Si jetojnë mbi re?
Si jetojnë mbi re?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BOLIVI
QETËSIA, pamjet madhështore dhe mundësia për të ecur, për t’u ngjitur dhe për ski tërheqin shumë pushues drejt maleve. Veç kësaj ka edhe miliona njerëz që jetojnë nëpër lugina e rrafshnalta të cilat janë më lart se shumë re. Megjithatë, jetesa në këto lartësi mund të shkaktojë efekte të çuditshme në shëndetin e njerëzve ose te makinat, apo edhe në gatim. Cili është burimi i këtyre problemeve dhe si mund të zgjidhen? Para së gjithash, a ka vërtet kaq shumë njerëz që jetojnë lart në male?
Shumë zona malore sot janë bërë zona ku ka zhvillim ekonomik. Miliona banorë të qytetit Meksiko jetojnë në më shumë se 2.000 metra mbi nivelin e detit. Denveri në Kolorado (SHBA); Najrobi në Kenia, si edhe Johanesburgu në Afrikën e Jugut, ndodhen në lartësi më shumë se 1.500 metra. Miliona njerëz jetojnë në Himalaja, në lartësi mbi 3.000 metra. Në Ande, ka disa qytete të mëdha që ndodhen më shumë se 3.300 metra mbi nivelin e detit e, po ashtu, ka njerëz
që punojnë në miniera që janë 6.000 metra lart në male. Me kaq shumë veta që jetojnë në zona malore, kuptohet pse i është kushtuar rëndësi studimit të mënyrës se si përshtatet trupi me jetën atje. Gjërat që janë zbuluar mund të na e thellojnë çmueshmërinë për mënyrën e mrekullueshme si është krijuar trupi.Çfarë mund të ndodhë?
Ndjesia që pati Dagu kur mbërriti lart në Ande është tipike e atyre që shkojnë në male. Ai thotë: «Kur po merrja valixhet në aeroport, papritur m’u morën mend dhe gati sa s’më ra të fikët. Kjo gjendje kaloi shpejt, por, gjithsesi, për nja dy javë kisha dhembje koke dhe shqetësime në gjumë. Zgjohesha papritur se më dukej sikur po mbytesha. Pastaj, për afro dy muaj, s’kisha shumë oreks, lodhesha shpejt dhe doja më shumë gjumë.» Keti, e shoqja, shton: «Më parë mendoja se gjithë ato gjëra që thoshin njerëzit për problemet që kishin me lartësinë ishin thjesht në imagjinatën e tyre. Tani e di që nuk është kështu.»
Shqetësimet në gjumë që kishte Dagu mjekët i quajnë ‘frymëmarrje periodike’. Është diçka që u ndodh pothuajse të gjithë atyre që sapo mbërrijnë në zona malore. Por mbase po të na ndodhë neve vetë, do ta quajmë ‘të frikshme’. Ja çfarë ndodh: herë pas here, ndërsa je në gjumë, nuk merr më frymë për disa sekonda. Nganjëherë kjo të bën të zgjohesh papritur, ngaqë ke mbetur pa frymë.
Disa njerëz s’kanë asnjë problem kur shkojnë në zonat malore. Disa të tjerë kanë reagime të pakëndshme në 2.000 metra lartësi, siç ndodh me pothuajse gjysmën e vizitorëve kur janë në lartësinë 3.000 metra. Madje është interesante se edhe njerëzit që kanë lindur e jetojnë në zona malore, kur kthehen në shtëpi pasi kanë qenë vetëm një ose dy javë në zona fushore, shpesh kanë po këto reagime. Përse?
Pse lartësia ndikon te trupi?
Shumicën e problemeve e shkakton pakësimi i sasisë së oksigjenit. Sa më lart të shkosh, aq më i ulët është presioni atmosferik, kështu që në lartësinë 2.000 metra mbi nivelin e detit një vëllim i caktuar ajri ka rreth 20 për qind më pak oksigjen, kurse në lartësinë 4.000 metra, ajri ka 40 për qind më pak oksigjen. Pakësimi i oksigjenit vështirëson shumicën e funksioneve të organizmit. Muskujt bëjnë më pak punë, sistemi nervor duron më pak stres dhe aparati tretës nuk arrin ta përpunojë edhe aq mirë yndyrën. Normalisht, kur trupi ka nevojë për më shumë oksigjen, vetvetiu filloni të merrni frymë më rëndë dhe plotësoni këtë nevojë. Por, atëherë, pse nuk ndodh kjo kur mbërrin në një zonë malore?
Mënyra si e kontrollon trupi shpeshtësinë e frymëmarrjes është një mrekulli që ende nuk kuptohet plotësisht. Por, kur e ushtrojmë trupin, frymëmarrja e rënduar nuk shkaktohet thjesht nga pakësimi i oksigjenit. Përkundrazi, duket se faktor kyç për këtë është dyoksidi i karbonit që prodhohet nga aktiviteti i muskujve e që depozitohet në gjak. Vërtet që marrim frymë pak më me vështirësi kur jemi në lartësi, por jo aq sa për të kompensuar sasinë e paktë të oksigjenit që është e vazhdueshme.
Nga se shkaktohet dhembja e kokës? Një orator në Kongresin e Parë Botëror të Mjekësisë dhe Fiziologjisë për Zonat Malore, të mbajtur në La Paz, Bolivi, shpjegoi se shumë simptoma të sëmundjes së lartësisë vijnë nga grumbullimi i lëngjeve në tru. Te disa njerëz kjo shkakton presion brenda në kokë. Disa të tjerë nuk i kanë këto simptoma, me sa duket, për shkak të përmasave të kafkës së kokës. Gjithsesi, në raste të rralla, mund të zhvillohet një gjendje kërcënuese për jetën. Humbja e kontrollit të muskujve, shikimi i mjegulluar, halucinacionet dhe pështjellimi mendor janë paralajmërime që të kërkoni menjëherë ndihmën mjekësore dhe të zbritni në lartësi më të ulët.
Bëni mirë të merrni masa paraprake
Efektet e lartësisë arrijnë kulmin aty nga dita e dytë ose e tretë, prandaj, disa ditë para dhe disa ditë më pas, kur të mbërrini në ndonjë vend malor, është mirë të hani gjëra të lehta, sidomos në darkë. Pasi keni mbërritur nuk duhet të hani ushqime me yndyrë, por karbohidrate, siç janë orizi, tërshëra dhe patatet. Mund të jetë mirë edhe t’i kushtoni vëmendje këshillës: «Haje mëngjesin si mbretërit, darkën si lypësit.» Gjithashtu, mos e ushtroni shumë trupin, pasi kjo mund të shkaktojë ndonjë krizë të rëndë të
sëmundjes së lartësisë. Ndoshta ngaqë të rinjtë kanë prirjen të mos ia vënë veshin kësaj këshille, shpesh ata vuajnë më shumë.Një këshillë tjetër e mirë është, «vër kapele dhe një shtresë të mirë kremi kundër diellit», pasi shtresa e atmosferës është më e hollë dhe të mbron më pak nga rrezet e dëmshme të diellit. Ato rreze mund t’i acarojnë ose edhe t’i dëmtojnë sytë, prandaj përdorni syze dielli të mira. Po ashtu, edhe ajri i rralluar i malit i than lëngjet e syve, duke i acaruar edhe më tej. Prandaj këshillohet të pini shumë lëngje.
Mjekët kanë paralajmëruar se njerëzit që janë shumë mbi peshë ose që kanë probleme shëndetësore të tilla, si tensioni i lartë, anemia falciforme, sëmundje të zemrës a të mushkërive, duhet të bëjnë një vizitë mjekësore të hollësishme para se të vendosin të shkojnë në ndonjë zonë malore. * Po të jeni rëndë me grip, me bronkit ose me pneumoni, është më e mençur ta shtyni për më vonë udhëtimin, pasi lartësitë, së bashku me ndonjë infeksion të rrugëve të frymëmarrjes ose ushtrimet e rënda fizike, mund të shkaktojnë përqendrim të lëngjeve në mushkëri që mund të jetë gjë e rrezikshme. Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes mund t’i bëjnë edhe ata që kanë banuar për shumë kohë në lartësi të vuajnë nga sasia e paktë e oksigjenit dhe të kenë probleme të rënda shëndetësore. Nga ana tjetër, ata që vuajnë me azëm shpesh ndihen më mirë kur janë në lartësi. Në fakt, në Kongresin e Parë Botëror të Mjekësisë dhe Fiziologjisë për Zonat Malore një grup mjekësh rusë raportuan se pacientët me disa sëmundje të caktuara i çojnë për terapi në një klinikë në zonë malore.
Kur vendoseni me banim në zona malore
Jetesa në zonat malore s’ka pse t’ju trembë. Në fakt, disa zona malore si malet Kaukaz, janë të famshme për numrin e banorëve që kanë jetuar jashtëzakonisht shumë. Disa njerëz kanë jetuar në lartësi shumë të mëdha për vite të tëra. Një lexues i revistës Zgjohuni! në Ande tregon: «Kam jetuar e kam punuar për 13 vjet në një minierë 6.000 metra lart, pranë majës së një vullkani. Ishte punë e rëndë të thyeje blloqe squfuri me varé. Megjithatë, në fund të ditës, luanim futboll.» Trupi njerëzor është i pajisur me aftësi kaq të jashtëzakonshme për t’u përshtatur me kushtet e reja, saqë mrekullohemi me mençurinë e Krijuesit tonë. Si përshtatet trupi me pakësimin e oksigjenit në lartësi të mëdha?
Reagimi i parë i trupit kur shkon në lartësi të mëdha është që zemra dhe mushkëritë fillojnë të punojnë më shpejt. Pastaj gjaku humbet plazmë, duke shkaktuar një përqendrim të rruazave të kuqe që mbartin oksigjen. Brenda pak kohe trurit i shkon më shumë gjak, pasi aty nevojitet më shumë. S’kalojnë veçse disa orë dhe palca e
kockave tashmë ka filluar të prodhojë rruaza të kuqe më me shumicë, të cilat mund të jenë më të afta për të mbartur oksigjen. E gjithë kjo nënkupton që ndonëse mund të duhen disa muaj që të mësoheni plotësisht me lartësitë, brenda vetëm pak ditësh rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja ka mundësi të normalizohen.Probleme me motorin e makinës dhe me gatimin
Por puna është se nga rënia e sasisë së oksigjenit nuk vuan vetëm trupi ynë. Edhe motori i makinës duket si i plogësht. Ndonëse mekaniku mund t’jua rregullojë përzierjen ndezëse dhe t’jua përshpejtojë kohën e ndezjes, prapëseprapë motori do të ketë më pak fuqi. Po në kuzhinë ç’ndodh?
Disa nga gjërat që mund t’ia prishin ditën një kuzhinieri janë: keku që s’fryhet, buka që thërrmohet, fasule që nuk ziejnë dhe vezët surbull. Pse ndodhin këto gjëra dhe ç’mund të bëni?
Gatimet që s’dalin mirë ndodhin më shpesh dhe duken më shumë kur pjek diçka. Presioni i ulët i ajrit bën që gazet që fryjnë brumin për bukë e për kek të fryhen më shumë sesa në nivelin e detit. Flluskat e vogla që formohen në brumin e bukës a të kekut bëhen të mëdha duke i bërë të thërrmueshme këto ose, më keq akoma, flluskat mund të pëlcasin, kështu që keku bie. Por ky nuk është një problem i vështirë. Në qoftë se për të fryrë kekun po përdorni vezë të rrahura, thjesht mos i rrihni shumë vezët. Ose, në qoftë se receta përfshin maja, përdorni më pak sesa thuhet aty. Në Librin e ri të gatimit për zonat malore (anglisht) rekomandohet 25 për qind më pak maja në lartësinë 600 metra, e deri në 75 për qind më pak maja në lartësinë 2.000 metra.
Kur bëni kuleçë me maja, kini kujdes që brumi të mos fryhet më shumë se dyfishi i tij. Meqë vezët e forcojnë brumin e kekut, kur të përshtatni recetën përdorni vezë më të mëdha se të zakonshmet. Nga ana tjetër, sheqeri i shumtë e dobëson brumin, prandaj përdorni më pak, pasi presioni i ulët i ajrit e përqendron sheqerin në brumin e kekut duke e avulluar më shpejt ujin. Faktikisht, shumica e recetave kërkojnë të përdoren më tepër lëngje, sepse ajri i thatë dhe i rralluar i malit ia heq lagështinë ushqimit.
Në zonat malore pothuajse të gjitha ushqimeve u duhet më shumë kohë për t’i gatuar. Për shembull, në lartësi 1.500 metra vezës i duhet një minutë më shumë që të ziejë dhe në lartësi 3.000 metra, i duhen tre minuta më shumë. Do t’ju hyjë shumë në punë tenxherja me presion, sepse në lartësi të mëdha, për shembull, s’i gatuan dot fasulet dhe bizelet pa një të tillë.
Pra, mos kini frikë të bëni një udhëtim në zona malore. Ndoshta do t’ju duhet të gulçoni për pak kohë, ndoshta keku do të duket më shumë si petull e hollë, ndoshta makina mund të ecë si ndonjë breshkë me artrit, por në qoftë se keni shëndet të mirë, me siguri do t’ju pëlqejë shumë kjo përvojë.
[Shënimi]
^ par. 16 Disa mjekë sugjerojnë përdorimin e acetazolamidit për të stimuluar frymëmarrjen në lartësi shumë të mëdha. Reklamohen edhe disa ilaçe të tjera kundër sëmundjes së lartësisë, por jo të gjithë mjekët i rekomandojnë ato.
[Diagrami dhe figurat në faqet 12, 13]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Male dhe qytete në lartësi të mëdha nëpër botë
—9.000 metra—
Mali Everest, Nepal dhe Kinë
8.850 metra
—7.500 metra—
—6.000 metra—
Mali Kilimanxharo, Tanzani
5.895 metra
Aukankilça, Kili
5.346 metra
Mali i Bardhë, Francë
4.807 metra
—4.500 metra—
Potosí, Bolivi
4.180 metra
Puno, Peru
3.826 metra
Mali Fuxhi, Japoni
3.776 metra
La Paz, Bolivi
3.625 metra
—3.000 metra—
Trongsa-Zong, Bhutan
2.398 metra
Meksiko, Meksikë
2.239 metra
Mali Uashington, Nju-Hampshir (SHBA)
1.917 metra
Najrobi, Kenia
1.675 metra
Denver, Kolorado (SHBA)
1.609 metra
—1.500 metra—
—Niveli i detit—
[Figura në faqen 10]
La Paz, Bolivi 3.625 metra
[Figura në faqen 10]
Johanesburg, Afrika e Jugut 1.750 metra