Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ne i çmojmë veshjet tona»

«Ne i çmojmë veshjet tona»

«Ne i çmojmë veshjet tona»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

KUR spanjollët mbërritën për herë të parë në Meksikë, në shekullin e 16-të, ata gjetën një larmi kulturash​—të actekëve, majave e të tjera. A mundën evropianët t’i zhduknin këto kultura? Jo, ato ende ekzistojnë atje. Rreth 12 milionë njerëz në Meksikë janë pasardhës të grupeve etnike që i takojnë periudhës para ardhjes së Kolombit. Shumë flasin gjuhët e lashta të të parëve. Gjithashtu, kostumet e tyre të bukura bëjnë që ata të spikatin.

Shteti jugperëndimor i Oaksakës, zona me larminë më të madhe kulturore në Amerikën Qendrore ngjan me një paradë mode të madhe. Atje gjejmë çontalët që për të siguruar jetesën merren me bujqësi, rritin gjedhë, merren me gjueti dhe mbledhin ushqime e lëndë të para nëpër male. Kopshtet e shtëpive të tyre janë plot fruta, perime dhe lule. Çontalët e shfaqin dashurinë e tyre për natyrën duke qëndisur kafshë dhe lule me pe të kuq e të zi në bluzat e grave. Vajzat e pamartuara stolisen edhe duke vënë te flokët fjongo shumëngjyrëshe.

Bashkë me çontalët, në istmin e Tehuantepekut banojnë edhe uavët dhe zapotekët që veshin rroba të ngjashme; megjithatë, në njëfarë mënyre, banorët vendës mund ta dallojnë prejardhjen etnike të një gruaje nga veshja e saj. Zapotekët, që e quajnë veten njerëz nga retë, mund të kuptojnë edhe se nga cili fshat është një grua, nga mënyra se si e ka rregulluar ajo veshjen. Çinantekët, që jetojnë në pjesën veriore të të njëjtit shtet, kanë veshje edhe më të stolisura. Gratë çinanteke e tregojnë historinë e të parëve nëpërmjet simboleve të qëndisura në fustanet e tyre të lirshme e pa mëngë që quhen uipils. Për raste formale, ato veshin rroba të qëndisura për mrekulli, të cilat në gjuhën e tyre quhen «stomak i madh».

Edhe gratë miksteke, që banojnë në zonat e shteteve të Oaksakës, Guerreros dhe Pueblës, janë të dhëna pas qëndismave. Në një rajon, gratë i zbukurojnë bluzat e tyre të holla prej pambuku duke përdorur një mjeshtëri që quhet «bëmë po munde». Ashtu si popuj të tjerë meksikanë, mikstekët nga bregdeti përdorin të njëjtën lloj pëlhure që përdornin edhe stërgjyshërit e tyre qindra vjet më parë. Teknika e thurjes që përdorin ata sot, shihet në vizatime e në statujëzat e muzeve, të cilat paraqesin njerëzit e periudhës paraspanjolle.

Kostumet që mbanin burrat e lashtë maja dhe actekë dalloheshin për zbukurimet e shumta. Sot burrat e shumicës së grupeve indigjene vishen pak a shumë me veshjet e kohës. Megjithatë, te disa popuj indigjenë, si për shembull, uiçolët, mund të dallohen ende gjurmë që flasin për një preferencë për rrobat e periudhës paraspanjolle. Veshja e qëndisur uiçol, një simbol i pozitës në shoqëri, ka modele aq të ndërlikuara dhe kaq shumë pjesë që i shtohen për zbukurim, saqë duhet kohë për t’i parë me kujdes e për t’i kuptuar të gjitha hollësitë.

Veshja që ka pësuar më pak ndryshime që nga epoka paraspanjolle mund të gjendet në popullsinë e nauatlit në Kuetzalan, të shtetit të Pueblës. Atje gratë e stolisin kokën në mënyrë pompoze duke vënë penj që i ndërthurin me flokët e tyre (fotografia në faqen 26) dhe mbajnë keçkemitël, një shall të hollë zbukurimi. Veshje të ngjashme paraqiten në kronikat e lashtësisë.

Malësia e shtetit të Çiapasit është një mozaik kulturash të grupeve etnike të ndryshme, disa prej të cilave kanë të njëjtën origjinë. Atje, tzotzilët, tzeltalët dhe tokolabalët mbajnë kostume që për ta janë thjesht një veshje e përditshme, por për një vizitor janë një pamje krejt e veçantë.

Gjithashtu, atje shumë njerëz i bëjnë vetë pëlhurat. A nuk do të të ndihmonte që të mos i harroje kurrë rrënjët e familjes tënde po të mësoje nga nëna jote që ti bëje vetë rrobat? Gratë tzotzile në malësitë me klimë të freskët të Çiapasit e kryejnë vetë nga fillimi deri në fund procesin e qethjes së deleve, larjes dhe krehjes së leshit, tjerrjes dhe lyerjes me bojëra natyrore, para se ta thurin copën në një tezgjah tradicional. «Në fillim ishte e vështirë,​—kujton me krenari Petrona, një vajzë nga Çamula,​—por u ndjeva shumë e lumtur kur për herë të parë bëra me duart e mia një nagua [fund] leshi dhe qëndisa një bluzë pambuku. Thura edhe një brez prej cope.» Pasi mësojmë se sa shumë punë nevojitet, e kuptojmë përse ajo thotë: «Ne i çmojmë veshjet tona.»

Në ato rajone të Gadishullit të Jukatanit ku njerëzit i ruajnë më shumë traditat, gratë maja mbajnë si veshje të përditshme një ipil që është një fustan i bardhë i lirshëm, i qëndisur me motive shumëngjyrëshe. Shumë shpesh, kjo veshje ka edhe një fund me dantellë që vishet poshtë fustanit. Për raste të veçanta, gratë dhe vajzat e reja, si në fshat edhe në qytet, veshin me krenari një terno, një lloj ipili më të zbukuruar.

Për vizitorët, këto veshje meksikane karakteristike mund të jenë shumë të shtrenjta. Megjithatë, meqë me shumë kujdes i bëjnë vetë këto rroba, vendësit e gëzojnë këtë luks, ndonëse shumica e tyre kanë të ardhura të pakta.

Të kënaqet syri po të ndjekësh mbledhjet e krishtere në 219 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, ku fliten gjuhët vendëse. Këto janë raste kur pjesëmarrësit mund të veshin kostumet më të mira që kanë, një trashëgimi nga të parët, dhe vërtet, sa të bukura janë këto veshje!

[Harta në faqen 26]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

JUKATAN

PUEBLË

OAKSAKË

ÇIAPAS

[Figura në faqen 26]

Fund me dantellë e grave maja

[Figura në faqen 26]

Qëndismë zapoteke

[Figura në faqen 26]

Zapotek, Oaksakë

[Figura në faqen 26]

Maja, Jukatan

[Figura në faqen 26]

Nauatli, Pueblë

[Figura në faqen 26]

Tzotzil, Çiapas