Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Bombardojnë fëmijët me reklama ushqimesh pa vlera

Një artikull i botuar në gazetën IHT Asahi Shimbun të Tokios thotë se gjithnjë e më shumë specialistë në fushën e të ushqyerit po i akuzojnë firmat e ushqimeve «fast-food» se po organizojnë «fushata intensive reklamash që u prishin fëmijëve zakonet në të ngrënë dhe i mësojnë me ushqime që i çojnë në dhjamosje». Në artikull thuhet se «televizori mbetet mjeti më i fuqishëm për t’u shitur këto ushqime fëmijëve», por veç tij, firmat ushqimore po «gjejnë çdo mënyrë tjetër që mund të merret me mend për t’u reklamuar produktet e tyre fëmijëve». Filmat, lojërat, vendndodhjet në Internet, librat e aritmetikës dhe shumë e shumë kukulla e lodra kanë reklama të firmave ushqimore. Po pse u reklamojnë fëmijëve? «Sepse përbëjnë fuqinë më të madhe blerëse»,​—thotë pedagogu i marketingut Xhejms Mak-Nil, nga universiteti «Teksas A&M». Megjithatë, profesori Uolltër Uillet nga Fakulteti i Shëndetit Publik të Universitetit të Harvardit thotë: «Shumica dërrmuese e produkteve që shesin janë pa vlera ushqyese. Sa shpesh keni parë t’u bëhet reklamë frutave dhe perimeve?»

Sa të sigurta janë shishet e ujit?

Një studim i Universitetit të Kalgarit në Kanada zbuloi «nivele të larta alarmuese bakteresh në shishet e ujit që përdoreshin përsëri pa u pastruar më parë»,​—thuhet në revistën Better Homes & Gardens. Në këtë studim, më shumë se 13 për qind e shisheve që përdornin nxënësit e shkollave fillore i kalonin nivelet e sigurta të baktereve. Ndër këto kishte baktere që gjenden në feçe, me sa duket sepse nxënësit nuk i lanin mirë duart. Një studiuese këshillon që shishet e ujit të lahen rregullisht me ujë të nxehtë e sapun dhe të lihen për t’u tharë krejtësisht para se të mbushen prapë.

Mësimet e muzikës dhe kujtesa

Gazeta Globe and Mail e Kanadasë thotë që kërkime të reja kanë zbuluar se «fëmijët që marrin mësime muzike kanë një kujtesë dhe një fjalor shumë më të mirë se fëmijët e tjerë». Sipas dr. Anjes Çanit, nga Universiteti kinez i Hong-Kongut, studimi i muzikës shton aktivitetin e anës së majtë të trurit, duke përmirësuar funksionimin e përgjithshëm të trurit dhe duke i dhënë mundësi atij t’i kryejë më mirë funksionet e tjera, ku përfshihet edhe aftësia për të mësuar e kujtuar fjalë. Te 90 nxënës të moshave 6 deri në 15 vjeç u bënë prova me fjalë e me figura për të vlerësuar kujtesën. Ata që kishin marrë mësime muzike arrinin të kujtonin shumë më tepër fjalë se nxënësit e tjerë. Sa më gjatë t’i kishin vazhduar mësimet e muzikës, aq më shumë fjalë kishin mësuar e mbanin mend. «Për trurin, kjo është si një stërvitje e gjithanshme»,​—tha dr. Çani. Ajo beson se ata që marrin mësime muzike «me siguri do ta kenë më të lehtë të mësojnë në shkollë».

Sa yje ka?

Në gazetën The Daily Telegraph të Londrës thuhet: «Astronomët kanë arritur të llogaritin se rreth 70 mijë milionë milionë milionë (ose shtatë e ndjekur nga 22 zero) yje mund të shihen nga Toka» me teleskop. Këta astronomë, që ishin nga Amerika, Australia dhe Skocia, «numëruan gjithë galaktikat në një rajon të vogël të universit që është pranë Tokës» dhe llogaritën sa yje ka secila. Nga ajo shifër pastaj nxorën numrin e yjeve në pjesën tjetër të qiellit. «Ky nuk është numri i përgjithshëm i yjeve në univers, por është numri i atyre që arrijnë të dallojnë teleskopët tanë,​—tha dr. Sajmon Drajvëri nga Australia, i cili udhëhoqi ekipin.​—Edhe astronomin profesionist që është mësuar me shifra marramendëse, kjo shifër e lë pa mend.» Me sy të lirë arrin të shikosh vetëm disa mijëra yje në vendet e tokës që janë të pandriçuara dhe vetëm 100 në një qytet të madh.

Goma të shfryra

«Ndër aksidentet rrugore që përfundojnë me vdekje, 1 në 17 lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e gomave të makinës»,​—thuhet në një njoftim të shkurtër në revistën franceze Vlerat e sotme. Studime të bëra nga firma e gomave Michelin treguan se «në vitin 2002, 2 në 3 makina kishin të paktën një gomë gjithnjë të shfryrë». Sipas Pjer Menendesit, drejtor i komunikimit teknik për firmën Michelin, «gabimisht shoferët mendojnë se po t’i frysh shumë gomat ato mund të plasin, dhe se kjo është më e rrezikshme sesa po të jenë pak të shfryra. Por është krejt e kundërta». Kur trysnia e ajrit në goma bie shumë poshtë nivelit normal, duhet më shumë kohë për të frenuar, gomat nëpër kthesa nuk takojnë mirë në tokë, dhe, siç thuhet në njoftim, «një kthesë e menjëhershme e timonit mund të çojë në humbjen e kontrollit». Për më tepër, me uljen e trysnisë së ajrit, goma ndryshon formë. Si pasojë, përbërësit e saj nxehen dhe kjo mund të çojë në plasjen e papritur të gomave.

Besimi i francezëve dobësohet

Sipas së përditshmes franceze Le Monde, në Francë «praktikimi i fesë po bie». Ndonëse 73 për qind e francezëve pohojnë se janë fetarë, vetëm 24 për qind besojnë se Perëndia ekziston «me siguri». Rreth 34 për qind të tjerë thanë se «mundet», kurse 19 për qind thanë që «s’ka të ngjarë» dhe 22 për qind thanë se është «e pamundur» që Perëndia të ekzistojë. Vetëm 12 për qind e atyre që u pyetën ndjekin shërbimet fetare të paktën një herë në javë, kurse 25 për qind luten «çdo ditë» ose «shpesh». Sociologu Rezhis Debrej tha se prirja e njerëzve është të kenë një fe, jo sepse janë besimtarë, por thjesht sa për të qenë anëtarë të saj. «Feja po bëhet si një letërnjoftim»,​—tha ai.

Trumbeta prej guaske

Revista New Scientist thotë: «Peruanët e lashtë mund t’i kenë përdorur trumbetat e bëra me guaska kërmilli të llojit Strombus për të dhënë sinjale në largësi të mëdha.» Kërkuesit kanë zbuluar në Peru 20 trumbeta prej guaske kërmilli, të zbukuruara dhe secila e modifikuar për të krijuar një vend ku të mbështetnin buzët. Në laborator trumbetat lëshonin një tingull që arrinte 111 decibel. «Në kodrat e qeta të Andeve tingulli i mprehtë i trumbetave do të ishte dëgjuar të paktën deri katër kilometra larg»,​—thotë New Scientist.

Dhuratat e dasmës, jo në para të thata

Në dasmat tradicionale turke, të ftuarit e stolisin nusen me bizhuteri dhe dhëndrin me para. Por, ashtu si në shumë vende të tjera, edhe në shoqërinë turke po fillojnë të përdoren kartat e kreditit. Sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, në një dasmë që u bë kohët e fundit në Antalja, nusja dhe dhëndri sollën me vete në festë një pajisje lexuese për kartat e kreditit. Miqtë dhe të afërmit i kaluan kartat e kreditit në këtë pajisje për të depozituar para në llogarinë bankare të çiftit dhe pastaj e zbukuruan nusen dhe dhëndrin me faturat që dolën nga pajisja lexuese.

Ngrohja e koshereve

Në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung thuhet se për të mbijetuar gjatë dimrit të ftohtë, bletët mjaltëse prodhojnë nxehtësi «duke u dridhur me muskujt e kraharorit». Por brenda kosheres temperatura nuk është e njëjtë ngado. Temperatura mesatare trupore e bletëve zbret nga 30 gradë celsius në qendër të kosheres në 12 gradë ose edhe më pak pranë mureve të kosheres. Shkencëtarët në Universitetin e Gracit, Austri, kanë zbuluar se bletët në qendër të kosheres dridhen shumë më tepër se ato që janë pranë mureve. Në këtë mënyrë bletët e zvogëlojnë sasinë e nxehtësisë që del jashtë kosheres e për pasojë ulin edhe kërkesat ushqimore për dimrin. Mirëpo, mbetet një pyetje: Si e dinë ato bletë që janë në qendrën e ngrohtë dhe të rehatshme të kosheres se duhet të prodhojnë më shumë nxehtësi se bletët që janë më pranë mureve të kosheres?