Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Demografia, Bibla dhe e ardhmja

Demografia, Bibla dhe e ardhmja

Demografia, Bibla dhe e ardhmja

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SUEDI

FAMILJA njerëzore, nga 1,65 miliardë që ishte në fillim të shekullit të 20-të, arriti një shifër befasuese prej 6 miliardësh aty nga fundi i shekullit. A do të vazhdojë popullsia e botës të shtohet me këtë ritëm të habitshëm? A do të shohë ky mijëvjeçar një rritje të vrullshme të popullsisë? Specialistët që përpiqen të gjejnë përgjigjet e pyetjeve kaq komplekse quhen demografë; dhe fusha që studiojnë ata është demografia.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përkufizon demografinë si «degë e statistikës që studion shpërndarjen gjeografike, përbërjen dhe shtimin e popullsisë ose të grupeve të veçanta shoqërore». Specialistët studiojnë tre faktorë që luajnë një rol të dukshëm te popullsia​—lindshmërinë (numrin e lindjeve); vdekshmërinë (numrin e vdekjeve); dhe lëvizjen e popullsisë (numrin e njerëzve që largohen nga një vend dhe vendosen në një tjetër).

Demografia historike studion shtimin dhe ndryshimet që ka pësuar popullsia në të kaluarën. Demografët historikë përpiqen të mësojnë sa më shumë për qytetërimet e lashta, duke shqyrtuar me kujdes materialet e shkruara, rrënojat, skeletet dhe objektet e bëra me dorë. Demografia historike bazohet pjesërisht në hamendje dhe pjesërisht në të dhëna të sakta. Atlasi i historisë së popullsisë botërore (anglisht) pohon: «Hipotezat e demografit historik nuk mund të provohen me teknologjinë e sotme dhe si pasojë, as që bëhet fjalë që ato të jenë të besueshme siç janë statistikat.» Megjithatë, hipotezat demografike janë me interes për studentët e Biblës. Në të vërtetë, shpesh ato janë në përputhje me historinë biblike.

Rritja e popullsisë pas Përmbytjes

Bibla thotë se vetëm tetë veta shpëtuan nga Përmbytja e ditëve të Noesë. Disa demografë hedhin hipotezën se rreth 1.400 vjet më vonë, popullsia e botës mund të ketë arritur në 50 milionë. A është e pamundur që për 1.400 vjet popullsia të shtohet nga 8 në afro 50 milionë veta?

Së pari, shifra 50 milionë është vetëm një llogaritje e përafërt dhe kaq. Megjithatë, është interesante ajo që thotë Bibla në Zanafillën 9:1: «Perëndia bekoi [vazhdoi të bekonte, BR] Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: ‘Qofshi frytdhënës, shumëzoheni dhe mbusheni tokën.’» Më pas, në kapitujt 10 dhe 11 lexojmë për 70 familjet që erdhën nga bijtë e Noesë​—Semi, Kami dhe Jafeti. Më tej flitet për gjenealogjinë e njerëzve nga Semi, të cilit «i lindën bij dhe bija», tek Abrahami. Në atë kohë lindshmëria mund të ketë qenë e lartë, në përputhje me urdhrin e Perëndisë që të ‘mbushnin tokën’.

Ç’mund të thuhet për shkallën e vdekshmërisë? Po të njëjtët kapituj të Zanafillës thonë se në shekujt e parë pas Përmbytjes, njerëzit jetonin shumë gjatë. * Kur përqindja e lartë e lindjeve shoqërohet me një vdekshmëri të ulët, rezultati është rritja e shpejtë e popullsisë.

Qëndrimi i izraelitëve në Egjipt

Disa studiues e shohin me mosbesim tregimin biblik për shtimin e shpejtë të izraelitëve kur ata jetonin në Egjipt. Bibla thotë se «tërë personat e familjes së Jakobit që erdhën në Egjipt ishin gjithsej shtatëdhjetë veta», pa llogaritur gratë e bijve të Jakobit. (Zanafilla 46:26, 27) Megjithatë, kur u larguan nga Egjipti 215 vjet më vonë, izraelitët kishin arritur një shifër befasuese prej ‘gjashtëqind mijë njerëzish më këmbë, pa llogaritur fëmijët’. (Eksodi 12:37) Po të përfshijmë gratë dhe fëmijët, gjithsej mund të kenë qenë tre milionë izraelitë. A është e mundur një rritje e tillë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje le të shqyrtojmë me kujdes se çfarë thotë Bibla për shtimin e popullsisë së Izraelit në Egjipt: «Bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.» Shtimi i shpejtë i izraelitëve në atë kohë ishte rast i veçantë.​—Eksodi 1:7.

Është interesante që edhe në ditët tona ka ndodhur një rritje e ngjashme në disa vende, si për shembull në Kenia gjatë viteve 80 të shekullit të 20-të. Sidoqoftë, ajo që e bënte të veçantë shtimin e izraelitëve ishte se vazhdoi për një kohë të gjatë.

Vetë Bibla na jep një arsye tjetër për rritjen e shpejtë të popullsisë së Izraelit. Gjatë kohës që ishin në Egjipt, izraelitët nuk provuan asnjë krizë ushqimesh. Kuptohet, kur godet zia e bukës, shumë njerëz vdesin në lulen e moshës. Si pasojë, gjatë kësaj periudhe lindin më pak fëmijë. Megjithatë Bibla tregon se izraelitët kishin ushqime me bollëk. Kur familja e Jozefit erdhi në Egjipt, faraoni i tha Jozefit: «Bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit.» (Zanafilla 47:6) Me sa duket, edhe kur u bënë skllevër të egjiptianëve, izraelitët kishin ushqim të mjaftueshëm. Madje pasi u liruan nga robëria, izraelitët kujtonin bukën, peshkun, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët, hudhrat dhe tenxheret me mish që hanin kur ishin skllevër.​—Eksodi 16:3; Numrat 11:5.

Gjatë shekullit të parë të e.s.

Gjithashtu demografia mund të hedhë dritë në kuptueshmërinë që kemi për Shkrimet e Krishtere Greke. Për shembull, kur lexojmë urdhrin që Jezui u dha ithtarëve të tij për ‘të bërë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’, mund të pyesim: ‘Ç’përmasa do të kishte kjo vepër?’ (Mateu 28:19) Sa veta jetonin në Perandorinë Romake në shekullin e parë? Disa llogarisin se popullsia e saj ishte diku aty te 50 milionë deri në 60 milionë njerëz. Nëse kjo është e vërtetë, ungjillëzuesit e hershëm të krishterë i priste një punë kolosale.

Kur lexojmë Shkrimet e Krishtere Greke, mësojmë se apostulli Pjetër shkoi në Babiloninë e largët për të predikuar lajmin e mirë. (1 Pjetrit 5:13) Pse zgjodhi pikërisht Babiloninë? Për ta kuptuar këtë, na ndihmon një koment në The New Encyclopædia Britannica: «Qendrat kryesore të popullsisë judaike jashtë Palestinës ndodheshin në Siri, Azinë e Vogël, Babiloni dhe në Egjipt. Në secilin prej këtyre vendeve mendohet se kishte të paktën 1.000.000 judenj.» Meqë Pjetri ishte caktuar t’u predikonte kryesisht judenjve, ishte logjike që ai të shkonte në një nga vendet ku kishte një komunitet judaik, pra në Babiloni. (Galatasve 2:9) Dhe duke pasur parasysh numrin e madh të popullsisë judaike atje, zor se Pjetri do të mbetej pa territor.

Ç’do të sjellë e ardhmja?

Siç e pamë deri tani, demografët interesohen për disa hollësi të së kaluarës së njerëzimit. Ç’thonë ata për të ardhmen? Demografët kanë ngritur pyetje të rëndësishme. A do të ketë një shtim të vrullshëm të popullsisë gjatë këtij mijëvjeçari? Askush nuk e di me siguri. Meqë në një sërë vendesh përqindja e lindjeve po bie, disa studiues parashikojnë se popullsia e botës do të mbetet pak a shumë e njëjtë.

Sidoqoftë jo të gjithë specialistët pajtohen me këtë mendim. Botimi Popullsia sot (anglisht) thotë: «Sot ka dy ‘botë’ që dallohen nga njëra-tjetra përsa i përket rritjes së popullsisë: nga njëra anë janë ato vende ku numri i lindjeve është dy ose më pak se dy fëmijë për çift, kurse nga ana tjetër janë vendet me lindshmëri më të lartë. Në ‘botën me dy ose më pak fëmijë’ përfshihen Evropa, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia dhe pak vende që po industrializohen me shpejtësi . . . Nga ana tjetër, ‘bota e rritjes së shpejtë’ përfshin shumicën e vendeve të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, ku raporti i lindshmërisë është më i madh se dy fëmijë për çift. Në këto vende, ku banon më shumë se gjysma e popullsisë së botës, çdo grua lind mesatarisht katër fëmijë.»

Pra ndërkohë që numri i popullsisë është zvogëluar në disa vende, ai është rritur ose ka mbetur thuajse i njëjtë në vende të tjera. Popullsia sot e përmbledh kështu ecurinë në të ardhmen: «Për shumicën e vendeve në zhvillim, rritja e shpejtë e popullsisë nuk ka mbaruar. Se kur do të përfundojë vërtet, dhe jo me hamendje, rritja e vrullshme e popullsisë në mbarë botën, varet se sa shpejt dhe sa do të investojnë vendet për programet për uljen e vdekshmërisë së foshnjave, për informimin e grave dhe për planifikimin familjar.»

A do të arrijë popullsia në tokë shumë më tepër se gjashtë miliardë banorë që janë tani? Koha do ta tregojë. Por ne e dimë se qëllimi i Perëndisë është që toka të mbushet jo të mbipopullohet. (Zanafilla 1:28) Dhe kemi çdo arsye për të qenë të sigurt se nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë do të realizohet ky qëllim.​—Isaia 55:10, 11.

[Shënimi]

^ par. 9 Më vonë, jetëgjatësia e njerëzve u zvogëlua deri në 70 ose 80 vjet, siç tregoi Moisiu aty nga viti 1500 p.e.s.​—Psalmi 90:10.

[Figura në faqen 12]

Nga të mbijetuarit e Përmbytjes erdhën më shumë se gjashtë miliardë banorët që ka bota sot

[Figura në faqen 13]

Gjatë 215 vjetëve, izraelitët që ishin në Egjipt, nga një numër i vogël u bënë tre milionë