Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kafshët shtëpiake: Mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për to

Kafshët shtëpiake: Mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për to

Kafshët shtëpiake: Mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për to

SIÇ përmendëm më parë, njeriut iu dha detyra të kujdesej për tokën dhe për të gjitha kafshët që jetonin aty. Bibla thotë: ‘[Perëndia] vuri çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit.’​—Psalmi 8:6-8; 115:16.

Mënyra se si e kryejnë njerëzit këtë detyrë që kanë ndaj kafshëve është e rëndësishme. Fjala e Perëndisë thotë: «I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij.» (Fjalët e urta 12:10) Me të vërtetë, ligjet e Perëndisë për Izraelin theksonin vazhdimisht detyrimin për t’u kujdesur për kafshët. (Ligji i përtërirë 22:4, 10; 25:4) Ndërsa përpiqen të kryejnë detyrën e tyre, njerëzit shpesh i kanë mbajtur për shoqëri kafshët shtëpiake e madje kanë zbutur disa kafshë të egra e i kanë mbajtur edhe ato për kënaqësi.​—Zanafilla 1:24.

Megjithatë është mirë të mbajmë parasysh se Bibla thekson dallimin që ekziston mes njerëzve dhe kafshëve. Njerëzit dhe jo kafshët, u bënë ‘sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me Perëndinë’. (Zanafilla 1:26) Dhe ndërkohë që kafshët u krijuan që të jetonin për njëfarë kohe, njerëzit kishin perspektivën për të jetuar në tokë përgjithmonë. (Zanafilla 3:22, 23; Psalmi 37:29) Jezu Krishti tha se që të gëzojmë ‘jetën e përhershme’ duhet të ushtrojmë besim dhe të marrim njohuri për Perëndinë, gjëra që kafshët s’mund t’i bëjnë. (Gjoni 3:36; 17:3) Për më tepër, Bibla i krahason ata që nuk janë të denjë të ringjallen me «kafshë që nuk arsyetojnë, të lindura prej natyre për t’u kapur dhe për t’u shkatërruar».​—2 Pjetrit 2:9-12.

U krijuan për të mirën e njeriut

Perëndia i krijoi kafshët për t’i sjellë dobi njeriut. Kafshët mund t’i ndihmojnë njerëzit në punë dhe t’u bëjnë shoqëri. Gjithashtu ato lartësojnë dashurinë dhe mençurinë e Perëndisë. Patjetër, është kënaqësi të shohësh bukurinë e kafshëve dhe të mësosh më shumë për Krijuesin, duke vërejtur mençurinë e mrekullueshme instiktive që shfaqin ato. (Psalmi 104:24; Fjalët e urta 30:24-28; Romakëve 1:20) Njëri nga shembujt e shumtë të kësaj mençurie shihet në botën e insekteve. Është vërtet e jashtëzakonshme mënyra se si komunikojnë bletët me njëra-tjetrën dhe se si i ndjekin shenjat që i drejtojnë për te ushqimi, pa përmendur zotësinë e tyre për të ndërtuar hoje të ndërlikuara.

Kafshët mund t’i vlejnë njeriut edhe për ushqim. Në fillim, Perëndia u dha si ushqim njerëzve vetëm bimësinë. Por më shumë se 1.600 vjet më vonë, pas Përmbytjes së ditëve të Noesë, Perëndia tha: «Çdo kafshë e gjallë që lëviz do t’ju shërbejë si ushqim. Sikurse edhe bimësinë e gjelbër, të gjitha po jua jap juve.» (Zanafilla 1:29; 9:3, BR) Pra, Perëndia u dha leje njerëzve të hanin mishin e kafshëve. Me sa duket, kjo gjë ishte për të mirën e njeriut, ndonëse në fillim, Perëndia nuk e kishte përfshirë mishin si ushqim për njerëzit.

Probleme me kafshët shtëpiake sot

Me sa duket, gjatë gjithë historisë rrallë ndodhte që kafshët të mbaheshin brenda në shtëpi dhe është ende kështu në pjesën më të madhe të botës. Megjithatë, kohët e fundit, meqë njerëzit janë transferuar në qytete dhe janë bërë më të pasur, mbajtja e kafshëve në shtëpi është bërë diçka e zakonshme. Kjo ka krijuar disa probleme në vendet e zhvilluara.

Në botë ka afro 500 milionë kafshë që i mbajnë për kënaqësi. Një numër shumë i madh i këtyre, pak a shumë 40 për qind, janë në Shtetet e Bashkuara. Atje ka afërsisht 59 milionë qen dhe 75 milionë mace që i mbajnë në shtëpi. Megjithatë në Londër dhe në Paris, numri i këtyre kafshëve për çdo shtëpi është edhe më i madh se në qytetin e Nju-Jorkut.

Disa vjet përpara, në Paris, rreth 70 motoçikleta, të quajtura kaninet, u morën me qira për të pastruar jashtëqitjet e qenve nëpër trotuare. Afro 250.000 qentë që ishin në Paris prodhonin çdo ditë rreth 25 tonë jashtëqitje. Kaninetët arrinin të mblidhnin më pak se gjysmën e kësaj sasie. Çdo vit raportoheshin qindra njerëz të dëmtuar dhe të shtruar në spital, sepse kishin rrëshqitur nga jashtëqitjet e qenve.

Përveç kësaj është edhe problemi i zhurmës. Disa njerëz u tolerojnë qenve të tyre gjëra që nuk do t’i toleronin kurrë po t’i bënin njerëzit. Forumi për Kujdesin për Kafshët Shtëpiake thotë se «siç duket, të zotët e qenve që lehin tepër, me kalimin e kohës, mësohen me zhurmën». Për shembull, disa nuk bëjnë asgjë që t’i pushojnë qentë e tyre, edhe kur të lehurat nuk i lënë të vazhdojnë një bisedë të rëndësishme.

Nga ana tjetër, një qen mund të rrijë urtë dhe të jetë i kënaqur kur është me të zotin, por mund të jetë tmerrësisht shqetësues për fqinjët kur i zoti nuk është me të. Vërtet që të zotët e kafshëve mund t’i duan ato pavarësisht nga këto të meta, por një fqinj që punon me turne ose një nënë që po përpiqet të vërë në gjumë foshnjën mund të mos e marrë kaq lehtë. Për më tepër, kafshët e mërzitura dalëngadalë mund të fillojnë të bëjnë dëme, të stresohen e madje të bëhen agresive.

Shumimi i shpejtë i kafshëve që mbahen për kënaqësi është një problem sidomos në qytet. Është llogaritur se në Shtetet e Bashkuara lindin rreth 17 milionë qen dhe 30 milionë mace çdo vit. Miliona prej tyre përfundojnë në qendra për kujdesin e kafshëve. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, në këto vende vriten nga katër deri në gjashtë milionë kafshë çdo vit.

Pse dërgohen kaq shumë kafshë në këto qendra? Shpesh kjo ndodh, sepse dashuria për kafshët mund ta ketë jetën të shkurtër. Qenushi i lezetshëm ose kotelja e ëmbël bëhen kafshë të mëdha që kanë nevojë për kujdes. Por ndoshta askush në shtëpi nuk ka kohë dhe durim për të luajtur ose për ta stërvitur atë. Specialistja e kafshëve dhe shkrimtarja dr. Jonika Njubi thotë: «Ndryshe nga ajo që mendojnë njerëzit në përgjithësi, studime të bëra në të gjithë botën tregojnë vazhdimisht se gjysma e qenve që përfundojnë në qendrat për kujdesin e kafshëve nuk janë të braktisur, por të zotët i çojnë atje, pasi nuk i durojnë dot të lehurat, dëmet që bëjnë ata ose energjinë e tyre të papërmbajtshme.»

Një burim informacioni për shtimin e madh të kafshëve e përmbledh kështu gjendjen: «Krijesat e gjalla janë kthyer në objekte që mund t’i flakësh kur nuk të duhen më, që i përkëdhel kur janë të lezetshme dhe i braktis kur të bezdisin. Një nënvlerësim i tillë i jetës së kafshëve është i përhapur dhe po gërryen kulturën tonë.»

Faktorë të rëndësishëm që duhen marrë parasysh

Të mbash një kafshë është një hap që duhet menduar mirë, sidomos nëse jetoni në qytet. Për të qenë të shëndetshme, kafshët, që nga vetë natyra e tyre janë plot energji, kanë nevojë për ushtrime fizike të përditshme. «Anketa Kombëtare për Njerëzit dhe Kafshët Shtëpiake» që u bë në Australi thoshte: «Shëtitja dhe ushtrimet, jo vetëm që janë kërkesa fizike, por edhe nxitje nga ana mendore për qenin. Qentë që nuk bëjnë ushtrime sa duhet mund të jetë e vështirë të të binden.» Megjithatë, shumë njerëz ndihen të rraskapitur pas një dite pune të lodhshme dhe nuk janë në gjendje t’i bëjnë një shëtitje qenit që ai të shkarkojë tërë atë energji të ndrydhur brenda tij.

Prandaj, ata që po mendojnë të marrin një kafshë në shtëpi bëjnë mirë t’i bëjnë vetes këto pyetje: ‘A do të jem në gjendje t’i kushtoj vëmendjen e duhur kafshës që do të mbaj për shoqëri? A do të bëjë mënyra ime e jetesës që ajo të rrijë vetëm pjesën më të madhe të ditës? A do të kem kohë të shëtit ose të luaj me të? Nëse qeni im ka nevojë të stërvitet, a jam i përgatitur ta stërvis ose ta çoj në një shkollë ku i mësohet t’u bindet urdhërave? A do të më marrë kohë nga veprimtari më të rëndësishme kujdesi për kafshën?’

Diçka tjetër që duhet shqyrtuar është se mbajtja e një kafshe në shtëpi mund të ketë shumë shpenzime. Nga një studim i bërë duke vëzhguar disa njerëz që mbanin kafshë për kënaqësi u zbulua se mesatarisht shpenzimet veterinare vjetore për qenin në Shtetet e Bashkuara ishin 196 dollarë, kurse për macen 104 dollarë. Patjetër, këtu nuk u përfshinë shpenzimet për ushqimin dhe nevojat e përditshme. Përveç kësaj, në disa vende ka edhe taksë regjistrimi për kafshët.

Sfida e një pikëpamjeje të drejtpeshuar

Krijuesi ynë ndihet i lumtur kur ne kënaqemi me kafshët që ai ka krijuar dhe u tregojmë atyre kujdes të dashur. Pra, a nuk pajtoheni me mendimin se do të ishte e padrejtë që t’i trajtonim mizorisht kafshët? Megjithatë, për t’u argëtuar, njerëzit zakonisht lejojnë që kafshë të tilla, si demat, qentë dhe pulat, të trajtohen mizorisht ose të vriten në ndeshje. Mjerisht, mënyra se si njerëzit i trajtojnë kafshët nuk ka qenë gjithnjë me dhembshuri, siç kishte ndër mend Perëndia.

Nga ana tjetër, shqetësimi i disa njerëzve për kafshët ia kalon edhe shqetësimit për gjëra më të rëndësishme. Ç’është e vërteta, kur dashuria për kafshët del jashtë kufijve të arsyes, jeta e kafshëve mund të duket edhe më e rëndësishme sesa jeta e njerëzve. Për shembull, kur ra zjarri në një spital për kafshët, thuhet se disa nga të zotët e tyre që ishin mbledhur jashtë «u përpoqën ta kalonin shiritin e zjarrfikësve, duke thërritur se donin të vdisnin bashkë me të shtrenjtit e tyre».

Natyrisht mund të jetë shumë e dhembshme, madje tragjike, të shohësh të vdesë një kafshë që e do shumë. Por edhe në këto raste duhet ekuilibër. Siç u tha më sipër, kafshët nuk u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe as për të jetuar përgjithmonë, siç u krijuan njerëzit. Për mënyrën se si Perëndia i bëri njerëzit, Bibla thotë: «Ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre.» Por, për kafshët nuk thuhet asgjë e tillë.​—Predikuesi 3:11.

Kështu, Bibla nuk thotë se është gabim të vrasësh kafshët, madje sot ato janë një burim i zakonshëm ushqimi për miliona njerëz. Por ç’të themi për vrasjen e një kafshe që mbahet në shtëpi, për shembull të një kafshe që është e sëmurë dhe po vuan? Ç’vendim i vështirë dhe i dhembshëm që mund të jetë ky! Gjithsesi, një njeri që i do kafshët mund të arrijë në përfundimin se është më mirë ta vrasë kafshën e tij besnike me një metodë të shpejtë e pa dhembje, sesa t’i bëjë një kurë të shtrenjtë që vetëm sa do ta zgjaste vuajtjen e saj, e madje mund të bëhej barrë për ekonominë e familjes.

Perëndia i do shumë krijesat e tij njerëzore; atëherë, a nuk duhet që edhe ne të tregojmë vlerësim dhe dashuri për kafshët që ai na i ka besuar për t’u kujdesur e për t’i mbikëqyrur? Ata që kanë një dashuri të tillë shpesh i ka tërhequr mundësia e mrekullueshme për t’u kënaqur me kafshët, siç ishte në fillim qëllimi i Krijuesit. Artikulli mbyllës i kësaj serie do të flasë për këtë gjë.

[Figura në faqen 7]

Pse ka miliona kafshë që vriten çdo vit në qendrat për kujdesin e kafshëve?

[Burimi]

© Hulton-Deutsch Collection/CORBIS

[Figurat në faqet 8, 9]

Sidomos për njerëzit që jetojnë në qytet, mbajtja e një kafshe mund të kërkojë më shumë gjëra nga ç’mendojnë ata

[Figura në faqen 9]

Krijuesi ynë kënaqet kur ne i trajtojmë me dashamirësi kafshët