Vetëm për t’u pispillosur?
Vetëm për t’u pispillosur?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
A E KENI vënë re që zogjtë duket se kalojnë shumë kohë duke pastruar e lëmuar pendët me sqep? Kalojnë orë të tëra çdo ditë duke shpupurishur me sqep pendët sikur të mos kishin gjë tjetër për të bërë. Pavarësisht se çfarë janë, papagaj ose pelikanë, harabela ose flamingo, të gjithë e bëjnë këtë ritual të përditshëm. Pse? A mos është thjesht një përpjekje për t’u dukur sa më mirë?
Arsyeja e vërtetë shkon përtej kësaj. Zogjtë kanë nevojë për këto seanca pastrimi e lëmimi po aq sa një aeroplan ka nevojë për një kontroll të imët. Në fakt mirëmbajtja e puplave është çështje jetë a vdekje për zogjtë. Pendët e tyre dëmtohen shumë gjatë përdorimit, prandaj pastrimi dhe lëmimi me sqep jo vetëm që mban larg parazitët, por edhe ruan funksionin e tyre aerodinamik.
Rutina e përditshme e rregullimit përfshin puthitjen e atyre fijeve të pendëve që mund të jenë ndarë nga njëra-tjetra. Nëse fijet e pendëve janë të puthitura mirë,
atëherë zogu e ka më të lehtë të marrë më tepër vrull kur ngrihet në fluturim. Libri i shpendëve të Britanisë, (anglisht) shpjegon: «Ka dy grupe pendësh që kërkojnë kujdes të veçantë. Ato janë pendët e fluturimit në krahë dhe pendët ‘timoniere’ në bisht.»Zogjtë luftojnë vazhdimisht edhe për t’u mbrojtur nga parazitët. Në fakt, përveçse paraqesin rrezik për shëndetin e zogjve, parazitët e vegjël brejnë edhe pendët. Natyralistët kanë vënë re që zogjtë me sqep të dëmtuar nuk mund të pastrohen si duhet dhe si pasojë mbartin në pendë më tepër parazitë se zogjtë e tjerë. Për ta pasur më të lehtë heqjen e parazitëve, disa lloj zogjsh mbulohen me milingona, acidi formik i të cilave me sa duket shërben si insekticid i efektshëm.
Dhe së fundi, pendët duhen vajosur. Për shpendët e ujit vaji mbi pupla është mbrojtje kundër ujit, ndërsa për gjithë zogjtë e tjerë është një mbrojtje nga moti. Por, nga vjen ky vaj? Vjen nga një gjëndër e veçantë e njohur si gjëndra e pastrimit, e cila gjendet pikërisht sipër bishtit. Ajo prodhon vaj dhe dyll që zogjtë me durim e përhapin nëpër pendë. Edhe në këtë rast, vëmendje e veçantë u kushtohet pendëve të fluturimit.
Pra, nuk duhet të mendojmë që zogjtë e kalojnë kohën kot ndërsa pastrojnë e lëmojnë puplat. Është e vërtetë që ky proces i ndihmon të duken bukur, por mbi të gjitha i ndihmon të jenë të shëndetshëm. Pra, në botën e zogjve të pastrohesh do të thotë të mbijetosh.
[Diagrami dhe figurat në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Gypi
Fijet
Zgjatimet
Fijezat
[Figura]
Duke u pastruar e lëmuar, zogjtë bashkojnë me njëri-tjetrin përbërësit e vegjël të pendëve të tyre, duke i puthitur prapë fijet
[Burimi i figurës në faqen 23]
Cortesía del Zoo de la Casa de Campo, Madrid
[Burimet e figurave në faqen 24]
Pelikani: Fotografia: Loro Parque, Puerto de la Cruz, Tenerife; papagalli: Cortesía del Zoo de la Casa de Campo, Madrid