Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Varret e çuditshme të Perusë: Ç’mund të mësojmë prej tyre?

Varret e çuditshme të Perusë: Ç’mund të mësojmë prej tyre?

Varret e çuditshme të Perusë: Ç’mund të mësojmë prej tyre?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË PERU

MUND të mësoni shumë gjëra për një popull nga mënyra se si veprojnë ata me të vdekurit. Ky fakt shihet qartë sidomos në Peru, një vend ku kanë lënë gjurmë shumë kultura. Ndër to janë moçet, çimutë, naskat, çaçapojat, kolat dhe inkasit. Çdo kulturë kishte zakonet e veta të varrimit, të cilat pasqyronin bindjet e ndryshme për jetën e përtejme.

Si shkencëtarët, ashtu edhe grabitësit e varreve kanë gërmuar në mijëra vende varrimi dhe kanë zbuluar kufoma të ruajtura mirë, të mbështjella me disa metra pëlhurë ose me pambuk të paendur. Disa nga pëlhurat janë punuar bukur dhe kanë modele të shumëllojshme. Në ranishtat e nxehta e të shkreta, që mbulojnë pjesën më të madhe të bregdetit peruan buzë Paqësorit, janë zbuluar mijëra mumie të ruajtura mirë.

Varret e të mëdhenjve

Gërmimet në varret e moçeve kanë nxjerrë në dritë njerëz nga familje mbretërore, të cilët ishin varrosur bashkë me një pasuri përrallore si edhe me shpatat e me simbolet e pushtetit mbretëror. Gjithashtu me ta ishin varrosur edhe njerëz të tjerë. Siç duket, shërbëtorët flijoheshin për të shoqëruar prijësit në jetën e përtejme. Madje disave u kishin prerë edhe këmbët. Pse? Sipas një teorie, kjo bëhej që këta shoqërues të mos e linin detyrën e tyre në botën e poshtme.

Afër liqenit Titikaka, në lartësinë 3.827 metra, ka varre madhështore të quajtura çulpas. Ato janë kulla të gurta, me lartësi të paktën 12 metra, dhe janë më të gjera në majë sesa në bazë. Me sa duket, këtu ndodheshin eshtrat e fisnikëve të popullit kola që u pushtua nga inkasit. Disa nga varret kanë të skalitura gjarpërinj, mace dhe majmunë. Këto krijesa adhuroheshin si rojtarë të botës së përtejvarrit.

Në Karahia, afër qytetit të Çaçapojas, ka varre që të zgjojnë imagjinatën. Në pjesët e dala të faqeve të shkrepave gjenden sarkofagë dy metra të lartë, të bërë me argjilë të ngurtësuar. Në disa prej tyre kanë mbetur ende gjurmët e bojës origjinale të bëra shekuj më parë. Duket sikur fytyrat e gdhendura në këto sarkofagë kanë marrë një pamje hijerëndë e fytyrëngrysur, ndërkohë që vigjilojnë mbi një luginë të gjelbër, duke qenë zotër të gjithçkaje që u rrok syri i verbër.

Dëshmi të fundeve tragjike

Në periferi të Limës, kohët e fundit arkeologët kanë gjetur varre të thella ku ishin rreth 2.200 mumie të mbështjella në formë dengjesh. Dengjet, që me sa duket kishin origjinë inkase, ishin në gjendje të shkëlqyer. Njëri prej tyre ishte shumë i madh, peshonte 240 kilogramë dhe ishte 1,8 metra i lartë. Aty zbuluan dy trupa​—njëri ishte trupi i një fisniku inkas, i mbështjellë me 140 kilogramë pambuk të papërpunuar, kurse pranë tij ndodhej trupi i një fëmije që mund të ketë pasur lidhje me të. S’ke se si të mos bëhesh kureshtar për rrethanat që çuan në këto dy vdekje shumë kohë më parë.

Më pak misterioze, por po aq tragjike, janë trupat e fëmijëve që u flijoheshin perëndive të Andeve. Mbase prindërit e tyre e quanin për nder t’i dërgonin fëmijët në «botën tjetër», ndoshta si emisarë te perënditë. Zakonisht fëmijët varroseshin në ndonjë majë mali ose aty afër. Trupi i një vajze të re, që kishte mbetur i fshehur për shekuj të tërë, u zbulua në lartësinë afro 5.000 metra, në majën me borë Sara-Sara në Ajakuço. Këta fëmijë të flijuar mbështilleshin me një rrobë e ndonjëherë afër tyre viheshin dhurata ose sende të dhëna në shenjë kujtimi, si për shembull, statujëza lamash prej ari ose argjendi.

Shpresa për të vdekurit: Ku bazohej?

Këto qytetërime të vjetra në Peru nuk janë të vetmet që kishin rite varrimi, të cilat bazoheshin në besimin se ekziston një botë mistike e përtejvarrit. Edhe në kulturat moderne, interesimi për jetën pas vdekjes shfaqet në shumë mënyra.

Sot bindjet për jetën e përtejme janë nga më të ndryshmet. Për shembull, shumë të përhapura janë rimishërimi, transmigrimi i shpirtit, purgatori, ferri dhe koncepti i komunikimit me të vdekurit. Të gjitha këto doktrina bazohen në një mësim të përbashkët​—vetëm trupi vdes, por diçka e pavdekshme vazhdon të jetojë. Bibla nuk mbështet asnjërën nga këto ide.​—Predikuesi 3:18-20; 9:5, 10; Ezekieli 18:4.

Përkundrazi, ajo thotë se njeriu vetë është një shpirt, një krijesë e gjallë dhe e vdekshme. (1 Korintasve 15:45) Megjithatë, Fjala e Perëndisë jep edhe një shpresë të mrekullueshme për të vdekurit. Në të thuhet se do të ketë «një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Bibla nuk mjaftohet thjesht duke thënë se cila është kjo shpresë. Aty disa tregime janë shkruar nga njerëz që kanë parë me sytë e tyre ringjallje. (Gjoni 11:17-47; 1 Korintasve 15:3-6) Çfarë shprese të mrekullueshme ka për miliona njerëz që kanë jetuar dhe kanë vdekur gjatë kohërave!

[Figura në faqen 13]

Sarkofagë në Karahia (sipër)

[Burimi]

© Mylene D’Auriol/PromPerú

[Figura në faqen 13]

Kulla varrimi 12 metra të larta, pranë liqenit Titikaka

[Burimi]

© Carlos Sala/PromPerú

[Figurat në faqen 14]

Lart në Ande u gjet trupi i ngrirë i një vajze të re

Arkeologët kanë zbuluar rreth 2.200 mumie afër Limës

[Burimet]

Sipër majtas: © Alejandro Balaguer/PromPerú; fotografia brenda: Ira Block/NGS Image Collection