Muze në natyrë me shtëpi prej druri
Muze në natyrë me shtëpi prej druri
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Sllovaki
NË DISA vende, historia dhe bukuria e shtëpive të vjetra është ruajtur me kujdes e me dashuri nëpër muze në natyrë. Në këto muze janë koleksionuar ndërtesa tradicionale, të cilat i kanë vendosur jashtë në një vend, që të njohin brezin e ri me jetesën dhe shijet artistike të paraardhësve të tyre.
Le të shkojmë të shohim një shembull të bukur të një muzeu në natyrë. Ky muze ndodhet në zemër të Evropës, në krahinën e Oravës që është në veri të Sllovakisë.
Muzeu i Oravës
Muzeu në natyrë i Oravës, i cili ndodhet në Zuberec, përbën një ekspozitë me përmasa reale ku shpaloset historia e kësaj krahine. I krijuar në vitin 1967, muzeu ka shtëpi nga 74 fshatra dhe ferma aty afër, si edhe nga vendbanime të largëta e të veçuara. Që të gjitha këto ndërtesa i sollën në këtë muze pjesë-pjesë dhe pastaj i ribashkuan me kujdes.
Këtu mund të vizitojmë 11 prona të plota, që paraqesin shtëpi të njerëzve të pasur e të thjeshtë të Oravës: kryetarë fshati, fisnikë, bujq, argatë dhe zejtarë. Meqë për shekuj të tërë bujqësia, rritja e gjedhëve dhe e dhenve ishin puna kryesore me të cilën merreshin banorët e Oravës, ka edhe shumë ferma me pjesët e tyre përbërëse. Këto përfshijnë plevica bari, një lëmë, disa baxho, kasollen e një bariu me një vathë, si edhe hambarë për grurë e depo të ndërtuara me dru. Shohim edhe një koshere bletësh, vegla pune tradicionale të bëra me dorë, një kambanore, një kishë prej druri, si dhe riprodhimin e një varreze.
Kur hyjmë brenda shtëpive, vëmë re se një shtëpi tipike e Oravës ka katër pjesë kryesore: dhomën ballore, korridorin, kuzhinën dhe një dhomë të pasme. Mund të ketë pasur edhe një bodrum me tavan të ulët, të shtruar me gurë të sheshtë. Shtëpitë ndërtoheshin me drurë të latuar e shpesh dritaret dhe dyert i lyenin me bojë të bardhë rreth e qark për t’i theksuar. Çatitë me ballinat e tyre tërë zbukurime të gdhendura mbuloheshin me dërrasa. Nganjëherë dhoma e ndenjjes nuk e kishte të shtruar dyshemenë, por gjithsesi muret i lyenin me gëlqere ose i vishnin me shtresa të holla druri të lustruara mirë. Gatimi bëhej në kuzhinë mbi zjarr dhe tymi dilte nga oxhaku. Ngrohtësia e kuzhinës depërtonte edhe në dhomën e ndenjjes.
Punonin dhe luanin së bashku
Planimetria e këtyre ndërtesave prej druri është një dëshmi e gjallë e lidhjeve të ngushta midis brezave dhe fqinjëve. Shtëpitë dhe fshatrat ishin organizuar në mënyrë që të gjithë të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Në fakt, mbijetesa në kushtet e ashpra të këtij rajoni malor do të kishte qenë pothuajse e pamundur po qe se njerëzit nuk do të bashkëpunonin ngushtësisht me njëri-tjetrin. Familjet dhe fqinjët punonin së bashku duke i çuar në kullota lopët, delet dhe patat, e pastaj i gjithë fshati bashkohej për të korrur fushat e për t’i çuar prodhimet e tyre në treg. Fshati gjithashtu mirëmbante kullotat dhe rrugët e pashtruara.
Ndonëse kishte shumë punë, jeta e fshatit në përgjithësi ishte e lumtur, sidomos në kohën e korrjeve. Të gjithë gëzoheshin kur kishte prodhim qumështi me bollëk dhe kur lindnin viçat e qengjat. Në këto raste, kodrat jehonin nga këngët dhe meloditë popullore, që këndoheshin me zëra të harmonishëm dhe shoqëroheshin me fyell, harmonikë ose me fizarmonikë.
Në dimër, vajzat dhe gratë mblidheshin për të rrjepur patat që me puplat e tyre të mbushnin jastëkët dhe jorganët. Burrat e kalonin kohën duke punuar e duke treguar historira dhe pastaj, në fund të ditës, të gjithë mblidheshin bashkë për të vallëzuar. Në disa vende të kësaj krahine, këto zakone vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.Udhëtim në të kaluarën
Mjeshtrat e aftë që ndërtuan këto ndërtesa të bukura e të vjetra prej druri i bazuan projektet e tyre në parime ndërtimi dhe planimetri të trashëguara brez pas brezi. Në këto projekte përdoreshin më së miri materialet vendëse. Veç kësaj, mençuria praktike dhe ndjenja e së bukurës janë të dukshme nga mënyra e këndshme me të cilën këto ndërtesa harmonizohen me mjedisin përreth. Duket qartë se ndërtuesit vunë në punë edhe mendjen, edhe zemrën.
Arkitekti me famë botërore Ludvig Mis van der Rohe, komentoi: «Çdo e rënë sëpate ka një domethënie, çdo shenjë dalte përcjell ndjenja ose mendime. . . . Këtu ruhet mjeshtëria e tërë atyre brezave. Sa çmueshmëri për materialet dhe sa forcë shprehëse ka në këto ndërtesa! Sa të këndshme e të hijshme që janë! Duket sikur u bëjnë jehonë këngëve të lashta!»
Ndërsa ndalemi dhe admirojmë arkitekturën e shtëpive në këtë muze në natyrë, përpiqemi të përfytyrojmë edhe njerëzit që jetonin në këto ndërtesa, duke bërë punët e përditshme. Shpresojmë që të marrim me vete ca nga qetësia e kësaj jete me ritëm më të ngadalshëm për ta përcjellë në botën tonë të sotme me ritme shumë më të shpejta.
[Harta në faqen 14]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Zuberec
[Figurat në faqen 15]
(1) Shtëpi prej druri; (2) pamje e brendshme e shtëpisë; (3) banorë që luajnë muzikë dhe vallëzojnë me kostumet e tyre tradicionale