Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse e puthin gurin e Blarnit?

Pse e puthin gurin e Blarnit?

Pse e puthin gurin e Blarnit?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IRLANDË

JA ÇFARË thotë legjenda. Një burrë po qëndronte para mbretëreshës Elizabeta I të Anglisë, duke u dridhur i tëri. Ai sapo i kishte dhënë lajme të këqija nga një prijës irlandez dhe priste që ajo të shpërthente me zemërim. Papritur, mbretëresha ia plasi të qeshurit dhe tha: «Kjo është tipike e Blarnit, asnjëherë [prijësi i tij] s’e ka me tërë mend atë që thotë!» Menjëherë gjendja e nderë u qetësua.

Kjo mbretëreshë, e cila sundoi nga viti 1558 deri në vitin 1603, ndoshta s’do ta kishte menduar se nga këto fjalë të saj do të kishte lindur një traditë fare e veçantë në Irlandë: puthjen e gurit të Blarnit. Çdo vit, me mijëra njerëz vijnë në qytetin e vogël të Blarnit, i cili ndodhet disa kilometra në veri të qytetit të Korkut, për të kryer këtë rit të çuditshëm. E puthin gurin sepse mendohet që ky rit u jep një dhunti, dhuntinë e gojëtarisë.

Si lindi kjo legjendë? Po ashtu, si filloi tradita për të puthur këtë gur? Për të gjetur përgjigjet duhet të kthehemi rreth dhjetë shekuj prapa.

Kështjellë me një histori të gjatë

Kështjella e Blarnit e pati fillesën në shekullin e dhjetë të erës sonë, dhe fillimisht ishte një fortifikatë e vogël prej druri. Me kalimin e kohës u zëvendësua me një ndërtesë më të madhe prej guri. Aty nga mesi i shekullit të 15-të, familja Mak-Karthi e kishte zgjeruar kështjellën derisa u bë një qytet i vogël i fortifikuar. Në atë kohë, ishte kështjella më e fortë në atë pjesë të Irlandës. Pjesa më e madhe e mureve prej guri ishin 5,5 metra të trashë.

Prijësi i familjes, Kormak Mak-Karthi, i cili jetoi nga viti 1411 deri në vitin 1494, donte të linte një kujtim të përhershëm për veten. Për këtë arsye zgjodhi një gur të madh gëlqeror dhe urdhëroi që mbi të, të gdhendej një mbishkrim në latinisht, i cili përkthehet kështu: «Kormak Mak-Karthi, i Forti, më ndërtoi në vitin 1446 pas Krishtit.» Muratorët e vendosën këtë gur në majën e kullës së madhe të Kështjellës së Blarnit. Fillimisht ajo ishte vetëm një pllakë e thjeshtë përkujtimore, kurse lidhja me të folurit bindës e të rrjedhshëm u bë më shumë se një shekull më vonë.

Blarni dhe të folurit bindës

Ndonëse legjenda e përmendur në fillim të artikullit mund të jetë më shumë trillim sesa histori e vërtetë, ka lidhje me gjendjen që ekzistonte në ato kohë. Mbretëresha Elizabetë donte që prijësit irlandezë t’i qëndronin besnikë kurorës angleze. Familja Mak-Karthi kishte organizuar një ushtri me një mijë ushtarë që të luftonte të paktën një betejë për të mbështetur mbretëreshën. Prandaj ajo ishte e sigurt se prijësi i atëhershëm i familjes Mak-Karthi, pra Kormak Mak-Dermond Mak-Karthi, mund të bindej me lehtësi që t’i qëndronte plotësisht besnik mbretëreshës.

Meqë mbretëresha Elizabetë nuk mund t’i bënte vetë bisedimet, caktoi si normalisht një mëkëmbës që të fliste për të. Kur ky mëkëmbës dërgoi oficerë që ta bindnin Mak-Karthin të betohej për besnikëri ndaj mbretëreshës, sipas historisë së treguar në librin Guri i Blarnit (anglisht), oficerët u pritën me «fjalime të gjata, të rrjedhshme dhe lajkatuese, me premtime të shumta, por asnjë gjë konkrete».

Së fundi, sipas tregimit, vetë mëkëmbësi i mbretëreshës Elizabetë shkoi të fliste me Mak--Karthin. Pas kësaj, u kthye në Angli për t’ia raportuar me gojën e tij mbretëreshës çfarë kishte ndodhur. E dinte se ajo nuk do t’i priste mirë lajmet që do t’i sillte ai, domethënë që edhe një herë Mak-Karthi kishte «kërkuar më shumë kohë» që të këshillohej më tej me këshilltarët e vet.

Pas reagimit fillestar të mbretëreshës, i cili përshkruhet në fillim të këtij artikulli, ajo bëri një propozim për shprehjen e re që kishte përdorur. «Këtë fjalë [Blarni] duhet t’ia japim zotit Shekspir. Ia vlen që ta përdorë në shkrimet e tij»,​—tha ajo. * Në qoftë se kjo legjendë është e vërtetë, me këtë shprehje mbretëresha Elizabetë filloi ta përdorte emrin «Blarni» si një fjalë të zakonshme që në anglisht ka kuptimin «të folur bindës e lajkatues ose miklues», si edhe «të thuash gënjeshtra me një guxim të paturpshëm».

Gjithsesi, tashmë në vitin 1789, puthja e gurit të Blarnit ishte bërë një traditë për ata që ishin aq të guximshëm sa ta provonin. Kjo sepse pozicioni i gurit, në murin e kështjellës, ishte i rrezikshëm për vizitorët që përpiqeshin ta puthnin. Prandaj, kur kështjella u meremetua, guri u hoq që andej dhe u vendos në vendin ku është sot, që është disi më i arritshëm. Me kalimin e kohës, pronarët e kështjellës e zëvendësuan gurin e Mak-Karthit me një tjetër që ka mbishkrimin e tyre.

Vizitë në kështjellë

Para ca kohësh shkuam për një vizitë në këtë kështjellë. Gjëja kryesore që të bie në sy është kulla e madhe ku ndodhet guri i Blarnit që tani është i famshëm. Hymë në kullë, ngjitëm shkallaren e gurtë dhe të konsumuar, në formë spiraleje, e së fundi kaluam nëpër një derë të vogël e të ngushtë. Guri i Blarnit gjendet në murin përballë.

Shkuam më afër për të parë një grua që po bëhej gati të puthte gurin. Iu desh të shtrihej me kurriz e të varte shpatullat dhe kokën në një të çarë rreth tre metra të gjatë dhe një metër të gjerë. «S’ka asnjë problem, je e sigurt,​—i tha punonjësi i kështjellës.​—S’mund të biesh nga e çara, sepse kemi vënë shufra hekuri të fiksuara mirë. Por gjithsesi, unë po të mbaj fort.»

Gruaja zgjati duart mbi kokë dhe kapi dy shufra hekuri që ishin fiksuar në mur sipër gurit. Pastaj koka iu zhduk në të çarën ndërsa ajo përkulej edhe më poshtë me trup. Dalëngadalë iu afrua edhe më shumë gurit për ta puthur. Ne që po e vështronim, u zgjatëm për të parë pas shpatullave të saj tokën që ndodhej pothuajse 25 metra poshtë.

Gruaja e puthi gurin sa më shpejt që mundi dhe pastaj filloi të ngjitej duke u kapur te shufrat e hekurit. Me ndihmën e punonjësit, arriti të ngjitej lart dhe të qëndronte ulur, e pastaj u ngrit në këmbë. Tani do t’ia linte vendin vizitorit tjetër të guximshëm që të bënte të njëjtat manovra.

I hodhëm një sy gurit dhe pamë sa shumë i kishte ikur ngjyra. Punonjësi shpjegoi: «Guri duket ashtu sepse gjatë viteve e kanë puthur shumë njerëz. Por mos u merakosni, sepse e mbajmë të pastër gurin duke e larë katër a pesë herë në ditë.»

Tashmë ishte formuar një varg njerëzish që prisnin t’u vinte radha. Ne për vete s’kishim ndër mend ta puthnim gurin, sepse kjo traditë dukej shumë e rrënjosur në besëtytni, gënjeshtra e ndoshta edhe në spiritizëm. Një gjë me interes është se sipas një legjende tjetër, e gjithë kjo traditë filloi kur një grua e moshuar me anë të një magjie i dha dhuratën e gojëtarisë një mbreti pasi ai e shpëtoi nga mbytja në ujë. Prandaj, në vend që të viheshim edhe ne në radhë, shkuam të takonim gruan që sapo puthi gurin që ta pyetnim nëse vërtet e besonte që kishte fituar dhuntinë e të folurit lajkatues ose të gojëtarisë.

«Jo, fare»,​—tha ajo. Na shpjegoi se e kishte bërë vetëm për t’u zbavitur, me sa duket pa e menduar fare ç’domethënie kishte ky veprim. Ashtu si shumë vizitorë të tjerë në këtë vend historik, thjesht donte që t’u tregonte miqve të saj se kishte puthur gurin e Blarnit.

[Shënimi]

^ par. 13 E kishte fjalën për bashkëkohësin e saj të famshëm, dramaturgun anglez Uilliam Shekspir.

[Figura në faqen 18]

Kulla e Kështjellës së Blarnit