Sheqernat jetike
Sheqernat jetike
SHEQERI—dihet që përdoret për të ëmbëlsuar çdo gjë, që nga ëmbëlsirat e deri te kafeja. Por, a e dinit se sheqeri ka të ngjarë të shkaktojë një revolucion në biologji po aq të fuqishëm sa ai që shkaktoi zbulimi i ADN-së?
Kohët e fundit shkencëtarët kanë studiuar se si i përdor qeliza sheqernat e thjeshtë, si për shembull glukozën, për të ndërtuar molekula gjigante «që për nga përmasat dhe kompleksiteti qëndrojnë në një rang me ADN-në dhe proteinat. Sheqernat përfshihen pothuajse në çdo fushë të biologjisë duke filluar që nga njohja e patogjenëve, mpiksja e gjakut e deri tek mundësimi i futjes së spermës në qelizën vezë»,—thotë revista New Scientist. Në të njëjtën kohë, po kuptohet që një numër gjithnjë e më i madh sëmundjesh, si për shembull distrofia muskulare dhe artriti reumatoid, kanë lidhje me të metat në sintezën e sheqernave. «Biologët vetëm sa kanë filluar të kuptojnë ndikimin e këtyre sheqernave,—thotë artikulli,—por ndërkohë po shohin se duhet t’i shqyrtojnë edhe një herë idetë që kanë pasur nga shumë kohë në lidhje me funksionimin e organizmit.»
Shkencëtarët kanë krijuar fjalën ‘glikomë’ për t’iu referuar gjithë llojeve të sheqernave që një qelizë apo organizëm prodhon, ashtu si fjala ‘gjenom’ përfshin tërësinë e gjeneve. Megjithatë, glikoma e një qelize «ka të ngjarë të jetë mijëra herë më e ndërlikuar sesa gjenomi»,—pohon Adshid Varki, drejtor i Qendrës së Kërkimeve dhe Specializimit në Glikobiologji, në Universitetin e Kalifornisë, San-Diego, SHBA. Pse është kaq e ndërlikuar glikoma?
Brenda qelizave sheqernat e thjeshtë ose monosakaridet, bashkohen për të formuar polisakaridet, të cilat, nga ana e tyre, grupohen në molekula të mëdha që përmbajnë më shumë se 200 molekula sheqernash të thjeshtë. Për shkak të ndërtimit të tyre tridimensional, i cili është themelor për funksionin e tyre, «një molekulë sheqeri e përbërë vetëm nga gjashtë monosakaride, mund të ketë 12 miliardë forma—diçka vërtet e mahnitshme.»—thotë New Scientist.
Duke përshkruar problemet e vështira që po hasin studiuesit në këtë fushë të re të quajtur glikobiologji, Varki tha: «Është sikur sapo kemi zbuluar kontinentin e Amerikës Veriore. Tani na duhet të dërgojmë grupe që do të eksplorojnë se sa e madhe është kjo fushë e biologjisë.»
Është e qartë që funksionimi i ndërlikuar i qelizës dëshmon për një inteligjencë të shkallës më të lartë. Shumë njerëzve ky fakt u ngjall nderim të thellë. Po juve?—Zbulesa 4:11.