Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta bërthamore: A është ende një kërcënim?

Lufta bërthamore: A është ende një kërcënim?

Lufta bërthamore: A është ende një kërcënim?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Japoni

«Çdo njeri që arsyeton ia ka frikën luftës bërthamore, por çdo komb me teknologji të përparuar bën plane për këtë luftë. Të gjithë e dinë se është një çmenduri e megjithatë çdo komb e ka një justifikim për të.»​—Karl Segan, astronom.

MË 6 GUSHT 1945, një aeroplan ushtarak amerikan hodhi një bombë atomike në Hiroshimë, Japoni, dhe brenda një çasti u vranë me mijëra njerëz e u shkatërruan shumë prona. Kjo ishte bomba e parë atomike që përdorej në luftë. Shpërthimi i saj rrafshoi 13 kilometra katrorë të atij qyteti me 343.000 banorë. Më shumë se dy të tretat e ndërtesave të qytetit u shkatërruan, duke lënë të paktën 70.000 të vdekur dhe 69.000 të plagosur. Tri ditë më vonë u hodh një bombë e dytë atomike, kësaj radhe në Nagasaki, duke lënë 39.000 të vrarë e 25.000 të plagosur. Afro gjysma e ndërtesave të qytetit u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë. Kurrë më parë në historinë njerëzore s’ishte përdorur një armë kaq e fuqishme. Bota kishte ndryshuar. Kishte hyrë në epokën bërthamore. S’kaluan veçse disa vjet dhe Shtetet e Bashkuara, ish-Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca dhe Kina krijuan bombën me hidrogjen, që ishte shumë më shkatërrimtare.

Lufta e Ftohtë, pra rivaliteti ndërmjet vendeve komuniste dhe atyre jokomuniste, nxiti më tej zhvillimin e armëve bërthamore dhe të sistemeve të lëshimit të tyre, që sa vinin e bëheshin më të sofistikuara. Botën e zuri frika kur u krijuan ICBM-të (raketat ndërkontinentale balistike), nëpërmjet të cilave armët bërthamore tashmë mund ta sulmonin një objektiv në vende që ishin më shumë se 5.600 kilometra larg, jo më brenda disa orëve, por brenda disa minutave. Nëndetëset u pajisën me raketa bërthamore që do të mjaftonin për të shkatërruar 192 objektiva. Kishte një periudhë kohe që, sipas llogaritjeve, arsenali i armëve bërthamore arrinte deri në 50.000 mbushje bërthamore. Gjatë Luftës së Ftohtë, njerëzimin e ndante një fije peri nga ajo që disa e quanin fundi i botës me anë të një lufte bërthamore, luftë pa fitimtarë.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë

Gjatë viteve 70 të shekullit të 20-të, tensioni i krijuar nga Lufta e Ftohtë u ul pak, «siç u bë e dukshme në marrëveshjet SALT I dhe SALT II [Bisedime për Kufizimin e Armëve Strategjike]»,​—shpjegon The Encyclopædia Britannica. «Në këto marrëveshje, dy superfuqitë vendosën kufij për sa u përket raketave antibalistike që zotëronin dhe raketave strategjike që mund të mbartnin armë bërthamore.» Pastaj, në fund të viteve 80 pati një zbutje të Luftës së Ftohtë e cila më pas përfundoi.

«Përfundimi i Luftës së Ftohtë ngjalli shpresën se garës së gjatë të armatimit bërthamor dhe përplasjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po i vinte fundi»,​—thotë një raport nga organizata Carnegie Endowment for International Peace. Si pasojë e përpjekjeve për çarmatimin bërthamor, vitet e fundit janë zbërthyer me qindra arsenale bërthamore. Në vitin 1991, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan Traktatin për Pakësimin dhe Kufizimin e Armëve Strategjike Ofensive. Në këtë traktat, për herë të parë dy superfuqitë bërthamore detyroheshin jo vetëm t’i kufizonin, por edhe t’i pakësonin deri në 6.000 secila mbushjet bërthamore që janë gati për sulm. Në fund të vitit 2001, të dyja palët shpallën se e kishin respektuar këtë traktat, duke i pakësuar mbushjet bërthamore strategjike sipas marrëveshjes. Më tej, në vitin 2002 u nënshkrua Traktati i Moskës, i cili i detyron kombet që brenda dhjetë viteve të ardhshme të eliminojnë nga 1.700 deri në 2.200 mbushje bërthamore të tjera.

Mirëpo, pavarësisht nga këto zhvillime, «tani as që bëhet fjalë që ta flemë mendjen për sa i përket kërcënimit të luftës bërthamore»,​—tha Kofi Anan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ai shtoi: «Konflikti bërthamor mbetet një mundësi shumë reale, si edhe shumë tmerruese, në këtë fillim të shekullit të 21-të.» Mjerisht, edhe sot e kësaj dite ekziston ende kërcënimi i një katastrofe bërthamore shumë më të rëndë se ajo që ndodhi në Hiroshimë e në Nagasaki. Cilët përbëjnë kërcënim? Ç’është më e rëndësishmja, a mund të shmanget kjo katastrofë?