Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka seksi me anë të telefonit?

Ç’të keqe ka seksi me anë të telefonit?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’të keqe ka seksi me anë të telefonit?

«SEKSI ME ANË TË TELEFONIT,​—sipas një reviste të mirënjohur amerikane,​—ka zëvendësuar letrat e dashurisë dhe, për çiftet që janë larg njëri-tjetrit, është bërë mënyrë e preferuar komunikimi për të shprehur ndjenjat e dashurisë.»

Çfarë është seksi me anë të telefonit? Do të thotë të flasësh shkoqur në telefon për gjëra erotike ose t’i dëgjosh ato me anë të telefonit. * Ata që praktikojnë këtë gjë, shpesh masturbohen për t’u çliruar nga ndjenjat e dëshirës seksuale. Kjo praktikë po përhapet në mënyrë alarmuese, pavarësisht nëse të folurit e ndyrë ndodh ndërmjet dy vetave që po shoqërohen për t’u njohur ose ndërmjet dy të panjohurve. Madje ka disa që e përkrahin publikisht këtë praktikë.

«Është një nga praktikat seksuale më të sigurta»,​—pohon një grua. Me sa duket ka shumë veta që mendojnë si kjo grua. Për shembull, në tetor të vitit 2000, në përgjigje të rritjes së infektimeve me virusin e HIV-it, një grup specialistësh rusë të shëndetit përdorën reklama gazetash për të nxitur seksin me anë të telefonit.

Mirëpo ka njerëz të tjerë që e nxitin këtë praktikë thjesht për përfitime materiale. Shërbimet e linjave të nxehta, ku njerëzit paguajnë për të dëgjuar fjalë të pista, janë bërë një industri miliarda-dollarëshe në Shtetet e Bashkuara, pa llogaritur vendet e tjera.

Por, përse është përhapur kaq shumë kjo praktikë? Libri Fabrika e fantazisë (anglisht) e shpjegon kështu: «Kontakti intim fizik dhe emocional është i rrezikshëm. Ekziston rreziku i sëmundjeve të transmetuara me rrugë seksuale, rreziku i dëmtimit të emrit ose të karrierës, frika se mos të gjykojnë, si edhe pasojat e dëshirave ‘jonormale’. Seksi me anë të telefonit i pakëson rreziqet.»

Është e qartë se seksi me anë të telefonit nuk përfshin kontaktin fizik me dikë tjetër. Por, a do të thotë kjo se s’ka asgjë të keqe ose që nuk ka fare rreziqe?

A është i padëmshëm seksi me anë të telefonit?

Dëshirat seksuale janë veçanërisht të forta gjatë rinisë. Këtë periudhë, kur dëshirat seksuale janë në kulmin e tyre, Bibla e quan ‘lulja e rinisë’. (1 Korintasve 7:36) Në këtë periudhë të veçantë të jetës, një i ri i krishterë duhet të mësojë «ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder». (1 Selanikasve 4:4) Pra duhet të mësosh si të përballosh e të kontrollosh ndjenjat seksuale. Kjo është e domosdoshme për të pasur një pikëpamje të shëndetshme e të ekuilibruar për seksin.

Mirëpo, nga ana tjetër, seksi me anë të telefonit e mëson dikë që t’i lërë të lira impulset seksuale, jo t’i frenojë ato. Për më tepër, kjo praktikë krijon një pikëpamje të shthurur dhe të shtrembëruar për personat e seksit të kundërt. Bibla mëson se intimiteti seksual duhet të ekzistojë vetëm brenda martesës. (Hebrenjve 13:4) Kurse seksi me anë të telefonit i nxit të rinjtë të provojnë kënaqësi seksuale jashtë martese. Bibla mëson se lumturia e vërtetë vjen kur jep, jo kur merr. (Veprat 20:35) Kurse seksi me anë të telefonit e mëson një njeri t’i përdorë të tjerët si mjet për të kënaqur veten e vet. Bibla u mëson çifteve të martuara të arrijnë intimitetin e vërtetë duke zhvilluar dashuri dhe besim reciprok. (Efesianëve 5:22, 33) Kurse seksi me anë të telefonit nxit ftohtësinë dhe anonimitetin.

Një ves i dëmshëm

Korinti i lashtë njihej si qytet me vese imorale. Prandaj, apostulli Pavël kishte arsye të forta për t’u shkruar të krishterëve atje këto fjalë: «Kam frikë se mos, ashtu sikurse gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, mendjet tuaja korruptohen në ndonjë mënyrë, duke u larguar nga sinqeriteti dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit.» (2 Korintasve 11:3) Seksi me anë të telefonit është një mjet që Satana Djalli po e përdor për të korruptuar të rinjtë sot.

Disa të rinjve u është bërë ves të telefonojnë në linjat e nxehta dhe s’e kontrollojnë dot këtë. Një i ri që po e quajmë Xhim tregon sa «të varur» mund të bëhen disa ndaj kësaj praktike. Xhimi e pa numrin e një linje të nxehtë në një reklamë në rrugë, e mbajti mend numrin dhe më vonë telefonoi thjesht për kureshtje. Më pas telefonatat te kjo linjë u bënë gjithnjë e më të shpeshta. S’kaloi shumë dhe i erdhi një faturë telefoni 600-dollarëshe.

Të nxitësh dëshirat seksuale ndërkohë që s’je i martuar shkon kundër këshillave që jep Fjala e Perëndisë. Ajo na nxit: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale.»​—Kolosianëve 3:5.

Rreziqet gjatë shoqërimit për t’u njohur

Po ata të rinj që po shoqërohen për t’u njohur duke pasur synime serioze? Sigurisht, është më se e natyrshme që njerëzit që duhen t’i shprehin njëri-tjetrit ndjenjat e tyre. Në kohët biblike, një e re me frikë Perëndie tha për të fejuarin e saj: «Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.» (Kantiku i Kantikëve 7:10) Kur afrohet dita e dasmës, është e drejtë dhe e përshtatshme që një çift të fejuarish të diskutojnë për disa çështje intime. Por, a është seksi me anë të telefonit një mënyrë e padëmshme për të shprehur ndjenjat e dashurisë?

Jo. Edhe çiftet e fejuara janë nën detyrimin të ndjekin këshillën e apostullit Pavël: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve; as sjellja e turpshme, as e folura pa mend, as shaka të ndyra, të cilat nuk kanë hije, por më tepër dhënia e falënderimeve. Sepse ju e dini dhe e kuptoni vetë se asnjë kurvar, i ndyrë a lakmitar, që do të thotë të jesh idhujtar, nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.»​—Efesianëve 5:3-5; Kolosianëve 3:8.

Të folurit intim që me dashje nxit mendime imorale ose që shkakton masturbimin është pa dyshim i papastër në sytë e Jehovait. E për më tepër mund të çojë në shkelje edhe më të rënda të parimeve hyjnore. Për shembull, një çift që po njihej ishin larg njëri-tjetrit. Fillimisht i përdornin telefonatat e shpeshta si mjet për t’u njohur më mirë. Por s’kaloi shumë dhe filluan të flitnin për gjëra imorale. Bisedat e tyre u bënë gjithnjë e më shumë erotike. Kështu që s’ishte diçka e çuditshme që, kur së fundi rrethanat ua lejuan të takoheshin, menjëherë ranë në sjellje të papastër.

Sigurisht, ne që duam t’i pëlqejmë Perëndisë do të bëjmë çmos të mos biem në kurthin e seksit me anë të telefonit. Si mund t’ia dalim mbanë?

‘Rrihe me grushta trupin’

Seksi me anë të telefonit mund të bëhet një ves. Duhet ‘ta rrahim me grushta trupin dhe ta drejtojmë si një skllav’ që të kemi miratimin e Jehovait. (1 Korintasve 9:27) Në qoftë se tashmë e ke vesin e seksit me anë të telefonit, pse të mos kërkosh ndihmë? Një fillim i mirë mund të jetë të flasësh me prindërit e tu të krishterë. Kuptohet, ndoshta do të jenë të mërzitur me ty. Por ndoshta janë edhe më të përshtatshmit për të të ndihmuar të kontrollosh sjelljen tënde, që të mos biesh prapë në këtë ves. Edhe pleqtë në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait do të jenë të gatshëm dhe do të dinë të të ndihmojnë.

Në qoftë se po njihesh me dikë, ji i vendosur të mbetesh i dëlirë, edhe kur flet në telefon. Një e krishterë me emrin Leticia, e cila është e fejuar, thotë: «Unë dhe i fejuari kemi lexuar së bashku artikuj të bazuar në Bibël që shpjegojnë se si të mbetemi të dëlirë. Jemi mirënjohës, sepse këta artikuj na kanë ndihmuar të kemi një ndërgjegje të pastër.» Ki guximin të ndryshosh temë nëse biseda bëhet e papërshtatshme. Fol me personin tjetër për nevojën që bisedat tuaja të jenë gjithnjë të pastra.

Në disa vende reklamat për linjat e nxehta telefonike shfaqen në televizor natën vonë. Ndoshta do të ishte mirë që thjesht të mos shihje televizor natën vonë. Meqë edhe masturbimi i nxit në vend që t’i frenojë mendimet imorale, është e domosdoshme që të shmangësh këtë praktikë të papastër. * Mund të arrish t’i heqësh nga mendja mendimet e papastra, duke u përqendruar në gjëra të drejta. (Filipianëve 4:8) Mbaj rreth vetes miq që përdorin të folur të pastër dhe lexoje Fjalën e Perëndisë e botimet e krishtere çdo ditë, sepse do të ta forcojnë vendosmërinë. Në këtë mënyrë nuk do t’u lësh vend fantazive imorale që të depërtojnë dhe të të korruptojnë mendimet. Ç’është më e rëndësishmja, lutju Perëndisë për ndihmë. Apostulli Pjetër shkroi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:6, 7.

«Të rinjtë kanë shumë presione për të pasur marrëdhënie seksuale të paligjshme»,​—thotë një vajzë e krishterë nga Brazili. Gjithsesi, Jehovai i njeh sfidat që je duke hasur. Të jesh i sigurt se ai do të të japë gjithë ndihmën që të nevojitet për të qëndruar i pastër në sytë e tij.​—Efesianëve 6:14-18.

[Shënimet]

^ par. 4 Një ves i ngjashëm që quhet kiberseks ka të bëjë me bisedat erotike nëpër chat rooms ose dhomat e bisedave në Internet.

^ par. 24 Për këshilla se si të kapërcehet vesi i masturbimit, shih librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, faqet 198-211, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqet 20, 21]

Çiftet që po njihen duhet të ruhen që bisedat e tyre të mos bëhen të papastra

[Figurat në faqet 20, 21]

Sot janë shumë të përhapura seksi me anë të telefonit dhe kiberseksi

[Figura në faqen 22]

Të lexosh Fjalën e Perëndisë dhe botimet e krishtere mund të ta forcojnë vendosmërinë për të mbetur i dëlirë