Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prapë po bie shi!

Prapë po bie shi!

Prapë po bie shi!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IRLANDË

«Oh, mos! Prapë po bie shi!»

A keni thënë ndonjëherë diçka të tillë? Po sikur të binte shi në mes të verës kur jeni duke vizituar një vend piktoresk, për shembull bregdetin irlandez që laget nga Atlantiku? Ndoshta shpresonit të ishte një ditë e ngrohtë me diell, që të shijonit peizazhin e bukur, por përkundrazi ka erë të tërbuar dhe rrebesh me shi. Në një kohë si kjo me lehtësi do ta harronim që duhet ta çmojmë shiun. Pa të, as ne, as ky peizazh i bukur nuk do të ishim fare!

Edhe pasi shiu e ka ujitur mirë tokën, është e sigurt që shi do të bjerë prapë, e duket sikur rezervat e tij nuk shterojnë kurrë. Si është e mundur kjo? Falë një sistemi qarkullimi të jashtëzakonshëm. Edhe një vështrim i shpejtë i tri fazave më të rëndësishme të këtij sistemi jetësor, përkatësisht avullimit, kondensimit dhe rënies së reshjeve, na tregon që kjo nuk është një dukuri e rastësishme. Një libër shpjegon se është një proces i projektuar në mënyrë të ndërlikuar «që ndodh sipas ligjeve fikse, të pandryshueshme».

Avullimi

Rreth 97 për qind e ujit të tokës ndodhet në oqeane. Pjesa tjetër gjendet kryesisht e ngrirë nëpër akullnaja ose ndodhet në liqene dhe në zona ujëmbajtëse. Sigurisht, uji i oqeaneve nuk është i pijshëm. Nëse përsëritim thirrjen e ankthshme të detarit te poema «Rima e detarit të lashtë» *, mund të themi se në oqeane ka «ujë, ujë, gjithkund ujë, por të pirë as edhe një pikë».

Uji i oqeaneve bën një udhëtim të gjatë e të ndërlikuar para se të bëhet i pijshëm. Në fillim avullon, duke u kthyer në gjendje të gaztë, pra në avuj uji. Çdo vit nga nxehtësia e diellit ngjiten lart në atmosferë rreth 400.000 kilometra kub ujë nga toka dhe deti. Në kohët e lashta një njeri i quajtur Elihu ia dha Perëndisë meritën për këtë proces kur tha: «Ai ngre lart pikat e ujit nga deti dhe nxjerr shi nga mjegulla që ai e ka bërë.»​—Jobi 36:27, The New English Bible.

Vetë atmosfera është «një sistem jashtëzakonisht i ndërlikuar», që shtrihet më shumë se 400 kilometra lart mbi sipërfaqen e Tokës. Uji qarkullon në 10-20 kilometrat mbi sipërfaqen e Tokës. Kjo zonë, e quajtur troposfera, është ajo që libri Planeti ynë i brishtë me ujë (anglisht) e përshkruan si «zona në kontakt me sipërfaqen e Tokës, mbretëria e reve, e shiut, e borës, e uraganeve dhe e tornadove».

Sa më i ngrohtë të jetë ajri, aq më shumë ujë mund të mbartë. Ja pse rrobat ju thahen më shpejt në një ditë të ngrohtë me erë. Atmosfera në zonat tropikale mban pjesën më të madhe të ujit. ‘Po atëherë, si transportohet tërë ky ujë për në vende të tjera ku është i nevojshëm?’​—mund të pyesni. Kjo kryhet me anë të erërave të fuqishme që qarkullojnë nëpër rruzullin tokësor. Këto erëra formohen nga mënyra si rrotullohet Toka rreth boshtit të vet dhe ngaqë disa pjesë të sipërfaqes së Tokës nxehen më shumë se të tjerat, duke bërë kështu që atmosfera të jetë vazhdimisht në lëvizje.

Në atmosferën tonë që është gjithnjë në lëvizje ndodhen masa ajrore të stërmëdha si ishuj të mëdhenj ajri, pak a shumë me të njëjtën temperaturë. Sa të mëdha janë? Mund të mbulojnë një zonë prej disa kilometrash katrorë. Masat më të ngrohta vijnë nga vendet e tropikut dhe më të ftohtat nga zonat arktike ose nga zonat polare. Këto masa ajrore shërbejnë si transportues viganë të ujit në atmosferë.

Një kryevepër tjetër e këtij projekti shihet në lëvizjen e avujve të ujit në atmosferë. Kjo lëvizje e zhvendos nxehtësinë nga zonat ku është me tepri, të tilla si zonat tropikale, në zonat ku ka nevojë për më shumë nxehtësi. Përndryshe, disa pjesë të tokës do të bëheshin gjithnjë e më të nxehta.

Kondensimi

Ndonëse avujt e ujit kryejnë funksione jetësore në atmosferë, nëse ata do të mbeteshin atje lart, është e qartë që nuk do të mund të ujitnin tokën. Atmosfera sipër shkretëtirës së Saharasë për shembull është e pasur me lagështirë, e prapëseprapë rajoni mbetet i thatë. Si kthehet sërish në tokë lagështira e atmosferës? Në fillim kondensohet, duke u kthyer në gjendje të lëngët.

Ndoshta keni parë avuj uji që kondensohen në banjë kur ajri i ngrohtë që del nga një dush i nxehtë takon në dritare ose në pasqyrën e ftohtë. Diçka e ngjashme ndodh kur temperatura e një pjese të ajrit ulet, ndërkohë që ngjitet lart ku bën më ftohtë. Çfarë e ngre lart ajrin? Kjo ndodh kur një masë ajrore e ngrohtë ngadalë ngrihet lart për shkak të një mase tjetër më të dendur dhe më të ftohtë. Ndonjëherë ajri detyrohet të ngrihet më lart për shkak të maleve. Në ndonjë rast tjetër, sidomos në zonat tropikale, mund ta shtyjnë lart rrymat e ajrit ngjitëse që transportojnë nxehtësinë.

‘Por,​—mund të pyesni,​—çfarë ka në atmosferë që të kondensohen këta avuj? Atmosfera është plot me thërrmija tejet të vogla, si për shembull thërrmija tymi, pluhuri dhe kripe deti. Ndërkohë që një pjesë e ajrit ftohet, avujt e ujit kondensohen te këto bërthama të imëta. Pastaj këto pikla uji shumë të vockla bëhen të dukshme në formën e reve.

Megjithatë ky ujë nuk bie menjëherë në tokë. Pse jo? Në fund të fundit, uji është 800 herë më i dendur se ajri. Arsyeja është që çdo pikël e veçantë e ujit në re është kaq e vogël dhe e lehtë sa mund të pluskojë në rrymat ajrore. Elihu, që u përmend më sipër, u mrekullua nga kjo veçori mahnitëse e qarkullimit të ujit kur foli për mënyrën si «rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e [Krijuesit] që i di të gjitha». (Jobi 37:16) A nuk mahniteni kur kuptoni se retë e vogla si pambuk, që rrinë pezull në ajrin sipër jush, mund të përmbajnë nga 100 deri në 1.000 tonë lagështirë?!

Reshjet

Nga shumë re nuk bie kurrë shi ose, që të jemi më të saktë, reshje. Është deri diku e lehtë të shpjegosh si arrin uji deri në atmosferë dhe si rrinë pezull retë në qiell. «Vështirësia e vërtetë,​—thotë një shkrimtar,​—është të shpjegosh si zbret uji poshtë» përsëri.​—Sfidat e atmosferës (anglisht).

Mund të duhen «një milion ose më shumë pikla uji që ndodhen në re» për t’u formuar një pikë e vogël shiu. Nga sa duket, askush nuk mund të japë një përgjigje krejt të kënaqshme se çfarë i shndërron këto pikla të vogla që pluskojnë nëpër re në afro një miliard tonë ujë që bie në tokë çdo minutë të ditës. A ndodh thjesht që piklat e vockla bashkohen dhe formohen pika shiu më të mëdha? Nganjëherë ndodh kështu. Ka të ngjarë që në këtë mënyrë të formohen pikat e shiut në disa vende, si për shembull në zonat tropikale. Por kjo nuk shpjegon «enigmën e formimit të pikave të shiut» në vende të tilla si bregdeti irlandez që laget nga Atlantiku.

Atje nuk ndodh thjesht një bashkim i piklave të vockla të reve. Me anë të disa mekanizmave që nuk kuptohen plotësisht, piklat formojnë kristale të vockla akulli. Këto kristale bashkohen me njëra-tjetrën për t’u bërë «një nga kryeveprat më të shkëlqyera të natyrës», pra flokët e borës. Ndërkohë që flokët e borës bëhen më të mëdhenj e më të rëndë, ata kapërcejnë disa rryma ajrore ngjitëse dhe zënë të bien në tokë. Nëse është ftohtë aq sa duhet, bien në trajtë bore. Zakonisht në një herë të vetme bien me miliarda flokë të tillë. Por nëse bien duke kaluar përmes një shtrese ajri të ngrohtë, flokët e borës shkrihen dhe bëhen pika shiu. Kështu që bora nuk është shi i ngrirë. Përkundrazi, pjesa më e madhe shiut, të paktën në zonat me klimë të butë, fillimisht formohet si borë, e më pas shkrin teksa bie në tokë.

Kështu, uji i shiut kthehet prapë pas një udhëtimi të gjatë, ndoshta me mijëra kilometra. Ky udhëtim përfshin disa procese të ndërlikuara, që ende nuk janë kuptuar plotësisht si ndodhin. Duhet pranuar se ai mund të pengojë herë pas here planet dhe veprimtaritë tuaja. Por kjo dukuri e jashtëzakonshme bën që rezervat e ujit të jenë të pashtershme. Po, shiu është vërtet një bekim! Prandaj, ndoshta herën tjetër kur ta ndieni shiun t’ju lagë fytyrën, do ta keni disi më të lehtë të jeni mirënjohës për këtë dhuratë të Perëndisë!

[Shënimi]

^ par. 7 Shkruar nga poeti anglez Samuel Tejlor Kolrixh.

[Kutia dhe diagrami në faqen 14]

Si formohen kokrrat e breshrit?

Në librin Moti (anglisht) thuhet: «Breshri është prodhimi karakteristik i reve të mëdha e që lëvizin me vrull, të cilat sjellin shtrëngata.» Kur piklat e ujit brenda reve të shtrëngatave grumbullohen mbi disa bërthama të vogla, ndonjëherë këto pikla transportohen nga rryma ngjitëse të forta. Rrymat e ajrit i çojnë piklat e ujit më lart brenda resë, në pjesë ku temperaturat janë nën zero gradë celsius. Në këto temperatura të ngrirjes, pikla të tjera grumbullohen te çdo pikë shiu që sapo është ngjitur lart dhe ngrijnë në çast. Ky proces përsëritet pareshtur, dhe çdo pikë shiu e ngrirë endet lart e poshtë, duke u futur dhe duke dalë nga shtresa e ngrirjes. Çdo herë pika e ngrirë e shiut vishet me një shtresë të re akulli dhe bëhet gjithnjë e më e rëndë, duke u veshur me shtresa siç i ka qepa. Me kalimin e kohës bëhet aq e rëndë, saqë rrymat ngjitëse të ajrit në re nuk e mbajnë dot më dhe bie në tokë si kokërr breshri, e ngurtë dhe e akullt, ashtu si e njohim ne. Libri Atmosfera, moti dhe klima (anglisht) thotë: «Në ndonjë rast, kokrrat e breshrit mund të arrijnë përmasa gjigante dhe të peshojnë deri 0,76 kilogramë secila.»

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

breshër

↑ rrymë ajri ngjitëse

niveli i ngrirjes .........................

↓ rrymë ajri zbritëse

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

A e dinit?

Mesatarisht, uji që ndodhet në atmosferë përreth botës është i mjaftueshëm vetëm për dhjetë ditë reshje.

Një shtrëngatë në verë mund të çlirojë energji sa një duzinë bombash si ato që u hodhën në Hiroshimë gjatë Luftës II Botërore. Rreth 45.000 stuhi ndodhin anembanë botës çdo ditë.

Në përgjithësi, atmosfera nuk ngrohet drejtpërdrejt nga nxehtësia e diellit. Pjesa më e madhe e energjisë diellore vetëm sa kalon përmes atmosferës, pa e ngrohur atë. Atmosfera ngrohet nga energjia që rrezaton drejt saj sipërfaqja e ngrohur e tokës.

Uji është e vetmja lëndë me bollëk në tokë, që në të njëjtin vend ndodhet njëkohësisht në tri gjendje: të ngurtë, të lëngët dhe të gaztë.

Mjegulla është thjesht një re që formohet afër sipërfaqes së Tokës.

[Diagrami dhe figurat në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Oqeanet përmbajnë 97 për qind të ujit të Tokës

Nxehtësia e diellit avullon ujin

Avulli i ujit kondensohet dhe formon retë

Retë lëshojnë lagështirë në tokë nëpërmjet reshjeve

Pika shiu dhe flokë bore