Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kameleoni» i zgjuar i deteve

«Kameleoni» i zgjuar i deteve

«Kameleoni» i zgjuar i deteve

«Oktapodi, oh, ç’tmerr! Ai të përlan. Të tërheq drejt vetes, të thith brenda; kështu, i ngërthyer, i pafuqishëm, ndjen se po të gëlltit dalëngadalë ajo qenie e llahtarshme që është një përbindësh.»​—PUNËTORËT E DETIT, NGA VIKTOR HYGO.

SA E sa gjëra të këqija kanë thënë për oktapodin. Legjendat e lashta dhe tregimet imagjinare, si ai i cituar më sipër, e kanë damkosur me pa të drejtë këtë krijesë.

Megjithatë, në realitet, edhe oktapodi gjigant i Paqësorit, i cili mund të jetë rreth 6 metra i gjatë dhe me peshë deri në 50 kilogramë, zakonisht nuk përbën rrezik për njerëzit. Në vitet e fundit, legjendat e sajuara për këtë «përbindësh» me tetë këmbë u kanë lënë vendin fakteve. Zhytësit dhe biologët e deteve kanë mësuar shumë gjëra rreth llojeve të shumta të oktapodëve.

Si e kap gjahun dhe si u shpëton grabitqarëve?

Në vend që të gllabërojnë njerëz, oktapodët ushqehen kryesisht me krustace. Për të kapur gjahun, ata vënë në punë tetë krahët dhe 1.600 ventuzat e tyre muskulore. Duke përdorur këto ventuza, një oktapod i vogël është në gjendje të tërheqë një objekt që peshon 20 herë më shumë se ai. Përveç kësaj, disa oktapodë lëshojnë stërkla helmi që e paralizojnë gjahun pothuajse menjëherë. * Pastaj ushqimi kalon nëpërmjet gojës që ka dy pjesë në formë sqepi.

Po sikur oktapodi ta kuptojë se një grabitqar po e ndjek? Ai ka një të metë të çuditshme. Gjaku i tij me ngjyrë blu të zbehtë mbart pak oksigjen, pasi në vend të hemoglobinës përmban hemocianinë. Si pasojë, oktapodi lodhet shpejt. Megjithatë, ai ka aftësi të veçanta për ta mbrojtur veten nga fokat, balenat dhe grabitqarët e tjerë.

Një nga këto aftësi është forca shtytëse. Kur e ndien rrezikun, ai e shtyn veten së prapthi duke shfryrë ujë nga manteli ose mbulesa e tij e trashë. Kjo krijesë dinake përdor një taktikë tjetër për t’ia mbathur. Oktapodi mund të lëshojë një re me bojë, e cila përmban një pigment që nuk hollohet në ujin e detit. I fshehur në këtë mënyrë, oktapodi mund të ndryshojë drejtim dhe të largohet me të shpejtë drejt një vendi të sigurt para se reja të davaritet.

Mjeshtër i maskimit

Sigurisht që oktapodit do t’i pëlqente të mos e ndiqnin fare. Si u fshihet ai grabitqarëve? Eksploruesi i famshëm i botës së nënujshme, Zhak-Iv Kustoja, shkroi: «Në Marsejë, ku ekipi ynë filloi të xhironte një dokumentar për oktapodët, shumica e zhytësve thanë se në atë zonë nuk kishte oktapodë; edhe nëse dikur kishte pasur disa, tani nuk kishte më. Në të vërtetë, zhytësit po notonin pikërisht afër oktapodëve që ishin maskuar kaq mirë, saqë ishin thuajse të padukshëm.» Si arrinin ta bënin këtë oktapodët?

Në lëkurë, oktapodi i rritur ka deri në dy milionë kromatofore ose qeliza me ngjyrë, pra 200 qeliza për milimetër katrorë. Çdo qelizë e tillë përmban pigment të kuq, të verdhë ose të zi. Duke i tkurrur ose duke i lëshuar muskujt që rrethojnë këto qeliza, brenda pak sekondave oktapodi mund të marrë një ngjyrë të njëtrajtshme e madje motive me disa ngjyra.

Është ironik fakti që me sa duket oktapodi nuk arrin të shohë me ngjyra. Megjithatë ngjyrat e lëkurës së tij nuk kufizohen vetëm në tri pigmente. Iridocitet, qeliza që kanë pllakëza pasqyruese, e përthyejnë dritën në mënyrë që ngjyra e oktapodit të përshtatet me ngjyrën e mjedisit përreth. Por metodat e maskimit nuk mbarojnë këtu. Kur fshihet në ndonjë shkëmb me korale, oktapodi mund ta ndryshojë edhe formën e lëkurës së tij të lëmuar. Ajo rrudhoset e bëhet si me gjemba, e në këtë mënyrë nuk dallohet në këtë sipërfaqe të ashpër.

Ndërtues dhe amvisë e palodhur

Nuk është për t’u habitur që shtëpia e oktapodit mezi gjendet. Atij i pëlqen ta ndërtojë shtëpinë nëpër plasa dhe nën shkëmbinj të mëdhenj, duke përdorur materiale ndërtimi që i gjen rreth e rrotull. Në çatinë dhe në muret e shtëpisë së oktapodit mund të gjesh të kombinuara bashkë gurë, copa metali, guaska, madje edhe mbetje të ndonjë anijeje të mbytur si dhe mbeturina të hedhura në oqean

Kur shtëpia ka përfunduar, oktapodi e mban atë si një amvisë meraklie. Ai derdh brenda saj një çurg ujë për ta bërë të sheshtë dyshemenë prej rëre. Pas çdo vakti, të gjitha mbeturinat e ushqimeve i shtyn jashtë. Që të provonin zotësinë e kësaj krijese për të mirëmbajtur shtëpinë, ekipi i zhytësve që shoqëronte Kustonë hoqi disa gurë nga muri i shtëpisë së oktapodit. Çfarë bëri ai? Guralec pas guraleci, dalëngadalë e ndërtoi sërish murin. Kustoja shkroi: «Kjo punë vazhdoi gjersa muri u rindërtua plotësisht; dhe në çdo gjë ai ishte identik me murin që prishën zhytësit.» Tashmë dihet që oktapodit i ka dalë nami se e mban të pastër dhe të rregullt shtëpinë. Kur zhytësit shohin një shtëpi që ka brenda rërë ose mbeturina të grumbulluara, e dinë se ajo është e pabanuar.

Shtëpia e saj e fundit

Në përgjithësi shtëpia e fundit, dhe më e rëndësishmja për oktapodin femër, është streha ku çelin të vegjlit. Pasi ka marrë një kapsulë me spermë nga oktapodi mashkull, femra e ruan atë në trupin e saj derisa të lëshojë vezët. Ndërkohë ajo mund të kalojë disa javë duke kërkuar për një strehë të përshtatshme. Pastaj e përforcon strehën ku do të çelin të vegjlit dhe në çati ngjit mijëra vezë të grupuara në vile. Megjithatë oktapodi me unaza blu nuk ndërton një çerdhe të tillë. Meqë ngjyrat e saj të ndezura i paralajmërojnë grabitqarët që t’i rrinë larg, ajo parapëlqen të kujdeset për të vegjlit në det të hapur, kështu mund «t’i bëjë reklamë» kafshimit të saj helmues.

Oktapodi femër është një nënë e përgjegjshme. Ka shumë të ngjarë që pasi t’i ketë shtruar vezët të mos i hajë ato. Përkundrazi i mbron, i pastron dhe i ajros vezët e saj, përforcon çerdhen dhe merr një qëndrim mbrojtës për të larguar grabitqarët. Ndonëse oktapodi femër do të ngordhë kur pasardhësit e saj të dalin nga veza, ajo kujdeset për ta deri në fund. Kustoja tha: «Nuk është dëgjuar kurrë që ndonjë oktapod femër t’i ketë lënë të pambrojtura vezët.»

Në shumicën e llojeve të oktapodëve, larvat që janë fare të vockla e të sapodala nga veza ngrihen në sipërfaqen e ujit dhe pluskojnë aty. Shumë prej tyre i hanë kafshët e tjera të ujit. Megjithatë, pas disa javësh të mbijetuarit kthehen në fund të detit dhe rriten derisa bëhen oktapodë të mëdhenj që jetojnë deri në tre vjet.

Sa të zgjuar janë?

Disa thonë se fjala «inteligjencë», kur përdoret për kafshët, përfshin aftësinë për të mësuar nga jeta dhe aftësinë për të zgjidhur probleme. Vëreni se ç’tha Kustoja për këtë: «Ndrojtja e oktapodit është një reagim i logjikshëm, një reagim që bazohet kryesisht te maturia dhe te kujdesi. . . . Nëse një zhytës është në gjendje të demonstrojë se nuk përbën rrezik, oktapodit i del shpejt frika, më shpejt se çdo kafshe tjetër ‘të egër’.»

Oktapodët kanë trurin dhe sytë më të zhvilluar ndër të gjithë jovertebrorët. Sytë e tyre, ashtu si sytë tanë, mund t’i shohin qartë objektet dhe mund të përshtaten me ndryshimin e dritës. Lobi trunor që lidhet me shikimin interpreton informacionin që merr nga sytë, dhe kjo gjë bashkë me shqisën e mprehtë të të prekurit e bëjnë të aftë oktapodin të marrë vendime aq të zgjuara, sa të habit.

Disa shkencëtarë thonë se kanë parë një oktapod që mësoi të hiqte tapën e shishes për të marrë një krustace që ishte brenda. Të tjerë kanë thënë se një oktapod mund të zbulojë si të zhvidhosë kapakun e kavanozit për të marrë ushqimin. Në Akuariumin e Vankuverit, në Kanada, një natë, një oktapod u ngjit nëpërmjet një tubi kullimi në rezervuarin fqinj që të hante peshkun.

Libri Duke eksploruar të fshehtat e natyrës (anglisht) nxjerr këtë përfundim për zgjuarsinë e oktapodit: «Ne kemi prirjen t’i cilësojmë primatët si qeniet më inteligjente, por ka prova se edhe oktapodët janë ndër kafshët më inteligjente.»

Zgjuarsia e sjelljes së oktapodit mund të na sjellë ndër mend krijesat që Bibla i quan «instinktivisht të mençura». (Fjalët e urta 30:24, BR) Ato janë vërtet mrekulli të krijimit. Për shkencëtarët dhe zhytësit, oktapodi nuk është më një «tmerr» siç ishte në imagjinatën e Viktor Hygosë. Ata që e studiojnë këtë krijesë mbeten të mahnitur nga ky «kameleon» i zgjuar i deteve.

[Shënimi]

^ par. 6 Vetëm oktapodi me unaza ngjyrë blu, që rritet në Australi, mbahet si vdekjeprurës për njerëzit. Kafshimi i tij mund të të ndalojë frymëmarrjen.

[Figura në faqen 15]

Oktapodi me unaza blu

[Burimi]

© Jeffrey Rosenfeld

[Figura në faqen 16]

Një oktapod i shkëmbinjve të Paqësorit, i maskuar në mënyrë të përsosur, është pikërisht poshtë gojës së një peshku grabitqar. A e shihni dot oktapodin?

[Figurat në faqet 16, 17]

Oktapodët janë të llojeve dhe ngjyrave nga më të ndryshmet

[Figura në faqen 17]

Larvat e vockla e të sapodala nga veza shkojnë drejt sipërfaqes

[Burimi]

© Fred Bavendam

[Burimet e figurave në faqen 16]

Lart majtas: © Roger T. Hanlon; sipër: © Jeffrey Rosenfeld