Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shfaqja më e madhe me balona në botë

Shfaqja më e madhe me balona në botë

Shfaqja më e madhe me balona në botë

ÇDO vit në tetor, për nëntë ditë me radhë qyteti i Albukërkit, Nju-Meksiko (SHBA) ka një problem të pazakontë me trafikun. Shoferët ngadalësojnë shpejtësinë ose ndalojnë fare për të parë grupe të mëdha balonash me ngjyra të ndezura që mbushin qiellin e kthjellët të vjeshtës. Ky është Festivali Ndërkombëtar Kodak i Balonave në Albukërk, i cili zhvillohet çdo vit. Më shumë se 800.000 vizitorë vijnë për të parë këtë shfaqje.

S’duhet shumë për të kuptuar pse ngadalësohet trafiku. Përfytyroni ç’spektakël të shfaqet para syve! Qindra balona, zakonisht 15 deri në 25 metra të larta, që ngjiten së bashku lart në qiell, në ajrin e freskët të mëngjesit, pastaj përkunden nga flladet e lehta përgjatë lumit Rio Grande dhe dalin nga qyteti i Albukërkit. Në sfond panoramën magjepsëse e plotësojnë malet piktoreske Sandia, rreth 3.000 metra të larta.

Festivali ka pasur një rritje të jashtëzakonshme që kur filloi në një park makinash në vitin 1972, vetëm me 13 balona. Në vitin 1978, tashmë me 273 balona konkurruese, ishte bërë shfaqja më e madhe me balona në botë. Në vitin 2003 u regjistruan për të marrë pjesë më shumë se 720 balona. Ekipet e balonave erdhën nga shumë shtete të SHBA-së, si edhe nga 20 shtete të tjera. Përfaqësues të medias nga shumë agjenci, si edhe fotografë të panumërt, bënë që ky festival të fitonte famën si «ngjarja më e fotografuar në botë». Në vitin 2000, për të festuar mijëvjeçarin e ri morën pjesë më shumë se 1.000 balona, rreth 20 për qind e gjithë balonave që njihen në botë.

Si funksionojnë balonat?

Shumica e balonave që marrin pjesë në këtë festival ngrihen në qiell pasi mbushen me ajër të nxehtë i cili ngrohet nga motori me gaz propan që ndodhet në grykën e balonës. Balonat bëhen me një pëlhurë sintetike të lyer me poliuretan për të pakësuar sa më shumë daljen e ajrit. Në çdo balonë vendoset edhe një kosh ku qëndron piloti dhe ndonjë pasagjer. Balona fryhet me dy faza. Së pari, me një ventilator të madh fryhet ajër i ftohtë në balonën që është e shtrirë përtokë. Pastaj, motori me propan lëshon ajër të nxehtë brenda balonës pjesërisht të fryrë. Ajri i nxehtë e bën balonën të ngrihet drejt, por ajo është e lidhur mirë në tokë derisa piloti të jetë gati për nisje. Pasi balona të jetë ngritur në ajër, piloti mund ta ngjitë më lart duke aktivizuar motorët dhe duke shtuar kështu ajër të nxehtë. Për të zbritur, mjafton që ta lërë ajrin të ftohet ose të hapë një dritare të vogël në majë të balonës, që ajri i nxehtë të dalë jashtë.

Gjatë festivalit, balonat me ajër të nxehtë normalisht mbajnë me vete aq gaz propan, sa të qëndrojnë në ajër vetëm disa orë, zakonisht jo më lart se 600 metra. Prandaj, ekipet e balonave, ku përfshihet edhe një grup i cili e ndjek balonën që nga toka, duhet të jenë vigjilentë për të gjetur vende të përshtatshme uljeje. Piloti dhe ekipi kërkojnë ndonjë terren të hapur, pa kabllo elektrike dhe larg rrugëve të ngarkuara me trafik.

Disa balona të tjera që marrin pjesë në festival mbushen me helium ose me hidrogjen. Ndryshe nga ato që mbushen me ajër të nxehtë, këto balona me gaz mund të rrinë në ajër për ditë të tëra. Ekipet e balonave me gaz bëjnë gara me njëri-tjetrin për të parë kush mund të fluturojë më larg, duke udhëtuar në lartësi 3.000 deri në 4.500 metra.

Ç’është e vërteta balonat s’i drejton dot, ato lëvizin sipas drejtimit të erës. Gjithsesi, një pilot i zoti mund ta kontrollojë drejtimin duke e ngjitur lart ose duke e zbritur poshtë balonën për të kapur rrymat e ajrit që janë në drejtimin që dëshiron ai. Për këtë, Albukërki është vendi ideal për të fluturuar me balonë. Malet përreth dhe lugina e lumit krijojnë një kombinim të veçantë erërash. Kështu erërat që fryjnë poshtë i shtyjnë balonat në një drejtim dhe për t’u kthyer mbrapsht mund të përdoren erërat që fryjnë lart.

Një ngjarje emocionuese

Më shumë se 2.000 vullnetarë punojnë që festivali të dalë me sukses dhe të mos ketë rreziqe. Ai që koordinon këtë ngjarje të ndërlikuar është një punonjës që quhen balonmaestër. Puna e tij për të drejtuar ngritjen e qindra balonave nga toka është pak a shumë si të koordinosh një aeroport të madh. Mendoni çfarë skene! Kur balonat fillojnë të ngjiten lart, larmia e ngjyrave dhe e formave nga më të mahnitshmet entuziazmon spektatorët, të rritur e fëmijë, që shohin të mrekulluar. Shiko atje! Ja një balonë me formën e bretkosës, një tjetër me formë ariu dhe një tjetër si lepur! Ja ku po fluturon një dinozaur i vogël, një lopë gjigante fluturuese, dy derrkucë me krahë, një peshk i artë me emrin Sushi, një kuti me kloun, një kanaçe e stërmadhe fluturuese si ato të pijeve, një çizme kaubojsi, një tufë me speca djegës të kuq, e shumë e shumë forma të tjera.

Duke parë gjithë këto ngjyra e forma që kanë si sfond qiellin e kaltër e të shndritshëm, fotografët mund të harrohen pas fotografive! Mbrëmja sjell një tjetër panoramë të mrekullueshme: në qiellin e errët shikon qindra balona të shpërndara që ngjajnë si qirinj të vendosur në fenerë letre.

Ndoshta pak prej nesh mund ta shohin me sytë e tyre festivalin e balonave ose të kenë përvojën entuziazmuese që të bëjnë një xhiro me balonë. Por, duke parë këto figura, të paktën mund t’i jepni flatra imagjinatës suaj, duke u ngjitur në qiellin e vjeshtës mbi Albukërk.

[Figurat në faqen 18]

1. Çdo balonë ka nevojë për një ekip prej katër deri tetë vetash që ta ndjekë që nga toka

2. Motori me propan fryn ajër të nxehtë që shërben për t’u ngjitur lart

3. Natën balonat krijojnë një vezullim të ëmbël

4. Balona me forma nga më të ndryshmet

[Burimi]

Fotografitë 1 dhe 2: Raymond Watt/Alburquerque International Balloon Fiesta