjalimi: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.»​Veprat 2:21.

● Profeti Isaia: «Falënderojeni Jehovain! Thërritni emrin e tij! . . . Shpallni që emri i tij është lartësuar.»​Isaia 12:4, BR.

● Jezu Krishti kur u mësoi dishepujve të tij se si të luteshin: «Ju, pra, duhet të luteni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’»​Mateu 6:9, 10.

● Jezu Krishti duke iu lutur Perëndisë: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve.»​Gjoni 17:6.

● Perëndia duke folur me popullin e tij: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.»​Isaia 42:8, BR.