Të mrekulluar pas fishekzjarrëve
Të mrekulluar pas fishekzjarrëve
QOFTË në festa, qoftë në hapjen e Lojërave Olimpike, fishekzjarrët janë bërë sinonime të festimeve. Shpërthimet me drita festojnë Ditën e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, kremtojnë Ditën e Bastijës në Francë dhe ndriçojnë qiejt, pothuajse në çdo qytet të madh të botës, natën e Vitit të Ri.
Por, kur filloi njeriu të mrekullohej pas fishekzjarrëve? Dhe ç’mjeshtëri fshihet pas këtyre spektakleve verbuese?
Traditë orientale
Shumica e historianëve janë të mendimit se kinezët i shpikën fishekzjarrët aty nga shekullit i dhjetë i erës sonë, kur kimistët e Lindjes zbuluan se nga kombinimi i salpetërit (nitrati i kaliumit) me squfurin dhe qymyrin përftohet një përbërje shpërthyese. Eksploruesit nga Perëndimi, siç ishte Marko Polo ose ka të ngjarë edhe tregtarët arabë, ishin ata që e çuan në Evropë këtë lëndë shpërthyese. Kështu, rreth shekullit të 14-të, publiku evropian tashmë po kënaqej duke soditur shfaqjet spektakolare me fishekzjarrë.
Por pluhuri që solli një ndryshim kaq argëtues e të bukur, ndryshoi edhe rrjedhën e historisë evropiane. Ushtarakët e përdorën këtë lëndë, që më vonë u bë e njohur si baruti, për t’u dhënë forcë shtytëse plumbave, për të hedhur në erë mure kështjellash dhe për të rrëzuar fuqi politike. «Gjatë periudhës së Mesjetës,—thotë Encyclopædia Britannica,—përhapja e fishekzjarrëve në Perëndim eci krah për krah me përhapjen e eksplozivëve të ushtrisë. Në Evropë, një specialist i eksplozivëve të ushtrisë kishte për detyrë edhe të drejtonte shfaqjet me fishekzjarrë që bëheshin për të festuar arritjen e fitores dhe të paqes.»
Ndërkohë, me sa dukej, në përgjithësi kinezët nuk i kushtonin rëndësi fuqisë shkatërruese të barutit. Në shekullin e 16-të, Mateo Riçi, një misionar jezuit italian në Kinë, shkroi: «Kinezët nuk janë specialistë për përdorimin e pushkëve e të artilerisë, madje edhe në luftë i përdorin ato fare pak. Megjithatë, nitrati i kaliumit përdoret me bollëk për të prodhuar fishekzjarrë që hidhen gjatë lojërave publike ose për ditë festash. Kinezët kënaqen shumë me shfaqje të tilla . . . Zotësia e tyre për të prodhuar fishekzjarrë është vërtet e jashtëzakonshme.»
Të fshehtat e spektaklit
Pa dyshim që prodhuesve të hershëm të fishekzjarrëve iu duhej edhe zotësia, edhe guximi ndërsa bënin shfaqje të ndryshme me fishekzjarrë. Ata zbuluan se kokrrizat e mëdha të barutit digjen disi ngadalë, kurse kokrrizat e imta digjen duke shpërthyer. U krijuan raketa duke vulosur njërin skaj të një tubi prej bambuje ose prej letre e duke e mbushur pjesën e poshtme me kokrriza të mëdha baruti. Kur ndizej baruti, gazet që zgjeroheshin me shpejtësi dilnin nga skaji i hapur i tubit dhe e shtynin raketën drejt qiellit. (Sot, ky parim themelor përdoret për të çuar astronautët në hapësirë.) Skaji i sipërm i raketës mbushej plot me barut të imët, kështu që, nëse gjithçka shkonte në rregull, raketa do të shpërthente afër kulmit të trajektores së saj.
Teknologjia e fishekzjarrëve nuk ka ndryshuar shumë ndër shekuj. Megjithatë, janë bërë disa përmirësime. Fillimisht njerëzit në Lindje dinin vetëm të prodhonin fishekzjarrë me ngjyrë të bardhë ose të praruar. Italianët i bënë me ngjyra. Në fillim të shekullit të 19-të, italianët
zbuluan se kur i shtonin barutit klorat kaliumi, gjatë djegies përzierja krijonte një nxehtësi të mjaftueshme që i kthente metalet në gaze dhe kështu flaka merrte ngjyrë. Sot, për të krijuar një flakë të kuqe shtohet karbonat stronciumi. Flakën e bardhë të shndritshme e krijojnë titani, alumini dhe magnezi; flakën blu e japin përbërjet e bakrit; të gjelbrën, nitrati i bariumit; kurse flakën me ngjyrë të verdhë e krijon një përzierje me oksalat natriumi.Kompjuterët i kanë përmirësuar edhe më tej spektaklet me fishekzjarrë. Në vend se t’i ndezin me dorë fishekzjarrët, teknikët mund ta caktojnë me një saktësi të paparë kohën e shpërthimit të tyre, duke i programuar kompjuterët që t’i ndezin fishekzjarrët me korrent. Kjo bën që ata të shpërthejnë sipas ritmit të muzikës.
Lidhja me fenë
Siç tha misionari jezuit Riçi, fishekzjarrët ishin pjesë e pandashme e festimeve fetare kineze. Revista Popular Mechanics shpjegon se fishekzjarrët «u shpikën nga kinezët për të dëbuar demonët nga festimet e Vitit të Ri të dhe nga festat e tjera ceremoniale». Në librin e tij Festa dhe zakone të të gjitha besimeve (anglisht), Hauard V. Harper thotë: «Që nga kohët më të hershme pagane, njerëzit kanë mbajtur pishtarë e kanë ndezur zjarre të mëdha në rastet e rëndësishme fetare. Pra ishte fare e natyrshme që drita e fishekzjarrëve, e cila kishte ngjyra fantastike e që ngjitej në qiell, të bëhej pjesë e festimeve.»
Pak kohë pasi fishekzjarrët filluan t’i përdornin edhe të ashtuquajturit të krishterë, për prodhuesit e fishekzjarrëve u zgjodh një shenjtor mbrojtës. Në The Columbia Encyclopedia shkruhet: «Babai [i Shën Barbarës] thuhet se e mbylli atë në një kullë dhe e vrau, ngaqë ishte e krishterë. Babain e goditi rrufeja dhe kështu, Shën Barbara u bë shenjtorja mbrojtëse e prodhuesve dhe e përdoruesve të armëve të zjarrit e të fishekzjarrëve.»
Shpenzojnë pa hesap
Në festimet fetare ose në festa të tjera, me sa duket, publiku s’ka të ngopur duke parë fishekzjarrët dhe dëshiron shfaqje më të mëdha e më të bukura. Duke përshkruar një spektakël me fishekzjarrë në shekullin e 16-të, Riçi shkroi: «Kur isha në Nankin, pashë fishekzjarrët në festimet me rastin e muajit të parë të vitit që është festa e tyre kryesore. Bëra një llogari dhe pashë se baruti i harxhuar për atë rast, do të mjaftonte për një luftë të madhe disavjeçare.» Ai tha për koston e shfaqjeve të tilla: «Me sa duket, kur flitet për fishekzjarrë, ata nuk duan t’ia dinë për shpenzimet.»
Gjërat kanë ndryshuar fare pak gjatë shekujve të mëvonshëm. Në vitin 2000, vetëm gjatë një festimi të zhvilluar në Urën e Limanit të Sidneit, shpërthyen 20 tonë fishekzjarrë për të argëtuar më shumë se një milion spektatorë të mbledhur në liman. Gjatë po atij viti, në Shtetet e Bashkuara u shpenzuan 625 milionë dollarë për afro 70.000.000 kilogramë fishekzjarrë. Sigurisht, njerëzit në shumë kultura vazhdojnë të mrekullohen pas fishekzjarrëve dhe ende mund të thuhet: «Me sa duket, kur flitet për fishekzjarrë, ata nuk duan t’ia dinë për shpenzimet.»
[Figura që zë gjithë faqen 23]