Jini të përpiktë!
Jini të përpiktë!
«VONESAT përbëjnë një problem kronik për kuadrot e lartë,—thuhet në USA Today.—Në çdo dhjetë mbledhje, ata vijnë me vonesë në gjashtë prej tyre»,—shton ajo, duke cituar një anketë të bërë me 2.700 kuadro të lartë.
Në botën e biznesit, vonesa nuk konsiderohet vetëm si mungesë edukate. Nga një studim i bërë me 81.000 veta që kërkonin punë doli si përfundim se «orët e humbura për shkak të vonesës dhe të mungesave pa leje shkaktojnë shumë humbje financiare». Sigurisht që vonesa nuk shkakton probleme vetëm në botën e biznesit. Një anketë e bërë me drejtorë të shkollave të mesme zbuloi se «problemi më i shpeshtë për të cilin disiplinoheshin nxënësit ishin vonesat e tyre».
Krijuesi kishte si qëllim që të jemi të vetëdijshëm për kohën e për rëndësinë e saj. Për të na ndihmuar që të matim kohën, ai vendosi «dy ndriçues të mëdhenj», diellin dhe hënën. (Zanafilla 1:14-16) Sot, orët moderne na japin mundësi ta matim kohën edhe me minuta e sekonda. Por, pavarësisht nga teknologjia, shumë prej nesh prapëseprapë e kanë të vështirë të jenë të përpiktë në punë, shkollë, si dhe në takime të rëndësishme.
A është medoemos mungesa e kohës ajo që shkakton problemin? Qartë, kërkesat në punë e në familje mund të jenë të shumta. Por, gjithsesi, një nënë që punon, me emrin Uanda Rousland, thotë: «Nuk ankohem më që s’kam kohë, që kur u bëra e vetëdijshme se të gjithë kemi 24 orë në ditë. U mendova mirë e mirë dhe e kuptova se në botën tonë moderne problemi nuk është se kemi pak kohë, por kemi shumë ndërprerje dhe shpërqendrime.»
Vini re edhe rastin e Rënesë, * nënë e pesë fëmijëve, e cila është Dëshmitare e Jehovait. Ajo kujton: «Kur i kisha fëmijët të vegjël, ishte e vështirë t’i bëja gati për në shkollë e për në mbledhjet e krishtere. Megjithatë, isha e përpiktë. Kurse tani që janë të gjithë të rritur, kam marrë zakonin e keq që të shkoj me vonesë.» A e keni edhe ju këtë zakon të keq? Nëse po, mund të ndryshohet. Ja disa gjëra që mund të bëni.
● MENDONI PËR PASOJAT. Zakoni për të qenë me vonesë mund të duket gjë e vogël. Por mendoni për atë që thotë Bibla: «Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.» (Predikuesi 10:1) Pikërisht, vetëm «pak marrëzi», që në këtë rast shfaqet me mungesën e konsideratës për të tjerët, mund t’ju prishë emrin e mirë para mësuesit tuaj ose punëdhënësit.
Ndërsa ishte në shkollë të lartë për të ndjekur disa lëndë, një grua me emrin Maria vuri re se disa veta në klasë «s’ishin fare në merak për oraret» dhe shpesh vinin me vonesë në mësim. «Por shumë shpejt iu desh të ndryshonin qëndrim,—kujton ajo.—Dy nga pedagogët e kishin shumë merak përpikërinë. Prandaj, edhe sikur ndonjë student të vinte vetëm pak minuta me vonesë, i vinin mungesë. Dhe dihet që pasi bëhen një numër mungesash, mund të ngelësh në atë lëndë.»
Zakoni për të qenë me vonesë mund t’ju prishë emrin e mirë edhe para miqve dhe shokëve. Një burri me emrin Xhozef i kujtohet një i krishterë që e kishte njohur disa dhjetëvjeçarë më parë. Edhe pse atë njeri e respektonin për aftësitë e tij si mësues, kishte një të metë që e vinte në situata të sikletshme. «Ishte gjithnjë me vonesë,—kujton Xhozefi.—Dua të them, për çdo gjë me vonesë. Por dukej sikur s’i bënte fare përshtypje kjo. Njerëzit tregonin barcaleta për këtë zakon të tij.» A kanë filluar t’ju shohin njerëzit si një që e ka zakon të jetë gjithnjë me vonesë? Nëse po, ndoshta ata do të përqendrohen te kjo, duke i anashkaluar fare lehtë cilësitë tuaja të mira.
● MERRNI PARASYSH TË TJERËT. Vonesa është mungesë edukate dhe i mërzit të tjerët. Veç kësaj, mund të lërë përshtypjen sikur mendoni që jeni më lart se ata. Duke shpjeguar pse kaq shumë drejtues ndërmarrjesh kanë prirjen të vijnë me vonesë në mbledhje, një biznesmen pranoi: «Shumica prej nesh janë thjesht arrogantë.» Ndryshe nga kjo, të krishterët i trajtojnë të tjerët si më të lartë se veten. (Filipianëve 2:3) Gjithashtu, ata zbatojnë Rregullën e Artë dhe i trajtojnë të tjerët siç do të donin të trajtoheshin prej tyre. (Mateu 7:12) A nuk acaroheni kur ju duhet të prisni të tjerët? Atëherë, mos i bëni të tjerët t’ju presin.
● MËSONI TA PËRDORNI MIRË KOHËN. A i shtyni gjërat për më vonë dhe vraponi në minutën e fundit? A e ngjeshni programin tuaj, duke dashur të bëni tepër gjëra në një kohë tepër të shkurtër? Atëherë mund t’ju ndihmojë parimi që gjejmë te Predikuesi 3:1: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.» (BR) Po të keni një «kohë të caktuar» për t’i bërë gjërat, do t’i bëni me rregull.
Filipianëve 1:10: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ Pra, vendosni përparësitë. Cilat gjëra duhen bërë patjetër? Cilat janë disa gjëra që nuk ju prish punë po t’i bëni më vonë? Së fundi, llogaritni sa kohë do t’ju duhet për t’i bërë gjërat e përcaktoni kohën se kur mund t’i bëni. Jini realist dhe mos e ngjeshni programin me shumë gjëra që do t’ju duhet t’i bëni për një kohë shumë të shkurtër.
Së pari, bëni një listë me të gjitha gjërat që duhet të kryeni. Pastaj ndiqni parimin eNjë grua me emrin Doroti ua jep meritën prindërve të saj që i mësuan të jetë e përpiktë. Ajo tregon: «Në qoftë se duhej të ishim në një mbledhje të krishterë në orën 7.30 pasdite, mamaja fillonte të na bënte gati një orë e 45 minuta më përpara. Duhej të linim kohë për të ngrënë darkën, për të larë enët, për t’u veshur e për të ikur me makinë deri në sallë. Përpikëria na u bë pjesë normale e jetës.» Nganjëherë është mirë të lësh kohë për gjërat e papritura. Dorotisë i kujtohet: «Para pak kohësh, duhej të merrja me makinë disa veta për në mbledhje. Rrugës m’u shfry goma. E rregullova dhe prapë isha në kohë për t’i marrë me makinë. Kjo sepse lë gjithnjë kohë për ndonjë problem me makinën ose për trafikun e rënduar.»
● KËRKONI SUGJERIME NGA TË TJERËT. Bibla thotë te Fjalët e urta 27:17: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» Në përputhje me këtë parim, flitni me të tjerët që kanë rrethana të ngjashme me tuajat, por që arrijnë të jenë të përpiktë. Shpesh ata mund t’ju japin mjaft sugjerime të dobishme.
Rëneja, e cituar më lart, është e vendosur të ndryshojë prirjen për të qenë me vonesë. Ajo thotë: «Kohët e fundit vendosa të përmirësohem. Edhe pse s’ka qenë e lehtë, po ia dal mbanë.» Edhe ju mund të përmirësoni. Me qëndrimin e duhur në mendje dhe me përpjekje, mund të mësoni të jeni të përpiktë.
[Shënimi]
^ par. 6 Disa emra janë ndryshuar.
[Figurat në faqen 24]
Të jesh gjithnjë me vonesë mund të krijojë përshtypje të keqe te punëdhënësit dhe tregon mungesë konsiderate për të tjerët
[Figura në faqen 25]
Organizimi i mirë personal mund të të ndihmojë që të mos e humbasësh kohën kot