Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dita kur Kanberra mori flakë

Dita kur Kanberra mori flakë

Dita kur Kanberra mori flakë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

NË DATËN 18 janar 2003, banorët e Kanberrës, kryeqytetit të Australisë, kur u zgjuan, vunë re një ndriçim të kuqërremtë e misterioz. Një re e dendur tymi e kishte kthyer diellin e mëngjesit në një top të kuq flakë. Ajri ishte i nxehtë, i thatë dhe mbytës. Australinë e kishte mbërthyer keq thatësira, e cila i kishte përzhitur pemët, gjethet dhe shkurret. Për javë të tëra, zjarri kishte bërë kërdinë në pyjet e mëdha me eukalipt që rrethonin qytetin.

Gjatë pasdites, shkulma ere të nxehtë bënë të ndodhte ajo që s’ia priste mendja askujt. Zjarri kaloi edhe pengesat që i ishin vënë dhe u vërsul mbi pyjet me pisha që ndodheshin në anën jugperëndimore të Kanberrës.

Pylli shpërthen në flakë

Elioti, një zjarrfikës vullnetar, thotë: «Në orën 3.00 pasdite, pyjet me pisha morën flakë me një egërsi të tillë, saqë deri aty ku ishim ne dhe te rrethinat përreth ranë si breshër thëngjij të ndezur. Ishte e tmerrshme të shihje një mur flakësh 40 metra të lartë që vinte me vrull drejt nesh.» Nxehtësia e skajshme dhe shkulmat e erës formuan dukuri moti krejt të veçanta, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri që u turr mbi rrethinën e Çapmanit me një shpejtësi të frikshme dhe shkuli pemë me rrënjë e shkatërroi shtëpi. Shumë shtylla elektrike u dogjën ose u thyen, duke rrëzuar përtokë tela elektrikë që kishin ende rrymë. Vetëm brenda një ore ishin shkatërruar 230 shtëpi.

Skuadrat e zjarrfikësve ndiheshin të pafuqishme përballë forcës shkatërruese të kësaj dukurie. Elioti thotë: «Na copëtohej zemra kur shihnim shtëpitë tek i përpinin flakët, sepse na duhej të zgjidhnim cilat shtëpi të përpiqeshim të shpëtonim e cilat t’ua linim flakëve. Por edhe më e dhembshme ishte të shihje njerëz të hidhëruar e me lot në sy që ktheheshin aty ku më parë kishin pasur shtëpinë.»

Pasojat

Katër njerëz vdiqën nga flakët dhe qindra të tjerë u plagosën. Një nga viktimat, një grua 36-vjeçare, u kthye me vrap në shtëpi për të shpëtuar fotografitë. Çatia e shtëpisë u rrëzua, duke e zënë brenda. S’mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.

Kur më në fund erërat dhe flakët u fashitën, ishin shkatërruar 530 shtëpi dhe kishin mbetur të pastrehë 2.500 veta. Rrjeti elektrik, i gazit dhe sistemi i ujërave të zeza ishin dëmtuar rëndë, duke krijuar shqetësime për shëndetin. Dhomat e urgjencës në spitalin e Kanberrës u mbushën me njerëz që kishin probleme me frymëmarrjen. Mjerisht, ndërsa njerëzit vraponin drejt qendrave të evakuimit, kriminelë të pashpirt filluan të plaçkitnin shtëpitë e mbetura bosh. Por, nga ana tjetër, pati edhe shumë lajme për heroizmin dhe dashamirësinë që shfaqën njerëzit. Fqinjët ndihmuan njëri-tjetrin, njerëz të panjohur shpëtuan kafshë, shkollat hapën dyert për të pastrehët dhe zjarrfikës vullnetarë mbrojtën ndërtesat e të tjerëve, ndërkohë që humbën shtëpitë e tyre.

Pemët me kalimin e kohës do të rriten përsëri, shtëpitë do të rindërtohen, por, siç tha kryeministri Xhon Hauard, pasojat e këtij shkretimi ‘nuk do t’u shlyhen nga kujtesa banorëve të Kanberrës’.

[Burimi i figurës në faqen 25]

Fotografi e AP-së/Fairfax, Pat Scala