Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dunat bregdetare mbresëlënëse të Polonisë

Dunat bregdetare mbresëlënëse të Polonisë

Dunat bregdetare mbresëlënëse të Polonisë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Poloni

ZAKONISHT nëpër piktura, fshatrat e Polonisë paraqiten si peizazhe ku mbizotëron e gjelbra e thellë e arave të ujitura mirë, e fushave dhe e pyjeve. Por, a e dini se Polonia ka edhe një peizazh mbresëlënës me duna të bardha e të valëzuara që mund të shihen edhe nga hapësira kozmike? E kufizuar brenda një brezi 18 kilometra të gjatë në bregdetin e Baltikut, kjo zonë, që i ngjan një shkretëtire, është një nga veçoritë më të famshme të Parkut Kombëtar të Slovinskit.

Një burim zyrtar thotë se atje «deti, liqenet, lumenjtë, dunat, pyjet, kënetat me torfë dhe livadhet kufizohen me njëra-tjetrën e formojnë një mozaik mjedisesh të ndryshme. . . . Vetëm këtu ndodh që dunat të shkojnë deri në buzë të liqeneve e në hyrje të pyjeve». Vërtet, kjo zonë e parkut me duna të lëvizshme, që quhen dunat e bardha ose kodrat e bardha, dhe me liqenet e cekëta është unike në të gjithë Evropën.

Këto pirgje të mëdha me rërë të bardhë e të verdhë, që lëvizin pa u penguar nga bimësia, formojnë zonën më të madhe të këtij lloji në Evropë​—rreth 500 hektarë. Simboli zyrtar i Parkut Kombëtar të Slovinskit, një pulëbardhë që po fluturon mbi një dunë të verdhë dhe ujin blu, i përshtatet më së miri atij.

Dunat më të shumta në park, por dhe më pak tërheqëse, janë të ashtuquajturat duna gri. Ato janë më të vjetra se dunat e bardha dhe janë të mbuluara me bar e pemë që ndihmojnë në formimin e shtresës së dheut. Përveç kësaj e bëjnë të qëndrueshme rërën, duke e mbajtur atë dhe duke shërbyer si mburojë ndaj kushteve të motit. Madje një dunë gri shquhet si më e larta e të gjitha dunave të parkut. Ajo quhet duna Çolpino dhe është gati 55 metra e lartë.

Kur shohin dunat, sidomos hapësirën e gjerë me duna të bardha e që zhvendosen, shumë prej vizitorëve pyesin natyrshëm: «Nga erdhi e gjithë kjo rërë? Pse u mblodh gjithë kjo sasi e madhe rëre në këtë zonë pak a shumë të vogël të bregdetit të Baltikut?»

Lindja e dunave

Ndonëse studiuesit nuk kanë një përgjigje të prerë për pyetjet e mësipërme, provat flasin për ndikimin e njeriut. Shkencëtarët kanë arritur në këtë përfundim, duke studiuar pjalmin e ruajtur në shtresat e ndryshme të dheut në park, të cilat quhen «dhé fosil». Studimet e tyre kanë zbuluar se zona, që tani është zënë nga dunat, dikur ishte e mbuluar me pyje, sidomos me dushqe. Pra, çfarë e shkaktoi këtë ndryshim rrënjësor të peizazhit?

Mendohet se para erës sonë, zona të mëdha me pyje bregdetare u rrënuan nga zjarret shkatërrimtare që erdhën si pasojë e veprimtarisë së fiseve që banonin në këtë rajon. «Rëra, që dikur pyjet nuk e linin të lëvizte, për herë të parë filloi të zhvendosej»,​—thuhet në librin Parku Kombëtar i Slovinskit (anglisht). Megjithatë, siç tregohet nga studimi i pjalmit, pyjet nisën të rriteshin sërish, në fillim ahet dhe më vonë pishat.

Por pastaj, gjatë mesjetës, për ndonjë arsye që nuk dihet, dunat u zgjuan nga gjumi dhe nisën sërish marshimin. Madje në shekullin e 16-të, ato rrezikuan të përpinin qytetin e vjetër të Lebës. Prandaj njerëzit ndërtuan një qytet tjetër, larg zonës së rrezikut, por përpjekjet e tyre vetëm sa i keqësuan gjërat. Në librin Parku Kombëtar i Slovinskit thuhet: «Ndërtimi i qytetit dhe i portit solli një prerje masive të pemëve, por me sa duket, askush nuk ishte i vetëdijshëm për pasojat.» Gjithashtu, në libër thuhet se prerja e pemëve «bëri që dunat të lëviznin me një shpejtësi si kurrë më parë». Duke u zhvendosur nga 3 deri në 10 metra në vit, rëra shtegtare mbuloi fshatra, fusha, livadhe e madje edhe pyje.

Nga erdhi rëra?

Ndoshta njerëzit kanë luajtur rol në ndryshimin e peizazhit, por nuk e sollën ata rërën. Atëherë, nga erdhi ajo? Dhe, a vazhdon ende ky proces? Përgjigjet mund të tregojnë se ç’do t’i ndodhë parkut në të ardhmen.

Studiuesit mendojnë se një pjesë të rërës mund ta kenë transportuar lumenjtë nga brendësia e vendit drejt detit. Një burim tjetër rëre mund të jetë vetë vija bregdetare, ku veprimi i dallgëve i gërryen vazhdimisht faqet e shkëmbinjve, një proces që quhet abrazion. Për shembull, përgjatë një zone të bregut të detit Baltik, dallgët formojnë një kënd 45 gradë me bregun, duke e gërryer ngadalë faqen e shkëmbit dhe duke e çuar rërën tutje. Si pasojë, në fundin e detit grumbullohet rërë.

Në mënyra që ende nuk kuptohen plotësisht, rrymat oqeanike dhe dallgët bashkëpunojnë për të transportuar një pjesë të kësaj rëre nga fundi i detit dhe për ta sjellë afër bregut të parkut kombëtar. Atje formohen rripa rëre dhe cekëtina që janë paralel me bregun. Pastaj dallgët dhe rrymat që vijnë drejt bregut dalëngadalë e shtyjnë rërën në plazh. Më tej, dielli dhe era merren me tharjen dhe transportimin e saj më në thellësi të vendit. Aty rëra formon disa kreshta paralele që bëhen gjithnjë e më të mëdha, ndërkohë që era e çon rërën nga njëra kreshtë në tjetrën. Si përfundim formohen dunat e bardha.

Liqene pranë «shkretëtirës»

Pavarësisht nga ajo që u tha më sipër, Parku Kombëtar i Slovinskit nuk është aspak një shkretëtirë e pajetë. Përkundrazi, i bekuar me një bollëk uji, ai është një strehë që zien nga jeta. Në fakt, dunat dhe ranishtat zënë vetëm rreth 5 për qind të zonës së parkut, kurse lumenjtë, liqenet dhe përrenjtë zënë rreth 55 për qind.

Liqeni më i madh është liqeni Lebsko, i cili ka një sipërfaqe 71 kilometra katrorë dhe thellësia më e madhe arrin në 6 metra. Lumi më i madh, Leba, derdhet në këtë liqen. Liqeni i dytë për nga madhësia është liqeni Gardno që ushqehet nga lumi Lupava. Për shkak të mjedisit të paqëndrueshëm prej rëre, brigjet e këtyre liqeneve ndryshojnë vazhdimisht.

Një strehë për bimët dhe kafshët e egra

Liqenet, lumenjtë dhe përrenjtë janë plotësuese të tri habitateve kryesore të parkut, të dunave, shkorreteve dhe të pyllit me pisha. Të gjitha këto mjedise që bëjnë kontrast me njëri-tjetrin krijojnë kushtet për rritjen e pothuajse 900 lloje bimësh enëzore, ku përfshihen edhe orkidetë. Një nga bimët më të forta dhe më të çmuara evropiane nga ana ekologjike është Ammophila arenaria, e njohur edhe si bari i ranishtës. Meqë është bima e parë që rritet në duna, zakonisht bari i ranishtës fillon procesin e formimit të kolonive nëpër duna. Kërcelli nëntokësor me luspa shtrihet deri në 13 metra dhe nxjerr në sipërfaqe shumë filiza që formojnë xhufka. Në këtë mënyrë, bari i ranishtës dalëngadalë bën që dunat të fiksohen dhe të zënë vend. Kështu krijon mundësi që edhe bimë të tjera të zënë rrënjë dhe të rriten.

Meqë gjendet në një zonë ku shpendët kalojnë gjatë shtegtimit, Parku Kombëtar i Slovinskit gumëzhin nga zogjtë. Rreth 260 lloje, që përfaqësojnë gati 70 për qind të të gjitha llojeve të zogjve në Poloni e kanë bërë parkun si shtëpinë e tyre ose e përdorin si stacion ku pushojnë gjatë shtegtimit. Ndër shpendët e ujit janë: pulëbardhat e zakonshme, dallëndyshet e zakonshme të detit, kredharakët bishtshkurtër me çafkë, rosat e egra, mjellmat dhe zhytësit e mëdhenj​—rosa që dallohen me lehtësi nga kreshta e «flokëve» me majë. Lloje të tjera janë bufi, shqiponja e maleve, shqiponja e vogël e rosave, shqiponja e detit dhe korbi. Po të keni sy të mprehtë dhe të ecni pa bërë zhurmë, mund të shihni edhe disa nga gjitarët që jetojnë në park, siç është dreri i kuq, kaprolli, derri i egër, lepuri dhe qentë rakunë që janë një lloj i afërt me dhelprat.

Një parajsë për ekskursionistët

Ecja është e vetmja formë e lejuar e turizmit. Për këtë qëllim, parku ka 140 kilometra shtigje që mund ta çojnë vizitorin me radhë në secilin nga habitatet e ndryshme: pyjet e halorëve; dunat gri, livadhet, shkurrishtet dhe kënetat; liqenet me platformat prej druri për të soditur dhe me kullat e vrojtimit; dunat e bardha; dunat që janë më afër ujit dhe në fund kilometra të tëra plazhesh me rërë të bardhë.

Madje vizitorët që vijnë në vjeshtë ose në dimër mund të shohin shfaqjen karakteristike të dunave, kur erërat e forta ngrenë prej kreshtave të tyre shtëllunga rëre që ngjasojnë me stërkalat e shkumëzuara të dallgëve të oqeanit. Atëherë njerëzit thonë se dunat po nxjerrin tym. Këtij spektakli nuk i mungon as muzika, pasi miliona grimca rëre fërkohen vrullshëm me njëra-tjetrën dhe i bëjnë dunat të zukatin ose të këndojnë.

Për shkak të veçorive natyrore mbresëlënëse dhe të shumëllojshme të parkut, çdo vit atë e vizitojnë afro 800.000 veta. Pa dyshim, shumë nga vizitorët duan të ikin larg rrëmujës dhe rrëmetit të qytetit që të kërkojnë shërim për nervat e lodhura në gjirin e natyrës, atje, në vetminë e pyjeve, në zhurmën çlodhëse të dallgëve dhe në klithmën e vetmuar të pulëbardhës.

[Kutia dhe harta në faqen 19]

Parku Kombëtar i Slovinskit

Ky park gjendet në pjesën qendrore të bregdetit të Polonisë, midis qyteteve të Lebës dhe Rovit. E ka marrë emrin nga fisi i slovinsit, një popull sllav që fliste gjuhën kashubiane dhe që jetonte në këtë zonë deri para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Parku u përurua më 1967 dhe më 1977 u bë një ndër Rezervatet Botërore të Biosferës. Sipërfaqja e tij është 18.618 hektarë dhe më shumë se gjysmën e kësaj hapësire e mbulon uji. Pjesën tjetër e zënë pyjet (25 për qind), ranishtat dhe dunat (5 për qind), moçalet e shkorretet (8 për qind), si edhe livadhet e kullotat (8 për qind).

[Harta]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

DETI BALTIK

RUSI

POLONI

PARKU KOMBËTAR I SLOVINSKIT

GJERMANI

REPUBLIKA ÇEKE

SLLOVAKI

[Figura në faqen 16]

Kur erërat e forta ngrenë shtëllunga rëre nga dunat, njerëzit thonë se dunat po nxjerrin tym

[Figura në faqet 16, 17]

Dallëndyshja zakonshme e detit

[Burimi]

Fotografi nga Chukchi Imuruk, National Park Service

[Figura në faqet 16, 17]

Dunat në verë

[Figura në faqen 17]

Dunat në dimër

[Figura në faqen 18]

Liqeni Lebsko

[Figura në faqen 18]

Zhytësit e mëdhenj

[Figura në faqen 18]

Bari i ranishtës

[Figura në faqen 18]

Formacione të veçanta rëre

[Figura në faqen 18]

Kaproll