Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’e ardhme e pret planetin tonë?

Ç’e ardhme e pret planetin tonë?

Ç’e ardhme e pret planetin tonë?

«Ndonëse njerëzit për mijëra vjet kanë pasur frikë nga ‘veprat e Perëndisë’, si përmbytja dhe thatësira, tani ata rrezikohen nga diçka shumë më e keqe: ‘veprat e njeriut’ që shkaktojnë katastrofa natyrore»,​—raporton gazeta e Kanadasë Globe and Mail. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) nxori një raport të plotë, që u bënte thirrje njerëzve të heqin dorë nga veprimtaritë që dëmtojnë mjedisin, para se të jetë tepër vonë. Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it, Klaus Tëpferi, thotë: «Dimë mjaft gjëra tani për të kuptuar si mund të ndikojnë veprimet tona ose mungesa e veprimeve te mjedisi dhe te banorët e këtij planeti të kaltër e të jashtëzakonshëm deri aty nga viti 2032.»

Njëfarë përparimi për mbrojtjen e mjedisit është bërë që kur u krijua UNEP-i, në vitin 1972. Siç raportohet në The Toronto Star, «cilësia e ajrit dhe e ujërave të lumenjve është përmirësuar në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, dhe kufizimet ndaj çlirimit të substancave kimike kanë bërë të mundur njëfarë ripërtëritjeje të shtresës së dëmtuar të ozonit». Gjithashtu programet për administrimin e pyjeve, të tilla si ato në Finlandë, Kanada, Norvegji dhe në Shtetet e Bashkuara «po bëjnë që të pakësohen pasojat e prerjes pa kriter të drurëve». Me gjithë këto përpjekje, raporti i UNEP-it thotë që në qoftë se rritja ekonomike vazhdon e pakontrolluar, dhe kështu qytetet zënë një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe, kjo do të ketë një ndikim shkatërrimtar te fauna dhe te shumëllojshmëria biologjike. Gazeta Globe pohonte: «Rreth gjysma e lumenjve të botës janë ndotur ose kanë shteruar shumë. Tetëdhjetë vende që kanë 40 për qind të popullsisë së botës kanë mungesa të ndjeshme në ujë.»

Tëpferi beson se me «disa veprime të prera mund të arrihen rezultate të mira». Ai shton: «Kemi nevojë për një plan veprimi konkret, . . . për projekte konkrete, . . . dhe para së gjithash, për një deklaratë të qartë.» Por, çfarë shprese ka kur udhëheqësit e botës nuk janë të gatshëm të veprojnë për të mirën e planetit?

Të jeni të sigurt se ekziston një person që ka bërë «një deklaratë të qartë» dhe që do të ndërmarrë «veprime të prera», pra Perëndia Jehova. Në të vërtetë, ai ka bërë një deklaratë të hapur ku pohon fare qartë se do të ndërhyjë dhe ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Për më tepër, Perëndia na siguron se ekosistemet në tokë do të ripërtërihen. Shkretëtirat do të lulëzojnë. (Isaia 35:1) Do të ketë ushqime me bollëk. Lumenjtë nuk do të jenë të ndotur. (Psalmi 72:16; 98:8) Perëndia garanton se do të bekojë çdo gjë të gjallë në tokë.​—Psalmi 96:11, 12.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Fotografi nga NASA