Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse kemi nevojë për shpresë?

Përse kemi nevojë për shpresë?

Përse kemi nevojë për shpresë?

ÇFARË do të kishte ndodhur sikur Danieli, djali që vdiq nga kanceri, i cili u përmend në artikullin e parë, të mos i kishte humbur shpresat e mëdha që kishte? A do ta kishte mposhtur kancerin? A do të ishte gjallë sot? Edhe përkrahësit më të zjarrtë të idesë se shpresa të ndihmon për t’u shëruar, ka shumë mundësi të mos guxonin të bënin pohime të tilla. Kjo gjë nxjerr në pah diçka të rëndësishme. Shpresa nuk duhet mbivlerësuar. Ajo nuk është ilaç për të gjitha sëmundjet.

Në një intervistë në lajmet e stacionit CBS, duke paralajmëruar se sa e rrezikshme është të zmadhohet tepër fuqia e shpresës kur bëhet fjalë për pacientë të sëmurë rëndë, dr. Nejthën Çerni tha: «Kemi pasur raste kur burrat i kanë qortuar gratë e tyre se nuk meditojnë sa duhet, se nuk janë optimiste sa duhet. Kjo mënyrë të menduari krijon iluzionin se mund ta kesh nën kontroll kancerin. Kështu, kur shëndeti i këtyre njerëzve keqësohet, është sikur të thuash se nuk arritën ta mbanin nën kontroll aq mirë sa duhej kancerin, dhe kjo nuk është e drejtë.»

Në të vërtetë, ata që po luftojnë me ndonjë sëmundje të pashërueshme po bëjnë një betejë sfilitëse e që të merr shumë energji. Patjetër që të afërmve as nuk do t’u shkonte nëpër mend që t’ua bënin edhe më të rëndë barrën atyre, duke u shtuar edhe ndjenjat e fajit. Atëherë, a duhet të arrijmë në përfundimin se shpresa nuk ka asnjë vlerë?

Absolutisht që jo. Për shembull, po ai mjek i përmendur më sipër është i specializuar për kujdesin për lehtësimin e dhembjeve dhe të simptomave. Këtu përfshihen trajtime mjekësore të cilat nuk kanë si qëllim të luftojnë drejtpërdrejt sëmundjen dhe as t’ia zgjatin jetën pacientit, por t’ia bëjnë jetën sa më të lehtë dhe sa më të kënaqshme për sa kohë të vazhdojë beteja me sëmundjen. Mjekët si ai kanë shumë besim se trajtimet mjekësore që e bëjnë pacientin të ketë mendime më optimiste kanë vlerë, madje edhe në rastin e atyre që vuajnë nga sëmundje shumë të rënda. Ka prova të konsiderueshme që tregojnë se shpresa mund të të bëjë më optimist e madje të bëjë edhe më shumë.

Vlera e shpresës

«Shpresa është një terapi e fuqishme»,​—pohon dr. U. Giford-Xhonzi, gazetar në fushën e mjekësisë. Ai shqyrtoi studime të ndryshme të bëra për të përcaktuar vlerën që ka mbështetja emocionale te pacientët me sëmundje të pashërueshme. Mendohet se kjo lloj mbështetjeje i ndihmon njerëzit të kenë një pikëpamje më pozitive dhe më optimiste. Nga një studim i vitit 1989 u zbulua se pacientët që morën një ndihmë të tillë jetuan më gjatë, kurse kërkime të kohëve të fundit nuk kanë dhënë një përgjigje kaq të prerë lidhur me këtë çështje. Megjithatë, studimet kanë vërtetuar se pacientët, të cilëve u jepet mbështetje emocionale, vuajnë më pak nga depresioni dhe kanë më pak dhembje se të tjerët.

Shqyrtoni një studim tjetër që përqendrohej në ndikimin e optimizmit dhe të pesimizmit në sëmundjen e arterieve koronare të zemrës. U bë një vlerësim i kujdesshëm i pikëpamjes që kishin për jetën më shumë se 1.300 burra dhe u përcaktua nëse e shihnin jetën me sy optimist apo pesimist. Nga studimi i mëtejshëm i bërë dhjetë vjet më vonë u zbulua që më shumë se 12 për qind e këtyre burrave kishin vuajtur nga ndonjë formë e sëmundjes koronare. Nga këta, numri i pesimistëve ishte afërsisht sa dyfishi i numrit të optimistëve. Laura Kubzanski, ndihmësprofesoreshë për shëndetin dhe sjelljen shoqërore në Fakultetin e Shëndetit Publik në Harvard, thotë: «Deri tani shumica e dëshmive që mbështetnin mendimin se ‘pikëpamja optimiste’ të bën mirë për shëndetin ishin thjesht thënie njerëzish. Por ky studim solli disa nga provat e para vërtet shkencore në fushën e sëmundjeve të zemrës që tregojnë se pikëpamja optimiste ndikon për mirë.»

Nga disa studime është parë se ata që e quajnë veten shëndetligë e marrin veten më ngadalë pas ndonjë operacioni në krahasim me ata që mendojnë se janë të fortë fizikisht. Madje është parë se edhe jetëgjatësia është e lidhur me optimizmin. Gjatë një studimi u analizua ndikimi që ka te të moshuarit fakti nëse përqendrohen në anët e mira apo të këqija të pleqërisë. Kur njerëz të moshuar shihnin në kompjuter mesazhe që e lidhnin pleqërinë me shtimin e mençurisë e të përvojës, u zbulua se pas kësaj ata ecnin me më shumë forcë dhe energji. Në fakt, përmirësimi që u vërejt ishte sikur të kishin ndjekur për 12 javë një program me ushtrime fizike.

Përse ndjenja të tilla si shpresa, optimizmi dhe një pikëpamje pozitive me sa duket i bëjnë mirë shëndetit? Ndoshta shkencëtarët dhe mjekët ende nuk e kuptojnë aq mirë mendjen dhe trupin e njeriut, sa të japin përgjigje përfundimtare. Megjithatë, specialistët që merren me studimin e kësaj çështjeje mund të hedhin hipoteza që bazohen në përvojën dhe njohurinë e tyre. Për shembull, një profesor neurologjie thotë: «Kur je i lumtur dhe ke shpresë, ndihesh mirë. Është një gjendje e pëlqyeshme që sjell fare pak stres, dhe në këto kushte trupi merr forcë. Është diçka më shumë që mund të bëjnë njerëzit për veten e tyre në përpjekje për të ruajtur shëndetin.»

Mbase disa mjekëve, psikologëve dhe shkencëtarëve kjo mund t’u duket si ide novatore, por nuk është diçka e re për studentët e Biblës. Gati 3.000 vjet më parë, mbreti i mençur Solomon u frymëzua të shkruante këtë mendim: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç, por një frymë e dërrmuar i than kockat.» (Proverbat [Fjalët e urta] 17:22, BR) Vini re drejtpeshimin që pasqyrohet këtu. Ky varg nuk thotë se një zemër e gëzuar do të shërojë çdo sëmundje, por thjesht që «të bën mirë porsi ilaç».

Në fakt, mund të jetë e arsyeshme të pyesim: ‘Sikur shpresa të ishte një ilaç, cili mjek nuk do t’ua jepte pacientëve të tij?’ Për më tepër, dobitë që sjell shpresa nuk janë vetëm shëndetësore.

Optimizmi, pesimizmi dhe jeta juaj

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit optimistë kanë shumë të mira nga prirja për t’i parë gjërat me optimizëm. Në përgjithësi ata dalin më mirë në mësime, kanë më shumë sukses në punë e madje edhe në sporte. Këtë e tregoi edhe një studim që u bë me gratë e një skuadre atletike. Trajnerët dhanë një vlerësim të plotë dhe të veçantë për aftësitë atletike të këtyre grave. Në të njëjtën kohë u vëzhguan edhe vetë gratë dhe u bë një vlerësim i kujdesshëm për të përcaktuar shkallën e optimizmit të tyre. U zbulua se arritjet e këtyre grave në atletikë mund të parashikoheshin shumë më saktë po të merrej për bazë shkalla e optimizmit që kishin ato, sesa vlerësimet e aftësive atletike që bënë trajnerët. Përse optimizmi ka një ndikim kaq të fuqishëm?

Nga studimi i të kundërtës së optimizmit, pra pesimizmit, janë nxjerrë shumë mësime me vlerë. Gjatë viteve 60 të shekullit të 20-të, nga eksperimentet u zbulua diçka e paparashikuar rreth sjelljes së kafshëve. Kjo bëri që kërkuesit të krijonin shprehjen «pazotësi e fituar». Ata zbuluan se edhe njerëzit mund të vuajnë nga një sindromë e ngjashme. Për këtë, studiuan sjelljen dhe reagimet e disa individëve. Pasi i vunë të dëgjonin një zhurmë të bezdisshme, u thanë se mund të mësonin ta pushonin zhurmën po të shtypnin disa butona njërin pas tjetrit. Kur i shtypën butonat, zhurma pushoi.

Të njëjtën gjë i thanë edhe një grupi të dytë, por në rastin e tyre shtypja e butonave nuk e pushoi zhurmën. Siç mund ta kuptoni, te shumë nga ata të grupit të dytë lindën ndjenja pazotësie. Gjatë provave të tjera, ata ngurronin të bënin ndonjë veprim. Ishin të bindur se çfarëdo që të bënin, nuk do të arrinin asgjë. Megjithatë, edhe në grupin e dytë, ata që ishin optimistë nuk pranuan të dorëzoheshin para një mendimi kaq pesimist.

Dr. Martin Seligmani, i cili ndihmoi në përgatitjen e disa prej këtyre eksperimenteve të para u nxit t’i hynte punës për studimin e optimizmit dhe të pesimizmit. Ai bëri kërkime të imëta rreth mënyrës së të menduarit të njerëzve që kishin prirjen ta quanin veten të pashpresë. Nxori si përfundim se kjo mënyrë të menduari kaq pesimiste i pengon njerëzit në shumë veprimtari të jetës ose edhe i zhyt në plogështi e i paralizon. Seligmani e përmbledh kështu pikëpamjen pesimiste dhe ndikimin e saj: «Njëzet e pesë vjet studim më kanë bindur se nëse e kemi zakon të mendojmë, siç mendojnë pesimistët, që gjërat na shkojnë ters për fajin tonë, që tersllëku na ndjek vazhdimisht dhe do të na prishë çdo gjë që bëjmë, do të na dalin shumë më tepër probleme, sesa po të mendonim ndryshe.»

Siç e thamë më sipër, përfundime të tilla sot mund të duken si gjëra të reja për disa, por janë gjëra të njohura për studentët e Biblës. Vini re këtë fjalë të urtë: «Të lëshon zemra në ditë të ngushtë? Të vogël pra, e paske fuqinë.» (Fjalët e urta 24:10, DSF) Po, Bibla e shpjegon qartë se shkurajimi, bashkë me mendimet e tij negative, do t’jua presë fuqitë për të vepruar. Por, ç’mund të bëni për të luftuar pesimizmin dhe për të pasur më shumë optimizëm dhe shpresë në jetë?

[Figura në faqet 4, 5]

Shpresa mund të sjellë shumë dobi