Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur macet janë të egra!

Kur macet janë të egra!

Kur macet janë të egra!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

DUKE bërë përpara dalëngadalë, me kokën paksa të ulur dhe me vështrimin e ngulur, grabitqari i vërsulet presë. Me këmbët e kruspullosura poshtë trupit, ndalet pak. Muskujt fërgëllojnë nën gëzofin e kuqërremë. Pastaj, si një shigjetë që del nga harku i gjuetarit, lëshohet drejt presë së trembur. Me një lëvizje të vetme, e mbërthen viktimën me kthetra dhe e plandos përtokë.

Kjo betejë për jetë a vdekje nuk zhvillohet në Afrikë, por në Australi. Kafsha e zhdërvjellët nuk është një luan i fuqishëm, por një kafshë e vogël e familjes së maceve, e njohur si macja e egër. Llogaritet se në Australi ka afro 12 milionë mace të egra, që gjenden në xhunglat tropikale të kepit të veriut, në lartësitë e alpeve jugore ku bën acar dhe në shkretëtirat përvëluese të rrafshnaltave qendrore.

Çfarë është një mace e egër?

Macet e egra të Australisë ngjajnë me macet e shtëpisë, sepse ato janë paraardhëset e tyre. Gëzofët e tyre kanë po ato ngjyra: të zezë, të bardhë, gri, të kuqërreme; dhe të njëjtat modele, që mund të jenë: me njolla, njëngjyrëshe ose me vija. Megjithatë, macet e egra zakonisht kanë qafë dhe shpatulla më muskuloze se simotrat e tyre. Meshkujt peshojnë nga 3 deri në 6 kilogramë dhe femrat nga 2 deri në 4 kilogramë. Ndërkohë që macet shtëpiake në përgjithësi varen nga njerëzit, macet e egra janë plotësisht në gjendje t’i dalin zot vetes dhe nuk kanë qejf të rrinë me njerëzit.

Paraardhëset e këtyre maceve të egra shoqëruan kolonizatorët e parë evropianë për në Australi, dhe gjatë shekullit të 19-të ato u përhapën anembanë këtij kontinenti. Shumë mace ikën të jetonin në natyrë. Disa të tjera i lanë të lira vetë njerëzit gjatë viteve 80 të shekullit të 19-të ndërkohë që përpiqeshin të frenonin vërshimin e lepujve që po shkatërronin kullotat. Macet shumë shpejt u përshtatën me shtëpinë e tyre të re dhe u bënë një ndër më të përhapurat nga llojet e shumta që u sollën në Australi. Sot macet e egra banojnë në çdo cep të Australisë, përfshirë edhe shumë nga ishujt e vegjël të largët.

«Kolonizatore» të shkëlqyera

Macet e egra janë kafshë pjellore. Para se të ketë mbushur vitin, femra pjell vetëm në një bark deri në shtatë këlyshë. Pastaj pjell deri në tri barqe në vit, çdo bark ka nga katër deri në shtatë këlyshë. Dhe mbetet pjellore për tërë jetën e saj, që zgjat shtatë ose tetë vjet. Sikur një femër të bëjë vetëm tre këlyshë femra dhe tre meshkuj në vit, dhe sikur macet femra të pjellin të njëjtin numër këlyshësh, ka mundësi që brenda shtatë vjetësh ajo mace të ketë me mijëra pasardhës.

Gjithsesi, shumimi i shpejtë nuk mjafton për të mbijetuar në klimën e ashpër të Australisë. Shpesh macet gjuajnë në freskinë e mbrëmjes ose herët në mëngjes. Ato e shmangin nxehtësinë e ditës, duke fjetur në zgavrat e trungjeve ose në strofkat e lepujve. Përveç kësaj, macet e egra kanë mposhtur edhe shkretëtirat ku është tepër e vështirë të jetosh, sepse nuk kanë nevojë të pinë ujë për të mbijetuar, pasi ato mund ta marrin të gjithë ujin që u nevojitet nga mishi i presë së tyre.

Gjithashtu, macet e egra hanë ç’të gjejnë, në varësi të rrethanave. Ndonëse u pëlqejnë më shumë lepujt, Shërbimi për Mbrojtjen e Faunës dhe për Parqet Kombëtare i Nju-Sauth-Uellsit pohon: «Macet e egra vrasin dhe hanë më shumë se 100 lloje zogjsh vendës të Australisë, 50 lloje gjitarësh dhe marsupialësh, 50 lloje zvarranikësh, si dhe lloje të shumta bretkosash e invertebrorësh.» Dhe kanë një oreks të hatashëm. Mashkulli ha çdo ditë një sasi ushqimi sa 5 deri 8 për qind e peshës së trupit të tij. Femra, në qoftë se po rrit kotelet, ha çdo ditë një sasi deri 20 për qind të peshës së trupit. Në një ishull të veçuar, vetëm 375 mace të egra hëngrën 56.000 lepuj dhe 58.000 zogj deti brenda një viti.

Shumica e kafshëve vendëse në Australi nuk ua dalin dot maceve të egra. Sipas revistës për mjedisin Ecos, mendohet se për shkak të metodave të tyre grabitqare, macet e egra janë përgjegjëse për «suksesin e kufizuar të programeve që risjellin gjitarët e rrezikuar në Australinë e thatë».

Kafshë shtëpiake apo të dëmshme?

Që në kohën e Egjiptit të lashtë macet ishin shumë të përhapura si kafshë shtëpiake. Në Australi, 37 për qind e familjeve kanë të paktën një mace. Shumë nga këto mace nuk sterilizohen dhe kotelet e padëshiruara nganjëherë flaken tej në shkurrnajat përreth, ku ato rriten, shumohen dhe shtojnë popullsinë e maceve të egra.

Që të parandalohet kthimi i një kafshe shtëpiake të dashur në një kafshë që dëmton mjedisin, Shërbimi për Mbrojten e Faunës dhe për Parqet Kombëtare, në Australi, këshillon sa vijon: Mbajeni macen në shtëpi, sidomos gjatë natës. Jepini ushqim të mjaftueshëm. Vërini maces një shenjë dalluese, për shembull një rrip qafe, kordele ose një mikroqark. Vërini tri zile të mëdha maces që të largojë kafshët e egra. Sterilizojeni macen. Bëni një gardh të posaçëm që e pengon atë të dalë nga oborri.

T’i zbatosh këto sugjerime kërkon kohë dhe para. Por ata australianë që i kanë shumë qejf macet, ndoshta mendojnë se ia vlen barra qiranë.

[Figura në faqen 20]

Një nga 12 milionë macet e egra të Australisë

[Burimi]

Joel Winter/NSW Shërbimi për Mbrojtjen e Faunës dhe për Parqet Kombëtare, Australi

[Burimi i figurës në faqen 21]

Me lejen e Departamentit të Burimeve Natyrore dhe të Minierave