Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e përcakton grupi i gjakut personalitetin tuaj?

A e përcakton grupi i gjakut personalitetin tuaj?

Pikëpamja e Biblës

A e përcakton grupi i gjakut personalitetin tuaj?

NË DISA vende është e diçka e përhapur që njerëzit ta përcaktojnë personalitetin e dikujt nga grupi i gjakut. Për shembull, në Japoni nuk është e pazakontë që kur nisin bisedën, disa njerëz të të pyesin, ‘Ç’grup gjaku ke?’ Përkrahësit e këtij mendimi thonë se njerëzit me grupin A të gjakut janë të qetë, të përgjegjshëm dhe dyshues; ata me grupin B janë të çiltër, kanë luhatje të humorit, mashtrohen lehtë; e kështu me radhë. Gjithashtu, këta pohojnë se një njeri me një grup gjaku të caktuar mund ta ketë të vështirë ose të lehtë që të shkojë mirë me dikë që i përket një grupi tjetër gjaku.

Duke u bazuar në këtë koncept, disa e quajnë grupin e gjakut një faktor të rëndësishëm kur nxënësit nëpër shkolla i ndajnë në klasa, kur zgjedhin administratorët në një shoqëri e madje edhe kur zgjedhin bashkëshortin. A ka ndonjë provë që tregon se grupi i gjakut vërtet përcakton personalitetin tonë? A ka parime nga Bibla që lidhen me këtë çështje?

Çfarë është grupi i gjakut?

The World Book Multimedia Encyclopedia shpjegohet: «Membrana e rruazave të kuqe të gjakut përmban proteina që quhen antigjene. Janë zbuluar më shumë se 300 antigjene të rruazave të kuqe.» Ndërkohë që disa njerëz kanë antigjene të caktuara, njerëz të tjerë kanë antigjene të tjera dhe disa antigjene nuk mund të bashkekzistojnë. Prandaj, siç shton enciklopedia, «duke u bazuar në praninë ose mungesën e antigjeneve të caktuara, shkencëtarët e kanë klasifikuar gjakun e njeriut në grupe të ndryshme».

Sistemi më i përdorur i grupeve të gjakut është sistemi AB0, sipas të cilit gjaku i njeriut ndahet në katër grupe: A, B, AB dhe 0. Gjithashtu përdoret gjerësisht edhe sistemi rezus. Aktualisht ka afro 20 sisteme të njohura të grupimit të gjakut. Pra duket qartë se gjaku është shumë i ndërlikuar. Në Encyclopædia Britannica thuhet: «Për shkak të numrit të madh të antigjeneve të ndryshme të rruazave të kuqe, është pothuajse e pamundur që dy njerëz, përveç binjakëve identikë, të kenë të njëjtin kombinim të lëndëve që përcaktojnë grupin e gjakut.»

Sipas kësaj, po të flitnim saktë fare, «grupi i gjakut» që ka secili është unik. Prandaj duket e pabazuar të thuash se njerëzit që i përkasin një grupi të caktuar gjaku kanë të njëjtat tipare personaliteti. Ka një sërë faktorësh që përcaktojnë personalitetin tonë.

Çfarë e përcakton personalitetin tonë?

«Personaliteti përmbledh ato karakteristika të sjelljes, si të trashëguara, ashtu edhe të fituara, që dallojnë çdo individ»,​—shpjegon Encyclopædia Britannica. Po, përveç asaj që trashëgojmë, ka edhe faktorë të tjerë siç janë, mjedisi familjar, arsimimi, shoqëria dhe përvojat e mira a të këqija të jetës, që ndikojnë në formimin e personalitetit tonë. Prandaj, nuk është vetëm përbërja gjenetike ajo që përcakton personalitetin tonë. Edhe binjakët identikë, të cilët kanë të njëjtën përbërje gjenetike, shpesh kanë personalitete të ndryshme.

Diçka tjetër me rëndësi është se personaliteti mund të ndryshojë ose të ndryshohet. Apostulli Pavël theksoi fuqinë që kanë mësimet e krishtere të ndryshojnë njerëzit. Ai shkroi: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishuni me personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë po rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi.» (Kolosianëve 3:9, 10) Të krishterët e kuptojnë se janë mëkatarë dhe kanë trashëguar prirje mëkatare. Që të pranohen nga Perëndia, personaliteti i tyre duhet të ketë ndryshuar.

Por ç’gjë i bën të mundur këto ndryshime? Është fuqia që ka fjala ose mesazhi i Perëndisë. Lidhur me ndikimin e fuqishëm të fjalës së Perëndisë, të cilën sot e gjejmë në Bibël, Pavli shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Kur dikush i nënshtrohet ndikimit të frymës së Perëndisë dhe përpiqet t’u përshtatet normave morale që tregon Bibla, dalëngadalë personaliteti i tij mund të ndryshojë. Personaliteti i krishterë që formohet në këtë mënyrë përfshin «përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë».​—Kolosianëve 3:12.

Arsyetueshmëria e krishterë

Vërtet, nuk ka ndonjë parim biblik që të ndalon të studiosh grupet e gjakut. Por lidhja që mund të ketë kjo gjë me sjelljen e njeriut është çështje tjetër. Ashtu si për të gjitha çështjet e jetës, duhet të lëmë Fjalën e Perëndisë që të drejtojë hapat tona. (Psalmi 119:105) Diçka tjetër thelbësore është arsyetueshmëria.​—Filipianëve 4:5.

Natyrisht nuk do të ishte e arsyeshme që grupi i gjakut të përdorej si justifikim për të mos u përpjekur të ndreqim të metat e personalitetit. Pavarësisht nga ndërtimi gjenetik, të krishterët duhet të vazhdojnë të modelojnë personalitetin e tyre në mënyrë që të pasqyrojnë sa më shumë të jetë e mundur cilësitë e Jehovait e të Jezuit.​—Efesianëve 5:1.

Gjithashtu, të krishterët përpiqen shumë t’i shohin të tjerët siç i sheh Jehovai. «Perëndia nuk është i anshëm.» (Veprat 10:34, 35) Jehovai i pranon me gëzim njerëzit e çdo lloji. Pra, do të ishte e paarsyeshme dhe e papërshtatshme për një të krishterë që t’u kthente krahët ose të shmangte shoqërinë disave thjesht për shkak të grupit të gjakut. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse dikush shoqërohet vetëm me ata që kanë grupe gjaku «që përputhen» me të tijin. Bibla paralajmëron: «Nëse vazhdoni të mbani me hatër, po bëni mëkat.»​—Jakovi 2:9.

Ndërkohë që shkenca dhe teknologjia përparojnë, bëhen shumë zbulime dhe dalin shumë teori rreth trupit të njeriut. Është e natyrshme që këto koncepte të na duken interesante. Sidoqoftë, të krishterët duhet të lënë që mendimet e tyre të drejtohen prej Biblës dhe jo prej teorive të njerëzve. Në të gjitha fushat e jetës, të krishterët kanë nevojë ‘të sigurohen për të gjitha gjërat’ dhe ‘të mbajnë fort atë që është e shkëlqyer’.​—1 Selanikasve 5:21.