A është vërtet e gabuar ta teprojmë në të pirë?
Pikëpamja e Biblës
A është vërtet e gabuar ta teprojmë në të pirë?
ROLI i pijanecit babaxhan që gjithnjë i bën të tjerët të qeshin ka qenë për vite me radhë pjesë përbërëse e skenave të teatrit dhe e ekraneve të televizorit. Ndonëse aktorët vetëm sa luajnë rolin, lloji i humorit që bëjnë karakterizon qëndrimet kontradiktore që kanë shumë veta për teprimin në të pirë: nga njëra anë e shohin si një të metë, kurse nga ana tjetër si një gjë të padëmshme.
Megjithatë realiteti s’është aspak për të qeshur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit abuzimin me alkoolin si një nga rreziqet kryesore të shëndetit në mbarë botën. Thuhet se me përjashtim të varësisë ndaj duhanit, abuzimi me alkoolin shkakton vdekje dhe sëmundje më shumë se çfarëdo abuzimi tjetër me substanca që shkaktojnë varësi. Vetëm ekonomisë amerikane, për shembull, i harxhon më shumë se 184 miliardë dollarë në vit.
Pavarësisht nga këto fakte, shumë veta ende vazhdojnë të mos e marrin seriozisht teprimin në të pirë. Ndoshta i pranojnë efektet e dëmshme që sjell ky teprim po të vazhdojë për një kohë të gjatë, por thonë se s’ka asgjë të keqe ta kalosh ndonjëherë masën. Në disa vende të botës, ndër të rinjtë dehja konsiderohet si një rit që duhet kryer për t’u quajtur i rritur. Me gjithë paralajmërimet serioze të organizatave të shëndetësisë, teprimi në të pirë, i cili mund të përkufizohet si pirja e pesë a më shumë gotave njërën pas tjetrës, po shtohet jashtë mase në të gjitha grup-moshat. Pra, është e kuptueshme që shumë njerëz pyesin nëse është vërtet i gabuar teprimi në të pirë. Çfarë thotë Bibla?
Vera dhe pijet e forta, dhurata nga Perëndia
Ka shumë raste në Bibël që përmendet vera dhe pijet e forta. Mbreti Solomon shkroi: «Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua.» (Predikuesi 9:7) Psalmisti e pranoi se Perëndia Jehova është ai që ka siguruar «verën që gëzon zemrën e njeriut». (Psalmi 104:14, 15) Është e qartë se vera është një nga dhuratat që Jehovai ia ka dhënë si bekim njerëzimit.
S’ka dyshim se Jezui e pranonte pirjen e verës. Madje mrekullia e tij e parë ishte kthimi i ujit në verë të shkëlqyer në një dasmë. (Gjoni 2:3-10) Po ashtu, e përdori verën si simbol të përshtatshëm të gjakut të tij, kur themeloi Darkën e Zotërisë. (Mateu 26:27-29) Madje Bibla përmend edhe vetitë kuruese të verës, pasi apostulli Pavël e nxiti Timoteun ‘të përdorte pak verë për shkak të stomakut të tij’.—1 Timoteut 5:23; Luka 10:34.
Çelësi është të pish me masë
Vini re se Pavli e këshilloi Timoteun të pinte vetëm «pak verë». Me fjalë të qarta Bibla e dënon pirjen pa masë të alkoolit. Priftërinjtë judenj mund të pinin me masë kur nuk ishin në detyrë. Por e kishin të ndaluar të pinin pije alkoolike ndërsa merreshin me detyrat e tyre priftërore. (Levitiku 10:8-11) Shumë vjet më vonë, të krishterët e shekullit të parë u paralajmëruan se pijanecët «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—1 Korintasve 6:9, 10.
Gjithashtu, në udhëzimet drejtuar Timoteut, Pavli thotë se ata që marrin drejtimin në kongregacion s’mund të jenë ‘shamataxhinj pijanecë’ ose ‘të jepen pas verës së shumtë’. * (1 Timoteut 3:3, 8) Në të vërtetë, Bibla urdhëron që pijanecët e papenduar të përjashtohen nga kongregacioni i krishterë. (1 Korintasve 5:11-13) Siç e theksojnë me të drejtë Shkrimet, «vera është tallëse». (Fjalët e urta 20:1) Teprimi me pijet alkoolike mund t’ia ulë aftësinë për të treguar vetëkontroll atij që pi dhe t’ia errësojë gjykimin.
Pse Fjala e Perëndisë e dënon pirjen me tepri?
Jehovai, ‘që na mëson për të mirën tonë’, e di se kur e teprojmë në ndonjë gjë, si pasojë dëmtojmë veten dhe të tjerët. (Isaia 48:17, 18) Kjo zbatohet edhe për sa i përket pirjes së pijeve alkoolike. Fjala e Perëndisë pyet: «Për cilin janë ‘ah-ët’, për cilin ‘obobo-të’? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?» Pastaj përgjigjet: «Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.»—Fjalët e urta 23:29, 30.
Kur kanë qenë nën efektin e alkoolit të tepërt, njerëzit kanë bërë shumë gjëra të pamenda e të rrezikshme: i kanë dhënë makinës në gjendje të dehur, duke vënë veten dhe të tjerët në rrezik; janë bërë tepër të përzemërt me bashkëshortin ose bashkëshorten e dikujt tjetër dhe kanë dëmtuar rëndë lidhjet miqësore; kanë folur dhe kanë vepruar në mënyrë të pamend e madje edhe të turpshme. (Fjalët e urta 23:33) Abuzimi me alkoolin është quajtur me të drejtë një nga problemet më të dëmshme shoqërore që ka pllakosur njerëzimin sot. Ja pse Perëndia nxit: «Mos rri mes atyre që pinë verë me tepri!»—Proverbat (Fjalët e urta) 23:20, BR.
Te Galatasve 5:19-21, Pavli i radhit dehjet dhe ahengjet e shfrenuara ndër «veprat e mishit», që janë në kundërshtim me frytin e frymës së Perëndisë. Abuzimi me alkoolin e dëmton marrëdhënien e një njeriu me Perëndinë. Prandaj, është e qartë se të krishterët duhet të shmangin çfarëdo përdorimi pa masë të pijeve alkoolike.
[Shënimi]
^ par. 11 Meqë mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës duhet të jenë shembuj për kopenë në gjykim e në sjellje, duke i shfaqur normat e larta të Jehovait sa më mirë që munden, është e arsyeshme që kjo kërkesë zbatohet edhe për të krishterët e tjerë.