Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burreni, rajoni magjepsës i Irlandës

Burreni, rajoni magjepsës i Irlandës

Burreni, rajoni magjepsës i Irlandës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IRLANDË

JO TË gjithëve u është dukur magjepsës. Disa e kanë konsideruar thjesht si një shkretëtirë shkëmbore djerre. «Aty s’ka ujë as sa për të mbytur një njeri, s’ka drurë as sa për të varur dikë, s’ka dhé as sa për ta varrosur»,​—tha gjenerallejtënanti anglez Edmunt Ladlou ca kohë pas vizitës që bëri atje në vitin 1651.

Por shumicën e vizitorëve e ka bërë për vete. Natyralistët, botanistët, arkeologët, historianët dhe mijëra të tjerë që vizitojnë rregullisht këtë rajon kanë shumë arsye për ta quajtur «një pjesë toke magjepsëse dhe të mrekullueshme». Ku ndodhet ky vend? Pse bën për vete kaq shumë njerëz të ndryshëm?

«Vend shkëmbor»

Rajoni ndodhet në cep të Evropës, në bregun perëndimor të Irlandës, midis shkëmbinjve të famshëm të Moherit në jug dhe Gjirit Goluej në veri. Quhet Burren, emër që vjen nga fjala irlandeze buron, dhe do të thotë «vend shkëmbor».

Peizazhin e mbizotërojnë shkëmbinjtë. Një libër udhërrëfyes thotë se në shumë vende «deri ku të arrin syri, shtrihen sipërfaqe të tëra të sheshta me gur gëlqeror ngjyrë hiri, ku spikatin tek-tuk shkëmbinj të mëdhenj. Këto sipërfaqe duket sikur i ka nxjerrë në shesh ndonjë zhvillim i çuditshëm gjeologjik». Në fakt, e gjithë zona e Burrenit është një depozitim i madh gurësh gëlqerorë që zë rreth 1.300 kilometra katrorë. Pjesa më e madhe e kësaj «sipërfaqeje të zymtë e misterioze si të hënës» duket sikur s’ka fare dhé.

Si «një kaldajë gjigante»

Era dhe shiu i kanë gdhendur sipërfaqet ose pllajat e gurëve gëlqerorë, duke u dhënë forma nga më të çuditshmet, të cilat i japin Burrenit një bukuri të egër e dramatike që është krejt e veçantë. Gjithsesi, nuk ishte bukuria karakteristike e Burrenit që fillimisht i bëri për vete njerëzit që u vendosën aty mijëra vjet më parë. Këtyre njerëzve u interesonte më shumë aftësia e veçantë e Burrenit për të siguruar gjatë gjithë vitit kullota për bagëtitë.

Sipërfaqja e madhe prej guri gëlqeror, e cila është më shumë se 900 metra e thellë në disa vende, vepron si «një kaldajë gjigante, pasi e thith nxehtësinë gjatë verës dhe e lëshon dalëngadalë gjatë dimrit». Kjo, së bashku me ndikimin zbutës të temperaturave të oqeanit, krijonte një mjedis shumë tërheqës për fermerët që u vendosën fillimisht aty.

Ndërtuesit e hershëm në Burren

Brezat e kaluar, siç ishin ata fermerë të hershëm, kanë lënë gjurmët e tyre gjithandej në peizazhin e Burrenit. Aty ka me dhjetëra varre megalitike ose me gurë shumë të mëdhenj, ku ndër më të famshmit është ai i Polnabronit, i ndërtuar shumë kohë para Krishtit. Sigurisht, sot mund të shohim vetëm skeletin e zbrazët të varrit origjinal, vetëm copa të mëdha guri gëlqeror që ndërtuesit e lashtë i përdorën për t’u ndërtuar «të vdekurve të shquar» këtë përmendore. Specialistët thonë se kur ishte ndërtuar fillimisht, ky varr ishte i mbuluar me një pirg shumë të madh gurësh e dheu.

Shumë kohë para se të mbërrinin keltët në Irlandë, banorët e Burrenit kishin lënë gjurmët e tyre me varret prej guri, të cilat kishin një formë të veçantë si pykë. Në vitin 1934, në vendin e quajtur Gleninshin, një djalë i ri gjeti diçka që mendoi se ishte «një send i çuditshëm». Ky send doli se ishte një varëse ari e punuar shumë bukur, e cila tani shihet si «një nga arritjet më të mëdha të argjendarëve irlandezë të epokës së vonë të bronzit».

Këta popuj të lashtë i rrethon një mister i madh. Cilët ishin me saktësi? Çfarë besonin? Pse ngritën ndërtesa si ajo që ndodhet në majën e zhveshur të asaj që sot quhet kodra Thurlou? A ishte ky vend enigmatik një kështjellë e lashtë e ndërtuar në kodër apo një vend i lënë mënjanë si vend i shenjë për ndonjë rit të veçantë fetar? Askush s’e di me saktësi.

Banorët e mëvonshëm ndërtuan shumë shtëpi të fortifikuara mirë, që kishin mure në formë rrethore prej guri ose dheu. Pas tyre, pati të tjerë që ndërtuan shumë kisha, manastire dhe kështjella.

Burreni i nëndheshëm

Edhe nëntoka e Burrenit është një vend magjepsës. Uji ka depërtuar thellë në depozitat poroze të gurit gëlqeror, duke krijuar «një ndër botët më fantastike të nëndheshme të Irlandës». Masivët e gurit gëlqeror janë të mbushur plot me shpella. Shumë nga këto shpella janë ende aktive, domethënë nëpër to kalojnë ende rrëke, lumenj dhe ujëvara. Në një shpellë, të quajtur Pol-an-Ajnon, ndodhet një stalaktit me gjatësi më shumë se 9 metra. Mendohet se ndër stalaktitet që s’takojnë në tokë, ky është më i gjati në Evropë.

Meqë shumë shpella janë të rrezikshme, vizitorët që janë më të kujdesshëm eksplorojnë vetëm shpellën që është më e sigurt e që përdoret si ekspozitë në Burren, shpellën Alui, e vetmja shpellë që mund të vizitohet nga publiku i gjerë. Këtu mund të shihni gjurmët e një kafshe që është zhdukur nga Irlanda prej më shumë se një mijë vjetësh, gjurmët e ariut të murrmë. Duket se arinjtë bënin gjumin e dimrit në këtë shpellë, ku gjatë gjithë vitit temperatura qëndron 10 gradë celsius. Në thellësitë e malit me gur gëlqeror, mund të soditni stalaktite e stalagmite me forma nga më të çuditshmet, si edhe formime të tjera të veçanta shkëmbore. Mundohuni të përfytyroni edhe me çfarë force vërshonte fillimisht uji në këto shpella të veçanta.

Një «metropol botanik»

Ajo që vërtet e bën të veçantë Burrenin është bimësia e jashtëzakonshme që ka. Një shkrimtar thotë se ky terren «është një nga habitatet më të larmishme e më mahnitëse të Evropës». Është një terren që ka edhe bregdet, edhe zonë malore; edhe lëndina, edhe korije. Aty ka me qindra lugina të mbyllura nga të gjitha anët, të formuara mijëra vjet më parë nga fundosja e disa shpellave të Burrenit. Disa liqene të çuditshme, të quajtura turloh, kthehen në lëndina gjatë muajve të verës, kur bie niveli i ujit. Anembanë pllakave gëlqerore, sipërfaqet e gjelbëruara janë të rrethuara me mure prej guri, disa prej të cilave me moshë mijëravjeçare.

Diçka që i jep edhe më shumë larmi këtij habitati mahnitës janë të çarat dhe plasaritjet në sipërfaqet me gur gëlqeror. Këto të çara mund të jenë deri në 2 metra të thella. Nëpër disa të çara janë krijuar ishuj të vegjël e të veçuar dheu, të cilët sigurojnë një mjedis të mbrojtur e të larmishëm ku rriten bimë të çdo lloji.

Botanisti Kilian Rouden thotë se anembanë Burrenit «rriten bimë të rralla e mahnitëse me të njëjtin bollëk që normalisht gjen luledelet ose gjembaçët». Ndonëse në këtë terren bashkëjetojnë më shumë se 600 lloje bimësh, nuk është vetëm bollëku ose larmia e bimëve ajo që e dallon Burrenin. Veçantia qëndron te përzierja e pazakontë e tyre. Për qindra vjet botanistët i ka çuditur dhe i ka pështjelluar «lulëzimi i bimëve të Arktikut, i bimëve alpine dhe i atyre mesdhetare, i bimëve që s’duan tokë gëlqerore dhe i atyre që pëlqejnë këtë lloj toke, të cilat bashkëjetojnë me njëra-tjetrën në këtë cep të vogël të Irlandës Perëndimore».

Në Burren rritet edhe në nivel të detit sanëza e kaltër, kjo lule e bukur e konsideruar si bimë alpine. Pranë njëra-tjetrës rriten bimë arktike, si Dryas octopetala, një shkurrëz me lule të bardha, dhe bimë subtropikale, si fieri i krojeve. Anembanë vendit lulëzojnë më shumë se 20 lloje orkidesh. Gjithashtu ka me bollëk zhumbricë, lëpjetë, rrukë gjakoshare, thuapulë, armeri bregdetare, e shumë e shumë bimë të tjera. Burreni e meriton plotësisht përshkrimin që i bëhet si «metropol botanik».

Që është shkëmbor si terren, kjo është e vërtetë. Megjithatë, Burreni nuk është kurrsesi një tokë djerre. Në të shpaloset bukuria dhe shumëllojshmëria e krijimit. Është një vend që të vë në punë mendjen, të kënaq shqisat, të zgjon imagjinatën dhe të bën të ndihesh mirë. Ejani në Irlandë dhe shikoni Burrenin magjepsës!

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

IRLANDA E VERIUT

IRLANDË

Rajoni i Burrenit

[Figura në faqen 23]

Pamje panoramike e Burrenit

[Figura në faqen 23]

Shkëmbinjtë e Moherit bien pingul nga një lartësi 200 metra në oqeanin Atlantik

[Figura në faqen 23]

Fotografia e vogël: Edhe nëntoka e Burrenit është një vend magjepsës

[Burimi]

Me mirësjelljen e Aillwee Caves

[Burimi i figurës në faqen 22]

Me mirësjelljen e www.burrenbeo.com

[Burimi i figurës në faqen 24]

Lulet: Me mirësjelljen e www.burrenbeo.com