Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Thirrja për reformë

Thirrja për reformë

Thirrja për reformë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

​—Po të isha më e re, do të organizoja një lëvizje për të bërë reformë!

​—tha Ana, një 80-vjeçare në Gjermani.

​—Çfarë do të ndryshoje?​—e pyeti Roberti.

​—Gjithçka!​—iu përgjigj Ana.

SHUMË veta do të ishin në një mendje me Anën. Në një anketë të zhvilluar në Gjermani në mesin e viteve 90 të shekullit të 20-të, në çdo 3 të anketuar 2 mendonin se ishte e nevojshme të bëheshin ‘reforma me shtrirje të gjerë, si dhe ndryshime të rëndësishme shoqërore’. Ndoshta gjendja është e ngjashme edhe në vendin ku jetoni ju.

Kur populli bën thirrje për ndryshime, zakonisht njerëzit me pushtet premtojnë se do të bëhet një reformë. Lidhur me reformën në arsim, Fredrik Hesi, asistent profesor për arsimin dhe qeverisjen, shkroi: «Kryesisht reforma është një përpjekje simbolike për të qetësuar masat e paduruara.» Nëpër gazeta lexojmë kryeartikuj që njoftojnë se po bëhen plane për reforma në financë, në shëndetësi, në bujqësi dhe në sistemin ligjor. Dëgjojmë se janë propozuar reforma në arsim, në sistemin e përkrahjes sociale dhe në sistemin penal. * Gjithashtu lexojmë se anëtarët e disa kishave po kërkojnë reforma doktrinale.

Reforma përballë gjendjes ekzistuese

Nga se buron thirrja për të bërë ndryshime? Njeriu përpiqet vazhdimisht ta përmirësojë botën që e rrethon. Ai është orvatur ta bëjë këtë me anë të zgjedhjeve, me anë të parave, me anë të ligjit ose me anë të dhunës. E gjithë kjo vjen nga dëshira e rrënjosur e njeriut për të përmirësuar jetën e tij, për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë ose që shoqëria të jetë në lartësinë e idealeve të tij për sa i përket mirëqenies, moralit dhe drejtësisë. Për sa kohë të ketë njerëz që luftojnë për t’i shpëtuar shkretimit që sjell mungesa e dijes, sëmundjet, varfëria dhe uria, do të dëgjohet gjithnjë një thirrje për reformë.

Ndërkohë që shumë njerëz i mirëpresin reformat, të tjerë mendojnë ndryshe për reformatorët dhe për synimet e tyre. Disave u pëlqen më shumë që ta mbajnë shoqërinë në gjendjen që është, pra të ruajnë gjendjen ekzistuese. Ata i shohin reformatorët si njerëz idealistë që duan të ndryshojnë botën, por që i kanë humbur lidhjet me realitetin. Në botimin Libri i lëvizjeve reformatore gjermane në vitet 1880-1933 (gjermanisht) thuhet se reformatorët bëhen «zakonisht objekt i kritikës, i humorit politik, i karikaturave dhe i ironisë». Një herë, dramaturgu francez Molieri tha: «Është marri që s’ka të dytë ta krahasosh, kur do që të përzihesh, botën ta korrigjosh.»

Po ju si mendoni? A mund ta përmirësojnë reformat botën? Apo reformatorët janë thjesht ëndërrimtarë idealistë? Ç’të themi për reformat që janë bërë në të kaluarën? A i kanë arritur synimet e tyre organizatorët e këtyre reformave? Këto pyetje do të trajtohen në artikujt vijues.

[Shënimi]

^ par. 8 Në përputhje me qëllimin që ka deklaruar, revista Zgjohuni! «mbetet gjithmonë politikisht asnjanëse». Ky shqyrtim i reformave ka si synim të informojë lexuesit tanë dhe të tregojë të vetmen zgjidhje të vërtetë për nevojat e njerëzimit.