Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Kriminelë «të thinjur»

«Në Britani kompleski i parë i burgut që është përshtatur për të burgosurit e moshuar u krijua për t’i bërë ballë rritjes së ndjeshme të numrit të pensionistëve që kryejnë krime»,​—njofton The Sunday Times e Londrës. Ky sektor, që gjendet brenda një burgu të Portsmuthit, ka ashensorë të thjeshtë, pajisje palestre të përshtatura për të moshuarit dhe një personel të stërvitur që kujdeset për ta. Studimet tregojnë që më shumë se 100.000 pensionistë «kanë kryer krime, ose kanë menduar të bëjnë kështu», që ta shtojnë pak përkrahjen sociale dhe pensionin. Disa i janë futur tregtisë së drogës, vjedhin dyqane, futin cigare dhe alkool kontrabandë në Britani, e madje kanë grabitur banka. Në vitin 1990, kishte 355 pensionistë të burgosur, por kjo shifër ishte bërë 1.138 në vitin 2000. Shumë nga këta individë nuk kanë pasur më parë kartelë penale, por «janë nën një presion tepër të madh për të mbajtur një standard të caktuar jetese,​—thotë kriminologu Bill Tupman.​—Këta nuk janë pensionistët më të varfër, por ata të shtresës së mesme, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre kanë qenë anëtarë të shoqërisë që kanë punuar pa u lodhur e i janë bindur ligjit.»

Si e gjejnë njëri-tjetrin mami-fokë dhe këlyshi?

Kur nënat-foka kthehen në shtëpi pas disa javësh që kanë kaluar në det për t’u ushqyer, mamatë dhe këlyshët e porsalindur duhet të gjejnë njëri-tjetrin mes një turme të zhurmshme me qindra të rritur të tjerë dhe me foka të tjera të vogla. Si ia bëjnë? Sipas The Vancouver Sun të Kanadasë, «këlyshët mësojnë ta njohin zërin e nënës së tyre vetëm dy ditë pasi kanë lindur, dhe nënat shumë shpejt mësojnë ta njohin britmën e të vegjëlve të tyre». Një studim që u bë në Ishullin e Amsterdamit në Oqeanin Indian tregoi se «mami dhe këlyshi mund ta gjejnë njëri-tjetrin brenda shtatë minutash pasi mami kthehet në shtëpi nga udhëtimi i parë në det»,​—thotë The Sun. Kurse dr. Izabel Sharie, e cila kreu këtë studim, thotë: «Një nënë ushqen vetëm këlyshin e saj dhe mund të jetë e dhunshme me këlyshët e tjerë. Prandaj është shumë e rëndësishme për këlyshin që ta njohë të ëmën.»

Gjuha kineze mandarin dhe truri

Kohët e fundit psikologia dr. Sofi Skoti dhe kolegët e saj në Londër e në Oksford përcaktuan me anë të skanerave se cilat pjesë të trurit na ndihmojnë të kuptojmë të folurit. Kërkuesit zbuluan se kur folësit e anglishtes dëgjuan anglisht, u aktivizua lobi temporal i majtë. Megjithatë «kur folësit e gjuhës kineze mandarin dëgjuan gjuhën amtare, u aktivizua edhe lobi temporal i djathtë, edhe i majti»,​—raporton gazeta The Guardian. Pse? «Lobi temporal i majtë zakonisht merret me bashkimin e tingujve në fjalë; i djathti me përpunimin e melodisë dhe të intonacionit,​—shpjegon gazeta.​—Në gjuhën kineze mandarin, një intonacion i ndryshëm përçon një kuptim të ndryshëm, për shembull rrokja ‘ma’ mund të ketë kuptimin nënë, qortim, kalë ose fije kërpi», varet nga toni. Dr. Skoti vëren: «Mendojmë se folësit e gjuhës kineze mandarin e interpretojnë intonacionin dhe melodinë në lobin temporal të djathtë për t’u dhënë kuptimin e duhur fjalëve që dëgjojnë.»

Rifillon gara për ndërtesën më të lartë në botë

«Specialistët e urbanistikës përreth globit përsëri janë në garë për të ngritur ndërtesën më të lartë të botës»,​—pohon The Wall Street Journal. Tashmë në Tajpei të Tajvanit po ndërtohet një grataçelë që pritet të arrijë lartësinë 508 metra, afro 90 metra më e lartë se Kullat Binjake të Nju-Jorkut. Ndërkohë, Shangai në Kinë po çon përpara planet e tij për të ndërtuar një Qendër Financiare Botërore, 492 metra të lartë. Autoritetet e Shangait pohojnë se kjo ndërtesë do të jetë në të vërtetë më e lartë se ajo e Tajvanit, e cila ka si pjesë të lartësisë së saj një antenë televizive 50 metra. Për të arritur edhe më lart, Seuli në Korenë e Jugut kërkon të ndërtojë një qendër biznesi ndërkombëtare, që është 540 metra e lartë. Dhe që të mos ia kalojë kush qytetit të Nju-Jorkut, disa kanë hedhur mendimin që atje të ngrihet ndërtesa më e lartë në botë, për t’u zëvendësuar çka humbi në sulmet terroriste të 11 shtatorit. «Pas pasojave që patën sulmet e 2001-shit, pak njerëz do ta kishin parashikuar një kthim kaq të shpejtë të garës për ndërtesën më të lartë»,​—thotë gazeta Journal.

Adoleshentë të inatosur rrezikojnë të sëmuren nga zemra

«Kërkuesit kanë zbuluar se në krahasim me moshatarët e tyre me natyrë më të qetë, fëmijët dhe adoleshentët që janë tepër armiqësorë ndaj të tjerëve kanë gati tri herë më shumë mundësi të zhvillojnë sindromin e metabolizmit: një pararendës i rrezikshëm për sëmundjet e zemrës»,​—raporton The Gazette e Montrealit. Kërkuesit amerikanë dhe finlandezë, të cilët analizuan intensitetin e armiqësisë së 134 adoleshentëve dhe fëmijëve, zbuluan se ata që ishin tipa zemërakë kishin 22 për qind më shumë mundësi që të rrezikoheshin nga sëmundjet e zemrës se ata që nevrikoseshin më pak. «Nuk ndodh që njerëzit zgjohen me sëmundje zemre një ditë të bukur kur janë 50 vjeç,​—pohon dr. Kristen Salomoni, bashkautore e këtij studimi.​—Sëmundjet kardiovaskulare fillojnë që herët në jetë.»

Shpendi më jetëgjatë i Britanisë?

«Shpendi më jetëgjatë që njihet në Britani, fluturon ende shëndoshë e mirë pasi ka bërë tetë milionë kilometra dhe ka jetuar 52 vjet»,​—raporton gazeta e Londrës The Times. Këtij shpendi të vogël uji të Manksit, bardhë e zi, që bën pjesë në familjen e zgalemëve, «për herë të parë iu vu një rreth për identifikim në maj të vitit 1957, kur ishte rreth gjashtë vjeç». E kapën prapë në vitet 1961, 1978 dhe 2002, dhe më pas ornitologët nuk shpresonin ta shihnin sërish. Por në fillim të vitit 2003 u shfaq prapë në bregdetin e Uellsit Verior. Fondacioni Britanik i Ornitologjisë llogarit me përafërsi se ai ka fluturuar të paktën 800.000 kilometra kur ka shtegtuar për në Amerikën e Jugut dhe është kthyer që andej. Duke u shtuar këtyre edhe fluturimet e rregullta për të kërkuar ushqim, 1.000 kilometra të gjata, shkencëtarët arrijnë në përfundimin që ka fluturuar më shumë se tetë milionë kilometra. Graham Epëlltoni i Observatorit të Shpendëve të Bardzit në Uellsin Verior thotë: «Shpendit më jetëgjatë iu vu një rreth i katërt për identifikim; edhe kjo është një gjë që thyen rekordin. Gjithë rrathët e tjerë ishin prishur.»

Në Spanjë zhduken emisionet për fëmijë

«Emisionet e pasditeve për fëmijë janë zhdukur»,​—raporton e përditshmja spanjolle El País. Manuel Serejho, një zëdhënës i Televizionit Shtetëror Spanjoll, shpjegon se «fëmijët nuk janë një publik nga i cili mund të nxjerrësh fitime, aq sa të përligjet transmetimi i programeve të posaçme për ta gjatë pasditeve.» Por kjo gjendje i shqetëson specialistët, si Lola Abejo, drejtoreshë e Shoqatës së Prindërve të Nxënësve të Spanjës, e cila vëren: «Fëmijët shohin gjithë ç’u del përpara.» Një në çdo 3 fëmijë në Spanjë ka televizor në dhomën e gjumit, pohon artikulli, dhe për pasojë të vegjlit nga mosha 4 deri 12 vjeç nuk flasin më për personazhet e filmave vizatimorë, por në vend të kësaj flasin për yjet e muzikës pop dhe emisionet për të rriturit. «Është për të ardhur keq,​—thotë Abejo,​—sepse u kanë grabitur fëmijërinë. Që në moshë të njomë marrin informacione që janë për të rriturit.»